Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Homazh për FATOS SELËN!

 
AKTORI QË MISHËROI NË SKENË ISMAIL QEMALIN
U ndodha i ftuar në Festivalin Mbarëshqiptar të Dramës Shqipe, që u organizua nga ish-studenti im Gëzim Kame, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në gjithë këtë event artistik, ajo që më intrigonte më tepër dhe ma mbante frymën pezull qe shfaqja e natës së fundit, e lënë enkas si mbyllje, duke krijuar kështu parafytyrimin se si do të ishte mishërimi i Njeriut të Madh, Burrit që hodhi themelet e shtetit tonë. Kishim parë një Ismail Qemal të Sandër Prosit, në një film të Viktor Gjikës, të cilin e kemi quajtur simbiozë të vetë figurës së tij, ku ana njerëzore, virtyty, durimi e përfytyrimi i personalitetit të aktorit potencial, gati uniformohet me personalitetin e Ngritësit të Flamurit, që Shqipëria të ishte e mëvetëshme. Krijohej kështu një ngazëllim emocional i hatashm dhe kushdo mund të mendonte se, më në fund, u gdhend e përjetshme skulptura e gjallë e Plakut të Vlorës. Por “JO”! Do të vinte edhe nata e fundit të këtij festivali teatror dhe ne do të shihnim një Ismail Qemal krejt ndryshe: Diplomatin e Urtë dhe Njeriun Largpamës! Dhe këtë mishërim të ri e të goditur artistikisht, do ta bënte aktori Fatos Sela, për “fat” edhe ky, ish studenti im! As që e mendonte se, në vitin 1982, tek po interpretonte rolin e një oficeri turk në Filmin “Nëntori i dytë”, përbri Ismail Qemalit të Sandër Prosit, do ishte vet që do ta interpretonte atë afro 20 vite më vonë, kësaj here në skenën e teatrit , në njerën prej dramave më të mira të Bashkim Kozelit.
Pata një kënaqësi të dyfishtë estetike (nga pikëpamja e krijimit) dhe njerëzore (si emocion vetiak). Si mbaroi shfaqja, ky aktor i heshtur, që dikur nuk binte fare në sy e që unë thuajse e pata harruar, më ftoi të uleshim në tavernën e pasme e të nëndheshme të teatrit, karshi Pallatit të Mbretit të dikurshëm, sikundër bënin gjithmonë aktorët e lodhur të Teatrit Kombëtar, prej emocioneve të forta të skenës dhe po e shihja me admirim fytyrën e tij të lodhur e të heshtur. Ish-studenti ynë Fatos Sela, i para dyzet e kusur vjetësh më përpara, që në Degën e Aktrimit shquhej (qysh atëhere), për trupin e bëshëm dhe zërin e ngrohtë e me timbër, paraqiste tani, me modesti të admirueshme, një figurë madhore, duke arritur kështu një kulminacion të udhës së tij krijuese. Ngrita për të një dolli me gotën e verës dhe unë do të shihja të ravijëzohej në fytyrën e tij një buzëqeshje e lehtë, shoqëruar prej një modestie të paanshme. “Faleminderit Profesor”,-tha ai befas, duke e çokur gotën time e duke më kthyer mbrapa të katër dekadave…
Dhe mua do të më kujtohej çasti i mbarimit të shkollës prej tij, kur ende nuk e kishim kuptuar thellësinë e mdhështisë së tij dhe e rekomanduam si regjizor në Televizionin Shqiptar, për ta koregjuar këtë tre vjet më pas e dërguar në Teatrin Dramatik (të sapo krijuar) të Fierit. Dhe gjithmonë do ta qortoja veten më pastaj se, Fatos Sela, do të ishte qysh atëhere diçka më shumë se një regjizor emisionesh televizive apo edhe një aktor province. Ai ishte e mbeti një aktor i nivelit cilësor dhe e kishte vendin në Teatrin Kombëtar, sikundër e gjeti po vetë, në trajtën më të natyrshme, ku aktori me modestinë më të rrallë njerëzore do të interpretonte 10 kryevepra arti, që nderonin, jo thjesht Fatos Selën po edhe këtë teatër të vetëm të kombit tonë! E kështu do të mbahet mend edhe në këtë fillim dhjetori të trishtë, tek po afron dita e largimit të tij nga jeta, 8 dhjetori i dhimbshëm. Do të kujtohet me veneracion aktori i hijshëm shtatlartë që vetëm bozëqeshte e fliste rrallë, në galerinë e interpretimeve të të cilit qe regjistruar Shekspiri, Ibseni, Çehovi, Karaxhale dhe Artur Mileri. Gjithsesi, nuk do të harrohet, mjeshtria e këtij artisti, aftësia e shprehjes, si në dramë ashtu edhe në komedi, interpretimet me botë të brendshme e të individualizuar, zëri i tij prej baritoni, që, përplasej me vibracione të fuqishme nëpët “muret” e teatrove tona, etja e tij e dashurisë për tingëllimën e bukur të fjalës shqipe në salla e vende publike, si edhe fisnikëria njërëzore, që përcillte në jetën shoqërore, në teatër, në sheshet e xhirimit të filmave dhe në baret e thjeshta, ku pihej një kafe, nje gotë raki a një verë, ku ai shpërndante shumë thjeshtësi, shumë dashuri e sa shumë njerëzi! Kudo ndriste… Si pasqyrë e vetvetes, e skenës dhe ekranit. Me veçorinë mëvetshme se, edhe në rolet e heronjve gjithça niset nga e thjeshta natyrore e njeriut, si tek roli i Avni Rustemit (“Atentat në Paris”), tek i cili kryhet evolimi gradual i nje djaloshi pjalëpak deri në një denoncues të zjarrtë ne skenën e gjyqit, apo tek një figure punëtori që nuk krekoset si Bashkimi i filmit “Shtëpia jone e përbashkët”) e kështu me rradhë: tek Instruktori i baletit i filmit”Bolero”, tek “i paftuari” Çezar Dibra , tek komisar Ganiu në “Pas takimit të fundit”, për të ardhur në rolet madhore të filmave “Tirana viti zero” dhe “Një vit i gjatë”. Një galeri e gamë interpretimesh në repertorin e një aktori që e meriton emrin e tij.
Fatos Sela qe një njeri i “pa zëshëm”, i cili nuk mburej kurrë dhe që fliste vetëm kur hipte në skenë, në të kundërtën e e atyre pseudoaktorëve, që llomotisin kafeneve e mbeten të belbët në skenë, me vite e dekada të tëra. Njëzet vjetët e Fatos Selës në Teatrin “Byls” të Fierit ishin një përvojë e lartësimit të figurës së artistit me sedër profesionale, me punë këmbëngulëse, kërkesa mjeshtërore dhe me kërkime në arsenalin e krijimit të figurës artistike. Edhe i heshtur në skenë, Fatos Sela, fliste shumë më tepër sesa aktorët llomotitës, që hyjnë e dalin nga skena pa lënë asnjë gjurmë. Ishte aty aktori që “mbante trarët” e shtëpisë së vet, Teatrit, e nuk thoshte kurrë se “u lodha” apo se “nuk është për mua ay apo ky rol”! Ishin të tij të gjithë personazhet që o ofroheshin e nuk kthente asnjerin! Po, nëpër role, ishte edhe një model interpretimi, që mbahej mend tepër gjatë, sikundër ishin rolet e tij në dramat “Gjëmimi i atij dimri” të Teodor Laços, “Baladë për një grua” e “Fytyra e dytë” të Dritëro Agollit”, ” E bukur shtëpia e vjetër” e Ruzhdi Pulahës, “Tirano-Zauri” i Kasem Trebeshinës etj, nga repertori nacional, apo rolet nga dramaturgjia e huaj, si në veprat “Një letër e humbur”, “Maria Oktobër”, “Koka e tjetrit”, “Dashuri me fantazmat” e të tjerë. Veç duhet thënë se, ky aktor nuk bënte asnjëherë dallime midis interpretimeve nga dramaturgjia nacionale dhe e huaj, duke interpretuar në to me të njëjtin seriozitet e përgjegjësi profesionale e etike… Dy kulminacione, në të dyja krahët, ai i figurës së Avni Rustemit në dramën “Dy krisma në Paris” të Kullës dhe i personazhit të Jon Proktorit te “Shtrigat e Salemit” të Milerit, do të mbeten si shembuj të një konceptimi virtuoz të figurës artistike skenike, ku harmonizohej me një natyrshmëri të rrallë ana e brendshme dhe e jashtme e heroit veprues, sugjestioni goditës gjurmëlënës dhe forca përgjithësues gllabëruese, magjia e teatrit. I gjithë ky potencial artistik i mëvetshëm i Fatos Selës, bëri që atij t’i hapeshin dyert e Teatrit Kombëtar.
Që nga viti 1995 ai është aktor i këtij Teatri Qendror, për t’i vënë vetes edhe një “kurorë” më shumë. Atij i vijnë role madhore nga dramat e huaja “Magjia e Madhe”, “Portreti i Darjan Greit”, “Njeriu, virtyti, kafsha”, “Pulëbardha” dhe do të shkëlqejë me dramën e Ibsenit “Armiku i Popullit”, ku figura e Dr. Stokmanit pati një potencial të fuqishm, si përfaqësues i popullit, duke iu kundërvënë me guxim e pathos qytetar korrupsionit të pushtetarëve dhe tiranisë së shtetit borgjez. Kjo gamë interpretuese bëhet edhe më e thellë e psikologjike në interpretimin e rolit të Vojnickit në dramën “Xhaxha Vanja” të Çehovit, ku aktori Sela shpalos edhe shpirtin lirik të njeriut fisnik, i cili poshtërohet nga arbitrariteti i një njeriu provincial dhe i një gruaje të bukur, të dashuruar me vetveten, duke i bërë fatkeq njerëzit përreth saj. Krejt ndryshe ishte ky aktor inteligjent e me plot të dhëna interpretuese, në rolin e Frankut V në tragjikomedinë e Frederih Dyrrenmatit “Vizita e Damës Plakë”, ku kompleksiteti i natyrës njerëzore, jepet prej tij në të gjitha skutat e errëta, me nuanca që kapërcejnë ekstremet e groteskut, nëpër labirinthet e një ferri tokësor. Kurse në dramën e Pirandelos “Gjashtë personazhe në kërkim të autorit”, Fatos Selën do ta kishte zili kushdo aktor, për atë harmoni midis pamjes impozante dhe gjendjes së mjerë të njeriut të varfër, jashtë e brenda botës që lëviz, si aktorët tragjikë të braktisur. Pasi e pashë këtë shfaqje të regjisorit Met Xhelili e kur spektatorët u ngritën njëherësh në këmbë, kisha mbetur i mbërthyer në karrike, i befasuar nga ajo përputhje e hatashme e artit të dramaturgut, me atë të regjizorit dhe po njëlloj, edhe me artin e aktrimit të Fatos Selës, që po prekte kështu madhështinë lapidare të një artisti të madh! Dhe përsëri, do të risillte në skenë një Jon Praktor të dramaturgur të famshëm amerikan, Artur Miller, edhe më të fuqishm, duke zotëruar me aftësinë e tij vëzhguese tërë hapësirën skenike, personazhet që trëmben nga tirania e tij dhe të të gjithë spektatorëve që ishin në sallë, si të ishin edhe ata personazhe të “Shtrigave te Salemit”!
Aktorë të tillëi vijnë fort rrallë skenës shqiptare dhe, për fat të keq, ikin shpejt nga Teatri që i do në gjirin e vet, nga publiku që i ndjek me drithërimë, nga kolektivi i artistëve, nga shoqëria e tyre dhe nga përgjërimi i skajshëm i familjes. E rëndë kjo ikje edhe për partneren e tij, në jetë e në skenë, Natashën, të pandarën, dashurinë e viteve të tij më të bukura e më të hidhura të jetës, nënën e fëmijëve, me të cilën ngritën jetën familjare dhe krijuan jetën skenike, si njësim me të ardhmen e tyre. Teatri për të ishte nje TEMPULL ku ai falej, ku provonte magjinë e qënies njerëzore, atë që ështe “e perëndishme”, prandaj edhe kur e pa se do të ikte përgjithmone nga kjo jetë e mënxyrshme, ai do t’i thoshte Natashës, përbri krahut e zëmrëss së tij: “MOS MË ÇO NË TEATËR” kur të ikij nga jeta! Sikur ta dinte se kështu do të ndodhte me të vërtetë, pas një shfaqjeje profetike që ai e kishte inerpretuar dikur, me po atë titull profetik: “ZOTI GODET ME PUTËR”! Përse, O Perëndi e Madhe, i godet më të mirët?! Se kështu na i more edhe Nelkun, Qirjaqin, Lakon, Furxhiun, Sallakun me Prodanin, Llazin me Nellën, Shmilin, Hyskën e Borodanin, Fankon me Verrinë, Mitën me Trebickën, Hondon me Xhemilin, Devolen që s’ka pak që e përcollëm! Që të gjithë, kryesisht të “plejadës së re”!
Shtatë vjet kaluan pa Tosin e nuk e tretim dot kujtesën për të, si dhe për të tjerët, që na ikën pa e thënë deri në fund fjalën e tyre! Nuk do të dëgjohet më ai zë i ngrohtë e me timbër muzikal, prej basi të thellë, nuk do të përballemi më me njeriun që fliste aq rrallë, që nuk përgojonte asnjë njeri tjetër, as të ligjtë, e as ziliqarët e qosheve të oborrit teatror, nuk do ta shohim më në skenë aktorin shumëplanësh të figurave skenike virtuoze, nuk do të kemi privilegjin të rrimë përsëri me të në tavernën përballë Pallatit të Mbreti të dikurshëm dhe as që do ta ngremë më gotën e verës për magjinë e artit të tij. Po artistët e Teatrit Kombëtar, ishin mbledhur këto ditë të trazuara dhjetori që të ngrinin një gotë verë përshëndetëse, me “gjakun e Krishtit” për Tosin e tyre të thjeshtë, më të natyrshmin në thjeshtësinë e tij. Se dhjetor qe edhe atëhere, kur ai iku pa asnjë të drejtë ikjeje! “Ky është një muaj i dhimbshëm për ne,-më shkruante ditën e djeshme aktoria Natasha Sela-bashkëshorte e rrallë e jetës së tij dhe e skenës,-Po shumë i dhimbshëm për Tosin e saj e të të gjithëve ne, që ditët po i numëronte, tek ngjiteshim për herën e fundit në bregoren e gjelbëruar të liqenit të Tiranes, mbështetur në krahun tim”. “MOS MË ÇONI NË TEATËR!”,-tha,- se donte të vente vetëm i gjallë e i ndritshëm atje, sikundër venë të gjithë të gjallët!
* * *
I shkruaj Natashës se pati një humbje shume të madhe me ikjen e TOSIT, -sikundër e thërristje ajo, po edhe shokët e miqt e afërt, të cilët u shprehën njëzëri: “JE I PARAJSËS TOSI”, ndërsa unë e pashë të udhës t’i them asaj, të pangushëlluarës, njerës prej aktoreve të sotme, më të spikatura për rolet e karakterit në komedinë shqiptare se, të dy djemtë e rritur të tyre, gjithsesi janë e do të jenë një ngushëllim i heshtur e i përhershëm, për ta kujtuar atë, qofte edhe nga zëri i tyre, identik me të atin e tyre. E kur i dëgjoj,-thotë ajo,-më pushon frryma! Më i madhi, Rubensi, mbaroi Fakultetin Histori-Gjeografi, ka një biznes stë vogël në Tiranë, është i martuar me nje vajzë tonën që ka mbaruar fakultetin ekonomik e pret së shpejti një djalë, i cili, kismet O ZOT, -thotë ajo, do të trashëgoje edhe emrin e të ndjerit. Më i vogëli, zgjodhi udhën e të atit e preferoi të bëhej pjanist, po udhës së formimit të tij, ndron “monopatin” për shkencat egzakte, per hir të talentit që kishte, pa e përjashtuar edhe deshirën e të ndjerit, duke përfunduar shkollën e lartë amerikane për ekonomi-financë, me rezultate të shkëlqyera, që automatikisht e emërrojnë Drejtor Banke në Shtetin Arizona, SHBA. Dhe aty punon e jeton edhe sot, i biri i Fatos Selës dhe i Natashës, me bashkëshorten e tij shqiptare, mjeke në Virxhinia dhe me të dy djemtë e lindur të Selajve!
I paharruar qoftë kujtimi i tij, emri i tij i nderuar në Artin Shqiptar e jetë të mbarë e të lumtur bashkëshortes Natasha Sela, fëmijëve e nipave, për të ecur edhe ata në gjurmët e ndritura të Fatos Selës!
(Botuar në Tiranë në librin ” SHPIRTI ARTISTIK”. EDLORA, 2014 dhe rishkruar në Athinë në kohë Pandemie, dhjetor 2020)
Please follow and like us: