Shtypi botëror mbi esetë e Kadaresë për Eskilin, Danten dhe Shekspirin
Pas botimit anglisht të romanit “Kamarja e tradhtarit” dhe të tri eseve për Eskilin, Danten e Shekspirin, shtypi i specializuar amerikan ka dalë me artikuj vlerësues për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare. Ky intensitet vlerësimi nga bota perëndimore, por dhe në kontinentin tjetër, atë amerikan, është vërejtur sidomos në këta tre muaj të vitit 2018, duke krijuar një raport perceptimi se si tërhiqet vëmendja edhe mbi letërsinë shqiptare
Koleksioni i parë dhe i vetëm i eseve të përkthyera në anglisht nga Ismail Kadare, kësaj here direkt nga origjinalet shqiptare, shkruar nga 1985 deri në 2006, ofrojnë meditime të thella, thelbësisht personale të autorit mbi figurat kanonike të historisë së letërsisë botërore. Esetë njëherësh vlerësojnë qarkullimin e literaturës “botërore” (gjithmonë qartësisht europiane, sipas Kadaresë) në Shqipëri dhe, po ashtu, argumentojnë rëndësinë e tragjedisë për jetën, imagjinatën dhe vetidentifikimin e popujve të Ballkanit. Kjo përfshin impulsin për të fshehur ndryshimet kulturore, gjuhësore, etnike dhe historike në shërbim të një “ballkanizmi” të dallueshëm që dëshmohet në dhimbjen unifikuese përtej konfliktit etno/gjeokulturor gjatë mijëvjeçarëve. Kadare reflekton në tri ese mbi shkrimtarët “e mëdhenj” të traditës letrare botërore: mbi Eskilin, të cilin ai e quan “humbës i madh”; mbi Danten, “e pashmangshëm”; dhe Shekspirin, “princin e vështirë”.
Esetë e Kadaresë japin historinë dhe vendin e këtyre shkrimtarëve në imagjinatën intelektuale dhe mitologjike shqiptarë, si dhe ndikimin e tyre në mendimin e Kadaresë mbi qëllimin e shkrimit letrar. Eskili ka gëzuar një prezencë pak a shumë të vazhdueshme, Dantja dhe Shekspiri nga shkaku i sundimit shtypës osman mbërrijnë të vonuar te shqiptarët me përkthime vetëm pas pavarësisë në shekullin e njëzet. Dantja lë një përshtypje të veçantë te Kadareja.
-Me këtë pjesë, nga hyrja e tekstit kritik, profesori i Universitetit shtetëror të Michiganit, Sean Guynes Vishniac, përcolli para pak ditëve përkthimin e tri eseve të Ismail Kadaresë nga “Letërsia Botërore”, përkthyer në anglisht nga Ani Kokobobo, botuar në Brooklin nga Restless Books. Bëhet fjalë për reflektimin personal të shkrimtarit shqiptar mbi Eskilin, Danten dhe Shekspirin të sjella së pari në shqip mes viteve 1985-2006, si libra më vete.
Përkthyer po në fillim të këtij viti, në anglisht nga Jonathan Hodgson, romani tjetër i Kadaresë,“Kamarja e tradhtarit” mori sërish vëmendjen e kritikës, duke reaguar se “Kamarja e tradhtarit “është një alegori e pushtetit dhe e Shqipërisë së vjetër, një roman me fantazi e humor dhe me tre koka të prera.”
‘Kamarja e tradhtarit’ është i fundit nga tre romanet e mësipërme që po bën rrugën e tij në anglisht, nën përkthimin e kthjellët të Jonathan Hodgson. Me këtë roman tani në dorën e lexuesit, është e vështirë të kuptohet pse i duhesh kaq kohë botuesit në gjuhën angleze për ta kompletuar këtë portret alegoriko-burlesk të Shqipërisë së shekullit të 19-të, dhënë prej Kadaresë
Ngjarjet e romanit janë vendosur gjatë një dimri të hidhur në fillim të viteve 1800, kur Shqipëria ishte në skajet e perandorisë së madhe osmane. Personazhet kryesore janë kokat e prera që popullojnë një kamare të vogël dhe të pastër në një nga sheshet kryesore të Konstandinopojës. Tre kokat e njëpasnjëshme në kamare turbullojnë turistët, gazetarët dhe diplomatët, rrethohen nga frika dhe admirimi i qytetarëve.”, shkruan ndër të tjera revista “The National.ae”
Kështu pas botimit anglisht të romanit “Kamarja e tradhtarit” dhe të tri eseve për Eskilin, Danten e Shekspirin, shtypi i specializuar amerikan ka dalë me artikuj vlerësues për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare. Ky intensitet vlerësimi nga bota perëndimore, por dhe në kontinentin tjetër, atë amerikan është vërejtuar sidomos në këta tre muaj të vitit 2018, këtë duke na e dëshmuar në një përkujdesje të posaçme poeti Sadik Bejko, që përcjell në shqip disa shqyrtime editoriale nga shtypi botëror. Më poshtë, renditen disa reflektime kritike, që kalojnë kufinjtë e parashikimeve, jo thjesht një autor, por një dritare prej nga kthehet vëmendja e shtypit botëror nga historitë, dhe ngjarjet e letërsisë shqiptare.
Shqyrtime editoriale
“Autori shqiptar dhe kandidati prej vitesh për çmimin Nobel hulumton rrënjosjen dhe ndikimin e gjatë deri më sot të Eskilit, të Dantes dhe të Shekspirit, kryesisht këto në atdheun e tij. Kadareja, fitues i çmimit inaugurues Man Booker International në vitin 2005, i shqyrton të tre autorët përmes filtrit të totalitarizmit, sidomos përmes optikës së një Shqipërie nën regjimin komunist dhe nën traditën e Kanunit, një kod që prej kohësh ka mbështetur gjakmarrjen …. Kadareja në mënyrë efektive thellohet në burimet e universalitetit të tre autorëve. Në veçanti kjo vërtetohet në rastin e Eskilit, pasi Kadareja shqyrton me kujdes natyrën e teatrit grek në antikitet, si dhe fazën e lidhjes së tragjedisë me ritet e lashta të varrimit… esetë kështu hedhin dritë mbi rrëfimet e tij romanore, tregojnë se si i percepton ai disa nga temat e tij të preferuara – temat e shtypjes, të humbjes, të hakmarrjes – si vazhdë e një linje që përsëritet që nga antikiteti.
Një studim i lirshëm por i pasionuar dhe plot informacion mbi arsyen pse autorët klasikë ende sot u rezistojnë kohëve. “, shkruan Kirkus Revieës
“Kadareja është një nga romancierët më të mëdhenj të botës: Ai fitoi Çmimin Ndërkombëtar Man Booker në vitin 2005, Çmimin e Jeruzalemit në vitin 2015 dhe shumë çmime të tjera letrare, ndërsa romanet e tij janë përkthyer në dyzet e pesë gjuhë …. Përmbledhja e tre eseve në librin “Ese mbi letërsinë botërore” dëshmon vlerën e një vështrimi të ndryshëm për figura të kohëve të hershme si Eskili, Danteja dhe Shekspiri. Pikëpamja e Kadaresë është e çuditshme, si në kuptimin e zakonshëm të fjalës, si në kuptimin etimologjik: esetë e tij ardhur nga periferitë, jo prej qendrës së kulturës perëndimore, nxjerrin lidhje të papritura midis këtyre tre shkrimtarëve dhe realitetit të Ballkanit ….Kështu, Kadareja na paraqet prova rajonale interesante të universalitetit të tre gjenive, të Eskilit, të Dantes dhe të Shekspirit, prova të të vërtetave rajonale të ngërthyera brenda universalitetit të shkrimeve të tyre …. Restless Books duhet të lavdërohet për përkthimin me mjeshtëri të këtij vëllimi nga një përkthyese shqiptare, Ani Kokobobo.” – shkruan Michell Abidor, Jeëish Currents
“Nëpërmjet këtyre tre autorëve, Eskilit, Dantes dhe Shekspirit, Kadareja jo vetëm udhëton nëpër historinë e letërsisë perëndimore, por gjithashtu jep një pasqyrë të gjerë të rritjes së tij intelektuale dhe të gjetjes së zërit të vet nën një regjim komunist. Nëse po kërkoni diçka që u jep një vizion të botës sonë dhe vizionin se si letërsia mund ta ndriçojë atë – dhe sa të ndërthurura janë këto të dyja- atëherë ky është një libër i mirë për ta ndjekur “, ndodh pikëtakimi me një tjetër kritikë, nga Keaton Patterson, Brazos Bookstore (Houston, TX)
“Kadareja krahasohet në mënyrë të pashmangshme me Orwellin dhe Kunderën, por ai është ironist shumë më i thellë sesa i pari dhe tregimtar më i mirë se i dyti. Ai është tregimtar i joshjes së fortë ironike, sepse ngjall në mënyrë të shkëlqyer hollësi që e shpërthejnë tej realitetin simbolik “, shkruan James Wood, për “The Neë Yorker”, e nuk ndalon “The Huffington Post”, kur shprehet për Kadarenë se: “Një autor i lartësive që e meriton çmimin Nobel.”
“Në hetimin e tij të shtresëzuar në kërkim të së vërtetës, z. Kadare, fitues i Çmimit Ndërkombëtar Man Booker … ka shumë ngjashmëri me shkrimtarët fantazistë si Alain Robbe-Grillet dhe Jorge Luis Borges… ne mbetemi të mahnitur ndaj teksteve të një rrëfimi shumeplanësh ku, edhe nëse je student i historisë së Ballkanit, edhe nëse je një i dashuruar pas miteve greke, apo një shofer gjerman i taksisë, shenjat paralajmëruese të thonë të njëjtën gjë: ‘Mos shiko prapa’ “, shkruan Tom Nolan, The Wall Street Journal.
“Emri i romancierit shqiptar Ismail Kadare vjen në vëmendjen publike rregullisht në kohën e shpalljes së Çmimit Nobel dhe ai ende është një bast i mirë për ta fituar atë në një nga këto ditë … ai, me sa duket, është i paaftë për të shkruar një libër jo interesant”, shkruan për “The Neë York Times”, kritiku Charles McGrath.
“Romanet e Kadaresë janë plot me linja mrekullisht të mrekullueshme … me imazhe jashtëzakonisht origjinale që notojnë në rastësi të dukshme … të errëta, të fiksuara në vdekjen, por njëherësh edhe të qeshura ” -Christian Lorentzen, Neë York Times Book Revieë
“… vetëm shkrimtarët më të mëdhenj mund të shkruanin me ekonominë dhe ritmin e Kadaresë … Kadare, magjistari që ai është, i ofron lexuesit vetëm informatat më të kursyera me qëllim që të lejojë interpretime të panumërta. Ai, si më mashtruesi dhe më intriguesi i shkrimtarëve, është nga ata që e kuptojnë se ajo që mund të jetë e maskuar tani, do të jetë krejt e dukshme në një të ardhme të largët “, ndan me lexuesit e saj, gazeta “The Sunday Herald”.
Dhe për ta shkuar drejt perceptimit të letërsisë së një vendi, si reflektim nga një antologji kulturash, profesori i Universitetit shtetëror të Michigan, Sean Guynes –Vishniac thotë se tek Kadare: “Letërsia si një “e qarë me botë” nuk është vetëm një vajtim për vetveten, por edhe një kujtim i atyre që lëndohen në prodhimin e vetes. Kadareja nga leximet e tij të shumta të Homerit ka vënë re se, shkatërrimi me mashtrim i trojanëve prej grekëve, vrasja dhe djegia e tyre në gjumë, japin bazat e epopesë më të madhe të individualitetit dhe të unifikimit mitopolitik të Greqisë.
Nëpërmjet provokimeve të tij mbi Eskilin, Danten, Shekspirin dhe peripecitë e historisë shqiptare, Kadare argumenton se për të parë letërsinë shqipe si literaturë botërore duhet ta shohësh Shqipërinë njëkohësisht si subjekt i tragjedisë së vet dhe si objekt i dhunës kundër saj. Kjo është që ta shohësh Shqipërinë si europiane dhe për këtë arsye pjesë e historisë imperialiste të Europës; brenda Europës dhe pafundësisht në Ballkan, kështu, gjithmonë periferike ndaj rrjedhave të fuqive europiane; por dhe e gjitha mes tyre, si një esencë etno-gjeokulturore, e veçuar ashtu si origjina e tragjedisë, e pashmangshme si dhuna e politikës, e vështirë si fantazmat e së kaluarës. “Bota” e tri eseve të Kadaresë mbi “literaturën botërore” është një reflektim i “dramës së pamundur” të Shqipërisë në shkallën globale të historisë njerëzore, njëkohshëm dhe një vëzhgim i thellë, si madhështia e artit të madh.”
Ismail Kadare është romancieri më i njohur i Shqipërisë, emri i të cilit përmendet çdo vit në diskutimet e Çmimit Nobel. Ai fitoi çmimin inaugurues Man Booker International në vitin 2005; në vitin 2009 mori çmimin më prestigjioz Principe de Asturias de las Letras, dhe në vitin 2015 fitoi Çmimin e Jeruzalemit. Në vitin 2016 ai u emërua Komandant i Legjionit të Nderit. James Wood ka shkruar për veprën e tij: “Kadareja krahasohet në mënyrë të pashmangshme me Orwellin dhe Kunderën, por ai është ironist shumë më i thellë sesa i pari dhe tregimtar më i mirë se i dyti. Ai është tregimtar i joshjes së fortë ironike sepse ngjall në mënyrë të shkëlqyer hollësi që e shpërthejnë tej realitetin simbolik “. Roman i tij i fundit në gjuhën angleze, “The Traitor’s Niche”, (Kamarja e turpit) u propozua për Man Booker International.
Dantja i pashmangshëm
Dante Aligieri nuk ishte lidhur vetëm me tmerrnajën tonë. “Komedia hyjnore” e tij ishte, me sa dukej, e vetmja në botë, që rrezatonte po aq fuqishëm edhe zinë edhe dritën. Pyetjes që Eugenio Montale, në kremtimin e Dantes, ia drejtoi vetes dhe të tjerëve: “Ç’kuptim ka për poetët e sotëm vepra e Dantes?”, poetët e botës i janë përgjigjur e do t’i përgjigjen në mënyra të ndryshme, sipas “gjendjes” së tyre. Natyrisht që Dante Aligieri është gjithmonë Dante, por ka periudha kohe kur ai bëhet dyfish, trefish i tillë. Kështu, në shekullin e 20-të, atëherë kur dukej se e kishte arritur majën më të lartë të lavdisë e se s’mund të rritej më, pikërisht atëherë në rrafshirën kolosale komuniste, nga Dante që ishte, ai u bë Dydantsh, Tridantsh. Duke u rrëfyer rrugëtimin e tij të vetmuar në botën e të vdekurve, ai u tregoi sivëllezërve të vet poetë, qofshin ata rusë, shqiptarë, baltikë a kinezë, se gjendja natyrale e shkrimtarit të madh është pikërisht ajo: të udhëtojë i gjallë midis vdekjes. Të pajeta shtrihen përpara tij mbretëritë, vrasësit, tiranët, orizoret, stuhitë, vetë ajri që i prodhon ato. Përbindëshat dhe rreziqet janë rrotull tij, por ai ka një përparësi: ai është i gjallë, ndërkohë që ata s’janë. Ndaj fjalët e Virgjilit “mos u tremb, është një stuhi e vdekur”, përbëjnë formulën e shpëtimit për shkrimtarin.
Hamleti, ky princ i vështirë
Ka katër shekuj që pyetjet, dyshimet dhe hamendjet nuk kanë reshtur kurrë për Hamletin. Shumica e tyre përmblidhen pak a shumë në pyetjen nëse ajo ngjarje që shohim në skenë mbulon një tjetër. Një tjetër që Shekspiri nuk mundte, nuk e lanë apo nuk donte ta thoshte. Me fjalë të tjera, jemi përpara një gjakmarrjeje klasike, nyje e një kodi të lashtë të pranuar qyshkur prej njerëzimit, apo përpara një krimi të maskuar si gjakmarrje? Ende sot, në kohën që po shkruhen këto radhë, trafikantët shqiptarë apo italianë, ndër procese gjyqësore, rreken të gabojnë gjyqtarët me këtë zhvendosje motivesh. Dashur pa dashur, kemi mbërritur në thelbin e vetë teatrit: te maska, loja dhe ajo që fshihet pas tyre. Jemi, si të thuash, te modeli i përjetshëm, atij që, sipas Platonit, e dërgon pasqyrimin e vet të zbehtë në botën tonë, ndërsa vetë rri i fshehur. Siç ndodh me ngjarjet e moçme që ndrydhin mister, në pamundësi për të gjetur modelin platonian, ne ndiejmë dëshirën të shkojmë te vendi ku ka zënë fill gjithçka. Te gurët shekullorë të lëmuar tashmë nga era, te rrahu i zymtë, te çmërsi. Në rastin e Hamletit është rrafshulta e Jutlandit, një humbëtirë në veri të Danimarkës, pranë dunave me rërë dhe acarit verior. Nuk ka as mbretër e as princa e trumbeta. Ka dy vëllezër, të dy kryezotë të krahinës, Horvendill dhe Fengo, që qeverisin, me sa duket, bashkërisht…
Eskili, ky humbës i madh
Kur në një ditë tetori, në një nga ato ditë të tetorit që duket se janë krijuar enkas për të rilexuar diçka të rrallë, nga rafti i bibliotekës tërheq një libër të Eskilit, ti e kupton menjëherë nëse e ke gjetur ose jo ditën e përshtatshme për këtë gjë. Sepse Eskili është nga ata krijues që nuk i shkon secilës ditë. Ai kërkon një gjendje shpirtërore të veçantë. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se ti e njeh atë qysh nga rinia e hershme, e ke bërë në shkollë, ke dëgjuar për të në emisionet e kulturës në TV etj., shkurt, nuk ke asnjë kureshtje për të, kështu që leximi i tij ose, më saktë, rileximi i tij përbën vetvetiu një “akt të zgjedhur”. Në të vërtetë, fjalët “lexim” ose “rilexim” në këtë rast ngjajnë të pasakta. Shfletimi i librit të tij më tepër se lexim është një përsiatje, madje gjatë kohës së leximit do të ishte e natyrshme që më shumë se i hapur, libri të qëndronte i mbyllur. Por dihet se për një gjë të tillë duhet një gjendje e veçantë shpirtërore, e cila nuk krijohet lehtë dhe në çdo kohë. Dhe në qoftë se ti e kupton se dita nuk është e përshtatshme, atëherë është mirë ta vësh përsëri në raft librin dhe të presësh një ditë tjetër. Këto janë disa shënime për Eskilin të hedhura në kohë të ndryshme. Prej mendimeve që zgjojnë, mund të gjykohet se sa të përshtatshme ose jo kanë qenë ditët kur ato janë shkruar