Albspirit

Media/News/Publishing

Kasam Hasani: Politika serbomadhe ende vazhdon

Kasam Hasani, Kryeprokuror i Prokurorisë së Lartë në Shkup – në pension

 

Nëse i bëhet një vështrim historik politikës serbe ndaj popullit shqiptar, do të konstatohet se politika e Serbisë ka qenë në vazhdimësi, nëpër vite e shekuj, e njejtë – antishqiptare dhe hegjemoniste. Çdo herë ka qenë me përmbajtje dhe aspirata  Serbo-madhe, pa marrë parasysh çfarë forme të rregullimit shtetëror ka patur shteti i Serbisë.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe pas përfundimit të saj, Serbia gjithnjë ka zhvilluar politikë hegjemoniste, agresive, nacionaliste, shoviniste, por edhe fashiste, duke tentuar gjithnjë që ajo si shtet të zgjerohet, kurse brenda në territorin e saj, me të madhe u ka vënë zullumin popullatës joserbe, duke i zhdukur e shfarosur, ose dëbuar ata nga territori i Serbisë, në vende të tjera. Këto veprime, Serbia i ka ndërmarr në bazë të planeve dhe programeve të veçanta, të përgaditura nga politikanë dhe ekspertë gjeopolitikë, apostafat (qëllimisht) të angazhuar, sic kanë qenë:

– Ilija Garashanin, i cili ka qenë historian dhe ka shkruar projektin e parë “Naçertanije”, në vitin 1844, i cili ka të bëj me dëbimin, shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike;

– Ivo Andriq, serb nga Bosna dhe Hercegovina, i cili ka qenë diplomat, Ndihmës Ministër për Punë të Jashtme në Jugosllavi, shkrimtar, të cilit në vitin 1961 i është ndarë për fat të keq çmimi Nobel për letërsi;

– Vasa Çubrilloviq, gjithashtu serb nga Bosna dhe Hercegovina, studimet dhe projektet e tij njihen me emrin “Dëbimet e shqiptarëve”. Për kontributin e tij në këtë drejtim është dekoruar nga organet e Mbretërisë Jugosllave, Jugosllavisë dhe Serbisë. Ka qenë ministër në Qeverinë Federative të Jugosllavisë dhe ka pregaditur projekte – memorandume edhe për dëbimin dhe shfarosjen e gjermanëve dhe pakicave të tjera nga Vojvodina gjatë Luftës së Dytë Botërore;

– Dobrica Qosiq, shkrimtar nacionalist serb, anëtar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave të Serbisë, në kohën e sundimit të S.Millosheviq ka qenë edhe Kryetar i Rebublikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, autor i Memorandumit për Kosovën dhe pozitën e keqe të serbve dhe Serbëve në Jugosllavinë Federative, ka qenë i njohur si “Baba i Kombit Serb”.

Këtu duhet përmendur Konventën Jugosllave – Turke të vitit 1938 dhe Marrëveshjen Xhetellmene të vitit 1953, për deportimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Turqi, si dhe programet dhe projektet serbe për zhdukjen, shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova Lindore – Toplica, Prokuplja, Leskovci, Kurshumlia, Vranja dhe viset tjera të banuara me popullatë shqiptare, me ç’rast janë shpërngulur me qindra – mijëra shqiptarë.

Përveç këtyre projekteve, shteti i Serbisë ka përpiluar edhe disa projekte të tjerë, me të cilët është paraparë kolonizimi i Kosovës me Serb dhe Malazez, pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Njejtë është vepruar edhe në kohën e Mbretërisë, kur Kryetar i Qeverisë ka qenë Nikola Pashiq, por edhe në periudhën e mëvonshme, kur Kryetar i Qeverisë ose Kryetar i Republikës kanë qenë: Ivan Stamboliq, Slobodan Millosheviq, Dushan Çkrebiq, Vojislav Koshtunica, Boris Tadiq, Ivica Daçiq, Tomislav Nikoliq apo Aleksandër Vuçiç.

Duhet veçuar vetëm politikanin e moderuar demokrat Zoran Xhinxhiq, i cili ishte Kryetar i Qeverisë së Serbisë vetëm rreth 1 vit e gjysëm, ndaj të cilit u bë atentat nga bashkëpunëtorët e Slobodan Millosheviqit dhe grupit kriminel të strukturuar “Klani i Zemunit”, në vitin 2003.

Aspiratat serbo-madhe kanë qenë të njejta edhe ndaj fqinjëve të saj.

Kështu për shembull, pas Luftës së Parë Botërore u formua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (Jugosllavia e Parë), në kuadër të së cilës kanë hyrë: Serbia, Kroacia dhe Sllovenia. Mali i Zi edhe pse para Serbisë ka qenë shtet i pavarur, atë në Jugosllavi, Serbia e mori pa identitet, respektivisht pa e emërtuar si shtet të veçantë. Pra, në atë Jugosllavi hynë (u gllabëruan) pa kurrëfar identiteti: Mali i Zi, Maqedonia, Sanxhaku, Kosova dhe Vojvodina. Të gjitha këto troje, fuqitë e mëdha ia lanë Jugosllavisë së Parë, si aleate e fuqive që e fituan Luftën e Parë Botërore. Këto troje i mbetën Serbisë në bazë të premtimeve dhe mashtrimeve të ndryshme serbe, e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, këto territore mbeten nën dominimin hegjemonist serb.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe formimit të Jugosllavisë së AVNO-it, në përbërje të së cilës hynë 6 republikat e atëhershme jugosllave, si dhe 2 krahinat autonome – Kosova dhe Vojvodina, të cilat ishin në përbërje të Republikës së Serbisë, por krahinat ishin edhe element konstitutiv i Federatës Jugosllave. Territori i Sanxhakut u nda në mes të Serbisë dhe Malit të Zi, pa asnjë identitet politik.

Një pjesë e madhe e territorit të Sanxhakut ishte e banuar me shqiptarë. Gjatë viteve të 50-ta të shekullit 20, pushteti serb gjithëashtu organizoi dëbimin dhe shpërnguljen e këtyre banorëve të besimit musliman nga Sanxhaku për në Turqi, dhe atë nëpërmes Maqedonisë. U dëbuan dhe shpërngulën me mijëra banorë të Sanxhakut dhe Kosovës. Një pjesë e kësaj popullate që u nis prej Maqedonie të shpërngulet për në Turqi, mbetën në Maqedoni pasi që u ndërpre shpërngulja për në Turqi, Kështu të njejtët mbetën përgjithmonë të jetojnë në disa vendbanime në Shkup dhe rrethinë, Kumanovë dhe rrethinë, dhe disa fshatra të Prilepit.

Programe dhe projekte të veçanta, pas Luftës së Dytë Botërore janë bërë edhe për shfarosjen dhe vrasjen e shqiptarëve nëpër fronte të ndryshme, ku janë dërguar me mijëra shqiptarë dhe janë vrarë nga pushteti serb, siç kanë qenë Fronti i Sremit, Rasti i Tivarit, etj., mirepo jane regjistruar si te zhdukur ne lufte.

Fatin e keq të shqiptarëve, në lidhje me dëbimin, shpërnguljen dhe shfarosjen, pas Luftës së Dytë Botërore nga ana e Serbisë, e kanë përjetuar edhe pakicat tjera në Vojvodinë, e sidomos Gjermanët – banor autokton të Banatit dhe Baçkës në Vojvodinë, të cilët kanë përbërë rreth 25% të popullatës së përgjithshme të Vojvodinës. Serbia duke shfrytëzuar luftën dhe njësitë e mobilizuara ushtarake Jugosllave (serbe), por edhe ato Sovjetike, ka dëbuar nga trojet e tyre shekullore mbi 600,000 gjerman, me arsyetimin se “paskan qenë bashkëpunëtorë të okupatorit”, kurse të tërë pasurinë e tyre të patundshme ua ka dhënë serbëve dhe malazezëve në Vojvodinë.

Në mënyrë të njejtë Serbia ka vepruar edhe për dëbimin e pakicave tjera nga Vojvodina, e veçanërisht me pakicën hungareze.

Serbia në bashkësitë Jugosllave gjithnjë ka qenë dominante. Kështu për shembull, në vitin 1941, prej 108 gjeneralëve në Ushtrinë Çlirimtare Popullore, vetëm dy nuk kanë qenë serb (1 ka qenë kroat, kurse tjetri malazez), e dhënë e cila flet për pozitën dominante të Serbisë, dominim i cili ka qenë i vazhdueshëm.

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë egzistimit të Jugosllavisë së Titos, në të gjitha sferat e jetës përsëri ka dominuar Serbia, posaçërisht në strukturat e organeve më të larta shtetërore dhe partiake, si dhe në pjesën komanduese të Armatës Jugosllave. Ndikimi i politikës serbe haptazi ka ardhur në shprehje në marrjen e vendimeve të caktuara nga ana e organeve më të larta shtetërore, partiake dhe ushtarake, të nivelit Federativ.

Serbisë shpeshherë për marrjen e vendimeve të caktuara i kanë ndihmuar edhe republikat aleate të Serbisë – Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosna dhe Hercegovina, të cilat ishin pothuajse në koalicion të përhershëm me Serbinë. Kësi vendimesh disa herë janë marrë edhe në dëm të Kosovës dhe popullatës shqiptare në përgjithësi.

Shumë çështje që ngriheshin në Maqedoni, si për shembull: përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në Maqedoni; përdorimi i gjuhës shqipe në administratë në Maqedoni; arsimimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe në Maqedoni; paralelet e përziera – bashkimi i paraleleve me nxënës të përzier nëpër shkolla, me nxënës maqedonë dhe shqiptarë bashkë me qellim që nxënësit shqiptarë të shkolloheshin vetëm në gjuhën maqedone, me çka nxënësve shqiptarë iu mohohej e drejta e shkollimit në gjuhën amtare-shqipe; prishja e rrethojave të shtëpive me mur më të lartë mbi 110cm të oborreve të shqiptarëve në Maqedoni, Të gjitha këto vendime merreshin pas konsultimeve me Serbinë, respektivisht këto veprime së pari eksperimentoheshin në Maqedoni, e më vonë zbatoheshin edhe në Kosovë, respektivisht në Serbi.

Edhe pse Serbia dominonte në Jugosllavi, ajo nuk ishte e kënaqur. Në Serbi haptas filluan të dalin filozofë, politikanë, shkrimtarë, profesorë,  jursitë, etj, të cilët kërkonin që në Jugosllavinë Socialiste Federative të ndryshohet – favorizohet pozita juridike – kushtetuese e Serbisë, si republikë më e madhe në Jugosllavi, e veçanërisht të zvogëlohet autonomia e krahinave, e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, ngase “krahinat paskan vepruar si shtet – në shtet”.

Në kohën e Jugosllavisë së Titos, Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë Aleksandër Rankoviçi, vitet e 60-ta të shekullit 20, kur është zbatuar program i posaçëm – “Aksioni i armëve” që ka patur për qëllim shqiptarët të malltretohen në mënyrat më brutale, kinse me qëllim të konfiskimit të armëve, megjithese shqiptaret nuk posedonin armë. Nga këto tortura dhe ky represion shtetëror shumë shqiptarë i kanë braktisur vendbanimet e tyre dhe janë shpërngulur për në Turqi. E si gjithmone, prona e patundshme e shiptareve te shperngulur u është dhënë sërbve dhe malazezëve, nga ana e pushtetit serb.

Në vitin 1986, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, aprovoi programin serb për dëbimin e shqiptarëve nga Serbia. Ky program me vone u emërtua si Programi Jugosllav për Kosovën dhe u shpall në “Gazetën Zyrtare”, në vitin 1990. Sipas këtij projekti, kushdo që dëshironte mund të shkonte dhe jetonte në Kosovë, e atyre të interesuarve ju siguroheshin beneficione të mëdha. Ky program kryesisht kishte për qëllim ndryshimin e strukturës nacionale në Kosovë, respektivisht të favorizohen Serbët dhe Malazezët.

Pas vdekjes së Titos, të shumtë ishin shkaqet dhe skenarët për shpërbërjen e Jugosllavisë. Serbia filloi retorikën se “tani është koha kur Serbia duhet ta rregullojë pozitën e saj juridike – kushtetuese”; “se Serbia çdoherë ka fituar në lufta, por ka humbur në paqë”, “se Serbia duhet t’i mbrojë serbët kudo që jetojnë në Jugosllavi”, “se kudo që ka një varr serb do të jetë Serbi”, etj., që në esencë do të thoshte zgjerim i Serbisë edhe në pjesë tjera të ish republikave Jugosllave, e posaçërisht në Bosnë dhe Hercegovinë, në Kroaci dhe në Maqedoni.

Sipas planeve të Serbisë, një pjesë të Kroacisë duhej ta merr Serbia, si dhe të tërë Bosnën dhe Hercegovinën. Sa i përket Malit të Zi, Serbia mendonte se ai do t’i bashkangjitej Serbisë, ngase tradicionalisht ka qenë me Serbinë. Maqedoninë, Serbia e kish emërtuar si “Vardarska Banovina” dhe mendonte se edhe ajo do t’i bashkangjitet Serbisë, pasi që e llogariste “Banovinë të saj”.

Megjithatë këtë gjë nuk e lejonte Komisioni i Badinterit, i cili u krijua me qëllim të këshillimit ligjor lidhur me shpërberjen e Jugosllavisë. Sipas këtij Komisioni, me shpërbërjen e Jugosllavise, do të aplikohej principi utti posidetis iuris, që nënkuptonte se shtetet e reja do të kishin kufinjët ashtu sic i kishin pasur republikat brenda Federates Jugosllave.

Mirëpo, pas fillimit të luftërave vëllazërore në Jugosllavi, vitet e 90-ta të shekullit 20, Serbia së pari filloi të luftojë në Slloveni. Kjo luftë nuk zgjati shumë dhe së shpejti Serbia u tërhoq, ngase Serbia vlerësoi se nuk është e interesuar për Slloveninë, kurse Sllovenia shpalli pavarsinë e saj ne vitin 1991.

Shpejt pas saj, edhe Kroacia në vitin 1991 shpalli pavarësinë. Udhëheqësia kroate ishte e vetëdijshme se serbët e Kroacisë, të nxitur dhe përkrahur nga Serbia, do të hynin në luftë për t’ia bashkangjitur Serbisë territoret e Kroacisë të banuara me serb. Kështu, Kroacia pas shpalljes së pavarsisë bleu shumë armatim dhe formoi ushtrinë e saj.

Duke patur parasysh strukturën nacionale të pjesës komanduese të Armatës Jugosllave, e cila armatë ishte shumë e fortë, Serbia shfrytëzoi eprorët, ushtarët, armatimin dhe paisjet tjera të kësaj armate dhe hyri në luftë me Kroacinë. Njëkohësisht kishte pregaditur për luftë edhe popullatën serbe në Kroaci dhe e kishte furnizuar me armë dhe paisje tjera që të luftojnë kundër kroatëve. Kështu në Kroaci filloi lufta Kroato-Serbe, me ç’rast u vranë dhe masakruan shumë njerëz, dhe u rrënuan shumë qytete dhe vendbanime. Në tërësi nga Armata Serbe u rrënua qyteti i madh Vukovari, kurse lufta të rrepta u zhvilluan edhe në Knin, Pakrac, Graçac, Gospiq, Udina, Okuçani, Petrinje, etj, me ç’rast u vranë shumë luftëtarë, civilë, fëmijë, gra, pleq, etj.

Udhëhqësia Kroate, në krye me Kryetarin e atëhershëm Franjo Tuxhman, serbëve të Bosnës u ka propozuar që të ndalet lufta dhe të arrihet marrëveshje. Me këtë rast serbëve në Kroaci u është propozuar që shteti i Kroacisë është i pajtimit që atyre t’u sigurojë autonomi kulturore në shkallë të lartë, si dhe disa të drejta politke të tjera, siç janë: Ata të kenë edhe monedhën e tyre, të kenë Ministri të veçantë për kulturë dhe lidhje kulturore, etj. Ky propozim ishte i njohur si “Projekt Z-3”, i cili ka qenë shumë i favorshëm për serbët, por serbët nuk e pranuan. Prandaj, Kroacia ishte e detyruar që të blejë armatim dhe të hyjë në luftë jo vetëm me serbët e Kroacisë, por edhe me Serbinë. Vlen të theksohet se Kroacia kishte edhe përkrahje politike nga Gjermania e veçanërisht nga Ministri gjerman – Gensher. Kështu, në zonën e Kninit me popullatë dominante serbe, u ndërmorr një sulm ushtarak dhe policor i Kroacisë, i ashtuquajtur “Olluja” (“Stuhia”), i cili zgjati 3 ditë (4–7 Gusht 1995), sulm i cili ka qenë shumë i ashpër. Pjesa më e madhe e luftëtarëve – kryengritësve serb u vranë ose dëbuan, por bashkë me ta edhe shumë popullatë serbe u dëbua nga vendbanimet në Kroaci dhe shpërngulën për në Serbi. Keshtu këto vendbanime në Kroaci u boshatisën nga popullata serbe.

Bosnën dhe Hercegovinën, Serbia mendonte në tërësi ta aneksonte, por më vonë u bind se në territorin e saj mund të krijojë vetëm një zonë politike – administrative serbe, që më vonë e emërtoi “Republika Srpska”. U bënë luftëra të mëdha midis 3 popujve të Bosnës dhe Hercegovinës, respektivisht mes Muslimanëve (tani Boshnjakëve), Serbëve dhe Kroatëve. U vranë e u masakruan me mijëra ushtarë, si dhe popullatë tjetër. U rrënuan shumë vendbanime. Përgjithmonë do të mbeten të shënuara në historinë ballkanike dhe evropiane rasti i Serbrenicës dhe rastet tjera të luftërave dhe masakrimeve në Bosnë dhe Hercegovinë, të bëra nga njesitë ushtarake serbe.

Luftimet në Bosnë dhe Hercegovinë nuk kishin të ndalur. Me insistimin dhe ndërmjetësimin Amerikan, në qytetin Dejton të SHBA-së, u arrit Marrëveshja për Paqe në Bosnë dhe Hercegovinë. Kështu gjatë muajit Dhjetor të vitit 1995, në Paris është nënshkruar, në prezencën e përfaqësuesve të fuqive të mëdha botërore dhe presidentëve të rajonit, Alia Izetbegoviç, Sllobodan Millosheviç dhe Franjo Tuxhman, marrëveshja e posaçme e emërtuar si Marrëveshja e Dejtonit, me të cilin është përcaktuar sistemi kushtetues, politik dhe ligjor i shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, si shtet kompleks i formuar prej 3 popujve konstitutiv, dhe atë: Federata Bosna dhe Hercegovina me 51% territor, dhe Republika Srpska me 49% territor, si dhe distrikti Brçko, si njësi e veçantë territoriale.

Serbia qysh atëherë nuk ka qenë e kënaqur me zgjidhjet e Marrëveshjes së Dejtonit. Por, Serbia me këtë arriti që Serbët e Bosnës t’i koncentrojë në të ashtuquajturën Republika Srpska, duke caktuar Banja Llukën si kryeqendër të kësaj Republike.

Vlen të përmendim se organizimi i shtetit të Bosnës dhe Hercegovinës, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, është mjaft i komplikuar dhe e gjithë kjo këtë shtet e bën jofunksional. Ndarja në njësi territoriale – kantone dhe distrikte, edhe më shumë e vështirëson funksionimin e këtij shteti. Edhe pse për funksionimin dhe marrjen e vendimeve sipas Marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës, është paraparë si i domosdoshëm koncenzuesi i 3 etniciteteve (boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve), shpeshherë nuk arrihet koncezues midis etniciteteve, sidomos në shumicën e rasteve, veçanërisht në kohët e fundit, haptas nuk pajtohet etniteti serb, dhe atë për çështje tepër të rëndësishme për marrjen e vendimeve përkatëse në lidhje me funksionimin e organeve shtetërore më të larta në Bosnë dhe Hercegovinë, siç janë: Parlamenti, Qeveria, Gjykata Kushtetuese, Gjykata Supreme, Prokuroria Federale, etj. E kësaj natyre është edhe mosnjohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Republikës së Bosnës dhe Hercegovinës, ku me të madhe ka ardhur në shprehje ndikimi i Serbisë. Për këto shkaqe, funksionimi i disa organeve dhe institucioneve në Bosnë dhe Hercegovinë momentalisht është në kolaps.

Nga politikanët dhe udhëheqësit kroat dhe boshnjak, në Bosnë dhe Hercegovinë, kohëve të fundit shpeshherë thuhet se sjelljet e politikanëve dhe udhëheqësve serb, në krye me Milorad Dodik, në Bosnë dhe Hercegovinë e kanë kaluar vijën e kuqe. Ata nuk ngurrojnë të thonë se serbët e Bosnës direktivat për kësi sjelljesh i marrin nga Serbia, respektivisht nga udhëheqësit dhe politikanët serb, dhe se e gjithë kjo bëhet me qellim të rrënimit të sovranitetit të Bosnës dhe Hercegovinës si shtet, me tendencë që Republika Srpska t’i bashkangjitet Serbisë.

Maqedonia, siç tham edhe më parë, në kohën e egzistimit të Jugosllavisë, ishte njëra nga gjashtë Republikat e Federatës Jugosllave, por Maqedonia ishte në “koalicion” (ishte vazale) me Serbinë. Në vitin 1991, edhe Maqedonia shpalli pavarsinë e saj, edhe pse kjo republikë kishte shumë elemente kontestuese, siç ishin: emri, popullata maqedonase pa identitet kombëtar, gjuhën, historinë, kishën, territorin, etj.

Për shpalljen e pavarsisë së Maqedonisë, rol të rëndësishëm kanë luajtur disa politikanë Maqedonas, në krye me ish Kryetarin e kësaj Republike, tani i ndjeri Kiro Gligorov, i cili ka qenë politikan i mençur, me eksperiencë dhe dinak i madh. Maqedonia shpalli pavarsinë pas mbajtjes së Referendumit gjithëpopullorë (të cilin popullata shqiptare e bojkotoi, ashtu siç bojkotoi edhe pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë). Qytetarët e Maqedonisë duhej t’i përgjigjeshin pyetjes së Referendumit: – A jeni për pavarësi të Republikës së Maqedonisë si shtet, me mundësi që më vonë t’i bashkangjitet ndonjë subjekti tjetër? Subjekti tjetër edhe pse nuk ishte i emërtuar, për Maqedonasit dhe për Serbinë supozohej se ai subjekt do të ishte Serbia. Pasi populli u deklarua për pavarësi të Maqedonisë, për pjesën e dytë të pyetjes të Referendumit, populli asnjëherë nuk u deklarua. Kështu, Maqedonia me mençuri dhe dinakëri u nda nga Serbia pa asnjë therrë në këmbë, kurse Serbia mbeti edhe pa Maqedoninë.

Maqedonia së pari u pranua në OKB me fusnotën Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (anglisht. FYROM), në vitin 1993, për shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë. Pas 25 vitesh, respektivisht pas marrëveshjes së Prespës me Greqinë në vitin 2018, Maqedonia e ndryshoi emrin dhe u emërtua Republika e Maqedonisë së Veriut, me të cilin emër u anëtarsu në NATO në vitin 2020 dhe tani tenton edhe të hyjë në BE.

Edhe pse Maqedonia u pavarësua, Serbia ende nuk pajtohet që Maqedonia të ketë Kishë Ortodokse autoqefale dhe kërkon që Kisha Ortodokse Maqedone të veprojë nën ombrellën e Kishës Ortodokse Serbe. Ky kontest vazhdon vite me radhë dhe në esencë nuk është kontest fetar – kishtarë, por është kontest politik të cilin e shkakton Serbia.

Serbia bashkë me Rusinë nuk i kanë mirëpritur ndryshimin e emrit te Maqedonise, anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si dhe tentimet e Maqedonisë për pranim në BE.

Pas shpartallimit të Jugosllavisë, Mali i Zi duke u bazuar në miqësinë tradicionale me Serbinë, si dhe miqësinë reciproke të udhëheqësve të atëhershëm të Serbisë – Slobodan Millosheviçit dhe atij të Malit të Zi – Momir Bullatoviçit, në vitin 1992 u krijua bashkësia “Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ)” kurse më vonë u emërtua si “Bashkësia shtetërore e Serbisë dhe Malit të Zi”, në përbërje të së cilës ishin Serbia dhe Mali i Zi.

Duke iu falenderuar udhëheqësisë së re të Malit të Zi, në krye me Milo Gjukanoviçin, Mali i Zi u shkëput nga Serbia dhe shpalli pavarësinë, në vitin 2006. Keshtu Serbia u llogarit si vazhdimesi e Jugosllavise dhe prandaj Serbia nuk pati nevojë te shpallë pavarësinë.

Republika e Malit të Zi, tani është anëtare e NATO-së dhe ka perspektivë reale evropiane. Kjo aspak nuk i ka konvenuar Serbisë dhe Rusisë, prandaj në çdo hap janë munduar që ta pengojnë Malin e Zi. Disa herë kanë ndërmarrë veprime antishtetërore kundër shtetit të Malit të Zi. Partitë politike serbe në Mal të Zi veprojnë jashtëzakonisht në mënyrë destruktive dhe pengojnë në marrjen e vendimeve të rëndësishme shtetërore. Ka patur edhe sjellje brutale në formë të organizimit të grushtetit në Mal të Zi. Në shumicën e rasteve këto veprime destruktive të Serbisë kanë qenë të përkrahura ose të nxitura nga Rusia.

Edhe në Mal të Zi, Serbia paraqet problemin e Kishës Ortodokse Malazeze dhe kërkon që e njejta të veprojë nën patronatin e Kishës Ortodokse Serbe.

Në kohët e fundit, Kisha Ortodokse Serbe ka marrë hov të madh në lidhje me përcaktimin e pronës shtetërore dhe pronës së Kishës Ortodokse Malazeze në Mal të Zi, duke pretenduar që edhe Kisha Ortodokse Serbe ka hise në këtë pronë. Udhëheqësia shtetërore dhe politike e Malit të Zi, veprimet e Kishës Ortodokse Serbe i vlerëson si përzierje të Serbisë në punët e brendshme të shtetit të Republikës së Malit të Zi, dhe këtë nuk e konsideron si çështje të karakterit fetarë – kishtarë. Sipas qëndrimeve politike të udhëheqësisë së Malit të Zi, këto veprime të Serbisë kanë për qëllim rrënimin e sistemit kushtetues e politik të përcaktuar me Kushtetutën e Malit të Zi.

Pas demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë, pushteti Jugosllav (serb) filloi diferencimin politik të shqiptarëve në përgjithësi e jo vetëm në Kosovë, me ndjekjen dhe dëbimin e tyre nga Kosova dhe viset tjera. U larguan nga puna dhe u diferencuan me mijëra shqiptarë, kurse një numër i madh i tyre migruan në vende të ndryshme në Evropë, SHBA, Kanada dhe shtete të tjera.

Derisa Serbia vazhdonte luftërat në republikat tjera, gjendja në Kosovë acarohej çdo ditë e më shumë, sidomos pas rrënimit të autonomisë politike të Kosovës, me aprovimin e Amandamenteve në Kushtetutën e vitit 1974. Rezistenca e popullit në Kosovë mori formën e luftës gjithë-popullore, kurse Serbia për çdo ditë merrte masa represive. Serbia ndërmori edhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Me ngjarjet dhe ndodhitë në Kosovë filluan të merren edhe organizatat ndërkombëtare, përgjegjëse për paqen dhe sigurinë, si për shembull:  Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Fuqitë Botërore, etj. Në qytetin Rambuje të Francës u mbajt konferencë e posaçme, me qëllim të shqyrtimit të gjendjes në Kosovë dhe zgjidhjen e problemit të Kosovës. Në Kosovë filloi luftë e armatosur. Kështu u desht që Këshilli i Sigurimit të bie Rezolutën 1244, si dhe u desh që të intervenojë ushtarakisht NATO. Pas luftimeve dhe bombardimeve të NATO-së në Serbi, në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës së vitit 1999, u ndërpre lufta në Kosovë, Serbia u largua nga Kosova, kurse Kosovën në administrim e mori UNMIK-u, si mision i OKB-së. Pas kësaj, nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u caktua edhe Presidenti Ahtisaari, i cili do të duhej të përcaktonte ardhmërinë e statusit të Kosovës, në bashkëpunim me përfaqësues të caktuar nga fuqitë e mëdha – Amerika, BE dhe Rusia. Pas gjithë kësaj, me datë 17.02.2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Tani Kosovën si shtet të pavarur e kanë pranuar rreth 115 shtete. Serbia jo vetëm që nuk e njeh këtë realitet, por me të madhe mundohet që te disa shtete të ndikojë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ose tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kosova sot i ka të gjitha atributet e shtetit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me normat ndërkombëtare.

Edhe përpos kësaj, Serbia ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ajo pengon shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovsë në pjesën veriore  dhe pengon në funksionimin e organeve të saj. Në mënyra të ndryshme mundohet të ndikojë te serbët e Kosovës që ata të mos integrohen në organet dhe institucionet e Kosovës.

Me veprimet destruktive të Serbisë nuk dëmtohet vetëm Kosova, por me këto veprime Serbia i shkakton dëme edhe popullatës serbe në Kosovë në shumë aspekte. Kështu përshembull partitë politike Serbe në Kosovë për shkak të ndikimit të madh të Serbisë, çdoherë në zgjedhjet parlamentare fitojnë militantët nga “Lista Srpska”, të dërguar dhe dirigjuar nga Beogradi për deputet në parlamentin e Kosovës, të cilët nuk përfaqësojnë dhe nuk paraqesin kërkesat dhe nevojat e popullatës serbe në Kosovë, por politikën propaganduese të Serbisë.

Nga aspekti juridik, Kosova de jure është shtet dhe kjo çështje në procedurat gjyqësore konsiderohet si res judicata, që do të thotë “çështje e zgjidhur”, ose “çështje e vendosur”, ose “çështje e gjykuar”. Këtu vjen në shprehje edhe principi tjetër procedural juridik – ne bis in idem, që do të thotë “jo një punë dy herë”.

Serbia është në dijeni se kështu ka vendosur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, me datë 22.07.2010, dhe atë në bazë të kërkesës – padisë së Serbisë, me ç’rast kjo Gjykatë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës – shtet, është bërë në përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare.

Në periudhën 1998-1999, Serbia dëboi në mënyrë masive afër 840,000 shqiptarë, duke u larguar dhe strehuar ata në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe në vende tjera të Evropës dhe Amerikës, të cilët pas përfundimit të bombardimeve të NATO-së në Serbi, u kthyen në vendbanimet e tyre të mëparshme. Në luftën e vitit 1999, Serbia vrau, masakroi rreth 11,500 njerëz – shqiptarë, ndër të cilët shumë fëmijë, gra dhe pleq, kurse numri i personave të zhdukur është rreth 1,500, e gjithashtu ushtria serbe dhunoi 20,000 vajza dhe gra shqiptare.

Gjatë viteve 1990-1999, pushteti serb ka pushuar nga puna 75,000 punëtorë shqiptarë në Kosovë, me çrast përveç tyre edhe anëtaret e familjeve të tyre kanë mbetur pa mjetet e nevojshme financiare për egzistencë.

Çka është më e rëndësishme, të gjithë këto projekte, programe, elaborate dhe memorandume të ndryshme, janë aprovuar dhe financuar nga institucionet shtetërore të Serbisë. Pas kësaj çdo herë ka qendruar Kisha Ortodokse Serbe, kurse e gjithë kjo ka qenë e përkrahur, ose shpeshherë edhe e nxitur nga Rusia, për shkaqe të pretendimeve të Rusisë në Ballkan.

Kosova tani është shtet sovran dhe i pavarur, por Serbia ende e mban në Kushtetutë si pjesë të saj. Kosova më nuk është pjesë e Serbisë dhe Serbia nuk ka qasje në territorin e Kosovës. Organet e Serbisë në Kosovë nuk kanë kurrëfarë kompetence, që nga viti 1999, e të mos flasim pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Përpos gjithë kësaj që thamë më lartë, Serbia deri tani nuk është përgjigjur për vrasjet, masakrimet, dhunimet dhe zhdukjet e mijëra qytetarëve, fëmijëve, grave, pleqëve, shkaktimin e dëmeve të mëdha, përvetësimin e fondeve të ndryshme financiare dhe pasurisë së përbashkët të Federatës Jugosllave, etj. Ajo për të gjitha këto deri tani nuk është ndëshkuar.

Serbia nuk duhet ta harrojë edhe faktin se në kuadër të saj, një regjion i tërë është i banuar me popullatë shqiptare. Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me një numër të madh fshatrash (rreth 125) janë të banuara kryesisht me popullatë shqiptare. Këto tri komuna janë komunat më pak të zhvilluara në Serbi, mu nga shkaku se ato janë të banuara me popullatë shqiptare. Historikisht, ky regjion i ka përjetuar dhe ka kaluar nëpër të gjitha elaboratet dhe projektet e Serbisë lidhur me dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve, të cilat i cekëm më parë. Kështu përshembull nga këto vendbanime, pas luftës së Parë Botërore ka filluar dëbimi i popullatës shqiptare për në Turqi, kurse në kohën e Jugosllavisë Federative Socialiste, shpërngulja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka vazhduar për në Turqi, nëpërmes Maqedonisë, në vitet e 50-ta të shekullit XX. Një numër i madh i kësaj popullate, pas ndërprerjes së shpërnguljes nga Maqedonia kanë mbetur përgjithmonë në Maqedoni, sidomos në Shkup dhe Kumanovë. Gjatë viteve 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, me të madhe shqiptarët e mbetur në këtë Luginë janë shpërngulur për në Kosovë, kryesisht për shkollim dhe arsimim në gjuhën shqipe, pasi në Serbi nuk e kishin këtë mundësi. Meqënëse komunat e cekura kanë qenë dhe kanë mbetur komuna më të pazhvilluara në Serbi në çdo aspekt, një pjesë e madhe e popullatës shqiptare kanë marrë rrugën e migrimit në Evropë ose Amerikë.

Të rinjët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, edhe më tutje vazhdojnë shkollimin në universitetet e Kosovës në gjuhën shqipe. Mirëpo, Serbia, diplomat e lëshuara në universitetet e Kosovës nuk i pranon, kështu të rinjët të cilët kryen fakultete të ndryshme nuk mundën të punësohen në komunat e Luginës së Preshevës.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, respektivisht gjatë viteve 2011-2014, por edhe më vonë, zhvillohej dialogu për çështje praktike midis Serbisë dhe Kosovës, nën ombrellën e BE-së, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, kurse më vonë edhe të Federika Moderini. Gjatë këtyre bisedimeve u miratuan disa marrëveshje ndër të cilat edhe ajo për njohjen reciproke të diplomave, me ç’rast Serbia do të duhej ti pranojë edhe diplomat e studentëve shqiptarë që kanë diplomuar në Kosovë, ngase diplomat e studentëve serb të lëshuara nga universitetet e Kosovës, Serbia gjithnjë ua ka pranuar. Serbia jo vetëm këtë marrëveshje, por edhe shumë të tjera (gati të gjitha) nuk i zbaton, edhe pse rregull e të drejtës ndërkombëtare është – Pacta sunt servanta (marrëveshjet duhet të zbatohen).

Popullata shqiptare në Luginën e Preshevës përballet me probleme të mëdha edhe në sferën e arsimit fillorë dhe të mesëm. Librat shkollorë të këtyre cikleve arsimorë deri në egzistimin e Jugosllavisë Federative siguroheshin nga Kosova. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, botimet nga Kosova nuk i lejon të hynë Serbia në Luginën e Preshevës. Kështu nxënësit përdorin libra të përkthyer nga Serbishtja, nga autor të ndryshëm serb, kurse një pjesë e vogël mirren nga Shqipëria. E gjithë kjo vështirëson me të madhe procesin e arsimimit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.

Vështirësi të posaçme popullatës së Luginës së Preshevës i paraqet edhe përcaktimi i kompetencave gjyqësore të gjykatave në Luginë. Këto gjykata janë kompetente të vendosin vetëm në shkallën e parë dhe atë në procedurën civile për kontekstet me vlerë të vogël, kurse në procedurën penale për vepra penale të lehta, kurse në shkallën e dytë vendosin gjykatat jashtë territorit të Luginës të përcaktuara me ligje të Serbisë.

Popullata e Luginës së Preshevës has në vështirësi të ndryshme edhe në lidhje me realizimin e të drejtave dhe obligimeve të tyre pranë organeve tjera shtetërore të Serbisë. Këto vështirësi i janë krijuar popullatës shqiptare në Luginë, ngase u janë marrë (zhveshur) kompetencat organeve komunale në Luginën e Preshevës dhe këto kompetenca u janë dhënë organeve shtetërore jashtë Luginës së Preshevës, si përshembull në Leskovc, Vranje, etj. E gjithë kjo është paraparë me ligjet e Serbisë me qellime dhe mbrapavijë të caktuar, me çka Lugina e Preshevës humb në aspektin politiko-territorial, administrativ, buxhetor-finianciarë, ekonomik, etj. Me këtë organizim administrativ territorial, popullata shqiptare në Luginë, u nënshtrohet edhe shpenzimeve të ndryshme, udhëtimeve, humbjes së kohës dhe malltretimeve tjera birokratike në Serbi.

Në kontekst të kësaj që e thamë më lartë, bëhet pyetja pse Serbia popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës nuk i siguron – në mënyrë reciproke ato të drejta, si që Kosova u siguron serbëve në Kosovë, gjë për të cilën Serbia as që do të ndëgjojë.

Politika Serbo-madhe gjithnjë ka qenë prezente edhe në organizimin e brendshëm të Serbisë si shtet, ku kanë dominuar qendrimet unitariste, centraliste dhe hegjemoniste serbe.

Si rezultat i kësaj politike dhe këtyre qëndrimeve, regjione të caktuara përbrenda Serbisë nuk kanë kurrëfar statusi politik territorial, si  përshembull Vojvodina dhe Sanxhaku si regjione të veçanta në Serbi. Këto dy regjione edhe pse dallojnë nga të tjerit në Serbi për shkak të: shkallës së zhvillimit ekonomik, pozitës gjeografike, strukturës etnike dhe konfesionale të popullatës, organizimit specifik territorial gjatë historisë, etj., nuk kanë fituar statusin e merituar politiko-territorial.

Vojvodina deri në vitin 1918 ka qenë pjesë e Austro-Hungarisë. Pas Luftës së Parë Botërore, Vojvodina i është dhënë Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, kurse pas Luftës së Dytë Botërore, si krahinë autonome i jepet Republikës së Serbisë në kuadër të Federatës Jugosllave, me premtim se Vojvodinës do t’i jepet status i Republikës, gjë e cila nuk ndodhi deri më sot. Pra, Vojvodina statusin e Krahinës e ka fituar shumë më herët se Kosova, e cila pas Luftës së Dytë Botërore ishte provincë në kuadër të Republikës së Serbisë dhe Federatës Jugosllave.

Statusin e krahinave të mirëfillta, Vojvodina dhe Kosova e kanë fituar me Kushtetutën Federative të Jugosllavisë dhe atë të Republikës së Serbisë, në vitin 1974. Atëherë Vojvodina dhe Kosova fituan autonomi të lartë, të vërtetë, me të gjitha atributet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, sikurse republikat në kuadër të Federatës Jugosllave. Mirëpo, me ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë së vitit 1974 dhe aprovimit të kushtetutës së re të saj, u suprimua edhe autonomia e Vojvodinës si krahinë, kurse pas vitit 1999 dhe pas Luftës në Kosovë, Kosova u pavarësua nga Serbia.

Vojvodina, si krahinë autonome dhe Sllovenia si Republikë, në RSFJ ishin dy njësi federale më të zhvilluara në çdo aspekt. Gjatë ekzistimit të RSFJ-së ka patur mjaft tendenca që Vojvodinës ti jepet status i Republikës në kuadër të Federatës Jugosllave, por këto kërkesa janë penguar dhe refuzuar nga udhëheqësia nacionaliste dhe centraliste e Beogradit.

Pas vdekjes së Titos, kanë vazhduar iniciativat dhe kërkesat që Vojvodinës ti jepet statusi i Republikës. Këto kërkesa dhe iniciativa kanë rrjedhur nga intelektual, organizata dhe shoqata të ndryshme në Vojvodinë, me ç’rast disa herë janë miratuar edhe deklarata, konventa dhe akte të tjera, në të cilat është konstatuar se: “Serbia ka konflikte të brendshme”, se “Kushtetuta e Serbisë është gjenerator i krizave politike, ekonomike, sociale dhe morale në Serbi”, se “ duhet të pushojë politika nacionaliste, centraliste dhe hegjemoniste në Serbi” dhe se “duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në Kushtetutën e Serbisë”. Në këto dokumente gjithashtu është potencuar se Serbia dhe Vojvodina janë dy regjione gjeohistorikisht krejtësisht të veçanta me histori dhe strukturë etnike të ndryshme të popullatës së tyre, etj.

Pas formimit dhe shpartallimit të Bashkësisë Shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi, në Vojvodinë nisin propozimet që të formohet Republika Federale e Serbisë, si Bashkësi Shtetërore e Serbisë dhe Vojvodinës, si shtet i përbashkët i popullit në Serbi dhe popullit në Vojvodinë, gjë e cila gjithashtu nuk ndodhi. Mirëpo, kërkesa për avansimin e statusit të Vojvodinës prej autonomie në Republikë ka vazhduar dhe ende vazhdon. Kjo kërkesë disa herë jo vetëm që është refuzuar nga ana e Beogradit, por edhe është nënçmuar dhe është emërtuar me shprehje të ndryshme humoreske, shprehje fyese siç është “Jogurt revolucion”, kurse pyetjes: “Cka u bë me kërkesën – “Vojvodina Republikë?”, udhëheqësia e Beogradit është përgjigjur: “Këtë film nuk kemi me e pa kurrë”, etj.

Beogradi zyrtar çdo herë, kërkesën “ Vojvodina Republikë” e ka pritur me nervozizëm të madh. Politikanët serb si kundërpergjigje kanë plasuar tezën “ Serbia shqyrton që kryeqendra e Serbisë nga Beogradi të zhvendoset në Novi Sad”.  Kështu është vepruar edhe atëherë kur në Kosovë kërkohej që Kosova të bëhet Republikë, kurse nacionalistët serb përhapnin propagandën serbe se “ kryeqyteti i Serbisë do të bëhet Prizreni”. Gjithashtu në tubimet publike nacionaliste serbe me të madhe këndohej kënga “ Serbia iz tri dela postaje jedinstvena i cela” ( Serbia prej tri pjesësh, bëhet e tërë dhe unitare) .

Vojvodina si regjion më i zhvilluar në Serbi gjithnjë ka insistuar që ajo në mënyrë autonome dhe të pavarur të disponojë dhe adiministrojë me pasurinë dhe resursat e saj, e jo kjo të bëhet nga ana e Serbisë, në bazë të ligjeve të saj.

Në Vojvodinë struktura etnike dhe konfesionale është mjaft heterogjene. Për shkak të pasurive natyrore, tokës pjellore, zhvillimit bujqësor si dhe industrial, në Vojvodinë më së shumti jetojnë pjesëtarë të etnicitetit serb. Nga të dhënat statistikore mundet të konstatohet se numri i banorëve me popullatë serbe, historikisht ka ardhur gjithnjë duke u rritur, kurse numri i pakicave siç janë: Gjermanët, Hungarezët, Sllovakët, Kroatët, etj., në vazhdimësi është zvogëluar.

Për shkak të numrit më të madh të serbëve në strukturën e popullatës në Vojvodinë, qëndrimeve nacionaliste dhe hegjemoniste të politikës serbe dhe Kishës Ortodokse të Serbisë, kërkesa: “Vojvodina – Republikë” nuk është duke u realizuar.

Jo vetëm Vojvodina, por edhe Sanxhaku, pas Luftës së Parë Botërore i janë dhënë Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, kurse pas shpartallimit të kësaj Mbretërie, respektivisht pas përfundimit të Lutës së Dytë Botërore, siç kemi thënë edhe më përpara, një pjesë më e madhe e Sanxhakut, i është dhënë Republikës së Serbisë, kurse pjesa tjetër Republikës së Malit të Zi, në kuadër të Jugosllavisë Federale.

Territori i Sanxhakut ka patur dhe ka karakteristikat e tij të veçanta, siç janë: pozita gjeografike, struktura nacionale dhe fetare e popullatës së Sanxhakut, organizimi specifik politiko-territorial i Sanxhakut nëpër vite dhe shekuj, niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, etj. Të gjitha këto kanë imponuar kërkesën për status adekuat më të avansuar lidhur me identitetin organizativo-politik dhe territorial të këtij territori në Serbi.

Popullata e Sanxhakut shpeshherë ka inicuar kërkesën për avansimin e statusit territorialo-politik të Sanxhakut në kuadër të Serbisë, por kjo kërkesë gjithnjë ka hasur në “vesh të shurdhër” në Beograd.

Struktura nacionale dhe fetare e popullatës në Sanxhak ka qenë gjithnjë heterogjene dhe atë një pjesë ka qenë të konfesionit krishterë-ortodoks-sllav-serb. Pjesa tjetër ka qenë me prejardhje iliro-shqiptare, të konfesionit musliman. Popullata e konfesionit musliman, pas Luftës së Dytë Botërore për nga kombësia është evidentuar si musliman ose boshnjak. Pas pavarësimit të Bosnës dhe Hercegovinës, kjo popullatë me të madhe është deklaruar si Boshnjak, por një numër i konsiderueshëm edhe tani deklarohen se janë shqiptarë dhe kanë prejardhje shqiptare.

Edhe popullata e Sanxhakut e përkatësisë fetare muslimane ka kaluar nëpër të gjitha programet, projektet dhe memorandumet e Serbisë të pregaditura për shpërnguljen dhe dëbimin e pakicave nga Serbia. Pra, kjo popullatë i ka përjetuar të gjitha trusnitë, vuajtjet dhe malltretimet që i kanë patur shqiptarët, gjermanët, hungarezët dhe pakicat e tjera, me qëllim që të dëbohen dhe shpërngulen nga Serbia dhe ato vende të banohen me popullatë sllave-serbe. Një numër i madh i popullatës së Sanxhakut me fe muslimane në periudhën midis dy luftave botërore, e posaçërisht në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, me të madhe janë shpërngulur për në Turqi, sidomos vitet e 50-ta të shekullit XX. Sido që të jetë, Sanxhaku edhe sot është një ndër regjionet më të pazhvilluara në Serbi, me plot kundërthënje dhe probleme ekonomike, politike, ndëretnike dhe konfesionale. Pushteti i Serbisë as që dëshiron të merret me problemet e këtij regjioni. Prandaj, popullata e Sanxhakut e konfesionit musliman rrugëdaljen e sheh në shpërnguljen masive në Bosnë ose, Turqi, kurse të tjerët në Serbi, ose të marrin rrugën e migrimit në Evropë ose Amerikë.

Pra, edhe njëherë mund të konstatojmë se Serbia vazhdon me avazhin e vjetër.

Për të gjitha ato që ka bërë Serbia, si dhe për këto që ajo tani ende vazhdon t’i bëjë, do të ishte njerëzore dhe morale që Serbia të kërkojë falje dhe të heqë dorë nga veprimet tradicionale Serbo-madhe, të dëmshme dhe të rrezikshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan e më gjërë.

Please follow and like us: