Albspirit

Media/News/Publishing

Andreas Dushi: Lojë me kohë ëndrrash

Po unë?”, tregim nga Andreas Dushi | ExLibris

Andreas Dushi
Gjithmonë Klara mbante në shtat një tunikë të bardhë e të gjatë, gati të tejdukshme, prandaj kur dilte, nuk mund të vishte bluza, pantallona apo funde, veç fustane. Përkrah saj për të parën herë po kaloja d(r)itë; më parë e vetmja shtysë drejt zgjimit ishte fakti se nata do të vinte sërish dhe aty, mund të ritakohesha me gjumin. Njërën nga këto ditë, në krahun mes të cilit ishte Klara, ndjeva gudulisje të lehtë. Pashë, por asgjë. Ndjesia mornicandjellëse vijoi dhe veç kur me dorë tërhoqa pak nga pas qafe fustanin e saj, vura re se nën tunikë, dy tufëza të buta pendësh ngjyrëbardha po mbinin si zambakë në ujërat e qeta të lumit buzë stolit ku rrinim ulur. Atë natë bëre ftesën e parë: udhëtim për në Romë.
Kur dëgjove orën e Santa Maria Maggiore të binte dymbëdhjetë herë, kuptove se qysh para mesnate, endeshe në kryeqytetin itaian pa ditur ku të shkoje. Kërkoje të më gjeje. Para “Colosseu”-t? Jo! Para “Panteon”-it? Jo! Në “Piazza Navonna”? Jo! Në “Piazza di Spagna”? Jo! Pranë “Il brutto monumento”? Jo! Rende me hap të shpejtë, edhe pse duhet goxha rrugë, drejt e te “Fontana di Trevi”. Rrëmove xhepat, por s’kishe asnjë monedhë (e kush dreqin flë me monedha?!). Hoqe nga qafa varësen e trashëguar nga gjyshja, shkëpute medalionin prej lidhëses së argjendtë, mbylle sytë dhe si të ishe duke hedhur turrë a jazë, ai kërceu me një pllaqurimë pa zë drejt e në ujë.
Me t’i çelur dy monedhat me të cilat më bleve zemrën, më pe dhe u çudite pasi kuptove se nuk ishte legjendë plotësimi i dëshirave në të tillë mënyrë. Veç atëherë më pati marrë gjumi dhe ja, nga kataraktët e rënë prej këmbëve të Perëndive, rrëshqita pa u lagur para teje. Diçka po e sëmbonte errësirën e cila filloi të zmbrapsej duke i lënë vend dritës. Mbetej edhe pak para mbylljes në kafazin realitet jashtë të cilit gjendet jeta. Shkuam deri në njërin prej skajeve të Fontanës ku gjetëm dy kushërinjtë falë të cilëve qemë njohur. Ishin duke menduar se si të vidhnin monedhat e biletave të realizimit të ëndrrave. Pasi i përshëndetëm, i the kushëririt tënd se nëse gjatë kërkimeve ia dilte të gjente medalionin e gjyshes, të ta kthente. Gabove! Ata lanë planin, hapën në një spërkatë ajrore këmbët dhe bullduq e në ujë. Mendova se nuk do të dilnin pa e gjetur arin, por ja që u mjaftuan me diçka shumë të ngjashme me të: vdekjen. I lamë tek pluskonin mbi ujë… Jo çdo ditë vizitohet Roma. Dorëngërthyer, me flatra ndër këmbë ecëm deri te bazilika papnore, ajo e orës. Ishte e martë, Papa do të nisej për në Japoni dhe ktheu, si gjithnjë, aty për një lutje. E pritëm te dera që u hap prej rojave, përballë të cilëve ne ishim të paqenë. Ai na bekoi me duart e dala majë mëngëve të petkave ngjyrëborë dhe me buzagazin e shenjtë, pyeti nëse donim diçka. Të pafuqi t’i përgjigjeshim, thjesht e pamë dhe nën hijen e kryqit në qafën e tij, u larguam drejt zgjimit në shtretërit tanë. I joti ngjyrë të bardhë në kërkim të dritës për t’u dhënë çarçafëve rozë mundësinë të ndjenin hijen e baldakinit vishnje; imi ngjyrë kaf mbuluar me çarçafë blu plot topa futbolli. Gjumi, tërhequr prej diellit që binte në lindje, mori me vete qepallat tona dhe sytë e hapur lehtë detyruan qerpikët e poshtëm të lakoheshin si një buzëqeshje.
U ngritëm dhe u takuam në shkollë.

Please follow and like us: