Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Zonja ambasadore e Amerikës

 

 

Zonja ambasadore, Enver Hoxha nuk kontrollonte gjithçka, por sundonte në gjithçka, deri edhe në organet gjenitale të qytetarëve. Pas arshivës së kohës, i ke aty, fakte të gjalla, ku gruaja ka ”denoncuar” publikisht burrin, babain e fëmijëve. Dhe anasjelltas, burri, gruan, nënën e fëmijëve. I ke fakte të gjalla ku studenti i dashuruar ka hequr dorë nga dashuria e madhe, nga ajo e kohës së ëndrrave së internacionales a proletariatit, për hir të Partisë Komuniste, të Punës, Socialiste etj., dhe Enver Hoxhës. Sot ke me dhjetra familje të ndara forcërisht, i ke në Ukrainë, Moskë, Sofje, Bukuresht etj. Enver Hoxha sundoi deri në mendjet e njerëzve, shpirtrat e tyre, aq sa shqiptarët kishin frikë ta çonin nëpër mend diçka, jo më ta mendonin. Megjithëse më duket naive që një diplomate amerikane të mos jetë e informuar për krimet e diktaturës shqiptare. Ndofta ta do puna, pasi ke akoma surretër të asaj diktature që luajnë me fatin e shqiptarëve. Diktaturat janë faqja e zezë e një vendi. Për më tepër që ju vini nga Koreja e Jugut, duhet ta dini mirë efektin e internacionalizmit. Mjafton t’iu kujtoj të ashtuquajturin paralelin 38, vijën kufitare që mban sot popullin korean të ndarë në dy shtete. Ju vetë jeni me fat se lindët në pjesën jugore, atë të protektoriatit amerikan. Sot pjesa veriore dominohet nga dhuna, përndjekja, burgosja, kampet e punës. Madje Koreja e Veriut është akoma frymë e internacionalizmit proletar, rasti unikal që ka ngritur kampe pune në një shtet tjetër, në stepat e krahinës së Siberisë së Rusisë së Putinit. Ka një varfëri ekstreme ku ditët e fundit po përballet edhe me sfidat e natyrës si përmbytjet etj. Duke të kujtuar edhe luftën koreane 1950-53, ku fal Amerikës Koreja e Jugut nuk u pushtua dot nga dinastia e Jongëve dhe komunistët kinezë. Eshtë kjo arsyeja që sot shqiptarët e shohin Amerikën si vet Zotin, se më 1913-ën, pa kontributin e saj, desh mbetën pa atdhe si hebrejtë në gadishullin palestinez.

Në vendin tim të udhëhequr nga Enveri, një prift katolik është dënuar përjetë për faktin se në mesjetë Kleri Katolik dogji në turrën e druve dy astronomë, Galileo Galilej dhe Xhordano Brunon. Edhe sot nuk ma rrok mendja, ose nuk ka mendje normale që ta mendoj, por ka ndodhur. Pas viteve 1990, fal një brezi të mrekullueshëm që e deshi Shqipërinë si Europa, kuptohet dhe lëvizjes së minatorëve të Karpateve në Rumani, hapjes së portës së Brandeburgut a rënies së murit të Berlinit, nisi demokracia. Normalisht sytë e shqiptarëve ishin tek Amerika. Janë akoma… Aq sa sot shumë prej tyre habiten kur Amerika (më saktë administratorë nga bota e lirë) shtrëngojnë dorën me ish-komunista që akoma drejtonë. Nga diktati i Enver Hoxhës kemi humbur thuajse një qytet me shqiptarë. Mirëpo dosjet e komunizmit akoma nuk janë hapur. Një qytet me shqiptarë, por askush, asnjë, sikur një i vetëm të jetë dënuar për krime kundër lirisë dhe të drejtave të njeriut. Madje sot një aradhë e tërë pinjollësh të diktaturës qeverisin, dhe Amerika u thotë shqiptarëve go on. Diktaturat janë një makineri ku pavarsisht përpjekjes kafkiane a absurdit xhoisjan duhet t’i jetosh që t’i kuptosh. Eshtë kjo arsyeja që sot demokracia shqiptare dominohet nga autoriteti i njëshave në të dy krahët. Komunistët i ke sot me shumicë dërrmuese socialistë, i ke brenda demokratëve dominues, shtresa e të përndjekurvë o kanë ndërruar jetë, kanë marrë detin, tek-tuk janë totalisht të dashuruar me ata që i kanë shtrydhur, ndërkohë që brezi i ri o ikën, o ëndërron të përputhet. Dhe ta dish, tesera e Partisë është po aq e fortë sa edhe në komunizëm. Tani, për të mësuar më shumë për Enverin, merr pjesë në një kongres, konventë, a zgjedhje post zgjedhore të njëshave. Dil një xhiro nga burgu i Spaçit, Kampi i Tepelenës, Savra, Gjaza etj. Dil sa shqiptarët nuk i kanë shfarosur të gjitha, nuk u duhen për memorie. Çfarë të të tregojnë, të zezat e baballarëve? Mirë bëni që shpallni non grata të korruptuarit e demokracisë. Po ata, kriminelët e komunizmit kur do i shpallni. Shqiptarët vetë nuk kanë ndërmend, po të kishin, kishin hapur dosjet. Të paktën bëjeni ju, zonja ambasadore. Se do e lehtësoni shpirtrat e humbur, sidomos ata që nuk kanë as varr.

Please follow and like us: