Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: FIGURA TRAGJIKE E NJË AKTORI TË KOMEDISË

Fotografia e Miho Gjini

MINELLA BOROVA (1947-2013)

(Realisht një letër dashurie për një të vdekur të gjallë!)

“Vitet e mia të humbura brenda jetës,
vitet e mia të fituara brenda dritës”.

(Minella Borova, Buenos Aires 1994)

I dashur Nella!
E di që ti nuk do ta marrësh kurrë letrën time, ndonëse e ndjej në shpirt, që ke për ta lexuar atë… Sepse ti nuk je si gjithë të vdekurit. Ti për mua je një i vdekur i gjallë, je sikundër gjithë ne të tjerët, bile diçka më tepër se ata, që do të rrosh tek unë, tek bashkëshortja jote, te fëmijët që le, te miqtë që pate, te publiku që të donte, duke plotësuar kështu boshllëkun që mbetet, me një pjesë të madhe dashurie që nuk tretet…
Të kam dashur shumë, o njeri i mirë, që ike dhe më le nga ana tjetër e globit. Realisht ne kishim vdekur që të dy. Na ndante deti, oqeani dhe një rrip toke, që veçonte kontinentin e zbuluar nga Kolombi. T’u duk se Argjentina do të ishte “një zbulim i ri”, por kur u ktheve dhe ne u takuam krejt rastësisht, në një rrugë të Fierit, pasi “iu vodhëm njerëzve” për t’u çmallur, unë pashë në fytyrën tënde një trishtim të thellë, që i ngjante pragvdekjes…
Atëherë ne do të kujtonim ca çaste të lumtura, që nuk vinin më, nuk riktheheshin, për të krijuar “oaze lumturie”. Lumturi i thënçin! Por në atë trysni të gjatë të së kaluarës, ne sikur gjenim ca “struka të fshehta”, të cilat i largoheshin botës që vazhdimisht vdiste përpara syve tanë, kur disa syresh thonin që ishim “më të lumturit në botë”. Realisht ne ishim gjysmë të vdekur të lumtur…
Studenti për aktor Minella Borova, me atë fytyrë ovale, me atë majë hunde komike, paksa të kthyer, me ato flokë të zeza e të dendura, me atë buzëqeshje paksa të shtrembër dhe unë, pedagogu i tij, që do të harroja përgjithmonë se isha i tillë, e shtynim jetën dhe rronim që të vdisnim dikur, pa u merakosur fare për çka do të ndodhte… I kam përpara syve gjithë studentët e mi: Saimirin, Timon, Birçen, Mevlanin, Llazin, Nikon, Gëzimin, Kristaqin, Petrikën e me radhë. Po Nellën?! Ku është Minella, të dashurit e mi? Oh! Ai u rrokullis nga sytë tanë, si një pikë loti përvëlues. Iku më i qeshuri ynë, më i brengosuri ynë, që vajti të “zbulojë Argjentinën” dhe hapi “gropën e varrit” të vet…
Mos!
Po ti e bëre këtë hap të tmerrshëm, pa pyetur njeri. Ose pyete vetëm veten tënde. Ti gjithmonë ke qenë “i pandreqshëm”, i dashuri im. Që në Korçë, aty ku linde, u rrite dhe ku t’u damkos mbi shpatulla “njolla e murrme” e paravdekjes…
Ishte natë atëherë… Unë dola nga salla e teatrit dhe ti zbrite nga skena. Unë isha një inspektor i Ministrisë dhe ti ishe një aktor profesionist. Në fytyrën tënde paksa të hequr, ku makijazhi nuk ishte fshirë dhe aq mirë, dukeshin ende blangat e asaj katastrofe, që do të ndodhte më pas me “Njollat e murrme” që do të na ndante për 10-20 a 30 vite. Mirëpo, pikërisht atë natë të turbullt (që do të mbetej si prelud i vdekjes), ne të dy patëm ca çaste lumturie, që nuk vijnë më. Se ç’kishe atë natë, kur bashkë me Llazin (Serbon) na tërhoqe në papafingon tënde, në tarracën e shtëpisë, për të na treguar një portret. Ne hymë aty, në gjysmerrësirë dhe, kur drita u hap, do të shtangeshim nga një bukuri e rrallë, e beftë, e aftë për të pushtuar shpirtra. Pamë njëri-tjetrin dhe ti diçka të pakuptueshme do të mërmërisje nëpër buzë, diçka që kishte të bënte me dashurinë e zjarrtë të rinisë, për liqenin, për pemët, për zogjtë e qiellit…
“Nella, ore t’u mbylltë, – tha Llazi, – ç’e ke “burgosur” këtë “perëndi”?!
Mirëpo Minella nuk foli fare, qeshi ashtu shtrembër, kaloi njërën pëllëmbë të dorës nëpër flokë dhe na i mbushi gotat me raki mani. Ne do të shihnim nga portreti mahnitës i së dashurës në pëlhurë, që na ndiqte vazhdimisht me sytë e saj të zinj dhe, si të dalldisur, do të pinim raki mani, aq sa do të na çahej balli e do të na dilnin trutë nga vendi. E ku ta dinim ne, se që nga ajo natë, nga papafingoja e Minella Borovës, jo vetëm që nuk do të ktheheshim më, por gjithçka do të përmbysej: e dashura do ta braktiste komikun e skenës (që aq bukur imitonte Nidhën, drejtorin e Teatrit, që s’merrte vesh fare nga teatri; personazhi i Lirimit, te “Njollat e murrme”, nuk do të dukej më në skenë, pas anatemimit të Diktatorit, i cili do ta quante këtë shfaqje “tëpkë revizioniste”. Personazhi i inspektorit (që isha unë) do të burgosej (bashkë me autorin e regjisorin!!!) dhe personazhi Llazi Serbo do të vriste veten në një papafingo tjetër, si kjo e Nellës, duke imituar Bekim Fehmiun, që aq shumë e donte. Pra, ne, që të tre, kishim vdekur qysh nga ai çast shtangieje, para portretit të një të panjohureje, që mund të ishte edhe imagjinare, por gjithsesi larg nesh, ama tepër thellë përbrenda shpirtit tonë të brengosur. Se ne të mjerët, “anëtarët e artit që e pëlqenim të bukurën”, sikundër thoshte Lasgushi i varfër atje në Poradecin e vet, strukur nga e ftohta e kohës, brenda palltos së tij të vjetruar që nga koha e studentllëkut të tij në Austri, realisht ndodheshim para një portreti që e kishte bërë, rikrijuar po shoku ynë “pe Korce”, ai Koço Ristani, në studion e të cilit shkonte edhe Dritëroi t’i shihte pikturat që i bënte aq bukur e te shtrohej paskëtaj të pinte raki mani, si kjo e bekuar që na hidhje ti nëpër gota pambarimisht, i shtrenjti im Nella, o ti aktor i prapë i komedisë që imitoje Nidha Drejtorin e qeshnim me të madhe, kur sapo pate interpretuar rolin e fundit që mbeti varur në nekrologjinë tënde!
Ne e donim të bukurën, e admironim. Por, jo! Nuk qe e thënë, për asnjërin nga ne… Ne kishim vdekur qyshkur. Ndonëse ekrani i mendjes sapo parakaloi vetëtimthi mbi imazhet e filmit tënd “Udhëtim në Pranverë” që e shihnin njerëzit këtu, me ngazëllimin e tyre gjysmë të lumtur, ndonëse ne ishim më të palumturit në Botë! Por edhe kur interpretove rolin e atij amerikanit Stenli në pjesën “Engjëjt e Skëterrës”, nuk rrëfeje ndonjë lumturi kushedi se çfarë. As tek roli i mësuesit te “Qyteti i akuzuar” i Teodor Laços… Do të ndryshoje këndshëm vetëm tek “Mësuesi i Letërsisë” i Pulahës ku luajte këndshëm atë Raqkën, tipin e gëzuar, si te “Tri ditët Kiametit” të atij Qafëzezit, para se ti të dukeshe tek protagonisti Karlo Allina i shfaqjes “Duke pritur të Hënën” 15 vite më parë, për të marrë paskëtaj udhën për në Argjentinën e përtej oqeanit, që të treti e pastaj të solli këtu tek unë, profesori yt, po kaq i mjeruar, tek vinte nga Athina e shihte shfaqje fshehurazi, i kthyer tashmë në fantazmë që ta mbyste edhe atë ky helmi yt i hidhur e i pafund, i tretur nëpër shishet e birrës që i ckullonim njëra pas tjetrës e i hidhnim në Gjanicën që rridhte e qetë poshtë këmbëve tona, të fantazmave të pragvdekjes sonë të parakohshme!
Kur m’u shfaq Minella, krejt papritur në Fier, unë, i syrgjynosuri në periferi të Athinës, punëtor me mëditje te një pronar grek (ngaqë askujt nuk i duhej më kritiku dhe pedagogu i teatrit i këtij “argjentinasit”, që më doli përpara), do të provoja rishtas gjëmën që na kishte ndodhur: NE NUK I DUHESHIM MË ASKUJT!
Dhe pastaj një ndjesi e kobshme: mbase do të kujtohen e do të thonë një fjalë të mirë për ne, “post mortum” dhe do të bëjnë një homazh, si ky që po bëj unë, pasi e pata bërë edhe për Llazi Serbon, për të cilin thonin, se qe i çmendur dhe kur ndërroi jetë thanë befas se ishte ARTIST I MADH!
Paradokse dhe këto… Si ky episodi i fundit i Minellës, që erdhi nga Argjentina me një shfaqje në Festivalin e Aktrimit të Fierit (ku unë vija që nga Athina vjedhurazi, si një spektator “incognito”, për të parë shfaqjet) dhe, sa më pa, më pushtoi të tërin me një mall të parrëfyer e pastaj humbëm nëpër brengat tona të emigrantit, nën një pishë të mënjanur, duke pirë radhazi shishet e birës… “Nuk bëj dot më në Argjentinë, – tha Nella i trishtuar, – do vete një herë nga Naumi (Prifti) në Nju Jork, se mos më gjen ndonjë punë atje dhe pastaj do të kthehem këtu, ku, me sa shoh, janë edhe më keq punët…, s’kam ç’të bëj! Artistë të papunë Argjentina ka plot… Vura në skenë atje komedinë “Karnavalet e Korçës”, por ç’e do, u katandisëm vetë si karnavalet, bre profe!…”
Koropi – Athinë 2013

(Botuar fill pas vdekjes në gazetën “TIRANA OBSERVER” dhe në USA, në gazetën “ILLYRIA” gjatë vitit 2013, si edhe në revistën “PEGASI”, Nr. 11, 2014)

Please follow and like us: