Albspirit

Media/News/Publishing

Autorë botërorë vijnë në shqip nga Arjan Kallço

 

Autorë botërorë vijnë në shqip nga Arjan Kallço

 

Alfonso Gatto: Fytyra jote

 

Fytyra jote

është një ëndërr në duart e mia.

Larg, ashtu si sytë e tu

ti mbërrite prej detit,

prej erës që ngjan si shpirti.

Puthje përhumbtazi

derisa goja e tharë

u çel si nata të cilën

fryma jote e mori me vete.

Ti jeton pra, ti jeton

ëndrra se ti ekziston është e vërtetë

qysh kur unë të kërkova ty.

Të shtrëngoj pas vetes që të të them

se ëndrrat janë të bukura si fytyra jote,

të largëta si sytë e tu.

Dhe puthja që ta kërkoj është vetë shpirti.

 

Arthur Rimbaud: Le të trokasë

 

Le të trokasë, le të trokasë

koha kur do të dashurohemi.

 

Le që unë bëra durim, por

gjithmonë këtë e harroj.

Drojtja dhe vuajtjet

përfunduan në qiell,

etja e rrezikshme

venat m’i bllokon.

 

Le të trokasë, le të trokasë

koha kur do të dashurohemi.

 

Alda Merini: O dashuri, mos më dëno!

 

O dashuri, mos më dëno me fatin tim

m’i lër të hapura të gjitha stinët

mos e lër perëndimin tim të madh dhe të vakët

të përgjumet gjatë instikteve

ktheji të plogëta të gjitha pasionet

fli butësisht mbi jastëk

ku rriten ambicje të matura

dashurie dhe pasioni universal,

m’i hiq të gjitha, por mos më vrit.

 

Khalil Gibran: Do ta bëj shpirtin tim një peshtaf

 

Do ta bëj shpirtin tim një peshtaf

për shpirtin tënd,

zemrën time një banesë

për bukurinë tënde,

gjoksin tim një varr

për vuajtjet e tua.

Do të të dua si lëndinat

duan pranverën, e

do të jetoj brenda teje si jeta e lules

nën rrezet e diellit.

Do të këndoj për emrin tënd

si lugina këndon jehonën e këmbanave;

do ta dëgjoj gjuhën e shpirtit tënd

si bregu dëgjon historinë e valëve.

 

Kostandino Kavafis: Dashurinë që ti dëshiroje

 

Dashurinë që ti dëshiroje,

unë e kisha që të ta dhuroja;

dashurinë që unë dëshiroja,

ma shprehën sytë e tu

të tharë dhe mosbesues,

e kishe ti që ta ma dhuroje.

Trupat tanë e ndjenë

dhe e kërkuan njëri-tjetrin;

e kuptuan dhe lëkura me gjakun.

Por ne u fshehëm që të dy të tronditur.

 

Nazim Hikmet: Më pëlqen te ty

 

Më pëlqen te ty

aventura e anijes që udhëton drejt polit,

më pëlqen te ty

guximi i lojtarëve të zbulimeve të mëdha,

më pëlqejnë te ty gjërat që ke larg,

më pëlqen te ty e pamundura,

hyj në sytë e tu si në një pyll

plot me diell

dhe gjithë djersë, plot uri dhe si një bishë

e kam pasionin e lojtarit

që trupin tënd të ta kafshoj.

 

më pëlqen te ty e pamundura,

por dëshpërimi jo.

 

 

Hermann Hesse: Sepse të dua

 

Sepse të dua, ndaj natën erdha te ty

me kaq vrull dhe me dyshim

ti kurrë s’do të mundesh të më harrosh

shpirtin tënd erdha ta rrëmbej.

Tani ai është imi – i gjithi mua më përket

në të mirë e në të keq

prej dashurisë simë plot vrull, plot zjarr

asnjë engjëll s’ mund të të shpëtojë dot.

 

Johann W. Goethe: Prej tëndes varet jeta ime

 

Do të kisha shkuar vërtet larg.

Aq larg sa e madhe është bota.

Po të mos më mbanin yjet,

që fatin tim me tëndin e lidhën.

Pra, vetëm te ty unë mund ta shquaj

veten time.

Edhe poezinë, edhe ëndrrat, edhe dëshirat.

Gjithçka më shtyn te ty, te natyra jote.

Prej tëndes varet jeta ime.

 

Manuel Machado: Perëndimi

 

Zëri i detit:

një psherëtimë e mekur dhe e tingullt

ngrihej në atë muzg…

Pa dashur që dita të perëndonte

me thonj të artë kacavirej

ndërsa zhurritej, mbi atë shkëmb.

 

Por deti ia ndeu dhimbshëm horizontin e vet,

dhe dielli më në fund, si në një shtrat të madh

në dallgë zhyti ballin e vet të praruar,

të shkalitur në një vorbull bojë manushaqe.

 

Për trupin e gjorë mes dhimbjesh,

për shpirtin tim të trishtë, të plasur,

për zemrën e ngurtë që pikon gjak,

 

për jetën time farmak të lodhur…,

det i dashur,  o, dashnor i ëmbël,

det, o det, e çdo gjë u shoftë në flak’!

 

Janis Ritsos: Çfarë të bëj

 

Çfarë të bëj me yjet,

me këtë erë të lehtë që

mbrëmjeve më përkdhel;

çfarë të bëj me një dritare

të hapur  mbi botën,

në horizont, nëse ti nuk je këtu?

Gjithçka ka një tjetër dritë,

nëse ti je këtu me mua.

Gjithçka ka kuptim vetëm,

nëse ty këtë mund të ta tregoj.

 

William B. Yeats: Një poet për gruan e dashur

 

Po të sjell me duar besnike

librat e panumërta të ëndrrave të mia,

o grua e bardhë, që pasioni të konsumoi

si plazhi i hirtë konsumon baticat,

dhe me zemrën më të plakur të hajmalisë

të mbushur me zjarrin e zbehtë të kohës:

O grua e bardhë, që pasioni i ëndrrave,

po të sjell poezitë e mia të pasionit.

 

Marc Chagall: Për ty

 

Për ty unë po i pikturoj lulet

pyjet e zymtë, njerëzit nëpër shtëpi,

si një barbar ta llangos faqen tëndë,

por ditë e natë unë të bekoj ty.

 

 

 

Please follow and like us: