Cikël poetik nga Arben Shehu
MATANË SKAJET
Matanë skajet
zgjedhin udhë paralele,
ndalon fryma e ahut
te brirët e kaut që trazon
gërmat e akullit,
në ballë të epikave klithëse,
mpikset fundi i humnerave
të ngarkuara,,
të ndryshmet janë reflekset,
që shenjojnë vorbullën e erës
te rrudha e syrit në vigjilje,
ndërsa gurgullimat e thepitmajave
mbledhin rrodhanin e reve
të shkrehura në rrafshnalta.
Matanë skajet
zgjedhin udhë paralele,
pak diell ka mbetur
te trau i shtëpisë që nuhat
zgjimin e kashtës te buzët e mbetura,
në fund të kongjijve,
bëhet nyje fitili i ditës,
që shtrydh orët e mbetura,
te gurmazi i bubullimave,
një pëshpërimë ujore
ngre carqe ngrice,
te përgjumja e pemëve
të mbardhura,
një gjëgjezë gjëmbaçe
shkon të shpojë kurrizet
e tellallëve me daulle të ngjitura,
në kundërthënien e tyre.
Matanë skajet
zgjedhin udhë paralele,
një jehonë valore bëhet
gjerdan argjendi te mesi
i stalakmitit kullues,
një rrokje djepi kërcen,
si trumcaku nga dega
në tipare të pikëzuara,
një luzmë grimcash ngulin
shigjetat e arta te shpatulla
e krifave që varen te grykat,
dhe hapësira e ngushtë
bëhet kapak i rrudhur, i trashë
i rrëfimit gojor,
të tërmeteve të fashitura.
TRI PYETJA PËR TRI KOHË
Të ri e pyetën “Për ku po vrapon”?!
Të bëj binjakë thinjen!
Burrë e pyetën “Për ku po nxiton”?!
Të bëj binjak veten!
Plak e pyetën “Për ku po shkon”?!
Të bëj binjak shekullin!
PUTHE NJË HARABEL
Puthe një harabel,
mbi një pirg dëbore,
foletë i shtrëngove
me sqetulla tërfili,
deri te pemishtja
e krasitur me vajzëri
tufanesh.
Puthe një harabel,
mbi një hon ngashërimi,
gurgullimat i shtrëngove
me tinguj saksofoni,
deri te katarakti
i shterrur,
nga goja që ka thithur
mushtin e eklipseve.
E PAFJETURA IME
E pafjetura ime,
kastor i shpupurisur
me karficën e gadishullit
në mjegullirë,
lagunë hareje,
në një natë me stuhi
dhe breshër.
E pafjetura ime,
livadh i kositur
me aromë kreshpore,
pistë vallëzimi e pistilit,
të lules,
që e mban te cepi i buzës.
E pafjetura ime,
rërë xhami e lagur,
te bashi i një instikti,
kullë-gugatjeje,
mbi shkëmbin e thepitur
të një vrojtimi linear.
E pafjetura ime,
lëvozhgë bajamesh
e thërrmuar me rulin
e një qeshje dimërore,
stemë klorofili,
në jakën e kureshtjes
zhbirruese.
E pafjetura ime,
sheqer i djegur,
mbi një fletore të hapur
bukurshkrimi,
urë varaku ku kalojnë
sorkadhe që tërheqin
kumbimet e vjeshtrave
ngecur midis brirëve.
E pafjetura ime,
alarm i pyllit të mështenkave,
nga fërkimi i xixëllonjave
meteoritë,
skicë e liqeneve alpine,
mbi një çantë dore,
të lëkurtë kontinentale.