Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJERIU DHE AKTORI QË DINTE TË NA BËNTE TË QESHNIM!

Homazh për KOÇO DEVOLEN

Qe viti 1962, kur shoku im i klasës në shkollën e parë (të lartë ) të aktrimit, Bernard Kokalari, gjatë kohës që na dërgonin edhe nëpër grupime amatorësh, më thotë një ditë prej ditësh: “Eja me mua në Kombinatin e Tekstileve, mbas dite, që të shohësh një talent, i cili di aq mirë të lozë në skenë, pa e mësuar njeri”! Dhe vajta. E u stepa kur e pashë. Ai ishte një djal i lezetshëm, jo më shumë se 15-16 vjeç, imcak, po tepër i gjallë që dinte të imitonte bukur dhe të na bënte të qeshnim, duke mbajtur seriozitetin e një aktori të stërvitur! Ishte Koço Devole. Dhe tani nuk e them dot që, ky aktor i lindur nuk është më! Ca kohë u end edhe ai në Amerikë, ku ishte edhe Bernardi, ish-regjisori i Teatrit Profesionist “Zihni Sako” të Gjirokastrës, nga familja e nderuar e Kokalarajve, të cilit i dhanë menjëherë nështetësinë amerikane, po Koçoja u kthye e unë e ritakova në Fier, tek bëhej një festival teatror dhe kësaj radhe do të stepesha nga flokët e tij të kuqe… Trill artistësh! ,-thashë me vete. Disa vite më vonë do të më rastiste që të shihja ekranizimin e një komedie të titulluar ‘Oreksi i madh’ që aktori i preferuar, e interpretonte me aktorët e këtij teatri e i thashë përsëri vetes time, se ‘ky flokëkuqi amerikan’ do ta kishte realizuar këtë shfaqje po aty, kur më befasoi edhe mua që e njihja aq mire dhe e doja aq shumë, si njeri e si aktor. Se teper rrallë qëllonte që këto të dyja cilësi të mrekullueshme, të ishin që të dyja së bashku!
Befasia
Po, befasia ime ndërkohë, kishte marë një kuptim më të gjërë. Koço Devole kishte fituar përvojën e aktrimit të natyrshëm të atyre artistëve të mëdhenj, kur fytyra e tyre është thuajse neutrale dhe, përmes syve sheh gjithë pasqyrën e shpirtit dhe fjala buron vetiu, si një magji që të mbërthen të tërin. Kishte në vetvehte një intuitë artistike që të befasonte me të vërtetë! Mos ma merrni për krahasim spekullativ, ju lutem, që të përmënd me këtë rast, amerikanët e mëdhenj të skenës e të ekranit, si Çarli Çaplinin e pavdekshëm të komedisë e Marlon Brandon e dramave tronditëse, kur atyre, gjatë interpretimeve të tyre bilante, nuk u lëvizte asnjë nga muskujt e fytyrës, si edhe dy-tri nga artistët tanë,- aktorët e natyrshëm të komedive tona klasike, Mihal Popin e Viktor Gjokën, duke shtuar ca me të rinjë se ata, siç e kemi Robert Ndrenikën, apo edhe Bujar Lakon me Agim Qirjaqin që nuk i kemi më! Befasia shtohet tek Koço Devole edhe nga fakti se nuk bëri shkollë. Kishte lindur i tillë. Sikur kishte ndodhur edhe me Çaplinin e Popin tonë, të cilët bënë shkollë me artin e tyre të lindur!
Pedagogia ime ruse, Çefranove na thoshte se “një qime e ndan heroin nga antiheroi dhe mjafton vetëm një detaj që ta rrëzoj atë përtokë, kur kjo s’ka të bëjë e nuk përputhet me karakterin e heroit, të aktorit e të kujtdo njeriu”. Rolet e Koço Devoles janë të tillë, që asnjeri prej tyre, nuk del nga “shtrati i komedise” dhe asnjë prej detajeve, gjesteve, fjalëveprimeve nuk stonojnë karakterin komik të figurës. Sido që të jetë personazhi. Tek ajo komedia e Teatrit të Fierit ku Devole interpretoi dy role në të njëjtën shfaqje, gati pa u dalluar nga njeri-tjetri dhe ka një transformim befasues të krejt figurës, po edhe detaje komike që nuk përputhen fare tek të dyja figurat. Po edhe brenda së njëjtës figurë ka trajtime deri në nuancat më të holla, të cilat vendosin edhe masën e duhur midis figurës satirike me figurën groteske që kanë të dy personazhet e tij. Si edhe brënda të njejtit tip. Kujdes, thotë ai, pensionisti ‘oreksmadh’ i Devoles , -në shtratin e vdekjes,- kujdesuni që, kur të më bëhet autopsia…( e befas ngec, duke zbërthyer e mbërthyer nga frika e vdekjes, zinxirin e bluzës). Po kjo ëshëtë paradoksale. Një interpretim kaq i natyrshëm e me një komicitet të thellë, vetëtimthi, brenda groteskut dhe është krejt i kundërt me personazhin tjetër po të tij, dashnorin e se vesë,- tipi i pseudo njeriut, delenxhiu hipokrit, që turfullon para gjithçkaje e gjithkujt, për të fshehur vetveten! E ndarjet, tipizime te tilla, dinte t’i bënte krejt lirshëm e me një fantazi të çartur, një aktor si Koço Devole! Kishte raste që i shpëtonte ndonjë gjest, pasthirmë a frazë krejt ndryshe, si një ekspreion i absurditetit e jashtë kontekstit të figurës, po ama, nuk e prishte tipin, figurën, po e bënte atë edhe me origjinale. Aktori Devole qe krijues i një organiciteti rrjedhës, të cilit i lejohej edhe improvizimi nga ana e regjisorit, që në rastin tone ishte vet dora, Koço Devole! I cili merrte vetëm një batutë të vetme prej një seance parlamentare, kur njeri prej ministrave tanë tha se “ngritja e pensioneve tek ne, bëhat aq sa pensionisti të vejë e të blejë një kofshë pule!” e me ketë batutë sajoi një komedi të tërë!
E qeshura u takon të tjerëve
Kur në vitin 1967 përfundova së shkruari monografinë për Artistin e Popullit Mihal Popi dhe po ia lexoja aktorit të madh të humorit, porsa mbylla edhe fletën e fundit, e pyeta: “Cili është sekreti yt që, në skenë je shumë serioz e spektatorët qeshin”? Ai mu përgjegj kështu: “Unë interpretoj në skenë hallin, dramën që ka pesronazhi i komedisë dhe ç’ndodhte? Spektatorët ç’kuleshin së qeshuri”! Këtë bënte edhe Koço Devole, përpos “Vis Comika” që e kishte përbrenda vetes dhe nuk spekullonte me të, kur delte në skenë apo përpara kamerës kinematografike. Ndërkohë që nëpër skenat tona dhe në disa skeçe e programe televizive spekullative, jo pak herë, më shumë qeshin aktorët që gjasme “bëjnë komedi” e qeshin vetë me ato që thojnë e bëjnë, pa qeshur spektatori asnjë grimë! E, jo në pak raste, regjistrohen të qeshurat gjetkë dhe i vendosin ato artifisialisht tek aktori që s’di fare të bëjë të qeshin të tjerër! Kjo nuk ndodhte kurrë me Koçon. Veçse në rrethe të ngushta shoqërore e familjare, me oreksin e vet të batutave me kripë. A nuk i keni pare vallë dy komeditë nje aktëshe të tij, xhiruar në Guvën e Pedonales së Tiranës, me të dy regjistrimet e subjeteve komike, të njerës për ish qeveritarët e së djeshmes, si edhe për deputetët e te sotmes që pasurohen brenda nje ditë-nate? Serioziteti i Devoles në të dyja rolet analoge është super dramatik, i mbërrthyer nga ankthi i tij i të dyja rasteve… Në atë të parën, ku ai interpreton me Mehdi Malkën, Vangjel Toçen e Zamira Kitën, ka një përjetim të jashtëzakonshëm të situatës dramatike, saqë ndjehet përmbysja që ka ndodhur e jo më kot Koçoja, si regjisor, i fut ata në këtë “guvë prehistorike”, si të ishte “vrima e miut”. Satira super-tallëse i nxjerrë jashtë kohe e jashtë loje këta personazhe të Historis Kombëtare! Në ekranizimin e satirës për Enverin e Sillon, “Gjuetia e Fundit”, Devole e interpreton personazhin e vet Sillos (Oficerin vigjilent të ish Sigurimit të Shtetit S.G, kur ai ishte ende gjallë, duke e stigmatizuar aq bukur, me gadishmërinë e servilizmin përulës së tij, deri në një përkushtim dramatikisht ndaj Udhëheqësit?!). Këtu është e jashtëzakonëshme sfida e satirës, vërtetësia. Personazhet janë ata që ishin, ndërsa situata teje komike dhe ne biem për tokë prej të qeshurave, para këtyre figurave tashmë jashtë kohe e jashtë ‘loje’, në perëndimin e tyre, prej të ciiëve edhe dridheshim nga frika e gjëmave që ndodhnin, paralelisht me ato parakalime tërë lule e fishekzjare mbrëmjeve të festave! Ky pra është sekreti i përhershëm i gazit të shëndetshëm që shkaktonin edhe interpretimet e Koço Devoles, në të pesëmbëdhjetë kinokomeditë e tij, nëpër skeçet e Vitit të Ri, po edhe kënaqësia që ndillte në publikun tonë, me të gjitha prezantimet e tij elegante të festave vjetore të këmbimit të viteve… E në të gjitha rolet ‘sheshi i lojës’ qe i tij , me një çkontraktim të plot psiko-fizik. Një teoricien amerikan, Lee Strasberg, profesor e themelues i ‘Actor Studio’ të Ny Yorkut, thoshte se “Vetëm pas njëzet vjetësh ndodh një gjë e çuditëshme, që nuk ka lidhje fare me faktin nëse një aktor është i mirë, apo i keq: ai e ndjen fare thjesht që kur hyn në skenë, ai hyn me sigurinë për të qëndruar aty, e përfton këtë lehtësi të mrekullueshme që është njëra anë e medaljes së fituar ngaqë ka thithur pluhurin e skenës për gjithë këtë kohë”. Këtë thoshte gjithmonë edhe Kadri Roshi ynë i madh: “Po nuk hëngre pluhur skene, nuk bëhesh dot aktor”! E këtë bënte edhe aktori i ndjerë, Koço Devole, edhe pse kemi thënë se, ka lindur si i tillë. Punonte si ‘qëni’,-sikundër e thotë edhe populli ynë!
Guximi krijues
Satira çshtë gjithmonë e rrezikshm e ka telashet e veta. Sepse fshikullon deri ne asgjësimin e veseve e të fenomeneve, pra edhe të mbartësve të tyre, qofshin këta edhe në ‘majën e kupolës’ së shtetit, qofshin të perënduar, të vdekur, po edhe gjysmë të gjallë e të gjallë plotësisht. Dihej kërcënimi që i erdhi aktorit pas talljeve me Enver Hoxhën dhe të shoqëruesve e pasuesve të tij, bile deri në kërcënime vdekjeprurëse. Po talljet që u bënte të korruptuarve të pushtetit demokratik, të djathtë e të majtë, të periudhës së tranzicionit tepër të gjatë? Ose, ato monitorimet televizive të emisionit “Fiks Fare” me adresimet e tyre direkte, tok me atë Filip Çakulin e heshtur, me lapsin e tij të ‘mprehur mirë’, a nuk ishin fshikullime tallëse publike, direkte dhe me emra, deri në rangjet më të larta?! Koço Devole ishte një artist me plot guxim e kurajo qytetare. Realisht, bënte sa ishte e mundur më shumë që t’i shmangej antagonizmave me pushtetitn e politikën e përsëri bine brenda saj. Bënte ‘dredha’ kur drejtuesit e televizionit tonë, edhe trëmbeshin për veten e tyre, kur i shihnin të përfunduara ‘proçkat’ e guximshme të Koços! Si dje, po nganjëhere edhe sot, kur hakmarrësi ndëshkues, po edhe ‘çensura’ e padukshme, merrte ‘ngjyrime’ e trajta të tjera të dhunshme, deri në përdorimin e tritolit para derës së shtëpisë tënde! Bile, humori e satira me ‘kuadrot’ është edhe më i rezikshëm se tritoli! Se nuk e thoshte keq Lenini se, “që nga çasti që ti thua se ‘nuk merresh me politikë’, ti sapo ke filluar që të bëshë politikë”! Devole e dine këtë e s’kishte ç’të bëntë e ç’të dredhonte. Të gjitha kinokomeditë e tij, ishin konfrontime me politikën që bëhej dje, po edhe sot. Kujtoni atë personazhin e tij që kërkon të krijojë një parti politike, me gërma (!), mbi ato afro 20 të tjerat që janë krijuar, të mëdha, gjysmë të mëdha, të vogëla e bile pa antarë fare, për t’u bindur se sa tallës, thumbues e real njëherësh ishte Devole me komeditë e tij të vogëla për këta partiakë, deputetë e ‘partibërës’ që gjoja rrihnin probleme ‘të mëdha’, medemek ‘të kohës’, po realisht ishin të ç’politikës aktuale, inerte, si ‘ferrë nëpët këmbët’ tona që bënin vetëm ‘në vënd numëro’! Vetë Devole qe i papajtueshm me kohën e vet dhe u rrëshqiste angazhimeve politike, bile mund të thuash se qe i parakohshëm. Artistikisht një “Figurë Komplekse”: si autor- aktor e regjisor… Ç’të thuash tjetër, me dhimbje, për Koço Devolen që na iku aq befasisht, të cilit i shkrepte një ide në kokë, e rrëmbente menjëherë lapsin të bënte skenarin dhe pastaj të interpretonte me regjinë e tij. Në këtë trinitet e ndjente veten mirë e të vetëdijshëm për atë që bënte dhe e realizonte mirë, me shumë humor e fantazi… Një humor që rridhte organikisht, merrte nuanca e krijonte, jo vetëm gazin e shëndetshëm, po edhe mesazhe interesante. Dhe vizioni që krijonte me mesazhin e tij qe alarmonjës për shoqërine dhe për politikën e shtetit…
Kontrastet e një jete
Jeta e këtij njeriu me plot humor, i këndshëm në skenë e në film, i këndshëm edhe në jetë, i ka kaluar vitet me një sërë kontradiktash e kontaste jete, si edhe me ‘prapësira’ e mendime të ‘rrezikshme borgjezo-revizioniste’! Duke filluar qe nga Kuçova ku ka lindur, në atë qytezë punëtorësh të naftës, ku i ati jepte filma për ta, në Klubin e Naftëtarëve dhe djaloshi Devole mund të shihte edhe ndonjë film pa para. Po ardhja e familjes në Tiranë e vendosia e tyre në Kombinatin e Tekstileve të Yzberishit, nuk qe aq e mbarë dhe e suksesshme, ashtu si nuk qe i mbarë edhe emri i Stalinit që i vunë e që do të hiqej pas tri a katër dekadash, bashkë me bustin e tij dhe, më pas akoma, do t’i mbeteshn vetëm muret! Gjithsesi do të shërbente që rrethi shoqëror i fëmijës sevdalli, të ishte më i gjerë. Fillimisht i hypi pasioni i vizatimeve. Bënte karikatura të mira, që më mbrapa i perfeksionoi, derisa të vinte në moshën e rinisë, pikërisht atëhere kur do ta njihja edhe unë, në moshen 16 vjecare, në grupin e teatrit, -pasion i nisur që me aktivizimin e tij në filmin “Debatiku”. Ndërkohë, vazhdimin e tij në studimet e larta, sikundër rrëfente Koço Devole, do ta prishte edhe një “kleçkë biografie” që kishte të bënte me hijen që la xhaxhai i tij i ikur për në Amerikë që në vitin 1038 e që, gjatë regjistrimeve ishte bërë çuditërisht 48 prej ndonjë nëpunësi të shushatur të Gjëndjes Civile! Hyrja e tij ne Fakultetin e Inxhinerisë Mekanike nuk ishte në parametrat e dëshirave e të pasionit vetiak, prandaj edhe përpjekjet e tij do të kalonin ‘së prapthi’, kur donte të ndiqte Institutin e Arteve, ku ngutja, mospregatitja e rregullt, po edhe frika e ‘hija’ që lëshonte ai ‘Amerikani i arratusrur”, sikundër ndodhte shpesh me artistët me talent, nuk pati ‘dritën jeshile’! Kështu që humoristin Koç o e ‘përlau’ detyrimi ushtarak, ku përsëri e priste edhe njëfarë shansi: Estrada e Ushtarit, ishte si një ‘fat i madh’, që aty të gjente një grupim artistësh me emër, sikundër qenë Aleko Prodani, Roland Trebicka, Zef Deda, Shtjefën Palushi, Dhimitër Furxhi e Sejfulla Myftari, duke bërë edhe një jetë aktive skenike, me shfaqje në të gjitha skajet e vendit, që nga Skraperi e mali i Tomorit, ku kishte reparte ushtarake, deri në Orosh të Mirditës dhe në Karaburun, në skajin më të largët të tij, ku nuk kishte më tepër se 11 ushtarë të mënjanuar. Po i ka qëlluar të bënte skeçe dhe para nje gjenerali të vetëm. “Të bënte humor përpara një gjenerali që ishte shtruar vënçe, para një gjysmë derri të pjekur ,-thoshte atëhere Koçoja, nuk ishte gjë e lehtë”! Mirëpo, tek ky aktor-ushtar do të ‘viheshin re’ edhe ca mendime e veprime ‘mikroborgjeze’ që do t’i rrëfenin atij “proçesin kinez të riedukimit”! Duke shtuar këtu edhe “çrregullimet biografike”, pas shërbimit ushtarak, artistin e humorit do ta përplasnin në disa punë të rëndomta fizike, riedukuese, që kishte Kombinati, po që do të përfitonte rrishtazi në saj të pedispozitës humoristike të aktrimit e talentit si karikaturist, duke gjetur vend pune në revistësn”Hosteni”, pranë mjeshtrave të spikatur të asaj kohe: Zef Bumçi, Bardhyl Fico, Shtjefën Palushi e Bujar Kapexhiu, po edhe të humoristëve Spiro Çomora, Gaqo Veshi, Filip Çakuli, Niko Nikolla etj. Gradualisht djaloshi Devole do të merrte karakteristika të mira pune, do të quhej ‘i korregjuar’ dhe kështu do t’i hapnin dyert e TVSH-së. Dhe, pas kësaj ‘Odiseje’ do të niste ‘përroi’ i prurrjeve të sukseseve të komedisë, të etradës, të filmit e të spektakleve të Vitit të Ri që mezi priteshin atëhere, si gëzime të vetme që kishin mbetur,-që të gjitha me vlerën e artit të vërtetë profesional. Mirëpo ndërrimi i epokave, tranzicioni i gjatë, me gjithë ato zhvillime shoqërore të pa stabilizuara, me gjithë ato udhëtime e sprova e shanse të mjergulluara në trekëndëshin e madh Shqipëri-Amerike-Itali, nuk do ta ‘shpëtonin’ Koço Devolen, edhe pa incidentin e një ‘historie droge’, si të ishte njëfarë ‘skeçi i hidhur’ i ndërmjemë i tranzicionit raskapitës të të gjithë shoqërisë sonë… Po në vitet e tij të fundit, gjithçka do të harrohej e ndreqej, do të kishim nga Koço Devole një shkëlqim ripërtëritëss, po edhe dekorimin me Urdhërin e Lartë të Shtetit “Mjeshtër i Madh”, plotësisht të meritur. Një udhëtim i merituar edhe në artin tonë të humorit e të satirës, aq sa, miku i tij, himoristi Filip Çakuli do ta përcaktonte mbi arkivolin e tij si “Epoka e Koço Devoles”, pasi edhe flama e pandalshme e tragjike e Coronavirusit, do të mbyllte përgjithmonë edhe “siparin e jetës” të këtij artsiti të madh të komedisë. Ikja e tij qe një padrejtësi po kaq e madhe!

(Shkruar në Athinë, sot 12/11/2020 në rethana LOCKDOWN)

Please follow and like us: