Fitnete Gruda: Që kërcënimet ndaj mësuesve në fushatë të mos ndodhin më!
Jemi mësuar të shohim gjatë fushatave disa politikanë teksa paraqiten me përkushtimin ndaj qytetarëve – në dukje, sikur po jetojnë me hallet dhe problemet e tyre. Të tilla sjellje, më së shumti vërehen tek pushtetarët, në vitin e 8 -të të qeverisjes, të konsumuar nga premtimet e pambajtura apo sjelljet harbute – duke mos pritur e mos dëgjuar askënd nga populli i thjeshtë. Por, si jargavitjet e disa politikanëve (deputetë, ministra, ish ministra) të Partisë Socialiste në pushtet, në fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 nuk janë parë asnjëherë, thënë ndryshe – jargavitje deri në pështirosje. Dhe të gjitha këto për të vjelur vota të pamerituara, sepse e dinë mirë që kanë keq qeverisur, sa e kanë sfilitur këtë popull. Përpos, ndonjë prej tyre teksa përpiqet të shpalos si tipar të tij/sajin thjeshtësinë, që realisht askund nuk gjen vend tek ata, duke dal keqaz nga vetja. Pështirosja më e madhe kur bëjnë sikur “promovojnë” krahina, persona midis tyre mësues, apo familje për vlerat e tyre deri në ato të ashtuquajtura familje “bajraku”. Po ku dinë këta familje “bajraku”! Sa të tilla pas ardhjes së tyre në pushtet kanë rrënuar duke e pasur mendjen të zhvasin për vete. Sa gra e burra fisnikë kanë shkatërruar për hakmarrje, sepse familjet e tyre i kanë të shkatërruara, vetëm paratë dhe posti ua mban në dukje si të tilla. Prandaj mos gënjehen “të promovuarit” t’ua japin votën këtyre, nëse nuk e ndiejnë. Nëse do t’i vlerësonin për vlerat këto persona, apo familje/fiset do t’i kishin promovuar në këto tetë vite qeverisje. Le të bëjnë fushatë duke u përqëndruar tek “premtim-realizimet” e tyre, ministra e ish ministra në arsim e kudo në këto tetë vitet e fundit. Ne habitemi nga këto sjellje siç u habitëm me kërcënimin që kryeministri Rama u ka bërë mësuesve për të votuar Partinë Socialiste, sipas medias. E pse habitemi vallë? Mos ndoshta është hera e parë që mësuesit kërcënohen? Aspak! Mos ndoshta vetëm mësuesit? Jo, të gjithë! Por, mbase është hera e parë që presioni/kërcënimi është nga vetë kryeministri. Por mësuesit janë vetë deshmitarë që këto tetë vite kanë qenë nën presion të vazhdueshëm, si asnjëherë. Janë vënë në rresht për çdo gjë, thënë ndryshe – janë trajtuar si “dele”. Nuk u bënë dot dy zëra në një shkollë ndaj një problemi. Harrojnë vallë mësuesit si u vunë në rresht pêr të votuar drejtorët e Drejtorive Arsimore dhe më pas drejtuesit e shkollës, madje duke cënuar procesin mësimor(!?) Të pakët ishin ata që i abandonuan këto votime. Harrojnë mësuesit që nuk u shpërblyen për Vitin e Ri këto vite (!?) por veç disa të përzgjedhur fshehurazi; harrojnë që edhe orët suplementare nuk iu paguan me vite(!?), ndoshta disa të selektuarve militantë/servilë – jo militantë, siç është folur; harrojnë mësuesit sa rritje page i janë bërë në këto vite (?) krahasuar me qeverisjen Berisha; harrojnë që në të shumtën e shkollave në Tiranë drejtuesit kanë qenë të komanduar deri dhe 7 vite (!?) ku dhe niveli i disave ishtë për të vënë kujën dhe asnjëherë nuk guxuan të ngrihen kundër tyre e të tjera problematikave – deri në shitje droge, shkurt – rrumpallës në arsim.Nëse do të kishin ngritur zërin mësuesit nuk do të kishte mundur MASR të mbante drejtimin e shkollës me komandime shumëvjecare militantësh. Harrojnë mësuesit që në shkolla u vu komunikimi i detyrueshëm si kolektiv në WhatsAp dhe ata që ngrinin zërin ndaj problematikave i përjashtonin për të mos ditur fare që edhe ky komunikimi është vendosur (!?). Madje askush nuk guxonte të tregonte. Harrojnë mësuesit që ua kërkonin me detyrim kartat e identitetit të tyre dhe familjarëve gjatë votimeve në nivel lokal dhe qëndror, këto vite!? Nuk mendoj që harrojnë! Të paktën në vetvete i dinë mirë të vërtetat. Të gjitha këto dhe të tjera tregojnë se mësuesit këto vite janë bindur për çdo gjë, sepse ka qenë nën presionin e një rregjimi të egër të instaluar “lartë – poshtë”. Përpos,e dinë mirë se çfarë kanë hequr ata pak mësues “të pabindur” mes tyre, sa janë diskriminuar – ku “rebelëve” iu është treguar rruga. Ndaj të mos habitemi që sot guxoi kryeministri që mësuesit t’i kërcënojnë hapur për t’i votuar, sepse gjatë tetë viteve në pushtet të PS – së, kanë guxuar ministra, drejtorë arsimi, disa nga drejtorat e shkollave çdo ditë. Kësisoj, nuk është çudi t’i venë në rresht mësuesit edhe tani për votime. Të gjithë kemi një simpati partiake e cila na çon të ndihmojmë në një formë a tjetër për të, ose e pakta e shprehim në votën. Por, në kohën kur pretendojmë të futemi në BE të pranojmë këtë censurë në punë e kudo, të detyrohen mësuesit të mbledhin karta apo të votojnë për ta se u duhen edhe katër vite të tjera të pasurohen, është marrëzia më e madhe. Ndaj është koha që duhet hequr dorë nga të detyruarit e punonjësve të shtetit për të mbledhur karta. Kjo mënyrë do t’i detyrojë njërëzit të marrin kartat e identitetit të familjarëve, të shoqërisë apo miqësisë pa dëshirën e tyre. Nëse vazhdohet me këto teknika,nuk është çudi që numrin e kartës së identitetit edhe vetë politikanët një ditë ta gjejnë tek listat e partive kundështare si votues të tyre. Është koha që mësuesit të mos harrojnë se sa janë poshtërruar e tallur nga ky pushtet – vetëm nëse nuk duan ta kuptojnë. Edhe ata që janë “trajtuar mirë” të kujtojnë se ku është katandisur arsimi këto vite. Mësuesit duhet të jenë solidarë ndaj së keqes, jo solidarë me drejtues me sjelljet banditeske, që më pas të mos durojnë kërcënimet e tyre në mënyrë të vazhdueshme; që në të ardhmen një mendim ta shprehin lirshëm pa frikë, që të reagojnë ndaj një fenomeni negativ pa frikën e ikjes nga puna, siç është vepruar këto tetë vite. Edhe Partia Demokratike si forca më e madhe opozitare duhet të jetë e vëmendshme që të mos lejojë që edhe në këto votime mësuesit të vihen në rjesht. Ndaj PD – së i duhet të shpalos programin e vet duke krahasuar me mosarritjet e kësaj qeverie në arsim e kudo dhe të tilla janë shumë. Dëshmitarë të rrumpallës në arsim nuk janë vetëm mësuesit, por edhe prindërit e komunitetet mjafton të gjendet mënyra për t’i pohuar, që do të thotë – për t’i bindur për të votuar ndryshimin.