Albspirit

Media/News/Publishing

Mustafa Spahiu: VETMIA – DINJITETI

Mustafa Spahiu- Macedonia | Fekt

 

 

Mustafa SPAHIU

 

1.

(Thith – plagës helmin)

 

Vjen zog në kohën e tretë

më shënjestërojnë përtokësit

 

se njoh ngjyrën e frikës larvë

shtatë pash i kam rrënjët zgjim

në tokë e qiell me tre snajper

 

më qëllonin nën qerpik kënga

shtrojera e këngës m’i ndalë

arnave plumbat tuaj “dum-dum”

 

ku ka plagë e dritë aty jam i tëri

nuk do kridheni gjolit të gjakut.

 

  

2.

(Natë pa gjumë-kjo ëndërr)

 

Ndërrohet moti mbrëmjen e dua

lutjet e ditës dridhje të duarve

 

jam shelgje e kuqe midis lumi

degëve më ulen pëllumbat e

bardhë gugasin sa magjishëm

 

lumit të madh notoj me buzët

barkushet m’i mbushin frymë –

trari i shtëpisë së vjetër bëhet

 

urë s’ankohem për fatin dhiata

prapë mjegulla ikën nga Dielli.

 

3.

 

(Digjem në vetmi-pa mëkate)

 

Më jepni fakte qëlloni në zemër

as mos u dridhni sikur tarabeca

 

mos më ushqeni me dorë Jagoje,

ushqim i kam vargjet ndër lule –

sa bën koka e Mustafa Spahiut, se

 

i shpërndau bufat tanë të tradhtisë

ne jemi leshverdhë, kuqalosha qen

na i rrëzoi gotat gostisë me shqehët

 

do ia ham zemrën pa pikë loti, ai –

se ndal rrugën këngët albatros.

 

4.

 

(Ngushëllim i bukur-egjër)

 

Me gërsheta ta lidhim djerrinës

t’ia gatuajmë bukën rreth unaze

 

ta mbërthejmë me shtjellë ndjesë

mos të kërkojë as nëpër malkurie

lisit pa qirinj hëna le ta qajë trishtë

 

t’ia shtojmë ndëshkimet gjarprit

të zi se luftonte me flatrat e vargut

paguar t’ia shtypim kobrës kokën

 

po nxjerr amfora të fundosura

dhe guaska me okarina ilire.

 

 

5.

 

(Bjeshkës së shtatë-gjuhë zjarri)

 

Zjarri dhe asgjë hirit thneglat

bëjë gjumë me katër sy radari

 

mëngjesit zgjohem me rruaza

të kuqe gjaku purpur shpresat

zgjatem në gishtërinjtë e syve

 

ta shoh si shërohet çmenduria

dema të shkordhur me ushujëza

mos shkoni ore somnambul

 

të tëra i keni: murtajën, mordjen pas

koronavirusin dhe shpirtin plot helme!

 

VETMIA – KRAHNEZET E MËRDHEZUR

 

VETMIA – FRERI I ZJARRTË

 

VETMIA – LLAMBË VAJGURI

 

VETMIA – NDËRMENDËSOHEM 

VETMIA – OPERË PËR DY GROSHË

Mustafa Spahiu u lind me 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Anamoravës së Gjilanit, Republika e Kosovës. Rrjedh prej një familje zejtare-bujqësore të kamur e fisnike. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. E kreu Akademinë pedagogjike – gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup. I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe. Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në “Flaka për fëmijët tanë” – Shkup. Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi – programet në gjuhën shqipe. Për 25 vjetë me rradhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionion më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”. Mbi 14 vjet drejtoi emisionin letrar të koduar “Tingulli i artë i fjalës”. Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Në takimet letrare të organizuara nga shoqata e artistëve “Pushkin” në Tetovë u nderua me çmim të parë. Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave: kroatishte, boshnjakishte, maqedonishte, serbishte, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë. Është anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë. Është anëtar i Klubit të shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” të Elbasanit, R. e Shqipërisë. Është qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit. Pas 41 vjet shtazh pune është pensionist, krijon, punon, lexon, përkthen, boton dhe jeton në qytetin e Shkupit. Vendlindjen e ka burim të pashtershëm frymëzimi.

Biografi lirike e librave të autorit:

– Buzëqeshjet e okarinave – (1981)

– Ylbere lirie… – (1982)

– Mollëkuqet e blerimit – (1984)

– Fëmijët kalojnë nën ylbere – (1988)

– Nobelistët për fëmijë – (1989)

– Livadhi im – “Moja livada” – (1989)

– Buzëburimi – “Pokraj izvorot” – (1992)

– Sytë që shkrepin fëmijëri – (1994)

– Fëmijët lozin në brerore – (1994)

– …Më ka marrë malli… – (1995)

– Rregullat e mirësjelljes (Bonton) – (1995)

– Ora që kurdiset nga ëndrrat e fëmijëve – (1996)

– Vallja e okarinave – (1999)

– Kolovajza e ëndrrës sime – (2000)

– Këngët e trishtilit – (2000)

– Sikur t’isha djalë i diellit – (2004)

– Fëmija është bilbil i shtëpisë – (2005)

– Me buzëqeshje ju dal përballë – (2005)

– Fëmijët fshihen në gjelbërim – (2007)

– Era s’ka shtëpi (haiku) – (2007)

– Fermanet e pranverës – (2009)

– Një imazh fshati më mungon – (2011)

– Çka ëndërron dallandyshja – (2011)

– Flamingo (haiku) – (2011)

– Unazë në amforë (haiku me rimë) – (2013)

– Shtëpia me melodi violinash – (2013)

– Vashëza ullinjore fsheh ishullin – (2013)

– Rreze mbi lirikën e zogut – (2015)

– Në ballë të ditës bukuritë – (2015)

 

 

Please follow and like us: