Albspirit

Media/News/Publishing

Këndvështrime lidershipi nga Iris Halili (2)

Iris Halili

 

4. Karakteri në lidership!

 

Sa herë duam të sjellim një shembull akti heroik, mendja na shkon tek mitet. Sa herë duam të bëjmë përcaktimin e liderit frymëzues dhe realizues mendja sërish na shkon tek heronjtë e mitologjisë. Ata mbeten të tillë jo vetëm për nga forca dhe bukuria trupore, por kryesisht për nga forca e karakterit që u drejton trupin dhe mendjen. Heronjtë mitikë i bashkon një tipar i përbashkët: Forca e karakterit!

Por çfarë është karakteri?

Origjinën e fjalës karakter e gjejmë tek greqishtja e vjetër ‘kharassein’ që do të thotë ‘të gdhendësh, të skalitësh’. Aristoteli do ta konsideronte karakterin si një proces që lind së pari në mendimet tona, më pas fillon e shfaqet në veprimet tona, deri sa kthehet në prirje apo tipar veprues që na drejton totalisht në çdo hap që hedhim. Edhe studimet moderne mbështeten kryesisht tek Aristoteli dhe e shikojnë karakterin si një proces në zhvillim të pandërprerë që do ta quanim skalitja e vetvetes, një rrugëtim ‘gdhendjeje’ dhe ‘skalitjeje’ vlerash tek individi. Në këtë proces bashkohen dhe ndërthuren emocionet, intelekti dhe morali. Çdo person është unik fillimisht nga pamja dhe personaliteti i tij, por në shumicën e rasteve ai do të pranohet apo do të refuzohet në mjedisin social për shkak apo për arsye të karakterit që zotëron, dhe kjo sepse të gjitha marrëdhëniet njerëzore përfundojnë në thelb në marrëdhënie të karakterit. “Talenti është dhuratë, por karakteri është zgjedhje” na këshillon John Maxwell.

Kur themi: ka karakter apo është me karakter, në mendje na vijnë të gjitha ato vlera që e dallojnë një karakter të mirë. Mes tyre rreshtojmë: ndershmërinë, besnikërinë, mirënjohjen, kurajën për të thënë e vepruar drejt; tolerancën; përgjegjësinë; arsyen; respektin ndaj rregullave dhe respektimin e tyre; mendjen e hapur dhe pa komplekse; mospërdorimin e njerëzve për përfitim personal; koherencë mes fjalëve dhe veprave; altruizmin; përkushtimin në punë e dije; përkujdesjen pa interes; të mosbërit keq askujt dhe në asnjë rrethane etj.. etj.

Çdo individ që ka këto vlera pa dyshim ka një karakter të shkëlqyer. Çdo karakter i shkëlqyer mund të drejtojë shkëlqyer veten dhe të tjerët rreth tij. Prandaj, mes gjithë tipareve të lidershipit, karakteri është dhe mbetet parësor. Siç theksonte John Mac Arthur:“Virtualisht, çdo tipar që vërtet e kualifikon një person në lidership është direkt i lidhur me karakterin” !

Lideri me karakter gëzon besim total dhe imponon respekt

Lidershipi është një formë e shfaqjes së marrëdhënieve njerëzore. Çdo formë e shfaqur dhe e ushtruar lidershipi, është një formë e shfaqur dhe e ushtruar karakteri. Kur duam, admirojmë apo përçmojmë një lider, në fakt më së shumti duam, admirojmë apo përçmojmë në thelb karakterin e tij. Kur ndjekësit fillojnë të shikojnë mangësi karakteri tek lideri ata natyrshëm e braktisin atë së pari emocionalisht. Këtu fillon edhe shembja e marrëdhënies lider- ndjekës.

Lideri me karakter është një ndër dhuratat apo arritjet më të rëndësishme që mund të ketë një shoqëri. Asnjë lloj vlere, qoftë kjo vlerë personaliteti, intelektuale, inteligjence, fetare apo ushtarake nuk mund të kompensojë vlerën e karakterit. Është kjo vlerë që i jep liderit në shumicën e rasteve forcën e bindjes tek ndjekësit; e bën atë të besueshëm dhe imponon respektin duke i mbajtur kështu të dyja palët të lidhura fuqimisht. “Aftësitë mund të çojnë në majë, por duhet karakteri që të mbetesh aty”, nënvizonte John Wooden.

Lideri është në provë karakteri që nga çasti që ka vendosur të udhëheqë apo edhe deri në çastin që ka vendosur të dorëhiqet. Shekspiri na iluminon : “Vlera më e madhe e një njeriu shfaqet kur ka në dorë të bëjë keq dhe nuk e bën”. Fatkeqësisht, jo rrallëherë historia e njerëzimit ka ndeshur liderë që fitoren e kanë konsideruar personale dhe të gjitha aktet e mëvonshme i kanë mbështetur në mbrojtje të pushtetit personal.

Lideri me karakter është si Perseu

Ashtu sikundër Perseu në mitologjinë greke që me mençuri e strategji arriti t’i presë kokën monstrës Medusa e më pas ia çoi atë pikërisht Athinës që i kish dhënë fuqinë dhe strategjinë, lideri me karakter çdo fitore ua dedikon ndjekësve. Ai kthehet në një lider transformues që synon fuqizimin e ndjekësve duke lëshuar përditë e më shumë pushtet personal!

Lideri me karakter është si Sizifi

Sizifi në mitologjinë greke i kishte premtuar njerëzimit heqjen e vdekjes. Perënditë e Olimpit të inatosura për këtë akt të Sizifit e dënuan atë të mbajë pafundësisht një gur të rëndë mbi shpinë, gur që do të duhet ta shpinte në majë të malit. Fatkeqësisht sapo ai arrinte ta çonte gurin në majë, ai binte poshtë dhe Sizifi duhej ta ngarkonte sërish në shpinë e ta ngjiste sërish në majë në atë rrugëtim të vështirë që ishte përcaktuar të mos reshtte kurrë. Miti na sjell një Sizif të papërkulur dhe në vetëmohim për të mbajtur premtimin e mbajtur njerëzve. Në arritje të misionit ai kishte besim se një ditë do të mund të bënte realitet ëndrrën, ndaj për gjatë gjithë kohës ne shohim një Sizif me shpresë dhe një Sizif në veprim. Sikur thotë Albert Camy: “Ne duhet ta përfytyrojmë Sizifin të lumtur ”. I lumtur, pasi edhe nëse dështoi në mision, ai kurrë nuk dështoi në karakter.

Lideri me karakter është si Sizifi. Karakteri i tij vihet në provë në momente të vështira. Ai nuk dorëzohet kurrë në përpjekjet e tij për të përmbushur premtimin, ai ka gjithmonë shpresë dhe besim dhe kthehet vetë në një shembull integriteti, optimizmi dhe veprimi të pandërprerë.

Lideri me karakter është si Prometeu

Të drejtosh me karakter do të thotë gjithashtu të mos tradhtosh asnjë çast kauzën e ndjekësve, edhe atëherë kur pushteti personal mund të lëkundet, edhe atëherë kur vetë jeta mund të të vihet në rrezik. Prometeu në mitologjinë greke kurrë nuk e tradhtoi kauzën të cilën ia kishte premtuar njerëzimit, dhurimin e zjarrit. Trupi i tij përvëlonte nga dhimbjet e plagëve e ai sërish rezistoi duke u kthyer në simbol të sakrificës së përjetshme. Ai u dhuroi njerëzve zjarrin dhe u bë heroi i tyre i përjetshëm.

Ndonëse ky mit apo dhe të tjerë të përmendur duken shumë larg realitetit që hasim rëndom në lidership, fatmirësisht njerëzimi ka pasur liderë që kanë sakrifikuar çdo gjë në emër të misionit të premtuar dhe natyrshëm vepra e tyre ka bërë histori. George Washington, Gandi, Martin Luter King apo Mandela janë shembujt realë dhe shëmbëlltyra të vërteta të liderëve me karakter. Fitoret që ata na dhuruan e bënë njerëzimin dhe botën më të mirë, pasi vërtetuan se rruga e përshkruar me karakter çon gjithmonë në fitoret më jetëgjata dhe të vlefshme.

Lidershipi në vetvete është një ndërthurje e strategjisë me karakterin, ku çdo fitore duhet të ketë në themel një strategji të arrirë dhe një karakter të mirë, por ashtu sikundër nënvizonte gjenerali amerikan Norman Schwarzopf: “Në qoftë se do të duhet të mbeteshim pa njërën nga këto, le të mbetemi pa strategjinë”! Kjo do të thotë se fitorja arrihet vetëm kur fiton karakteri.

Lideri me karakter ndërton një shoqëri me karakter

Karakteri i liderit merr rëndësi parësore sepse është ky që formëson karakterin e mjedisit ku drejton. Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ndërtoi për më shumë se një çerek shekulli një komb krenar dhe të pamposhtur si vetë karakteri i tij. Karakteri i errët i Enver Hoxhës ndërtoi një Shqipëri po kaq të errët. Demoni që ai kishte brenda vetes krijoi një shoqëri të ngjashme ku njeriu humbi çdo vlerë humane në emër të vlerave partiake.

Liderët e epokës paskomuniste do të duhej të përballeshin me normat e demokracisë dhe të anashkalonin modelin e autokracisë apo diktatorshipit me të cilin ishin rritur dhe edukuar sipas të vetmit model që kishin pasur. Në një proces të vështirë transformues, mund të themi se ata vazhdojnë të përballen me këtë sfidë karakteri. Ndërkohë dramatikisht vazhdojnë të përpëliten edhe me sfidën tjetër ku do të duhej të rezistonin pa kushte: me grykësinë.

Lideri pa karakter është tipik

E cilësoj tipik pasi ai i ngjan kaq shumë personazhit tipik në letërsinë e realizmit socialist, i përshkruar por jo i ndërtuar me vlera të larta fizike e morale, por i vendosur skematikisht dhe me ngjarje klishe dhe fund të paraditur. Sado ta shtrydhim kujtesën zor se në mendje na ka mbetur ndonjë nga këta tipikët e asaj letërsie, dhe kjo sepse ata ishin krijuar të tipizuar por duke mos qenë karaktere natyrale, ata duhet të shkonin tek fundi i paracaktuar ku gjithmonë fitonin, por asnjëherë duke u zhvilluar apo rritur në ngjarje (ata në fakt as nuk krijonin dot ngjarjen), pasi ngjarja ishte skemë dhe ata gjithmonë do të dilnin fitimtarë, pavarësisht se çfarë do të ndodhte!

Po kështu edhe lideri tipik nuk është karakter; atë e drejton qëllimi dhe jo vlera, pasi parësor për të është pushteti personal. Zhvillimi dhe ngjarjet në lidershipin tipik janë skemë – çdo gjë justifikohet në arritje dhe mbajtje të pushtetit. Sikundër tipikët në letërsinë e realizmit socialist, liderët pa karakter kanë pothuajse të gjithë të njëjtën prerje, protagonistë të ngjashëm në situata që përsërisin vetveten dhe fokus të vetëm kanë pushtetin personal, fuqizimin e këtij pushteti me çdo mjet e kusht. Edhe ata liderë tipikë që bëjnë propagandë dhe duket sikur punojnë në funksion të ndjekësve, në fakt nuk e bëjnë për interesat e këtyre të fundit por thjesht për të çimentuar pushtetin personal. Rasti më fatlum është kur interesat e ndjekësve realizohen dhe në të njëjtën kohë kjo krijon natyrshëm forcimin e pushtetit të liderit. Shumë herë ata shfaqen aq pasionantë në shërbim të ndjekësve, sa pasioni i tyre i fshehur për pushtet trajtohet gabimisht si shërbim ndaj ndjekësve. Tipik në veprime, në arritje të pushtetit këta lloj liderësh janë në gjendje të bëhen liderët më frymëzues, por janë pikërisht këta që e humbin kontrollin dhe etikën, bëhen arrogantë, nervozë dhe të paparashikuar pikërisht në çastin që ndiejnë t’u lëkundet pushteti. Është e pritshme që aktet e tyre mund të kthehen në qëndrime e sjellje nga më ekstremet. Shumë liderë të tillë i kemi parë të bëhen autoritarë dhe diktatorë. Është pikërisht ky momenti kur duhet të shfaqet më shumë se kurrë fuqia e ndjekësve dhe të vihet në provë karakteri i një shoqërie të tërë. Në përgjithësi, shoqëritë e shëndosha i kuptojnë që në fillesa, i luftojnë pa kompromis dhe i largojnë nga qarkullimi liderët pa karakter, ndërsa shoqëritë e dobëta manipulohen, hutohen e më pas dorëzohen. Në momente krizash është karakteri i liderit por edhe ai i ndjekësit që vihen në provë. Ndaj është shumë e rëndësishme që ndjekësit të mos bëjnë kompromise kur diktojnë shenjat e para të mungesës së karakterit tek lideri. Ata kurrsesi nuk duhet të bien në apati e të ankohen për fatin e keq duke u mjaftuar me psherëtimat: “Ah sikur të kishim një lider me karakter”. Në të kundërtën ata duhet të veprojnë fuqishëm, dhe t’i drejtojë motoja: “Nuk ka shpresa pozitive nëse mungon në krye lideri me karakter”.

Në përfundim, mund të shtojmë se kur merret në shqyrtim lidershipi, diskutimi për ndikimin e karakterit në të është ndoshta më i gjeri. Kjo pasi lidershipi është pikë së pari veprim dhe çdo veprim njerëzor përcaktohet thellësisht nga karakteri. Duket sikur mes të gjithë faktorëve që ndërtojnë apo krijojnë fatin e lidershipit, qofshin këta faktorë personalë apo socialë, historikë, rrethanorë apo natyrorë, asnjëri nuk mund të krahasohet me peshën që luan karakteri. Të gjitha studimet mbi këtë debat kanë një përfundim të provuar në realitet: “99% e dështimeve në lidership janë dështime të karakterit”.

 

5. Karizma në lidership

 

Jo rrallë kur kemi dashur të shprehim në maksimum vlerat e një lideri frymëzues e kemi përfunduar argumentin vetëm me një fjali të shkurtër: “Është karizmatik”. Por çfarë përfaqëson në të vërtet një lider karizmatik? Cilat janë tiparet që e dallojnë atë nga të tjerët?

Teoritë e lidershipit na mësojnë se liderët karizmatikë kanë një aftësi të pamat për të frymëzuar ndjekësit dhe jo rrallë herë ata kanë hyrë në histori si liderë të shkëlqyer. James MacGregor Burns, autor i shumë librave për lidershipin, fitues i çmimit Pulitzer në vitin 1978 pikërisht për një nga librat e tij me titull “Lidershipi”, na afron disa figura të lidershipit botëror që kanë qenë modele të dalluara të liderëve karizmatikë: Sipas tij këta janë: Moisiu, Jezus Krishti, Attila, Muhamedi, Zhanë d’Arka, Pjetri i Madh, Napoleoni, Mahdi i Sudanit, Benito Musolini, Adolf Hitler, Mahatma Gandi dhe Ajatollah Khomeini. Pas këtij grupi ai ndërton një tjetër grup liderësh që ndonëse kanë shfaqur karakteristika të liderit karizmatik, sërish nuk kanë përmbledhur në total të gjitha tiparet e këtij tipi. Në këtë grup Burns vendos Uinston Çërçillin, Çarlë dë Golin, Gamal Nasser dhe Xhon Kenedi. Ndërkohë literatura e lidershipit ka vërejtur se edhe shumë figura të shquara nga bota ushtarake kanë pasur një shkallë të lartë karizme. Për shembull, Aleksandri i madh, Jul Cezari, admirali Nelson, Napoleoni, Xhorxh S. Patton i Riu,  etj.

Karizma si tipar dallues në lidership veçon aftësinë për të frymëzuar ndjekësit. Po t’i referohemi historisë do të vërejmë se falë karizmës personale shumë figura/lider historike i përcillnin aq shumë emocion ndjekësve të tyre sa këta të fundit flijoheshin në emër të kauzës që gjithmonë lideri karizmatik e ndërton dhe përcjell në formën më depërtuese dhe emotive. Legjenda na thotë se vetëm nga fjalët dhe emocionet që ngjalli tek ushtaret e tij Cezari arriti një fitore legjendare në Alesia, ku i veshur me një pelerinë të kuqe ia doli të frymëzojë ushtrinë dhe të mundë Arvernian Vercingetorix, i cili kishte pesë herë më shumë ushtarë se trupat romake. Sipas legjendës, ishte karizma e Cezarit ajo që bëri diferencën. Jo rrallëherë figurat ushtarake janë parë nga ndjekësit e tyre si supernatyralë apo me trajtat e heronjve.

Vëmendja ndaj tipareve të liderit karizmatik u shtua shumë sidomos në mesin e viteve ’80, kur industria amerikane u rrit së tepërmi dhe etja për liderë efektive u pa si një nevojë imediate. Fenomene të reja filluan të shfaqen edhe në boten e biznesit, ku drejtues jo tradicionalë ndërtuan kompani gjigante, patën sukses të pamat dhe bashkë me të sollën dhe modelet e tyre të drejtimit. Kështu shkollat e biznesit filluan të studionin drejtuesin e Chrysler – Lee Iacocca, atë të Apple – Steven Jobs si dhe atë të General Motors – Roger Smith.

Ndonëse është pranuar unanimisht se karizma ka vlera dominuese në lidership dhe se jo rrallë vetëm karizma e një lideri ka ndërruar një herë e përgjithmonë faqen e historisë për shumë kombe dhe jo vetëm, sërish duhet thënë se ende nuk kemi një përkufizim përfundimtar për këtë tipar. Dhe kjo ka kuptim, pasi sa më kompleks të jetë një fenomen aq më e vështirë është të gjesh një përcaktim final për të. Këtu duhet shtuar gjithashtu se në përgjithësi studimet për karizmën nuk janë të shumta.

Është pranuar se karizma përmbledh një talent të veçantë ndër njerëz të caktuar, që dallojnë nga turma falë një autenticiteti spikatës që i bën tërheqës në maksimum dhe falë kësaj ata kanë aftësinë maksimale të përcjellin besim dhe frymëzim tek kushdo që i rrethon.

Studimin e parë të mirëfilltë metodik për karizmën e ka kryer sociologu gjerman Max Weber. Duke ju referuar konceptit grek, që njihet me fjalën e greqishtes së vjetër ‘xarisma’ dhe atij kristian për karizmën, si një dhuratë/favor që Zoti u fal disa njerëzve, ai u mbështet tek e ashtuquajtura ‘gift of grace’. Fjala ‘grace-hire’ – përmendet 170 herë në Bibël, dhe ka kuptimin dhuratë apo bekim që Zoti u jep njerëzve të veçantë. Edhe sipas Weberit karizma duhet kuptuar si një cilësi e veçante, dhuratë nga Zoti për njerëz të veçantë. Ai më tutje argumentoi se karizma shoqërohet nga një cilësi mistike që në fakt i jep liderit fuqinë të mbledhë rreth vetes njerëzit. Sipas tij “ajo është tipar personaliteti dhe gjendet ndër individë të caktuar. Është një vlerë në personalitet që i jep individit një fuqi frymëzuese, supernjerëzore dhe supernatyrore”. Si tipar personaliteti karizma nuk fitohet apo nuk humbet ndër vite, të tilla sikur janë tipare të karakterit. Personaliteti i çdo individi ndërtohet deri në moshën 6-vjeçare dhe mbetet i tillë deri në fund të jetës. Kjo të çon në arsyetimin se ndërkohë që karakteri i liderit karizmatik mendohet se është më shumë i përcaktuar nga rrethanat dhe situatat, personaliteti karizmatik duhet konsideruar si karakteristike e vetë liderit.

Liderët karizmatikë dallohen nga grupimi tjetër i ashtuquajturi ‘lideri ligjor’ në shumë tipare. Kështu Ann Ruth Willner identifikon katër dallime të mëdha midis liderit karizmatik dhe atij tradicional. Së pari, ndjekësit i atribuojnë liderit karizmatik tipare gati mbinatyrore dhe e pranojnë atë si udhëheqës shpirtëror. Së dyti, ndjekësit e pranojnë natyrshëm dhe menjëherë liderin karizmatik; po ashtu ata pranojnë idetë dhe veprimet e tij. Së treti, dhe rrjedhimisht nga faktorët e mësipërm ndjekësit i shkojnë pas liderit karizmatik pasi ky është lideri që u projekton rrugën në të cilën ata kanë besim të plotë. Së katërti, ata i përgjigjen emocionalisht liderit karizmatik duke shfaqur hapur besimin dhe respektin e tyre. Sikurse e shohim, është autoriteti karizmatik që i jep këtyre lloj liderëve fuqinë dhe jo zyra apo statusi. Martin Luter King apo Gandi janë dy shembuj klasikë të liderëve karizmatikë, që ndonëse pa fuqi vendimmarrëse apo pushtet zyrtar krijuan ndër lëvizjet më të mëdha dhe frymëzuese në historinë e njerëzimit.

Është pranuar se në përgjithësi lideri karizmatik merr gjithmonë trajtat e heroit, pasi tek ai ndjekësit gjejnë të plotësuar heroin që kanë brenda vetes e që nuk kanë mundur ta realizojnë. Pikërisht ky ‘transferim’ bëhet krejt natyral në çastin kur individi ndeshet me liderin karizmatik, i cili sikur thamë më sipër, falë karizmës, frymëzon heroin tek çdokush duke u kthyer vetë në një simbol heroi për këdo.

Këtu duhet të ndalemi disi në shpjegimin se si krijohet lidhja lider – ndjekës. Qenia humane në përgjithësi është e pajisur me një pushtet natyral. Shumë njerëz janë të ndërgjegjshëm për të, shumë jo; shumë njerëz duan ta ushtrojnë këtë pushtet e shumë jo. Kush është i ndërgjegjshëm dhe do ta ushtrojë merr misionin e liderit, të tjerët atë të ndjekësit. Duke zgjedhur liderin të gjithë ndjekësit “dhurojnë” pushtetin e tyre dhe pranojnë të udhëhiqen duke i besuar gati totalisht liderit të zgjedhur. Ky pushtet i transferuar nga ndjekësit tek liderët bëhet në mënyrë krejt të vetvetishme dhe shoqërohet me shumë emocion, dashuri dhe respekt.

Kur lideri është karizmatik ky raport lind shumë natyrshëm dhe shumë shpejt. Duke qenë se gjithashtu liderët karizmatikë kanë një shkallë shumë të lartë besimi në vetvete si dhe priren gjithmonë nga një ambicie natyrale për të influencuar e dominuar, ata e fitojnë shumë shpejt aprovimin e ndjekësve si dhe e marrin rrufeshëm flamurin e drejtimit.  Ata në përgjithësi shfaqin aftësi dhe kompetencë të dukshme. Gjithashtu ata kanë aftësinë t’i shfaqin idetë dhe bindjet e tyre me një lehtësi të konsiderueshme si dhe janë ndër të parët që marrin flamurin kur momenti kërkon një kundërshtim apo rebelim ndaj tradicionales apo autoritarizmit. Sigurisht këtë ata e bëjnë në emër të grupit që përfaqësojnë dhe të cilit ia kanë shprehur hapur vizionin. Në rastin më ideal shumë prej liderëve karizmatikë mbartin vizionin dhe qëllimin e vetë ndjekësve dhe kjo i bën ata që të zhvillojnë vetëvlerësimin e ndjekësve. Në përgjithësi të gjithë liderët karizmatikë kanë aftësi shumë të larta oratorike dhe dinë të përcjellin shumë mirë mesazhe me gjuhën e trupit. Ndër studimet e bëra është arritur gjithashtu të njihen dy tipare të tjera të liderëve karizmatikë, siç është bujaria e dukshme si dhe një aftësi për të mos u shqetësuar aspak nga konfliktet e brendshme.

Burns i thellon argumentet e tij për liderin karizmatik tek bën krahasimin me atë transformues. Sipas tij, lidershipi transformues përfshin identifikimin si një lider që ka aftësi të sjellë ndryshimin, kurajën, besimin tek njerëzit, drejtimi nga vlerat, dëshira për të mos reshtur së mësuari, aftësia për të kuptuar dhe vepruar në situata komplekse, ambige apo të paqarta, pasja e një vizioni të qartë si dhe aftësia për ta përçuar atë.

Nëse lideri karizmatik është në gjendje të fitojë të gjitha këto vlera të liderëve transformues atëherë ky vërtet është një bekim. Sidomos aftësia për ta pranuar problemin kur ai shfaqet pa u errësuar nga ambicia personale është tipari kryesor i liderit transformues i cili ka vetëm një qëllim, të çojë deri në realizimin final vizionin që u ka premtuar ndjekësve. Liderët transformues konsiderohen shumë të arrirë sidomos nga mënyra se si ata zgjidhin problemet. Ndryshe nga karizma që mendohet se është më shumë e lindur, lidershipi transformues mund të mësohet e të përsoset mes trajnimeve. Të gjitha këto na çojnë në përfundimin se kur lidershipi karizmatik dhe ai transformues ecin së bashku, suksesi është i garantuar.

Rrjedhimisht pa garantuar tiparet e liderit transformues, lideri karizmatik mund të jetë problematik. Kjo pasi ndër analizat dhe studimet që i janë bërë liderëve karizmatikë është parë që prania e karizmës ndonëse shumë frymëzuese, sërish ka anët e saj të errëta, pasi njihet se liderët karizmatikë shquhen për një ambicie ekstreme; pikërisht kjo mund të sjelle çoroditje në vizionin fillestar si dhe mund të godasë gjykimin e vetë liderit. Kështu rreziku është që lideri karizmatik sapo fiton vetëbesimin, fillon të injorojë mendimet ndryshe, dhe pak nga pak humb kontaktet me ndjekësit. Kjo bën që ai të jetë më shumë i përqendruar tek ambicia personale për pushtet dhe lavdi sesa në arritjen e synimeve të ndjekëseve për të cilët është zgjedhur. Janë pikërisht këto anë që mund të krijojnë shumë probleme në lidership. Megjithatë, është pranuar se kur liderët karizmatikë rrethohen nga këshilltarë të zot, ata janë në gjendje të mos e humbin orientimin dhe t’i çojnë ndjekësit në arritjen e premtuar. Studiuesit gjithashtu na mësojnë se një staf i përgatitur me aftësi drejtuese të larta mund të jetë në gjendje të pengojë ‘lajthitjet’ e liderëve karizmatikë duke qenë të zotët të shfrytëzojnë vlerat që mbart ky lloj lideri.

 

 

 6. Lideri narcisist

 

Bazuar në studimet e Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (1994) narcisismi është një lloj personaliteti që përfshin një dëshirë ekstreme për admirim, një ekzagjerim të ndjenjës së epërsisë personale, një dëshirë të papërmbajtur për pushtet, bindjen se e drejta është gjithmonë në anën tende, si dhe një mungesë të theksuar empatie. Ndonëse narcisismi është trajtuar si një tipar me pasoja negative në lidership, studiuesit gjithsesi besojnë se pikërisht narcisismi është forca që i drejton shumë liderë drejt pushtetit ndoshta edhe drejt misionit të lidershipit.

Antropologu dhe psikoanalisti Maccoby (2004) konsideron dy tipa narcisismi, narcisismin produktiv dhe atë joproduktiv. Anët produktive të personalitetit narcisist e ndihmojnë liderin të arrijë fitoren, ashtu sikurse anët e errëta e pengojnë atë t’i shkojë deri në fund misionit për të cilin ndjekësit kanë synim dhe nevojë duke e kthyer në joproduktiv.

Po të flitet për anët e mira, bazuar tek Sankowsky (1995), narcisismi krijon një profil mistik që e bën liderin shumë të besueshëm, i jep atij tiparet e heroit, i jep atij imazhin e individit tërësisht të angazhuar ndaj ndjekësve, bile deri në atë shkalle sa vetë ndjekësit fillojnë ta adhurojnë dhe përkushtohen deri në verbëri. Falë këtyre cilësive liderët narcisistë fitojnë admirimin e ndjekësve dhe ndihen të plotësuar për aq kohë sa e gëzojnë atë, pasi lideri narcisist gjithmonë kërkon të jetë i rrethuar nga admirues.

Maccoby shikon gjithashtu tek lideri narcisist një aftësi gati mbinatyrore për arritjen e qëllimeve, një aftësi krijuese gati të pakrahasueshme, si dhe një fuqi të brendshme për t’u përballur me situata të rrezikshme apo të vështira. Njëzëri është pranuar që lideri narcisist ka aftësi të pakrahasueshme për të frymëzuar vartësit e tij. Kjo ka çuar në arsyetimin që në raste krizash apo ndryshimesh të mëdha vetëm lideri narcisist mund të jetë në gjendje të ngjallë optimizmin e ndjekësve dhe t’i çojë ata drejt ndryshimit. Nuk është rastësi që gjithmonë në kthesat e mëdha të historisë kemi parë në krye një lider narcisist.

Në përgjithësi personaliteti narcisist e kthen liderin në një individ shumë kompleks. Kjo çon natyrshëm në pyetjen: A është më shumë pozitiv apo negativ narcisismi për liderin? Kësaj pyetjeje teoricienët e lidershipit do t’i përgjigjeshin: “Sa mirë që e ka, sa mirë sikur të mos e kishte”! Ky kompleksitet përbën edhe pikën më të vështirë për të pasur një konkluzion final rreth liderit narcisist. Nëse rreshtojmë disa pika kyç për suksesin në lidership të liderit narcisist ato janë padyshim besimi që liderët kanë tek vetja dhe aftësia vizionare për ta përcjellë këtë besim tek ndjekësit dhe duke i frymëzuar ata deri në pikat më të larta dhe në momentet më të vështira. Pa këto dy tipare vështirë se mund të nisësh rrugën e gjatë e të vështirë të lidershipit dhe vështirë se mund të pranohesh nga ndjekësit. Në fakt janë këto dy tipare që e prodhojnë liderin dhe e lançojnë atë si të tillë. Janë pikërisht këto që plotësojnë fjalinë “sa mirë që është narcisist”. Çështja shtrohet nëse ky tipar vazhdon të ketë të njëjtën peshë dhe të luajë të njëjtin rol pozitiv kur lideri është afirmuar dhe tashmë duhet të ushtrojë pushtetin e tij? Çfarë roli luan narcisismi që nga ky moment? Më së shumti anët e errëta të narcisismit ngrenë krye dhe e drejtojnë liderin nëse ai nuk është në gjendje t’i kontrollojë ato, dhe mbi të gjitha të kontrollojë – unin e sëmurë që shfaqet shumëformësh, prej të cilëve po shënojmë më të dukshmit.

Unë dhe lumi

Miti i vjetër i Narcisit që u mbyt në lumë duke u mahnitur nga bukuria e vetes mund të ketë shumë interpretime. Vërtet Narcisi u mrekullua me veten dhe donte ta përqafonte atë në imazhin e ujit dhe humbi pa kuptuar, apo atij iu duk se në lumë ishte dikush tjetër, e ai rendi ta shpëtojë, apo ta përqafojë?? Apo mos kemi një lumë aq mahnitës, të kthjellët si një pasqyrë saqë Narcisi që nuk dinte çfarë ishte efekti pasqyrë u mahnit e tentoi ta prekë por u shkri në të? Pra thjesht mund të pyesim: Ishte vetë Narcisi aq i vetëndjerë sa që ra e u mbyt i dashuruar pas vetes apo efekti pasqyrë e turbulloi atë dhe e zhyti në thellësi për të mos dalë më? Pra sa me peshë është roli i lumit në mbytjen e Narcisit? Kudo që ta shpiem analizën ka vetëm dy anë dhe një ndjenjë, nga njëra anë është Narcisi, nga ana tjetër lumi e në mes dashuria. Kurrë nuk e kemi gjetur nëse ka qenë dashuria për të rrokur veten apo imazhin e tij ajo që e turbulloi Narcisin apo efektet shumëngjyrëshe e shumëformëshe të lumit e përhumbën atë?

Duke dalë nga metafora letrare bëjmë një analizë më jetësore duke përmendur Narcisin si protagonist. A do e njihnim Narcisin po të mos që mbytur në lumë? Ndër shekuj njerëzit janë marrë me Narcisin por kanë harruar lumin duke harruar faktin që ishte lumi që krijoi efektin, e solli dramën narcisiane.

Po ta shtrojmë analizën te lidershipi mund të pyesim – janë shoqëritë narcisiste që krijojnë liderë narcisistë apo e kundërta? Po t’i hedhim një sy liderëve më dominantë të Shqipërisë që në kohën kur ky vend filloi vërtet të kishte shtet, shikojmë se në shumë pika ata shfaqin karaktere të ndryshme por në një pikë ata janë të gjithë bashkë, dhe ky është narcisismi! Kjo do të thotë se ata trashëgojnë të gjithë një tipar dominues të shoqërisë që përfaqësojnë.

Një ndër leksionet bazë në teoritë e praktikat e lidershipit është: lideri është produkt i shoqërisë që përfaqëson. Fakti që një shoqëri prodhon gjithmonë e gjithmonë një tipar lideri, rrëfen se shoqëria e ka këtë tipar të sajin. Lideri është rrjedhshmëri. Kjo do të thotë se një shoqëri narcisiste do prodhojë liderë narcisistë.

Unë jam sui generis

Lideri narcisist e konsideron veten të famshëm dhe shumë të rëndësishëm. Beson se është qenie speciale me vlera të jashtëzakonshme, i zgjedhur special i cili duhet ndjekur me çdo kusht, pasi mbetet alternativa e vetme shpëtuese. Ka aq besim në atë që thotë dhe atë që bën sa natyrshëm e përcjell këtë besim tek ndjekësit. Në paradat e 1 Majit që zhvilloheshin çdo vit në Tiranën komuniste, njerëzit thoshin: “Kur del Enveri pushon shiu e del dielli”. Kjo lloj shpëlarje masive e trurit, ku udhëheqësi shihej si një perëndi me forcë të pashtershme dhe ku adhurimi arrinte përmasa të tilla, ktheheshin në ushqimin kryesor të Hoxhës narcisist.

Unë duhem dashur me çdo kusht

Lideri narcisist kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcisistë janë të fiksuar që të kenë nën kontroll artin i cili duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të.

Për mua të tjerët janë vetëm sende

Lideri narcisist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Përgjithësisht ai i shikon ndjekësit krejt si objekte dhe kjo vjen nga fakti se narcisistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Sipas Dimaggio (2002), si dhe disa studiuesve të tjerë bashkëpunëtorë me të, lideri narcisist e shikon veten si zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është edhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narcisist ; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë në diktatorë të pamëshirshëm.

Të gjithë duhet të mendojnë e të veprojnë si unë

Liderët narcisistë kanë aftësi të prodhojnë ndjekës narcisistë dhe shoqëri narcisiste. Mes këtij procesi ata fare natyrshëm fuqizojnë pushtetin e tyre, mbrojnë pushtetin e tyre dhe në këtë mënyrë e kanë më të lehtë ecjen përpara. Këtu duhet të theksojmë se problemi më serioz në lidership nuk është çka vetë lideri përfaqëson, por çka ai frymëzon e formëson. Liderët formësojnë më shumë se kushdo në shoqëri, ndaj edhe misioni apo roli i tyre është më i rëndësishëm se ai i çdo profesioni në botë. Një lider sado gjenial të jetë, i vetëm nuk mund të arrijë asgjë, por pasi ka formësuar ndjekësit dhe i ka dhënë “imazhin e tij”, ai tashmë është bërë faktor social që ka në dorë çdo gjë, vetë fatin e njerëzimit. Hitleri është padyshim lideri narcisist më klasik, apo më saktë të shprehemi, më lehtësisht për t’u identifikuar lehtësisht si i tillë. Ai e përcolli krejt natyrshëm narcisismin e tij te shoqëria gjermane e kohës aq sa shumë shpejt u pa që nuk patëm vetëm një lider narcisist, por një shoqëri gjermane krejt narcisiste.

Fitore dhe vetëm fitore për mua

Liderët narcisistë duan të shohin vetëm fitore. Ata e kanë gati të pamundur të pranojnë humbjen apo disfatën. Edhe kur humbja është tërësisht e dukshme ata fillojnë të gjejnë shkaktarin përtej vetvetes dhe t’i heqin vetes çdo përgjegjësi për humbjen. Ndërsa paradoksalisht te sukseset lideri narcisist gjithmonë kërkon t’i theksojë si të vetat. Edhe nëse suksesi nuk arrihet ai duhet të imagjinohet i arrirë, dhe duhet spekuluar deri në atë pike sa të shpiket edhe nëse nuk ekziston. Po t’i referohemi të gjithë propagandës komuniste në kohën e diktatorit Hoxha do të shohim se kudo flitej për fitore dhe suksese. E tërë makina propagandistike ishte ndërtuar për të glorifikuar suksesin, që në fakt nuk ekzistonte, por që duhej përfytyruar apo pranuar si i tillë.

Mua nuk më duhet të dëgjoj, unë vetëm jap direktiva

Lideri narcisist nuk ka aftësinë të dëgjojë apo të shkëmbejë mendime. Ndonëse ai deklamon sikur i pëlqen të dëgjojë, në fakt ai është më i prirë të rrethohet vetëm nga manekinë. Në këto kushte, në vend që të ndërtojnë raporte njerëzore dhe të ndershme, liderët narcisistë shfaqin dëshirat ekstreme për të dominuar dhe ndjejnë kënaqësi të veçantë duke goditur të tjerët, pasi për ta jeta është një konkurrencë ku ata duhet të jenë vetëm fitimtarë (Blair, 2008). Çdo ide, vendim apo propozim duhet të dalë nga lideri narcisist. Duke krijuar këtë ai ndërton një presion mbi këdo që e rrethon. Kjo bën që në të shumtën e rasteve liderët narcisist e kanë gati të pamundur të shfaqin tendenca të lidershipit pjesëmarrës apo bashkëpunues. Fatkeqësisht, këto tipare rriten edhe më shumë dhe fillojnë të dalin në pah kur lideri narcisist fuqizon pushtetin apo suksesin. Me fuqizimin e pushtetit këta lloj liderësh bëhen tërësisht jo tolerantë ndaj mendimit ndryshe, ndaj ideve që bien në kundërshtim me të tyret apo krijojnë argumente. Dëshira parësore dhe synimi i narcisistit pas këtij momenti është përjashtimi, apo lufta e hapur ndaj kujtdo që ka forcën ta kundërshtojë, dominojë apo luftojë. Sipas Blair (2008) kjo vjen edhe sepse narcisismi është i lidhur ngushtë me sindromën e paranojës.

Unë bëj çfarë dua

Kontrolli mbi pushtetin është synimi kryesor i liderit narcisist. Abuzimi me të është një normë e këtyre lloj liderëve. E gjitha kjo vjen sepse lideri narcisist kërkon të ketë patjetër një pushtet absolut. Në përgjithësi e arrin këtë duke emëruar individë që janë totalisht nën kontrollin e tij. Këtu fillon gradualisht abuzimi me pushtetin. Kjo dëshirë e pamat për pushtetin dhe për të mos e humbur atë, i bën liderët narcisistë shumë të rrezikshëm, pasi ata janë në gjendje të marrin çdo vendim gati ekstrem vetëm e vetëm që të mos humbin kënaqësinë që u sjell pushteti. Sipas Sankowsky (1995), lideri narcisist është në gjendje t’i mashtrojë, t’i tradhtojë dhe braktisë ndjekësit e tij vetëm me synimin e ruajtjes së pushtetit personal. Duke qenë se liderët narcisistë nuk kanë empati apo nuk shohin askënd përtej vetes, ata kanë aftësi të shfrytëzojnë këdo pa pasur ndonjë vrarje ndërgjegjeje apo keqardhje, mjafton që të arrijnë egon e tyre personale e të egër për pushtet.

Përfundime

Jo pa qëllim çdo paragraf i mësipërm ka një titull ku përemri vetor ‘unë’ është aplikuar pothuaj në të gjitha rasat. Kjo gjetje e fjalës mbart domethënien që ekziston për çdo personalitet narcisist, pak rëndësi ka nëse ai është lider apo ndjekës, për të çdo gjë fillon e mbaron tek vetja, tek madhështia e unit që nuk njeh kufinj vetadmirimi dhe që kërkon të realizohen nëpërmjet një pushteti absolut. Fatkeqësisht, në pasqyrën e jetës një narcisist nuk sheh kurrë veten por atë që ai do të shohë në të. Këtu fillon drama e tij personale dhe këtu fillon padyshim drama shoqërore nëse ky narcisist i bie të jetë një lider.

 

 

 

 

Please follow and like us: