Odise Kote: LUGATI
Tregim
Qetësisht i hodhi një sy orës së florinjtë dhe shtrëngoi kollaren. Duheshin ende dhe pesëmbëdhjetë minuta. Mbi majën e antenës digitale, vendosur lart mbi kodrën përballë, një re e stërgjatur gati-gati puplore, kishte marrë formën e pikpyetjes. Afroi monoklën pranë syzeve (dhe ato me skelet floriri) dhe kërkoi në qiell mos ndoshta rrinte fshehur tinës pas resë puplore ndonjë vjegë bestytnie që e kundërshtonte planin e tij. Nuk pikasi asnjë grimcë a fije dhe kjo i dha lëkurës së bardhë të fytyrës një tendosje triumfi.
Hypi ngadalë në Range Rover-in e zi dhe pasi shtypi butonin e derës metalike rrethuese, i dha lehtësisht gaz mjetit.
Doli në rrugë.
Muzikë nuk deshi atë çast.
Ecte ngadalë dhe shihte fushat djerrë. Një mërzi e pashoqe iu ngjit në lukth të gushës që tundej si lafshë gjeli. E vështroi edhe njëherë orën e floririt: ishte 12.00.
Tënja e brejtjes nisi ta fryjë ngadalë damarin anësor, të majtin, poshtë tëmthave e deri në mjekër. Damari, ca sekonda më pas ngrihej e ulej shpejt, si një dreq. Ndaloi në anë të rrugës. Zbriti dhe me një shami që e nxorri nga diku, hapi kofanon e mjetit. E ngriti lart dhe e ngeci mbi shtizë. Reja puplore përmbi, ajo në formën e pikpyetjes, tani nuk dukej më. U mbulua. Futi kokën kinse nën kofano, sikur dëshironte të zbuste disi instiktin e ngasjes. Pastaj shau ngatërrueshëm nëpër dhëmbë. S’kishte as mllef, as ishte ndonjë formë urrejtjeje, por diçka tjetër, që kishte të bënte më shumë me etikën ose delikatesën e thelbit satanik të asaj që kishte planifikuar e s’po funksiononte. Sipas skenarit, rrëmbyesit nuk po tregoheshin korrekt me orarin dhe kjo hollësi nuk mund të tolerohej.
Nuk mund t’i fal!
Po e mbyste ndërgjegjia a rituali vrasës, kur prej larg, në autostradë, një grup lara-lara motoçiklistësh, me kokore e pipëza në buzë po garonin si të çmendur. Njëri syresh ndaloi dhe i foli anglisht:
- Can I you help?
Ai tundi dorën: – No, no. Thanks.
Kur ata u larguan, ai vijonte t’i përçikte njësoj, të dyja sinoret që dihasnin pa prehje si një thurrimë shelgu, edhe mirënjohjen për të panjohurit që ikën, edhe mllefin e pleksur për ata që po vononin të vinin, duke dalë fjale.
Përse po vonojnë brekëgrisurit? Unë dhe i parapagova! T’i kenë harxhuar të gjitha lekët sa të mos u kenë mbetur as ca qindarka për t’i hedhur naftë veturës shkatarraqe”?
Ora e krimit sipas skenarit, ora e rrëmbimit ishte zhvendosur. Po kur ishte saktësisht? Zhgënjimi po i merrte frymën. Nuk mund ta besonte dështimin e një projekti që kushtonte miliona. Ai duhej të rrëmbehej patjetër. Nëpër redaksitë e kryeqytetit lajmet ishin bërë gati. Ora ishte parathënë. Titujt e lajmeve gjithashtu. “Rrëmbehet biznesmeni, babai i kandidates për deputete…”. “Krimi godet shpresën e vetme për zhvillim të shpejtë. Rrëmbehet babai i kandidates për deputete”. Gjithçka që kishte planifikuar me imtësi, deri në detaje, po prishej si një lodër e thjeshtë kalamajsh. Dhe nga kush se…?!
Prej disa kohësh besonte se ky ishte një qytet i pajetueshëm, mizerje, i ndyrë, i pashpirt, fryrë nga kapardisja pa kahje.
Jepu sa të duash, të njëjtën gjë do të bëjnë. Marifetin! Ç’pret prej të urriturve që bredhin pa më të voglën ide në kokën e qethur ashtu, veç në njërin krah, ku vendosin dhe një vath të shëmtuar? Ata bredhin nëpër rrugët e brejtura nga mola, me pamje irrituese, mbushur përplot me aroma të athëta vjetërsie.
Si nuk gjeta dy-tre profesionistë xhanëm, pyeti veten
E hoqi përnjeherësh këtë ngulmim, si të digjej vrikthi prej mashës gjurmëlënëse të zjarrit. Koha fluturonte duke rrudhur skajet e trubulluar errët kufijtë e padukshëm të zgjidhjes. Nëse nuk do të rrëmbehej, skandali do të dekonspironte gjithë aferën. Pas skandalit, e bija, kandidatja për deputete nuk do të mund të zgjidhej dot as anëtare e Bordit, në atë Kompani Ndërkombëtare. Sytë e tij, ata sy dinakë që shkrepëtijnë në çdo rast, u dukën si të kredhur në terr, të gatshme për lëngatë të egërt e hidhnake. Sikur ishin prerë feta-feta. Si shenja të pakuptueshme kishin mbetur në grykë. Si dëshmi e ëndrrës fatkeqe, të neveritur, tërhequr në fjalëthyerje, si egërsi e konservuar, me ngulm të një diçkaje të pashpjeguar mirë.
Si t’ia shpjegonte së bijës? A do ta kuptonte ajo?
Ai deshi të ngrinte kokën dhe të shihte nëse reja puplore në formë pikëpyetje ishte ende atje lart në qiell, por nuk mundi. E përplasi fort kokën pas metalit të kofanos. U lëndua tepër, por dhimbja në vend ta mjeronte sikur e qetësoi disi. Kur akrepat e orës së florinjtë shkuan trembëdhjetë, duke lëshuar atë tingullin e butë lajmërues, durimi i tij ishte shndërruar në një bombë shpërthyese. Dielli përvëlonte pingulthi mbi skenën që e kishte përzhitur miliarda herë. Rolet tani ishin ndërruar dhe gazvaji po pllakoste dhenë. Rruga dukej si gjarpër i stërmadh që shtrihej pafund e lëvizte ngathët. Picërimi dhe duhma e kishin squllur kapardisjen e fillimit. S’diskutohej më ngasja fillestare. Ai rrotullohej. Rrotullohej dhe loja marramendthi në dehje. Rrotullohej e vej e vinte. Askund nuk gjendej një përgjigje. Ajri ishte gati për ndezje. Përllogariti me shpejtësi dëmin, kontot bankare që do të humbiste nga moskryerja e rrëmbimit duke gëlltitur me forcë përbrenda ulurimën, ndërsa tiku nervor iu zhvendos nga krahu i majtë në mesin e ballit të pjerrët. Damari rrihte dang-dang. E kishte humbur shpresën dhe po përpinte kuturu spontanitet pamjesh të shthurura në autostradë kur dy benza të vjetër, pluhurosur me pamje dramatike, si pandehma të vonuara, xhiruan gomat para tij. Ej Papo, e liga mbaroi dhe ne erdhëm – shqiptuan fjalët e kripura katër djem kokëqethur në njërin krah, duke i risjellë tundueshëm biznesmenit ankthet e rafinuara.
Sa e keni orën djema? – e ngriti epshërisht nivelin e luhatshëm të humorit plaku, duke shpresuar t’i thoshte lamtumirë ndonjë sfilitjeje të re që mund ta sillte papritur moskuptimi i ndonjë të çare pa besë.
Sytë e tij, ah ata sy që gjithnjë shkrepëtijnë, kuptuan me siguri të pacipë dobinë e domosdoshme të një shtese tjetër parash. Hapi çantën dhe me ton të murmë mërmëriti: E meritoni edhe nga pliko djema!
Djemtë, sipas hierarkisë së rrugës apo kujtesës mjaft të çoroditur, u afruan, morën plikot që meritonin dhe i pëshpëritën: Papo na vonoi Mekani në hotel. Dolorezës iu prishën flokët dhe dëshiroi të shkonte në floktore…! Ato fjalë i ngjanë si fjalë mesnate, të nxira bunacë, ndonëse dielli e kishte derdhur pa kursim dritën në skenën e tokës. Reja puplore ishte ende aty e palëvizur dhe bashkë me fjalët e djemve të pistë, ato gërvishtën dhe ia çorrën petkun fytyrës së Papos. Dhe mos o zot! Ju e dini se lugati ka gjithnjë fytyrën e ëngjëllit…!