Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Nexhat Halimi

 Nexhat Halimi: Mëkatet e shenjtëritë

 

 

 

 

 Vetëtima e galerës

 

Shfaqet `i galerë mes detit e vjen e vjen mjegullës

zot a shpifesh dhe ti me të apo nis lufta me kuçedrën

ja i bie qiellit me kokë dhe shpërthen gjak e shi.

 

Kaq vjet më vonë unë ngjitem në bedena e të pres

me copën e zemrës në dorë nga ende pulson liri.

 

Ulliri liruar nga frutat ka mbetur `i skelet në natë

me ca kujtim për hënën e prerë përmes me shpatë

krejt në gjak nga derdhet mbi kusarin e Ulqinit.

 

Afrohesh te dritarja e frikësuar përplasjes së ujit qiellit

zjarri të ik ëndrrës jehonës së pavdekshme të fyellit

zemra kërcen, do të të dalë jashtë vetes nën vetëtimë.

 

Bajlozi pret detin shpatë, kuçedra godet lart me krye

Gjergj Elez Alia i thërret gjokut s’nxjerr zë me gojë

nëntë plagë nën lot të motrës i le në harresë në shtrojë.

 

Ja Fedorë nga ke kaluar të arrish këtu në këtë shi

ta çelim zemrën të vetëtin galera ngarkuar me iLiri.

 

 

 Samarë për gomarë

 

Këputet `i gjeth nga dega e vet e zgjatur mbi lumë

e merr vala e përplas në bërryla e shkulma pamëshirë

e bart fati apo egërsia tjetër në fshehtësinë e ujit

të ndalet papritur te një kthesë në gjurmën e Mujit.

 

Udhëtim përzier me dhembjen e ëndrrën e verdhë

e njëjta vetëtimë më vjedh në stacionin në dumnicë

më bart nga stacioni tjetër i akullt në një rrugicë.

 

Papritur zot ja gjethin e ka përplasur era mbi `i varr

varri im është ai veç e fsheh ti këtë varroje të gjallë

ja në kodër një çupë me kordele rozë qan me lot

mund të jetë të të dhemb fedorë dhe ty për mua

në kujtim nga zdirgjesh  të mbushësh ujë në krua.

 

E hija ime shfaqet ende veç të lidh litarë në Gjakovë

në varra të ndërtoj kapistra dhe samarë për gomarë

e nëna njëqind vjeçe ik e ik nëpër rruzare në ajovë

e uji rrjedh e rrjedh e rrjedh e s’i kthehet burimit të vet

e unë kam dhembje për ata që s`janë kam mall.

 

 

Te ulliri i njëjtë

 

Hije e shikoj veten nga bedenat  mes ujit

e kusari mjekërthirë më psherëtitë në vesh

ti ke vdekur kaherë në këtë kështjellë.

 

zot sesi përzihen gjërat dhe ti humb udhë

 

ndiej ftohtësi ndiej mosbesim në çdo gjë

zë e ik nga gjërat kaq të ndryshuara përbrenda

ik e ik zot  ik nga vetja ik nga guri dhembja

arrij gjithnjë pikërisht te ulliri i njëjtë

nën të cilin pija verë  tre mijë vjet më parë

 

gjakun tim e pija zot e dehesha nga ëndrra

 

zot kush tha koha kush tha s` përsëritet koha

ndërsa ja asgjë nuk ka ndërruar te etja

ndërsa ja asgjë nuk ka ndërruar te gjërat

e i njëjti zot vjen dhe shfaqet te bedenat

roje nga i bëj zjarrit roje nga i bëj frymës

Teuta pa frikë të çoj dashuri me yllin agon

 

Teuta ja e zgjat dorën mbi det ai lëshohet aty

me shpirtin tim të pavdekshëm në ulli.

 

Nata e fundit me Teutën

 

Era i nxjerr pemët me rrënjë vetinë mërmërinë

shi konop kafka vitesh ckurrojnë gjak e vetmi

mendja më ik vorbull larg rrëshqet mija vet në hi

 

largësia e ka afër zjarrin e akullin në një gji.

 

Unë e hija zbresim fytit të kalasë për shpatë

të njëjtat shkallë ecim nga iku teuta me disfatë

krejt në gjak të dalë mes pijeshit.

 

Deti tërbuar pini dridhet anija ik për në rizonë

ndalem vë fytyrën në shuplaka bërrylat në `i gur

shkruaj mjeshtrit nga ndërtojnë mur e mur

ndërsa kulla ngjitet në qielli teuta i ik syrit në shpellë

kulla e dytë më pastaj e treta dhe një kështjellë

me ujë monedhat e kohës burim i zotit i nxjerr

të njëjtat gjithnjë i merr e i kthen e prapë i merr

mua besnikun më la të fundit t`i bëja shoqëri

për ta arnuar atdheun ca e për të bërë dashuri.

 

Troket dhe zemra e deti e kuçedra maje gurit ra

e ti kërceve ndërmjet qiellit të thyer e ujit stërkalë

shpërthyen vetëtimë bubullimë e valë e valë

 

kaq vjet kurrë kush nga iku drita jote nuk e pa.

 

 

Karafili i zemrës

 

Acar vagëllimë detit të murrmë kalaja pezull

 

unë ndërmjet e zjarri në të cilin digjem zemër

as më lë të ik kund as më lë gjë të harroj

 

në kala kremtojnë festën e besimit në iLiri

zemra më pëlcet ngjitem te vetja në habi

stërkalë i bien qiellit unë mbi gur të vjetër aty

me duar krijoj shqiponjën mbi kraharor e ik

cilin çast ta zgjedh t`i mbyll sytë për ty

e të fluturojë pafund ndërmjet detit e qiellit.

 

Fedorë të vdes kështu është e vetmja kënaqësi

ti të ma hedhësh karafilin e zemrës përmbi

 

acar vagëllimë detit të murrmë e kalaja flakë.

 

 

Letër

 

Të mos harrosh kurrë ta presësh zogun e zi

vjen në dritare nga natë e gjatë në gjak e stuhi

në grila ndalet ku ti e unë e prisnim në shi

 

çdo ditë e sjell nga deti aty pak shpirt e dritë

të ta rikujtojë vdekjen në bedena natën dhe ik

t’ia japësh ca thermi ëndrrash në shuplakë

ca pikë etje me të cilat shpirtin e ndizja flakë.

 

Të mos harrosh kurrë Fedorë ta kryesh këtë rit

ai është shpirt imi ca vetëtimë është e mit

i pavdekshëm për ëndrrën  zemrën e fjalën

 

sepse e para megjithatë qe ajo fjala Fedorë

do të jetë gjithnjë derisa të shkruhet libri për ty

mes detit shpirti s` vdes veç bën me dorë

nderon y prizrenin dhe varrin me trëndafil.

 

 

Mungesa e zemrës

 

Këtë mbrëmje prapë e ndej mungesën tënde Fedorë

është heshtje e thellë vrasëse pa tiktak zemre pa frymë

bota ka vdekur apo më ka nxjerrë nga lëkura e vet

dhembja më vibron me hov nën cicë dhe mbylli sytë

çeli prapë e e ngreh orën e xhepit me qostekë të artë

hetoj për dritaren me qemer mbi syprinë të ujit larg

një pikë pik mizë lëviz gjithnjë  më e madhe afrohet ik

vjen dikush me pamjen tënde apo nuk e dalloj qartë

është veç  ylli mes kaq yjesh ylli yt i pavdekshëm lart

një pikë e lotit më ndrit zbret gjarpër i gjallë nëpër fytyrë

e e çara e vjetër e thellë del nga unë e bie në pasqyrë

thyhet çdo gjë vdes ëndrra dhe fiket ylli mbi ulli.

Please follow and like us: