Albspirit

Media/News/Publishing

Minishengeni, kurrë mos u bëftë pa Kosovën!  

Eden Babani, Bruksel

Deri në Strugë, udhëtimi me autobusin Tiranë – Shkup zgjati afro pesë orë. Do të kishim kursyer të paktën një orë e ca, nëse kontrollet në pikën kufitare të Qafëthanës nuk do të kishin kaluar nëpër një proces tejet burokratik, vlerën e të cilit duhet ta dinë vetëm ata që e kanë vënë.

Filloi me mbledhjen e pasaportave dhe letrave të njoftimit. Deri këtu, asgjë të keqe. As për t’u mërzitur. Përkundrazi, një veprim normal, përderisa nuk jemi në hapësirën Schengen, por në Ballkanin Perëndimor të çudive.

Stresi dhe mërzia filluan kur autobusi me gjithë udhëtarë bëri mbrapsht, që të largohej nga postblloku e të hynte me turi në mjediset e skanimit, një kapanon goxha i madh e i lartë, ndriçuar nga projektorë të fuqishëm. Do të na bëhet radioskopia e radhës, shpjegoi fatorinoja. Të zbresim? – pyeti dikush. Jo. Kur të japë urdhër policia.

Pas nja dhjetë minutash ndrydhur si në kafaz, u dha një polic, i cili urdhëroi të merrnim me vete çantat e dorës e të shpinës, kompjuterët, qeset dhe gjithçka tjetër që mbahet në kabinë; të zbrisnim e të rreshtoheshim në anën e kundërt të hyrjes së autobusit, përballë vendit ku vendosen valixhet e çantat e mëdha. Pasi u bind se të gjithë kishim zbritur dhe në kabinë s’kishte mbetur kush, i bëri shenjë shoferit të mbyllte dyert, kurse fatorinos të ngrinte kapakun e vendit bagazheve që secili të nxirrte të vetat e t’i  vendoste për kontroll mbi një platformë nja dy a tre metra të gjatë.

Radha ime erdhi fët e fët. Isha i dyti ose i treti. Së pari urdhëroi të hapja çantën e kompjuterit. Ku po  shkon? – më pyeti. Në Strugë i thashë, për pushime. Nuk e zgjati. Tregoi me gisht valixhen. Jotja? Po. Hape! E hapi ime shoqe, teksa unë po merresha me kompjuterin. Polici e pyeti: Po ti ku shkon? Në Tetovë, i tha ajo. Nuk jeni bashkë ju? – shqeu sytë polici. Bashkë, po thashë të ha ca qofte tetove, se më ka marrë uria dhe më pëlqejnë më shumë se të Strugës…

Afro dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta më pas, na urdhëroi të futnim sërish bagazhet nga i nxorëm, të rreshtoheshim njëri pas tjetrit e të kalonim në këmbë nga krahu tjetër i mjedisit të skanimit, ku qëndronte një qen i lidhur.

Ishte qeni i drogës, përpara të cilit na u desh të parakalonim kush me çantë në kurriz, kush me çantë e me dy a tri qese në duar, kush me duar në xhepa. Për fatin tonë të mirë, qeni na soditi i qetë dhe miqësisht, shtrirë e duke dihatur me gjuhën jashtë nga vapa e atij korriku të nxehtë, sado që nata kishte rënë qysh se ngjitnim Qafëthanën.

Kaloni, miq, kaloni! Ju qoftë udha e mbarë! E di që po rri kot këtu, po ç’të bëj? Kështu është vendosur nga lart. Sepse, kujt ia mban të afrohet me asisoj malli në xhep, mu dy hapa larg meje? Frika ruan vreshtin apo jo? Mirëpo janë rregulla të kalimit kufitar, thonë. Ama edhe qeveritarëve të kësaj ane, edhe atyre matanë ua kënda të shtiren perëndimorë që t’i pranojë BE-ja. Ka ca kohë që po shohin ëndrra me sy hapur për lëvizjen e lirë në të dyja anët e kufirit. Për qytetarët thashë, jo për mallra asisoj. Ato janë të ndaluara. Nuk se s’kanë kaluar herë pas here së këndejmi për andej, andej ose anasjelltas. Kanë kaluar, po gjëra të vogla, disa kuintalë, por jo më shumë se  shtatë-tetë tonelata, fjala vjen. Ka kaluar edhe nga ai malli, për të cilin unë vigjiloj këtu ditë e natë. E kam nuhatur së largu. E kam parë edhe me sytë e mi. I ngeshëm jam, pse të mos bëj sehir? O-ho-ho! Dielli, diell. Hija, hije. Projektorët, projektorë. Mirëpo unë i shkreti nuk di të flas. Veç të leh di. Edhe kur leh ndonjëherë që t’u tërheq vëmendjen, pandehin se e kam nga mërzitja dhe s’ma varin. Kurse atyre që dinë të flasin, atyre me dy këmbë domethënë. Ehu… Sesi u mbyllen sytë e sesi u zihet goja, as vetë nuk e marr vesh…

Kësisoj, teksa qeni i drogës na ndiqte me sy, – të ta thoshte mendja se filozofonte vetmevete, – u krye me sukses parakalimi rutinë, sado që me një farë soj stresi. Them kështu, sepse qen ishte ai. Ja, iu shkrep të ngrihej në këmbë, sa për t’u çmpirë. Ja i shkrepej të lehte ham-ham, sa për të nxjerrë mërzinë ose ashtu kot, për shkrydhje!…

* * *

Idenë për lëvizje të lirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, e kanë pas hedhur me kohë liderë politikë të Kosovës, këtu e 12 vjet përpara. Presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu, në mos gaboj, e ka kërkuar fill pas shpalljes së Pavarësisë.

Asohere, gjithë rajoni ynë ishte i mbyllur sa i takon lëvizjes së lirë të qytetarëve. Kosova e asaj kohe gjendej në vështirësi të mëdha shtet-ndërtimi, përfshi edhe ato diplomatike. Medoemos i duhej një dritare për pak frymëmarrje. Mirëpo idenë e ish-Presidentit, e bllokoi Serbia.

Sot, kur kosovarët janë të vetmit qytetarët të Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzojnë  lëvizjen në zonën Schengen, Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri i Shqipërisë kanë marrë në dorë flamurin e një marrëveshjeje të vockël rajonale. Nga njëra anë, Serbisë i duhet domosdoshmërisht një dalje në Mesdhe, duke shmangur sa të jetë e mundur më shumë Kosovën. Nga ana tjetër, qeverisjes rilindëse i duhet që të mjegullojë dështimet e njëpasnjëshme, duke i shkelur syrin sivëllait serb, nga pozitat e “Zografit Bis”.

Të mos harrojmë se Kosova po lufton sot e gjithë ditën që BE t’u njohë kosovarëve të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen. I ka plotësuar të shumtat e kërkesave, në mos të gjitha, edhe se Rama dhe Viçiç nxjerrin lloj-lloj pengesash. Ndër më të fundit, ajo me emri tërheqës Mini Schengen, por me prapaskena të frikshme për të ardhmen e Kosovës dhe për kombin tonë në përgjithësi. Madje kanë nisur të bëjnë edhe karshillëk. Gjetën ditën më të përshtatshme për kauzën e tyre të përbashkët, bash kur në Hagë po zhvillohej gjyqi kundër disa udhëheqësve të UÇK-së. Thikë pas shpine e ka quajtur Dr. Berisha.

Atëherë, kujt i duhet ky Mini Scengen ballkanik? Vuçiçit, krahut të djathë të Milosheviçit? Apo Ramës, mikut të Bregoviçit e të Mihajlloviçit, mikut të mikut të kriminelëve Arkan e Mlladiç?

Kurrë mos u bëftë pa Kosovën!

Please follow and like us: