Agim Neza & Çerçiz Loloçi: Krime serbe në Kosovë (2)
x
I.
KRIMET PA KOMENT TË REGJIMIT TË MILLOSHEVIÇIT
10. Reagime të ashpra të komunitetit ndërkombëtar
Deklarata të Sekretarit të Jashtëm britanik Robin Kuk, kryeministrit francez Lionel Zhospin, Ministrit të Jashtëm gjerman Rudolf Sharping dhe Presidentit të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela
Gjashtë lokalitete dhe konkretisht Prishtina, Skënderaj, Dobdrido, Rahoveci, Gjakova dhe Brestovaci janë djegur qëllimisht, në mënyrë të pjeshme ose tërësisht nga ushtarakët serbë për t’i detyruar banorët e tyre të largohen apo për t’i penguar të kthehen sërish atje; numri i qyteteve dhe fshatrave të djegura po rritet dita-ditës.
Ndërkaq Perëndimi dhe personalitete politike europiano-botërorë kanë reaguar ashpër ndaj masakrave dhe genocidit në Kosovë.
- Sekretari i Jashtëm britanik Robin Kuk theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të fushatës ushtarake ndaj pozicioneve serbe “për kufizimin e kapaciteteve vrasëse të Millosheviçit”. Dhuna serbe dhe genocidi po e shtyn popullsinë civile të largohet në masë dhe jo sulmet e NATO-s, tha Kuk. Është ushtria, policia serbe dhe forcat paraushtarake që po kryejnë vrasje, masakra dhe që po inponojnë këtë pastrim etnik në Kosovë; ata janë përgjegjësit kryesorë dhe të vetmit për karvanet e refugjatëve që ne i shihim të kapërcejnë kufijtë, përfundoi Kuk.
- Kryeministri francez Lionel Zhospin siguroi se “Parisi nuk do të hiqte dorë nga shkatërrimi i aparatit ushtarak dhe represiv serb; masakrat serbe dhe lëvizjet e refugjatëve në Kosovë nuk kishin filluar 8 ditë më parë, por bëhet fjalë për një realitet të përditshëm të jetës kosovare”.
- Më i ashpër ka qenë Ministri i Jashtëm gjerman, Rudolf Sharping që tha se “Millosheviçi është një kriminel lufte që duhet çuar në Hagë. Për sytë e mi ai është një kriminel lufte dhe do të kishte qenë më mirë sikur ta kishim dërguar më parë në gjyqin ndërkombëtar. Millosheviçi do të ishte një kandidaturë e mirë për një proces gjyqësor dhe për një dënim nga një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte”.
- Presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela tha se “kriza në Kosovë kishte rezultuar në masakrimin si kafshë të njerëzve të pafajshëm. Dhe kjo ka ndodhur prej autoriteteve serbe dhe armatës së tyre ushtarake. Përse duhet që njerëzit të masakrohen kur mund të uleshin dhe t’i zgjidhnin problemet”?
- Krime monstruoze në Kosovë sipas burimeve të qeverisë amerikane
Plaçkitja e bizneseve dhe e shtëpive
Forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kanë plaçkitur shtëpitë dhe bizneset e shqiptarëve kosovarë të paktën në 20 qytete dhe rajone në të gjithë Kosovën. Ushtarët serbë kanë pushtuar edhe disa shtëpi të banorëve në Prishtinë.
Djegia e shtëpive
Refugjatët shqiptarë që ndodhen aktualisht në Shqipëri, Mal të Zi dhe ish-republikën jugosllave të Maqedonisë raportojnë për djegien e shtëpive dhe rrënimin e tyre në 13 qytete shqiptare dhe në shumë fshatra të Kosovës. Ky shkatërrim nuk mund të krahasohet me dëmet që shkaktuan serbët verën e kaluar. Shumë vendbanime janë shkatërruar krejtësisht në një përpjekje dhe strategji të qartë për t’u siguruar që banorët nuk do të kthehen më.
Ndalohen meshkujt shqiptarë
Refugjatët që hyjnë në Shqipëri raportojnë se meshkujt janë ndarë në grupe të veçanta. Një raport i organizatave joqeveritare thotë se 10 mijë burra janë vendosur në një stadium të Prishtinës. Ndërkohë lajmet e shtypit pohojnë se të paktën 20 mijë shqiptarë janë larguar nga Qirezi, në drejtim të Skënderaj dhe janë grumbulluar në një fabrikë. Shumica e refugjatëve që kanë kaluar kufirin janë gra, të moshuar dhe fëmijë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar rreth fatit të mëtejshëm të burrave të humbur, numri i të cilëve shkon nga dhjetra-mijë në qindar-mijë, ku mjaft prej tyre e kanë jetën në rrezik.
Ekzekutime makabre
Refugjatët kanë njoftuar për ekzekutime njerëzish të pafajshëm në të paktën 20 qytete dhe rajone të Kosovës. Forcat serbe duket se kanë vënë në shënjestër inteligjencën shqiptare, përfshirë edhe përfaqësues të pushtetit gjyqësor, avokatë, doktorë dhe liderë politikë të partive e shoqatave kosovare. Në veçanti në shënjestër për t’u ekzekutuar janë vënë udhëheqësit politikë që morën pjesë në bisedimet e Rambujesë dhe të Parisit.
- Raporte për krime lufte
Më poshtë vijon një listë e krimeve të luftës dhe dhunimeve të ligjeve ndërkombëtare humanitare që kanë ndodhur te të gjitha qendrat e banuara në Kosovë.
- Cverka e Bardhë
Njoftohet se forcat serbe kanë vrarë 35 njerëz dhe pastaj kanë hedhur trupat e tyre në lumin e Bardhë, pranë rrugës hekurudhore mes Rugovës dhe Cervka e Bardhë. Më 28 mars njoftohet se forcat serbe kanë pushkatuar 500 civilë të pafajshëm.
- Qirez
Bëhet me dije se 20 mijë shqiptarë të grumbulluar me forcë po përdoren si mbulesë njerëzore ndaj sulmeve ajrore të NATO-s.
- Drakovica
Njoftohet se shqiptarët janë pushkatuar nga njësitë paramilitare serbe. 70 trupa u gjetën pranë lumit dhe burrat u ndanë nga gratë. Dr. Izet Hima, një doktor i njohur u vra. Të gjithë shqiptarët që mbetën në qytet iu thanë që të largoheshin brenda datës 29 mars. Forcat ushtarake serbe po djegin të gjitha shtëpitë e shqiptarëve.
- Gllogovc
Shtëpitë e fshatit Gllogovc u dogjën dhe banorët u dërguan me forcë në mallet e Çiçavicës.
- Goden
Më 25 mars forcat ushtarake serbe kanë pushkatuar 20 burra, përfshirë edhe mësuesit; qyteti u dogj plotësisht.
- Klinë
Përzënia e gjithë popullsisë nga qyteti filloi më 28 mars. Forcat serbe po i largojnë përdhunisht banorët nga shtëpitë e tyre dhe i urdhërojnë të largohen nga Kosova.
- Mitrovica
Njoftohet se forcat ushtarake serbe kanë përzënë shqiptarët nga qyteti që më 23 mars; mbi 200 shtëpi dhe dyqane janë plaçkitur. Forcat serbe kanë vrarë në shtëpinë e tij Latif Berishën, kryetar i Aleancës Demokratike për këtë qytet. Gjithashtu u ekzekutua kryetari i Sindikatave të Pavarura së bashku me djalin 12-vjeçar.
- Orllat
Ky fshat i vogël që ndodhet në udhëkryqin mes Prishtinës, Pejës dhe Malishëvës u dogj nga forcat serbe më 30 mars 1999.
- Pejë
Forcat serbë kanë përzënë 50 mijë shqiptarë nga ky qytet. Të paktën 50 vetë janë vrarë dhe varrosur pranë shtëpive të tyre më 27 mars. Në të njëjtën ditë, të gjithë shqiptarët që kërkuan strehë në kishën katolike të Pejës u nxorrën me forcë jashtë dhe u përzunë nga vendlindja e tyre. Për të terrorizuar shqiptarët, serbët plaçkitën e dogjën dyqanet dhe bizneset e vogla në të gjithë qytetin. Refugjatët thonë se Arkani është realizues dhe përgjegjës për këto krime njerëzore.
- Podujevë
Forcat serbe mund të kenë pushkatuar mbi 200 shqiptarë. Serbët u kanë rrëmbyer makinat shqiptarëve dhe i kanë pushkatuar në vend. Njoftohet se 90 për qind e qytetit është djegur dhe shkrumbuar.
- Prishtinë
Forcat serbe janë futur në shtëpitë e shqiptarëve për t’u shpëtuar sulmeve ajrore të NATO-s. Ushtarakët serbë kanë pushkatuar burrat shqiptarë, përfshirë edhe Bajram Kelmendin, një avokat i njohur i të drejtave të njeriut, së bashku me 2 djemtë e tij. Njësitë paramilitare serbe kanë djegur e grabitur shtëpitë dhe dyqanet e shqiptarëve në gjithë qytetin. Policia dhe paramilitarët serbë po i ndajnë meshkujt nga gratë dhe fëmijët.
Serbët shpërndajnë trakte ku u bëjnë thirrje shqiptarëve që të largohen, përndryshe do ekzekutohen. Fehmi Agani dhe Veton Surroi, anëtarë të delegacionit shqiptar në Rambuje, njoftohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe dhe ende nuk dihet fati i mëtejshëm i egzistencës së tyre. Flitet për rreth 10 mijë burra që janë marrë forcërisht dhe janë ngujuar në stadiumin e qytetit për t’i masakruar në rastin më të parë nëse do të vijojnë bombardimet e NATO-s.
- Prizren
Forcat serbe i kanë përzënë të gjithë shqiptarët dhe kanë pushkatuar mbi 30 persona. Në kufi serbët u marrin forcërisht dokumentat e identitetit dhe dokumente të tjera për t’i ndaluar përfundimisht që shqiptarët të kthehen në banesat e tyre.
- Rugovë
Njoftohet se forcat usharake serbe kanë pushkatuar të paktën 50 burra.
- Skënderaj
Forcat serbe kanë pushkatuar 115 burra nga mosha 18 vjeç e lartë. Ushtarakët serbë kanë burgosur në një fabrikë të qytetit rreth 20 mijë persona.
- Shtimje
Forcat serbe kanë djegur selinë e komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës; mbi 25 mijë qytetarë janë përzënë forcërisht.
- Suharekë
Më 25 mars 1999 forcat serbe kanë ushtruar terror dhe kanë masakruar 30 shqiptarë; më të shumtët e tyre i dogjën të gjallë në apartamentet e tyre. Po ashtu forcat serbe kanë vrarë më shumë se 100 civilë të pa armatosur vetëm gjatë javës së kaluar. Qyteti është spastruar nga popullsia shqiptare dhe ka vetëm ngujues të përkohshëm serbë. 60 për qind e qytetit është djegur, shkatërruar e rrafshuar.
- Krushë e Madhe
Forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kanë vrarë mbi 160 shqiptarë dhe kanë vendosur trupat e 50 prej tyre në një varr masiv, afër këtij fshati.
- Vuçiterrnë
Më 27 mars forcat paramilitare serbe kanë vrarë 4 shqiptarë të Kosovës, përfshirë edhe një vajzë 14-vjeçare; gjithashtu ka mjaft banorë të kësaj zone të larguar forcërisht.
- Zhur
Më 28 mars 1999 policia lokale ka urdhëruar largimin e të gjithë shqiptarëve nga qyteti dhe periferitë e tij; më shumë se 7 mijë shqiptarë janë larguar apo dëbuar dhunisht si rezultat i këtij urdhëri.
- Zulfaj
Njoftohet se forcat serbe kanë përzënë të gjithë shqiptarët nga rajoni dhe më pas e kanë djegur dhe shkatërruar plotësisht atë vendbanim.
- Njëzet e gjashtë të vrarë në një ditë
Flet Rexhep Katana, fshati Prasdovrac
Katundi që kanë shkatërruar serbët quhet Prasdovrac. Me nga një plumb në kokë serbët kanë vrarë 26 persona, kryesisht meshkuj dhe disa gra, që i kanë lënë edhe pa varr. Ja emrat e tyre:
- Bajram Berisha
- Haziz Berisha
- Haki Berisha
- Skënder Berisha
- Kadri Berisha
- Shaban Berisha
- Bexhet Berisha,
- Hamdi Berisha
- Xhemali Berisha
- Sefedin Elshani
- Arben Elshani
- Shaqir Elshani
- Bilal Elshani
- Selim Dana
- Qerim Dana
- Avdi Xhema
- Dan Halimi
- Qerim Bytyçi
- Skënder Bytyçi
- Qerim Bati
- Bajram Xhema
- Osman Xhema.
Të vrarë janë gjithashtu nëna e Destan Berishës, gruaja e Ramazan Kabashit me 2 vajza. Në fshat ka mbetur vetëm prifti i fshatit që ka arritur të varrosë vetëm disa njerëz.
- Katër masakra në katër dëshmi
Dashuri Engjolli nga fshati Mamush
Na vranë, na prenë e na masakruan; burrat i pushkatuan në vend. Kam humbur 7 meshkuj nga familja ime: 3 djem, burrin, 2 fëmijët e kunatit dhe vëllain tim. Serbët hynë në fshat dhe i morën të gjithë përpara nën forcën e bajonetave të armëve. Tashmë në truallin tonë nuk mund të jetohet më se është kthyer në një varrezë të madhe.
Qazim Bytyçi nga Nepravishti
Meshkujt mbi moshën 17 vjeç i morën serbët dhe i gjymtonin sa nga duart, sa nga veshët dhe pastaj i pushkatonin; disa të tjerëi lanë me plagë të rënda në trup duke u lebetitur për t’u dalë shpirti. Ne na thanë të largoheshim sa më parë, përndryshe do të gjenim vdekjen.
Flet Agron Peja
U ndava nga nëna dhe babai kur serbët shkatërruan e dogjën fshatin; disa prej të rinjve i morën forcërisht dhe i hipën me dhunë në makina ushtarake. Pothuaj dyshonin për të gjithë ne duke na quajtur uçëkëista (UÇK), që duhet të vriteshim se shtoheshim si murtaja. “Ne do t’u japim Kosovën kur të mos ketë më këmbë njeriu”, thoshnin disa çetnikë. Megjithatë është e vështirë për ne që të veçojmë se cilët ishin më kriminelë se të tjerët; ishin të gjithë të pamëshirshëm: ushtarakë, policë, paraushtarakë, civilë serbë që deri atëhere banonin me ne.
Myrvete Kryeziu nga Peja
U larguam nga fshati të lebetitur dhe nën kërcënimin e armëve. Nuk mbaj mend që serbët të jenë sjellë më përpara kaq harbutërisht ndaj nesh, ata e dogjën krejt fshatin dhe ngazëlleheshin nga ky veprim. Nuk dimë se ku i kemi të afërmit tanë, unë ende nuk e di se ku e kam burrin dhe disa pjestarët të familjes.
- Kufomat bllokojnë rrjedhën e përroit
Tregon Ali Sulejmani, fshati Krushë e Madhe
Në fshatin tim kam parë shumë kosovarë të vrarë. Trupa e tyre të pajetë janë hedhur te përroi afër fshatit. Ishte një pirg i madh me kufoma, saqë vështirësonte edhe rrjedhën e ujit. Ushtarakët serbë u nxehën prej nesh ngaqë nuk donim të braktisnim vullnetarisht shtëpitë tona. Në ato çaste ata ishin të gatshëm të bënin gjithçka: të vrisnin, të sakatosnin njerëz të pafajshëm, të poshtëronin seksin e dobët, madje të vrisnin pa kurrfarë droje fëmijë ose adoleshentë.
- Vrasje e tortura
Flet Ali Gashi, fshati Bellacergë
E pashë vetë ku serbët vranë mbi 100 vetë dhe i hodhën trupat e pajetë në një gropë të madhe; përpara vrasjes ata i torturonin djemtë dhe burrat me kondakë pushke dhe me bajoneta. Më aktivët nga serbët ishte Bono Popoviç (ish-shoferi i ultranacionalistit Arkan) dhe shefi i policisë sekrete të Jugosllavisë, Franko Stimatoviç. Nën urdhrat e këtij të të fundit janë vrarë shumë vetë, kryesisht burra dhe djem, por nuk përjashtoheshin as fëmijtë dhe gratë. Nën kërcënimin e vdekjes kanë qenë edhe të grumbulluarit në stadiumin e Prishtinës, disa prej tyre janë largua andej dhe nuk u dihet adresa. Serbët thoshin se trupat e shqiptarëve do të përdoreshin si mburojë kundër bombardimeve ajrore dhe sulmeve të NATO-s.
- Digjen kufoma shqiptarësh
Flasin Ali Emërllahu, Agim Asllani dhe Qamil Shehu
Mua më është vrarë vëllai 56 vjeçar, Sejdiu. Bashkë me të janë vrarë edhe 90 meshkuj kosovarë dhe pas vrasjes serbët kanë djegur kufomat. Dhjetra të tjerëve nga radhët e shqiptarëve nuk u dihet fati… 20 të vrarë janë sjellë me një kamion në fshatin Krushë e Vogël dhe janë vendosur pranë lumit Drin. Kufomave u ishte vënë lëndë plasëse dhe ato u shpërthyen me gjithë kamionin…
Serbët kryenin edhe masakra të tjera: kur shihnin fëmijë apo gra të plagosura i vrisnin në vend dhe i digjnin për të mos lënë gjurmët e dëshmive.
- Foshnje e vrarë në gji
Flasin dy gra nga Suhareka që janë strehuar në Krujë
Serbë të maskuar erdhën në shtëpi dhe na paralajmëruan se nëse nuk largoheshim për dy orë nga banesat tona do të vriteshim. Një gruaje ia morën fëmijën nga gjiri dhe ia përplasën përtokë, pas pak fëmija vdiq. Nuk na mbetej rrugë tjetër, veçse të iknim.
Gjatë ecjes dëgjonim të shtëna armësh po edhe shihnim me sytë tanë se si pushkatoheshin grupe të rinjsh me 3-40 vetë. Në fshatin tonë janë vrarë e masakruar mbi 150 vetë.
Tregon Luftar Bajraktari, 84-vjeçar nga Suhareka
Pa zbardhur ende mirë dita, në orën 5 të mëngjesit, policët serbë na sulmuan befasisht në banesat tona. I pari që doli nga dera e shtëpisë, Sepe Bajraktari, 54 vjeç u kosit nga plumbat serbe.
Dolëm për ta ndihmuar, por një breshëri plumbash u derdh mbi kokat tona dhe oborri i shtëpisë u la me gjak. Ishte Isuf Bajraktari, djali tjetër në këtë familje, që për të mbrojtur nipin e vet Indritin e mbuloi atë me gjoks duke mbetur vetë i plagosur.
Policia serbe na la 30 minuta kohë për të varrosur Sepe Bajraktarin. Kur dolëm në rrugën e madhe, serbët na grabitën markat dhe sende të tjera. Kemi qëndruar 10 ditë të fshehur në pyll; sytë tanë kanë parë kufoma me sy të shqyer, të masakruar, të gjymtuar dhe me pamje të llahtarshme.
Hysen Gashi, komuna e Gjakovës
Pjestarët e familjes sime i morën trupat militare serbe dhe nuk dimë asgjë për fatin e tyre. Duke u larguar nga vatrat tona, shihnim aty-këtu varre të freskët, por edhe kufoma të njohurish e të afërm që ishin lënë mbi tokë.
Gruaja e Isak Rexhepit
Disa ushtarë serbë na hynë në shtëpi dhe filluan kontrollin e plaçkitjen. Na qëllonin ku të mundnin dhe nuk kursenin as fëmijët e vajzat. Na hipën në një kamion dhe na nisën drejt kufirit me Shqipërinë.
Gani Halilaj, fshati Guri i Kuq, komuna e Rahovecit
Fshatin tonë e kishin djegur dhe shkatërruar plotësisht. Unë me gjithë familjen isha strehuar në Dushanovë për t’i shpëtuar vdekjes. Edhe këtu na gjetën forcat serbe dhe na dëbuan me forcë. Ikëm maramendthi, kam lënë atje nënën e paralizuar dhe babain që nuk sheh nga sytë.
Sadik Morina nga Kushanova
Ardhjen e serbëve në fshat e morëm vesh nga granatimet e parreshtura. Shihnim para syve tanë të kalonin njerëz të lebetitur, por nuk e mendonim se kjo do të ndodhte edhe në vatrat tona. Pa hyrë ende forcat serbe ne morëm arratinë.
Haki dhe Imane Kastrati
Fshati ynë u gjend nën bombardimet e vazhdueshme të forcave ushtarake serbe. Pastaj trupat militare erdhën në fshat dhe na kërcënuan që të largoheshim sa më parë; nuk na linin kohë të merrnim asgjë të domosdoshme për jetesën tonë.
Selim Kryeziu, fshati Dushanovë
Ishim futur në xhami dhe po faleshim për të vrarët e fshatit; luteshim e qanim nën zë se nuk donim t’u bënim qejfin serbëve. Pas pak civilë serbë hynë brenda dhe morën 25 prej nesh dhe i vranë afër objektit të kultit. Dikujt i kishin prerë këmbët, tjetrit i kishin gjymtuar duart apo u kishin lënë plagë të thella në trup.
19. Serbët djegin të gjallë 15 shqiptarë
Flet Kadri Kadriu, fshati Randubravë, komuna e Prizrenit
Serbët erdhën në fshat me autoblinda dhe nuk lejonin të ikte askush. Ishte ora 4.30 e mëngjesit. Ne u strehuam në një bodrum rreth 30 familje. Kur kanë krisur granatimet e po digjeshin shtëpitë, njerëzit u gjendën të rrethuar nga plumbat dhe flakët.
Para shtëpisë së fqinjit ranë breshëri granatash dhe 15 veta që ishin brenda mbetën të vdekur. Dy tanke u futën në oborrin tonë dhe rrëzuan krejt shtëpinë. Ne ishim përsëri në bodrum ku qëndruam dy ditë e dy net pa lëvizur dhe pa vënë gjë në gojë. Më pas në fshat ka mësyrë policia serbe.
Para shtëpisë sonë ata kanë kapur 2 burra dhe i kanë ekzekutuar. U larguam nga fshati kur ishte bërë gërmadhë e rrënoja; gjatë largimit jemi bërë shumë vetë që vinin nga zonat përreth, bëheshim rreth 4 mijë vetë.
Ushtarët serbë na zbuluan dhe na ndalën, na ndanë veç burrat dhe veç gratë e fëmijtë. Kontrollonin imtësisht djem e burra dhe disa prej tyre i vrisnin para syve tanë. Kanë marrë nga rreshtat e burrave një djalë dhe kanë dashur ta vrisnin buzë një përroi. Një djalë tjetër që i shkoi për ndihmë gjeti vdekjen.
20. Mbi 200 gra e vajza të përdhunuara
Dëshmi e Merita Mazrekaj, fshati Drenac, komuna e Deçanit
Na rrethuan në mesnatë forcat ushtarake e paramilitare serbe, kanë hyrë në shpëpi duke thyer dyer e dritare, na kanë nxjerrë me forcë e na kanë tërhequr zvarrë. Fillimisht nuk kemi mundur dot të mblidhnim veten dhe ishim të gjitha si të shastisura. Unë kisha me vete 4 fëmijë të vegjël që ia plasën vajit të trembur.
U bëmë mbi 200 gra e vajza të fshatrave Drenac, Carrable dhe Prilep; na futën të gjithëve në një bodrum së bashku me fëmijët. Nuk na linin të dilnim për të ngrënë e pirë apo për nevoja personale; i kemi mbajtur gjallë fëmijët me qumësht gjiri ose me disa ushqime që i kishm fshehur në trup. Pastaj na thërrisnin pesë e nga pesë. Ende nuk e kuptonim se po na vështronin me vëmendje.
Disa ushtarë filluan të na kontrollonin në të gjitha pjesët e trupit për sende ari, unaza, vathë e të tjera. Disa vajza të reja po edhe gra i zvarritën me zor për në katin e sipërm ku filluan t’i përdhunonin në sy të njeri-tjetrit.
Kjo skenë vazhdoi përgjatë gjithë natës, ngjisnin sipër të tjera femra dhe i përdhunonin me forcë, saqë britmat e vajzave dëgjoheshin deri te ne. Vinin, merrnin gocat e reja, i përdhunonin dhe i silllnin sërish pa frymë. Me sa dukej një togë apo kompani ushtarësh, të përfshirë nga epshi, prisnin lart si ujqër të uritur.
Ata hakmerreshin për gjithçka, sidomos për lindshmërinë e lartë mes shqiptarëve ose tërboheshin nga mospërkulja e meshkujve tanë që dinin të mbijetonin edhe me kushte masakrimi e terrori. Disa nga vajzat e reja nuk erdhën, pasi ata i përdhunonin me forcë, i torturonin dhe i vrisnin. Ose vetë vajzat të shpërfytyruara prej dhunuesve nuk donin më të shihnin dritën e diellit.
Kishte edhe femra që nuk përdhunoheshin, por keqtrajtoheshin para syve tanë apo disa nuse të reja që gjunjëzoheshin me forcë para ushtarakëve dhe civilëve serbë. Ata erdhën edhe tek unë, por u mbrojta nga fëmijët dhe i gënjeva për moshën. Morën një vajzë jo më shumë se 18 vjeç, ajo kundërshtoi si shumë të tjera, por serbët iu sulën me kondak pushke, i grisën rrobat dhe e morën lart.
21. Copëza barbarish
Mihrije Vokshi, komuna e Prishtinës
Na rrethuan ushtarët serbë me armë të rënda dhe na grumbulluan si bagëtitë. Na ndanë prej burrave dhe në sytë e tyre na ofendonin dhe fyenin me fjalë të rënda. Përpara nesh e vranë një 17-vjeçar, sepse nuk pranoi të bënte simbolin serb me tre gishta.
Festim Gashi, 17-vjeçar nga Peja
Serbët kanë torturuar gjithë gratë dhe fëmijët, ata i kanë marrë rreth 500 metra larg nesh dhe i kanë kërcënuar me breshëri armësh. Nga grupi i burrave dhe i djemve u shkëputën 10 vetë dhe u pushkatuan barbarisht në sy të grave dhe fëmijëve.
Mazrek Qazimi, fshati Denac, komuna Deçan
Burra e gra ishim rrethuar nga trupa militare dhe paramilitare serbe. Njëri prej tyre na tha që të thoshnim ‘Rroftë Serbia”, por askush nuk iu përgjigj këtij kërcënimi. Aty vranë 2 pleq dhe një grua.
Qazime Shala, fshati Berishë, Komuna Gjakovë
Ushtarët serbë mbillnin terror në çdo fshat shqiptar. Fillimisht bombardonin, paralajmëronin nëpërmjet çetnikëve dhe pastaj nisnin bastisjet e territorit. Këdo mund të vrisnin, qoftë burrë, grua apo fëmijë.
Këtë e bënin fshehtas dhe më pas ne do të zbulonim kufomat e pavarrosura, por e bënin edhe para syve tanë. Ata ishin të shqetësuar se përse nuk kishim braktisur banesat tona.
Shemsi Zeqiri nga Prishtina
Në Prishtinë gjendja është tepër e rënduar dhe e rrezikshme. Ka pasur shumë të shtëna armësh e granatime dhe nuk kemi mundur të dalim prej apartamenteve. Në pallatin tonë serbët vranë 2 veta, i masakruan para banorëve. Nuk na lanë as t’i varrosnim, por i tërhoqën zvarrë trupat e tyre.
22. Dhjetë mijë të vrarë në Rahovec
13 dëshmi të tjera për krimet serbe
- “Dymbëdhjetë ditë kemi mbetur të fshehur maleve ose në zona të thella dhe të pabanuara. Duke ikur nga Gjakova, rrugës për në Pejë, tek vendi i quajtur Teqeja e Çobanit, forcat serbe kanë masakruar dhe vrarë brenda 2 netësh mbi 2 mijë njerëz. Ata përdornin gjithçka, fyerje, kërcënime, poshtërim të femrave e meshkujve”, thotë Haki Fetahu, banor i Gjakovës.
- “Forcat serbe, ushtarake e paramilitarë na rrethuan në mal ku ishim strehuar përkohësisht dhe ndanë meshkujt nga femrat. 6 nga burrat i vranë, ndërsa 26-vjeçarit Bali Avdaj i prenë kokën dhe e hodhën në përrua. Disa nga burrat i kishin lidhur dhe po i goditnin me shkopinj e me qytat e armëve”, tregon Florije Algeraj nga fshati Lubiçevë i komunës së Prizrenit.
- “Kam parë 30 shqiptarë të vrarë nga ushtarakët serbë, 4 prej të cilëve ishin luftëtarë të UÇK-së. Disa nga spiunët e fshatit të kombësisë sllave dhe egjiptiane u kishin treguar serbëve se cilat familje kishin luftëtarë”, dëshmon Ramiz Bektashi nga fshati Samadraç i komunës së Suharekës. Barbaritë e tyre ishin nga më të ndryshmet.
- “Halit Bullgarin e kanë torturuar para syve tanë dhe kur ka vdekur nuk kanë lejuar që të futet në varr. Jo vetëm Haliti, por mbi 15 të vrarë, ndër ta edhe gra e fëmijë, mbetën të pavarrosur. Ishin të gjithë si të tërbuar dhe nuk përmbaheshin ndaj askujt”, flet Xhevat Bullgari.
- “Mbi 10 mijë të vrarë nga Rahoveci dhe nga rrethinat e tij, forcat serbe i kanë grumbulluar në Nagas dhe i kanë granatuar në orën 1. 30 të natës. Ishte një tmerr i vërtetë të shikoje kufoma të gjymtuara dhe të pavarrosura… Nga bombardimet serbe e zuri çatia e shtëpisë dhe vdiq Ilvi Berisha me 5 fëmijë. Edhe familja e Nexhat Berishës pësoi të njëjtin fat dhe vdiq në rrënojat e shtëpisë së shkallmuar nga predhat e avionëve”, thotë Rexhep Katana nga Rahoveci.
- “Sabri Gashin dhe Kurtish Kastratin i kapën serbët dhe i dogjën të gjallë në sytë e fshatit; njerëzit u lebetitën nga kjo ngjarje, por edhe nuk kishin çfarë të bënin se qenë të pa armatosur”, tregon Azbie Katana.
- “Në prani të banorëve të fshatit Nagovë të Krushës së Madhe, milicia serbe më pushkatoi djalin e dytë Jetonin 18-vjeçar sepse i gjetën një simbol të UÇK-së. Lajmin ma dha një i njohur nga fshati që më doli para duke më lajmëruar për masakrën dhe duke më porositur që të shpëtoja familjen. E kam varrosur djalin vetëm me 3 vetë, miq të tij nga fshati. Nga familja dhe farefisi ynë Duraku prej 90 vetësh na janë vrarë mbi 40 persona në Krushë të Madhe. Edhe meshkujt e fisit të Ukshin Hotit janë masakruar nga agresorët serbë”, rrëfen Abdyl Duraku, 40 vjeçar nga fshati Nagovë.
- “Pas bombardimeve, plaçkitjeve dhe djegieve në gjithë fshatin kam parë njerëz që iknin masivisht ku të mundnin. Një kilometër larg vendbanime tona ndodhet fshati Piran. Një eskavatorist serb po hapte një gropë të madhe, ndërsa pak më vonë sollën dhjetra e qindra kufoma dhe i kanë groposur atje. Policia e fshehtë e drejtonte vetë këtë operacion. Makinat nuk reshtnin duke sjellë trupa të pajetë dhe shumë të plagosur. Me mua ka qenë edhe Ymer Ibrahimi dhe 32 bashkëfshatarë nga Krusha e Madhe, që ishin strehuar te unë për t’u mbrojtur nga bombardimet ajrore”, pohon Ymer Daja nga fshati Krajli i Hasit.
- “Në shtëpinë time, më 26 mars 1999, ora 08.00 e mëngjesit kanë ardhur policë serbë dhe kanë vrarë 71-vjeçarin Malush Tulla dhe bashkëshorten e tij Dudijen; ata vranë edhe Shaban Kabashin nga fshati Opterush i Rahovecit, që ndodhej i strehuar në shtëpinë tonë”, thotë Nuhi Tulla, 51-vjeçar nga fshati Piran.
- “Ndodheshim në bodrumin e shtëpisë kur na diktuan forcat serbe. Na nxorrën menjëherë nga aty, ma morën burrin, 4 xhaxhallarët dhe disa mysafirë. I nxorrën në oborrin e shtëpisë dhe i pushkatuan para syve tanë. Jo vetëm i vranë qetësisht, por edhe i dogjën, megjithëse ende nuk kishin dhënë shpirt”, flet me lot në sy Selvije Rexhepi.
- “Pasi ikëm nga Peja qëndruam një javë në Plavë të Malit të Zi. Situata ishte mjaft e tensionuar. Forcat e armatës jugosllave filluan të provokojnë, përkundër qëndrimit të policisë malazese që u soll në mënyrë korrekte. (Dy palë sllavë, por me sjellje të ndryshme). Peja ishte qyteti i barbarisë së forcave serbe. Fillimisht ata bombarduan qytetin për 4 ditë e net me radhë. Mandej filluan me djegien e shtëpive në lagjet ‘Zatra’ dhe ‘Kapshnicë’, duke e shoqëruar këtë terror me vrasje e masakrim të popullsisë. U vranë brenda pak çasteve 5 vetë. Pushtuesit serbë kërkonin që ne ta linim qytetin me çdo kusht, çdo tentativë për kundërshtim shpërblehej me plumba prej tyre. Një i njohuri im, Bektash Sala nuk deshi të dilte nga shtëpia, por forcat serbe e nxorrën me dhunë dhe e vranë. Në këto dy lagje të Pejës ka pasur mbi 500 banesa, por kanë mbetur pa u djegur vetëm 5 prej tyre. Peja është djegur, shkatërruar dhe është mbuluar me kufoma, por askush nuk mund t’i varrosë. Ne donim të rezistonim, por nuk kishim asgjë për të bërë një gjë të tillë, ishim të gjithë të pa armatosur dhe në shtëpitë tona”, tregon Xhevat Shala, 30-vjeçari nga Peja.
- “Kam ardhur në Shqipëri me 2 djem, ndërsa 4 të tjerë nuk di ku i kam. Njërin nga djemtë, Safetin, të plagosur nga forcat serbe, e kam me vete dhe është gjallë”, thotë Hyrije Demaj, 50-vjeçare nga Peja.
- “Shpërnguljes shqiptare në Gjakovë iu parapri nga forcat serbe duke arrestuar e dhunuar të gjithë krerët e partive dhe shoqatave politike. Ky aksion kryhej më me intensitet gjatë bisedimeve të Rambujesë. Më pas forcat serbe dogjën të gjitha banesat ku ishin vendosur shoqatat humanitare dhe misionet e OSBE-së. Popullsia në Gjakovë nuk kishte armë për t’u mbrojtur. Brenda pak orësh rrugët e qytetit u mbushën me pellgje gjaku e kufoma shqiptarësh; kishte edhe njerëz që po jepnin shpirt dhe nuk mund t’i ndihmonte askush. Tek stacioni i autobuzit pashë një fëmijë 4-vjeçar të varur, që kishte qenë te daja i vet, Hysen Dedja. Përbindëshit serbë kishin vrarë Hysenin e sëmurë dhe i kishin varur nipin”, tregon Halit Duraku, 41 vjeç nga Gjakova.