Sabina Darova: Pragu i ditës
E kam kërkuar qiellin
Tek ajo vija e drejtë
Kur puthet me detin
Me sytë e gjelbërt
Të maces
Që shpirti i vdes
Dhe ringjallet
Aq herë sa zhytet
në ujrat e thellë.
E kam kërkuar aty në mes
Në mister,
Aty ku dy blutë pasqyrohen
Në fytyrat e njëri-tjetrit
Zbulohen, ledhatohen a luftohen.
Mbledhur, tkurrur apo shtirur.
Dhe nëse bien në ujdi
Dashurohen!
Qielli im
Në kërkim të vazhdueshëm
Mbledh retë që i vardisen
Dhe kërkon të luajë
Si thëngjilli në zjarrin e shuar.
Djeg ky qiell, djeg
Se kërkon që të hyjë
Si ëndrra e fëmijës
Në prag të ditës.
……
Jo gjithmonë fitimtar…
Please follow and like us: