Sadik Bejko: PROVA
Në provë të gjitha dhe menjëherë.
Mbi vlim djalërie një i zi kapak,
pluhurimë nyje më nyje mushkërie,
rrjetë qymyri rënë gjer në gjak.
Dasma ndërroi: kilometra galeri,
supet që në gjallje mbathur me baltë.
Përqafja me fieret përbindsha
e shigjetës së verbër, e qiriut në flakë.
Përtypur nga nofulla, inde të mishta njeriu
ngurtësimi i zi netësh mijëvjeçari,
Të tjerë lexonin fundin e filxhanit
për rrobe të kuqe a spaleta ari
Gllënjkë e nxirë sa një jetë:
qymyr, karbonik, metan në koktej.
Ç’gjë e ashpër, mizorisht më e skajtë
mbetej më tej?
Në provë të gjitha dhe menjëherë:
Këtu dhe tani.
Ra ora, të ra prova
nga supet si vdekjen s’ta heq njeri.
Në valë metani zjerë ftohtë,
mbi ura zjarri arteret me gjak të brishtë,
cullak me vetveten
do ta gëlltisësh këtë helm galerish.
Ishte fat, aksident
fli e shenjtë
a kot së koti flijim njeriu?
Asgjë. U përballën
terri – shigjeta e verbër,
qymyri – flaka prej qiriu…