Cikël poetik nga Mustafa V. Spahiu
M’SHITOI FJALA TEPËR E FORTË
Gjithnjë shtigjet ngashërejnë përpjetë,
Shkrepit t’thepisur ku s’ngjiten dhitë;
Ujqit sypërgjakur uritur thyejnë turitë!
Poetët presin varg – vargun e vërtetë!
Çdo ide t’re vërtet’e gjenë n’vetvete.
Fjalë t’vërtetë po gjete s’ka fatkeqësi,
Vendesh hyjnore fjala ulet me një risi;
Gjetjen e bukur rrufeja ruan nën dete!
Mos ndërro këngën sa rremin detari,
Shpresa magji – ballit t’diellzuar, me
Gjak mereqep – zenitin do lartësuar,
Furrnaltave sprovohen platin dhe ari.
Xehetarët mademesh sa e kërkojnë,
Fjala s’gurëzohet tenor guri këndon.
Pas diellit t’parë fjala nuk belbëzon;
Ka rrënjët’forta galaktikat e çmojnë!
T’shiton fjala tepër e fortë përtrihet,
Fjala ia nuhat larg gjëmën ortekut,me
Farën epikë vet ngjitet veri shtegut;
As s’është e butë si kallaj t’shkrihet!
E premte, 18 shëndré 2020, në Dardaninë Ilire.
DETI
Nga deti dallgët turr kur sulmojnë
Duan të gjitha brigjet t’i pushtojnë,
Hovin ua ndal masivi shkëmborë, ka
Madhështi kreshniku në krahërorë
Dallgët tjera nisën bubullimë lufte,
Janë tekanjoze që përplasen tutje.
I shton hovet si kodër dallga tjetër,
Deti me mëri përsërit avaz të vjetër.
Bregut shkëmbi është mirë ndrequr,
I duron dallgët – zemrën e ka hekur!
Deti grindet me vaporat në lundrim,
Me dredhira tufan tundet me guxim.
Kur shfaqet hëna ndalet dhe zbutet,
Brigjeve e shkëmbenjve nis iu lutet…
Yjet nga qielli ia lëshojnë një gacë, e
Deti heshtohet bëhet luadh, bunacë.
Detit tërbimin erërat dikah ia çuan…
Shiu erdhi foshnje në gjumë e vuan!
Nxituan lumenjtë me kaltërsi e valë
Dhe detin e gjerë e puthnin n’ballë.
E hënë, 14 shëndré 2020, në Dardaninë Ilire.
KËNGA PËR KOSOVËN
Dielli-djalë çdo ditë lind me agime,
Bjeshkëve brohorisht buçet jehona.
Fëmijët rriten me ninulla e gëzime –
Kosovën e kanë lindur nënat tona…
Bletët e kanë një shprehi të vërtetë,
Punën s’e ndalin – sulen n’katër anë
Kosheret i mbrojnë me të tyren jetë,
Kosovën e mbrojnë cok etërit tanë…
Kështu etërit na kanë mësuar prore,
Gjakut të truallit vlaga i rrit bukuritë.
Gonxhe trëndafilash-ëndrrat rinore,
Kosovën e mbrojnë me laps fëmijët.
Në Dhèvendlindje, qershor 1998.
NË SHËNDRÉ
Mora udhë për fshat me buzë t’plasura,
Kaptova Mesomalin mbushur me aromë
Po vjen biri yt, o vendlindje, fisnikëromë!
Trokthi po nxitoj me këmbë të zbathura.
Ta shpie n’vend testamentin e vargjeve,
Luginës’Moravës, arave dhe lëndinave –
Shelgjet m’presin me kordat e violinave
Dhe sofatët e pastërt puthitur pragjeve.
Fshati im gjysmë mileniumi ësht’i lashtë,
Mikpritjen e ka modeste dhe moderne,e
Shtegtari s’bën gjumë kur nën gjerdhe,
As gardhe gjenë – as plevica me kashtë.
Fshati im fusharak m’ngjason në qytet,
Pse shterroi vada ujit s’kam dot njohuri,
Është në kadastar shkrim e vulë me tapi,
Arat e bukës, kopshtet kanë këtë dert…
S’jam qyqeja e kuqe të vajtoj n’shëndré,
As si hutini e grisha t’qepur monopatit;
Fshatarët veten pa e përbuzur prej fatit,
Gjërat e bukura ua sjell’e nesërmja e re.
E martë, 15 shëndré 2020, në Dardaninë Ilire.
NIPI DHE DAJA
E pvetën pllumin e bardhë:
– Kush â ma i bardhë se ti?
– Asht nipi kur shkon e rrin
te dajët e vet…
– Fabulë shqiptare –
Kur shkon nipi mysafir te daja
N’atë vatër seç shtohet lumturia,
Me dorë në zemër nisin kuvendin.
Me gjithë kulmarë g’zohet shtëpia,
Dajëmadhi për gosti – theri demin.
Shtatë ditë s’ndalet gazmendi
Valkes i prin nipi – pëllumb i bardhë!
Tingujt e gërnetës s’ndalen me ditë…
I tundin, i shkundin shamitë me radhë,
Valle pa shëmbëllim – shend me rritë…
Me fustanella dalin nëpër fushë
Paj, si lumbardhët tok fushës dalin,
Stoli e rrallë – gropëzat e faqeve…
Kaptojnë shtigje – këngët s’i ndalin,
Sytë e tyre u ngjajnë manushaqeve.
Pas gjezdisë shkëmbejnë urata…
Nënëlocja jote ta mbolli krenarinë,
– Lum dajushi për ty!, ore trimosh!
– Cili yllush ta begatoi mençurinë?
Rritu-ngritu – një shekull – të rrosh!
E – pastaj niposhi faleminderohet
Me afsh e gushë – gjatë e shtrëngon:
“Dajë të shërbefsha vetëm n’gëzime,
Drejt në ninëza dajushin e pranveron,
Ardhmërisë ditët i paçim me kujtime!”
Shkup, verë-vjeshtë 1996.