Albspirit

Media/News/Publishing

Stelina Dushi: ‘Virusi’ i krimeve seksuale

Stelina Dushi

 

Shoqëria jonë po haset gjithmonë e më shumë  me fenomenin  e quajtur abuzim seksual. Nga vetë fjala ‘abuzim’, ky krim seksual kryhet me dhunë  fizike apo psikologjike, qoftë  me kërcënime për jetën e saj/tij apo të familjarëve të tyre apo për shumë arsye të tjera, këta individë pranojnë t’i nënshtrohen kërcënimit. Zakonisht për shkak të frikës së mentalitetit të rrënjosur në shoqërinë tonë, për frikën e opinionit publik të tregojnë rastet e tyre u duket sikur kanë një ‘njollë’ në veten e tyre dhe madje madje këta individë quhen shpeshherë dhe fajtorë apo ndjejnë turp e kjo për shkak dhe të psikologjisë  së  rënduar që kanë .

Ku  mund të gjejnë ndihmën e parë këta persona? Logjika do thoja të  shpreheshin  tek prindërit e tyre dhe ta denoncojnë  si rast në media, televizione dhe të ngrejnë zërin për veten dhe për ata të tjerë që kanë heshtur dhe kanë pranuar të behen viktima e po ashtu pa lënë si hallkë dhe denoncimin në polici. Por në të vërtetë a funksionon kështu? Prindërit, shpesh në zonat rurale janë bërë viktima me kohë  të  mentalitetit dhe opinionit të fisit apo të fshatit e kudo tjetër e duke e pranuar dhe e rrënjosur dhe thellë në mendjen e tyre, për këtë arsye dhe shumë adoloshentë nuk gjejnë mbështetjen dhe sigurinë te familja duke menduar se do të  mohohen  dhe me të drejte sepse që në fëmijëri janë rritur me këtë frymë. Si njohëse e  mirëfilltë e ligjit që jam, si fillim jam pjesë e shoqërisë e asaj pjese që e refuzon dhe e kundërshton duke dashur që të denoncohet çdo rast krimi seksual sepse nuk mund të presim derisa ky fenomen të mos ketë më as kontrollin minimal. Shoqëria jonë është fajtore për pjesën më të madhe sepse shpesh kur jemi hasur me lajme të tilla kam dëgjuar dhe komente tipike të tipit: Ajo e ka patur fajin vet, me siguri e ka bërë me vullnetin e saj të plotë.

Kjo shoqëri ka tendencën të gjykojë në vend që t’u vijë në ndihmë këtyre individëve, duke harruar që ne vetë mund të  biem pre e këtyre krimeve seksuale, duke marrë parasysh dhe shkallën e gjerë të përhapjes që ka bërë ky fenomen, pra pse mos të bashkëpunojmë në ndëshkimin dhe parandalimin  e saj? Po ku të kërkojmë ndihmë? Në televizione, në media por pa lënë pas dhe denonicimin në polici. Mjeku i familjes mund t’ju trajtojë dhe të shkruajë një raport për policinë.

Ju mund të shkoni në polici e të paraqisni një ankesë. Ata janë të detyruar të respektojnë privatësinë tuaj. Nëse shkoni në polici brenda 72 orëve, ata mund të bëjnë një ekzaminim mjekësor për të gjetur prova për autorin e krimit. Ekzaminimi zgjat 1,5 deri në 2 orë. Policia i dërgon mostrat në një laborator për ekzaminim.

Ky  ekzaminim   mund te behet  dhe  në ‘’Qendrën  për Kujdesin ndaj Dhunës Seksuale’’. Ju mund të shkoni atje edhe për ndihmë mjekësore dhe psikologjike dhe për të regjistruar një ankesë, edhe nëse kanë kaluar 72 orët nga ngjarja.  Personalisht nuk dëshiroj t’i lë pa ndëshkuar këto vepra penale e duke dashur kështu dhe t’ju bëj me dije dhe me krimet seksuale që parashikon legjilslacioni ynë penal: Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur të cilën ne e  dënojmë me me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet; Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet. Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale, me dhunë, kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur fëmijës së dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet; Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura 3 deri në 10 vjet. Kur marrëdhënia seksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetvrasjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet; Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur 3 deri në 7 vjet; Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet; Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet; Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën dënohet me burgim deri në 3 vjet; Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari dënohet me burgim deri në 7 vjet; Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

Dhuna seksuale -Ushtrimi i dhunës seksuale, nëpërmjet kryerjes së veprimeve me natyrë seksuale në trupin e një personi tjetër me objekte, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave, më shumë se një herë, ose kundër fëmijëve të moshës katërmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë vjeç dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj një të mituri që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç apo një të mituri që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, pavarësisht nëse kryhet me dhunë apo jo, dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet. Kur kjo vepër ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim jo më pak se 25 vjet; Vepra të turpshme dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet.

Duke dashur t’ju njoh dhe me të drejtat që keni dhe si t’i vini në zbatim ju përmenda krimet seksuale në këtë seksion e cila në interpretimin tim duhet të ndryshojë minimunim e dënimeve sepse një masë dënimi ka minimumin e maksimumin e saj.

Duke e interpretuar kështu e duke marrë shkas  që shpesh e gjejmë dhe me tre vite minimumin në disa vepra  penale seksuale me dhunë apo dhunën seksuale,  sipas  analizës që unë  bëj, duhet marrë në konsideratë fakti që të rritet minimumi 7 vjet dhe mos të ekzistojnë në  asnjë vepër  abuzimi seksual me dhunë ky minimum prej 3 vitesh. Vetëm ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin, ne si shoqëri duhet të bëjmë të pamundurën duke i mbështetur dhe duke u ofruar ndihmë me sa të kemi mundësi dhe jo duke i gjykuar apo larguar si të kishin ndonjë virus. Në fakt  unë do ta quaja një  virus këtë fenomen e cila po shkakton dëme aq të rënda në psiqikën e  viktimës së abuzuar e në trupin e tij/saj  e që  po përhapet shumë  shpejt dhe kjo në bazë të heshtjes sonë, andaj dhe duke njohur të drejtat tona nuk duhet të dorëzohemi.

Të gjithë së bashku të ç’rrënjosim këtë mentalitet  duke bërë vajzat tona të ndihen të lirë të flasin rreth problemeve  që kanë dhe duke i parandaluar ato t’u nënshtrohen këtyre veprave penale për shkak se nuk gjejnë rrugëdalje apo mbështetje as te streha e ngrohtë e  familjes  së  tyre. Le të bëjmë diçka, le të nisim ndryshimin nga vetja jonë. Nëse nuk mund t’i ndihmoni, shmangni paragjykimet dhe kritikat sepse të nesërmen ky fenomen mund të na prek ne apo vajzat tona kështu që le të ngrihemi të gjithë së bashku dhe të ngrejmë zërin për të drejtat tona, le të jemi më të bashkuara se kurrë. Për një shoqëri më  të sigurtë.

Please follow and like us: