Rifat Ismaili: ARTI DHE HUMANIZMI
– Rastësia dhe qëndrueshmëria e artit
Njerëzit bëjnë shpesh një ide të gabuar mbi estetikën, ose më mirë të themi, për bukurinë në vetvete. Të shumtë janë ata që besojnë se bukuria është rregullësia sistematike e gjërave apo vlerave. Por kjo për mua mund të jetë edhe vetëm një skemë, një mënyrë për t’i parë gjërat nga pikpamje të mbyllura e të errëta, në shumicën e rasteve, gjë e mësuar nga njerëz mediokër dhe artistë të tillë. Ndryshe në art.
Duke iu referuar koncepteve mbi jetën, besoj se asnjë vepër, asnjë grua, mpleksje natyrale, fizike dhe shpirtërore, mund të bëjë të heshtë atë humbellë diturie dhe boshllëku që ndodhet brenda nesh. Dhe kur shkruajmë, nuk bëjmë tjetër gjë veçse nxjerrim jashtë vetes gjëra dhe ndijime, siç i shohim në brendësi të qenies, duke ndërtuar imazhin e prezantimit të tyre. Thjeshtësisht do t’i quaja si vartësi dhe pavartësi. Dhe besoj, megjithatë, se çdo vepër arti, shkruar nga një dorë njerëzore, qëndron ende vetëm një skemë, një pjesë e vogël.e jetës, sado e lartuar dhe e bukur të jetë ajo. Sepse mendoj, i njëjti shkrimtar, po ta shkruante dy herë të njëjtën vepër, në të dyja rastet do t’ia ndryshonte kuptimin asaj dhe mbase mund të rrinin edhe ne kundërshti me njëra- tjetrën.
Kjo sepse në çdo rast ndërhyn rastësia. Shpesh na ka qëlluar ta shkruajmë diçka dhe më pas të mos na pëlqejë ajo që kemi shkruar, të frymëzuar nga rrethanat dhe kemi dashur të shkruajmë diçka tjetër, që duam apo s’duam ne, është veprim i një lloj rastësie tjetër, e përsëri mund ta shkruanim këtë vepër ndryshe, gjithë jetën ndryshe. Kjo sepse ligjet e jetës ndryshojnë, ndaj edhe marrëdhëniet midis personazheve mund të marrin kuptime të reja. Por ndryshojnë edhe ndjesitë brenda vetë njeriut.
Nëse jemi pranë një gruaje të bukur në një librari, për një çast të vjen dëshira t’i marrësh erë lëkurës së saj, ta prekësh, ta ndjesh, siç bëjnë lexuesit e mirë me librat; i prekin me duar, i shfletojnë, i peshojnë me gishta, u marrin erë, i përkëdhelin. Sepse në këtë mënyrë bukuria e rastësishme e gruas para teje dhe kurioziteti i librit të ri,të çojnë në një ndjesi misterioze zbulimi, për t’i konceptuar dhe thithur si një lëndë unike. Ajo grua të mbetet në mendje dhe padashur diçka prej saj që ka hyrë në zemrën tënde, ndërhyn në ndonjërën prej prozave apo veprimeve të poetit. Por në një marredhenie më direkte me gruan, bukuria e saj fillestare do të zbehej apo do të humbiste rëndësinë, për tua lënë vendin gjykimeve apo analizave rreth sjelljes së saj, ose bukuria e saj do të zhvillohej dhe do të bëhej në trurin e artistit gati një mit. Por në secilin prej rasteve, asnjë gjykim, sado përfundimtar, nuk do të ishte i saktê.
Nuk kam ndërmend aspak që në këtë shkrim të vihem për të bërë ktitikë, por do të marr disa shembuj si prova të mendimeve të mia. Kur Bukovski supozonte që një dashuri e vërtetë mund të ndodhë vetëm kur gruaja ka vdekur, kur ajo ka humbur egoizmin e saj, si për të kërkuar atë lloj dashurie, si një lule të hedhur në kazanin e plehërave, për mua edhe pse është pjesërisht e vërtetë, nuk mund të imagjinoj dot se dashuria nuk ekziston më, që ka devijuar vrapin e saj të përjetshëm, për t’u zhdukur apo transformuar në kënaqësi mishi dhe krejt vulgare. Është e vërtetë që sot shumica e grave kanë humbur shumë nga ajo hijshmëri e pafajshme femërore e një kohe, por nuk mundem të deklaroj që dashuria është fshirë përgjithnjë nga regjistri hyjnor. Këtë paaftësi për të dashuruar, prodhuar së shumti në kohen tonë moderne, që Bukovski ka trajtuar në tregimet e tij, është vetëm një këndveshtrim nga i cili ai niset. Sepse, siç thotë ai vetë: “Në jetën time kam njohur o lavire, o të çmendura”, shpreh më së miri atë që i kanë sugjeruar atij rastësitë e jetës. Po të kishte njohur një kategori tjetër grash, a do të kishte shkruar në këtë mënyrë për dashurinë? Një tjetër shkrimtar, Fitxheraldi, tek ” Getsbi i madh” na jep kuadrin e një dashurie të madhe, dëshpërimin dhe shtyrjen e protagonistit për të rifituar dashurinë e jetës së tij, për të cilën shkon përtej çdo kufiri, të realizojë aksione gati përrallore, gati- gati një tentativë naive për të rilindur, për të qenë i shpërblyer, për të ripasur dashurinë e humbur. Por jo gjithmonë mund të ndodhë gjithë ajo që dëshirojmë në jetë e për më së tepërmi të rikemi njē gjë që e kemi humbur një herë. Edhe në këtë rast, sikundër në rastin e Bukovskit, kemi dy paralele të ndryshme , por që të dyja të frymëzuara nga pikvështrime rastësie. Prandaj, në këtë kontekst, do të isha dakord me Herman Hesen, kur shkruante: “Nëse ke dashur ndonjë grua a ndonjë vend, mund ta quash veten me fat. Sepse edhe nëse vdes , më pas nuk ka më rëndësi”.
Pra, kur shkruajmë, gjithçka duhet të jetë në varësi të dashurisë dhe humanizmit tonë dhe jo nga bota jashtë nesh, e operuar gjithnjë nga rastësia. Nuk ka shumë rendësi nëse ndjenjat tona gjejnë ose jo korrespodencë. E rëndësishme është pika nga nisemi ne vetë. Kam vëzhguar që në të gjithë librat e Heminguejit, personazhet e tij janë të zhytur në një humbje të ëmbël, të zhgënjyer, por krenarë, nganjëherë të traumatizuar nga lufta, por edhe me ndjenjën e forcës e të dashurisë, me ndjenjën e kërkimit në vetvete. Dhe ky nuk është vetëm stili i ndryshëm që ndan Bukovskin nga Hemingueji, por edhe pikëvështrime të ndryshme. Nëse personazhet e Heminguejit i gjejmë pothuajse të rënë moralisht, të zhveshur nga ëndrrat, por në një qetim të denjë ndërsa pijnë me krenari në humbjen e tyre, te Bukovski personazhet kalojnë çdo limit të perversionit e të dhunës, por kjo do të duhej të ishte historia e sotme dhe e ardhme e botës, fundi i saj apo fillimi? Por dashuria, dhe jo vetëm dashuria ndêrmjet kopjeve, por ajo kompleksive, êshtë diçka që e prekim çdo çast të jetës sonë, në të përditshmen tonë, edhe pse e shkurtër dhe momentale, por gjithnjë diçka që mbjell shpresë, rrugë të lirë, kuriozitet, djalëri shpirtërore. Për këtë, nga pikëvështrimi humanistik, më bie ndërmend që Hese e Heminguej e shumë të tjerë, kanë luftuar ditë për ditë me penën e tyre për të zhvilluar fushën e pafundme të ndërgjegjësimit. Ata kishin të drejtë kur shkruan ato fraza të jashtzakonshme. Edhe pse e mbaj Bukovskin si një shkrimtar të rëndësishëm, shpesh më duhet të referohem tek ai si njëri prej të shumtëve që vuante nga një paaftësi për të dashuruar, si një viktimë e rrethanave rastësore. Në këtë rast, besoj se mënyra më e mirë për të marrë pjesë në një shoqëri të civilizuar është toleranca dhe kjo pikësepari tek artistët. E shpesh, më trembin disa shkrimtarë , që bëhen të frikshëm me atë mënyrën e tyre të gjykimit dhe për të dhënë përfundime. Por me ç’të drejtë ne mund të paragjykojmë? Dhe fatkeqësisht, Bukovski êshtë njëri prej atyre shkrimtarëve që vdes të paragjykojë, dhe dashuron absurdin.
Koncepti im për jetën nuk është i rastësishëm, por një infiltrim i gjerë dhe i vazhdueshëm për të arritur të gjejmë format e ndryshme të bukurisē që na shfaqen përpara.
Dhe kjo ngjan në një farë mënyre me atë njeriun që donte të vdiste poshtë një peme me njē litar, por pasi u kujtua për frutat e saj dhe shijoi njërin prej tyre, vendosi se ia vlente të jetohej edhe për gjëra të vogla e të thjeshta. Duke marrë si shembull përsëri atë gruan e librarisë, nuk ka rëndësi çfarë bën ajo në jetë, të dlirën apo laviren, por vetëm ai impuls, ndjeshmëria që jep bukuria e saj, bërja pjesë në atë bukuri. Kur marrim shembull rastësinë, gjë që ndodh shpesh në secilin prej nesh, ajo duhet të jetë vetëm nga pikëpamja njerëzore, nga ana e saj e mirë. Në këtë kuptim, bukuria nuk gjendet vetëm në rrjedhën e gjërave apo të vlerave, por edhe në rastësinë, psh shtrati i çrregulluar e mbi komodinë njē libër i hapur, apo gurët në një natyrë shkëmbore, që të shperndarë andej- këndej, në madhësi të ndryshme, disa të ashpër e të tjerë të butë, që shkrihen nga ujërat e flukset e rrymave të ndryshme, pra edhe këto na japin idenë e bukurisë. Dhe në të gjitha këto nuk ekziston njē skemë e veçantë, gjëra me të cilat jemi mësuar kaq shumë.
Thashë më lart që kur na duhet të operojmë rastësinë, atë duhet ta shikojmë me sy njerëzor, por mbi konceptin rastësor të gjërave dhe të jetës qëndron koncepti i qëndrueshmërisë. Dhe ky koncept i qëndrueshëm për jetën duhet të jetë kërkimi i gjithanshëm për të dalë nga errësirat, meqë jemi shpesh të ndryrë në mantelin e tyre. Kjo gjë, siç kam thënë edhe gjatë bisedimeve të mia me njerëz, vjen në më të shumtën e rasteve edhe prej atyre gjërave të vogla që shpesh i injorojmë. Por këto gjëra, efimere në dukje, në të njejtën kohë dominojnë brenda nesh dhe na përgatisin për të ardhmen.
Tani më vjen ndërmend një libër që fliste për një njeri, që i zhgënjyer nga jeta dhe nga njerëzit, u bë murg, por shpejt kuptoi që edhe këtu ekzistonte institucioni dhe jo liria e shpirtit së bashku me mëshirën, siç predikohej. Murgjit e tjerē filluan ta keqtrajtojnë, gjersa një ditë ai u arratis. Atëherë, thirrën një murg tjetër të urtë e të ditur, për të verifikuar ndodhinë. Mbi dritare, në mur, ishin shkruar disa fjalë që pasi ai i deshifroi, lexoi “Edhe pse më keni poshtëruar dhe torturuar, ju dua njëlloj”. Atëherë murgu kuptoi çelësin e gjithçkaje “Një njeriu mund t’i marrësh gjithçka, bile edhe vetë jetën, por jo dashurinë e tij”.
Dhe është kjo që në fund të fundit, mendoj vërtet. Të duash dashurinë. Të duash njerëzoren. Një paqe dhe fitore brenda teje që s’ mund të ta shpërdorojë askush. Duke dashur gjer te të voglat, për t’i rritur brenda dhe për t’u dhënë atyre dimensione të mëdha. Dhe ky lloj humanizmi u takon, para së gjithash, vetë krijuesve. Edhe kur vepra e tyre nuk rreh t’i shërbejë njerëzores, së paku vepra e krijuesit duhet të jetë, medoemos e paanshme.
Unë vetë si krijues dhe si njeri, e kam parë gjithnjë botën me një tjetër sy. Shpesh, kam.qenë i detyruar të dal jashtë meje nga vetë dobësia ime, ose nga influenca e atyre njerëzve që kanë ndikuar tek unë për mirë apo për keq, por duke reflektuar vazhdimisht kam kuptuar që duhet të jesh i vendosur në ato që quan ideale dhe nuk duhet lejuar asnjë lloj kompromisi në dëm të tyre. Kam qenë pothuajse indiferent në të gjitha ato raste meskine që më ka paraqitur jeta dhe gjithnjë kam mënjanuar polemikën e kotë, sepse e përçmoj atë lloj polemike apo debati që në vend se t’i përmirësojnë gjërat, i përkeqësojnë më tepër ato. Dhe së fundi në art shpesh rastësia ka pjellë edhe perla, por koha ka treguar se vetëm koncepti i qëndrueshmërisë, ka dhënë rezultate dhe vlera të vërteta dhe i kanë shërbyer procesit të ndërgjegjësimit njerëzor.
Prandaj, do të thoja, më shumë kohë dhe qëndrueshmëri në veprat tona letrare, se sa manitë, konfliktet, ndjenjat e lëkundshme që pjell rasti!
Please follow and like us: