Albspirit

Media/News/Publishing

Veton Surroi: Barcaleta e Grenell që i vuri emrin liqenit “Trump”

1.

E kishte një thënie Michelle Obama, gruaja e ish-presidentit Barack, kur duhej dhënë përgjigje ndaj sulmeve që u bëheshin grave, zezakëve, familjes së saj, gjithkujt që nuk i shkon për shtat turmës së paragjykuesve racorë e politikë – “Kur ata godasin ulët, ne ngrihemi lart” (when they go low, we go high).

Ky mësim i rëndësishëm i dinjitetit – apo madje i taktikave të duhura politike e shumëçka tjetër – mund të mos ketë mbërritur ndër ne, në pjesë të mëdha të Evropës Qendrore, mbase as në vetë SHBA, ku gjuha e urrejtjes e katër vjetëve të kaluar arriti kulminacionin me një përpjekje për kryengritje të dhunshme, duke filluar nga marrja fizike e Kongresit Amerikan, më 6 janar të këtij viti.

Në katër vjetët e fundit SHBA-ja ka eksperimentuar me pragun e ulët të “low”: sa poshtë mund të shkojë diskursi politik, sa poshtë mund të shkojë shpërfillja ndaj së vërtetës, duke filluar nga të folurit e përditshëm të presidentit të vendit, sa poshtë mund të shkojë shembja e marrëdhënieve me kombet e shtetet e tjera përfshirë, apo në radhë të parë, kombet e shtetet të demokracive liberale? Në historinë bashkëkohore presidenciale amerikane të njëqind vjetëve të fundit, nuk mund të gjendet dikush që ka shkuar më poshtë në pragun e “low” se presidenti Trump.

Në një përçudnim të thënies së Michelle Obamas, presidenca Trump përfundoi me versionin e vet që mund të duket kështu “nëse kjo ju duket e ulët, ne dimë edhe më poshtë”.

2.

Kosova, një vend me jo shumë domethënie në nivel botëror a amerikan, hyri në këtë garë për ta gjetur pragun e ulët të së poshtmes. Gjatë vitit të kaluar, një pjesë e rëndësishme e diskursit zyrtar të vendit prodhoi një moto të re në relacionet me presidencën Trump: “Sado poshtë të shkoni, ne do të jemi edhe për një shkallë përfundi”.

Kështu ndodhi kur ish-ambasadori Grennell, i dërguari i veçantë i presidentit Trump për Kosovën (dhe njëkohësisht ambasador në Gjermani dhe shef i përkohshëm i shërbimeve të Inteligjencës) u tall në një emision radiofonik lidhur me takimin e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, dhe tha se si u kishte propozuar kryeministrit Hoti e presidentit Vuçiq që, meqë nuk po pajtoheshin se si do të quhej liqeni të cilit njëri i thoshte Ujman e tjetri Gazivodë, të quhej liqeni Trump. Gazetarët intervistues, së bashku me Grenellin, qeshën me këtë barsoletë, por në Kosovën zyrtare të gjysmës së dytë të vitit 2020 edhe barsoletat e personaliteteve zyrtare të Washingtonit hynin në kategorinë e verdikteve historike. Kështu, tallja e ambasadorit Grennell u shndërrua në një “tweet” ilustrativ dhe vetëlavdrërues për diplomacinë trumpiane, e cila gjen zgjidhje praktike për çdo problem dhe si përgjigje ndaj këtij “tweeti” kryeministri i Kosovës, A.Hoti, shkroi:

“E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”.

Në vazhdimësinë e përçudnimit të thënies së M. Obamas: “Nuk e dini sa poshtë mund të shkojmë ne”.

3.

Narracioni i presidentit Trump, apo më mirë thënë trumpizmit, sepse tashmë është një lëvizje ideologjike-politike në Amerikë, është i mbushur me të pavërteta dhe konspiracione. Ky narracion, shkruan profesori i historisë amerikane David W.Blight, mbështetet, mes të tjerash, në këto teori udhëheqëse: “krishterimi nën presion dhe sulm; qytete të mëdha e të korruptuara përplot njerëz të zinj e ngjyrëkafe të manipuluar nga elitat liberale…, mediat liberale që synojnë vlerat familjare e konservatore”. Në këtë listë të gjatë të narracionit të të pavërtetave do të hyjnë edhe gjërat që duket se nuk kanë lidhje mes vete, si, për shembull, ideja e presidentit Trump se ndoshta do eksperimentuar me injektimin e detergjentit pastrues të pllakave të WC-ve në vena të njerëzve si mjet për të luftuar COVID-19. Apo se më 4 shtator ai i detyroi kryeministrin Hoti dhe presidentin Vuçiq që ta nënshkruanin paqen dhe të përfundonin vrasjet e gjakderdhjet treqindvjeçare; akt pas të cilit Hoti dhe Vuçiq do të puthen e përqafen. Apo se në zgjedhjet e 4 nëntorit ai, pra Trumpi, ka fituar, vetëm se i janë vjedhur votat gjatë numërimit. Kështu hymë më 2021 dhe me skenat deri tani të papara të sulmit fizik ndaj Kongresit, me nxitje të drejtpërdrejtë të presidentit.

Sipas artikullit të historianit Blightm në “New York Times”, trumpizmi është duke u përgatitur për periudhën e ardhshme politike, duke ngritur një mit të humbjes. Miti do të mbështetet në të gjitha këto të pavërteta dhe konspiracione, apo siç i quante dikur ish-zëdhënësja e presidentit, Kellyane Conwey, “fakte alternative”. Në vitet e ardhshme i tërë ky narracion i rrjeteve sociale, që përbëjnë “faktet alternative”, do të shërbejë për të mobilizuar të gjithë ata që ndihen humbës, e të këtillë ka shumë, tmerrësisht shumë kur të merret parasysh numri i votuesve të Trumpit. Dhe, në këtë narracion humbjeje, do të jetë e përfshirë edhe Kosova- ndoshta në përshkrimin se “dikur na ishte Liqeni i Presidentit Trump për nder të njeriut që ndali vrasjet qindravjeçare, por liberalët amerikanë ua ndaluan autoriteteve kosovare dhe atyre serbe që ta quajnë ashtu”.

Qindra vjet pas mitit humbës të ndërtuar nga nacionalizmi serb, Kosova do të hyjë diku si fusnotë e mitit humbës të trumpizmit.

4.

Por Trumpi nuk e solli veten në Kosovë, e gjeti këtu, mes nesh.

Gjatë një pjese të mirë të mandatit të tij, ish-presidenti i Kosovës u përpoq që ta përfshinte administratën amerikane në dy çështje themelore, njëkohësisht: ndarjen e Kosovës (me këmbim territoresh) dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale. Që të dyja dështuan, por pati sukses ftesa për ndërhyrje në jetën politike të vendit, në mënyrë që të rrëzohet Qeveria e zgjedhur në fillim të vitit 2020. Dhe, këtu po ashtu duhet një vlerësim i nuancuar: ndërhyrja e ambasadorit Grenell u bë vetëm pas insistimit të ish-presidentit (i cili tashmë ishte intervistuar si i dyshuar i Gjykatës Speciale dhe si i tillë kishte kërkuar prej sekretarit Pompeo zhbërjen e Gjykatës Speciale). Dhe kjo ndërhyrje u bë vetëm pas paraqitjes së një pjese të udhëheqjes së LDK-së, përfshirë edhe kryeministrin Hoti, për të shërbyer si rrëzues qeverie dhe sajues të një qeverie që do t’i shkonte më për shtat ambasadorit Grennell. Dhe kjo ndërhyrje u bë vetëm kur një pjesë e rëndësishme e mediave u rreshtuan me narracionin e ri, të “fakteve alternative” se Amerika do një qeveri të re, në mënyrë që të arrijë një marrëveshje të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.

Mediat e “fakteve alternative” u bashkuan në diskursin që u zhvillua edhe në rrjete sociale e që pak a shumë e vlerësonte si “antiamerikan” çdo kë që kontestonte këtë narracion-njëjtë sikur shpallej nga narracioni i Trumpit antiamerikan çdo gjë që nuk i përshtatej narracionit të tij.

Atmosfera e “fakteve alternative” arriti kulmin e vet me Marrëveshjen e Washingtonit. Në transmetim të drejtpërdrejtë qytetarëve të Kosovës iu servuan të pavërteta eklatante: prej emërtimit të Marrëveshjes Kosovë-Serbi diçka që nuk ishte, vlerësimit “historike”, shumave marramendëse miliarda dollarësh me të cilat spekulohej. “Faktet alternative” kosovare shkonin paralel me ato serbe dhe me ato të vetë Trumpit, i cili e vlerësonte tërë këtë si një kontribut të madh për paqe në Lindjen e Afërt.

Që të gjitha këto nuk i bëri Trumpi. I bënë kosovarët -politikanë e gazetarë- që interpretonin fjalët, mendimet, ëndrrat e Trumpit madje para se ato të shqiptoheshin, mendoheshin e të ëndërroheshin.

5.

Për fat të mirë të të gjithë neve që jemi të lidhur ngushtë me shëndetin e marrëdhënieve transatlantike, më 20 janar Amerika i kthehet një narracioni të vlerave tradicionale demokratike. Nuk do të ketë nevojë për “fakte alternative”. Për më tepër, do të jetë një Amerikë e cila do të shërohet nga pasojat e “fakteve alternative”, për një kohë të gjatë madje dhe një Amerikë që do t’i dëshmojë vetes dhe të tjerëve se katër vjetët e kaluar nuk ishin pjesë të vlerave të saj tradicionale.

Diskursi kosovar, që u vetëviktimizua vitin e kaluar në garën për të mbërritur “më poshtë se poshtë”, ka nevojë për shërimin e vet. Sëmundja që përjetoi nuk u krijua në Amerikë, u krijua në këtë truall dhe mbërriti majën me ëndrrën e notit në Liqenin Trump.

Please follow and like us: