Shefqet Meko: “Studenti i Panjohur” quhet Çlirim Begolli…
-Me rastin e 75 vjetorit të ditlindjes të këtij intelektuali të provincës korçare, që nuk rresht së shkruari, duke i mbyllur shënimet në “kasafortën” engimatike dhe çdo ditë shkruan për hyjnoren njerëzore që aq rrallë e ka hasur në Tokë. Librat e tij “Kush është profesor Pilika…”, “Poema e dhimbjes së paduruar”, rrethi luftës së Bosnjës, “Himn qiellor”-kushtuar Nënë Tereza, “O drejtor, lule murrizi”, me skica, shënime, portrete dhe humor, ende kanë si autor “Studentin e Panjohur”. Kurrë nuk deshi lavdi dhe emër, por nuk kurseu mund e fjalë drite për mirësinë njerëzore. “Studenti i Panjohur”, ky anonimitet në nderim të të gjithë anonimëve të pafund, mbetet si një ‘piramidë’ ku brenda nuk ka faraonë apo mbretër, por shpirt dhe pavdekësi njerëzore, ndaj Çlirim Begolli i palodhur ende jeton në Leminot dhe me fletorka nën jastëk sikur “i vesh në flori” ata që ikën pa botuar kurrë…
Prej disa vitesh, një heshtje ndaj një intelektuali të provincës. Është një ndër autorët e hershëm, që kur shumica sulej kufijve dhe ikjes, Çlirim Begolli zhytej në librarinë e vet, gërmonte në shënime, vargje, meditime, “ekuacione letrare”, në idhujt e pedagogjisë dhe shkencës së numurave, për të filluar ligjërimin e vet poetik dhe publicistik Në trurin e tij ishin “arshivuar” sa e sa thënie të mençura, deduksione logjike, aforizma, mençuri njerëzore. Ndaj në librin e parë autori do fillonte me një thënie lapidar, por anonime, si vetë “Studenti i Panjohur”: “Artin e vërtetë e lind privinca, metropoli ia siguron njohjen dhe tregun…”. Kjo mençuri njerëzore provohet nga realiteti i kombit të gllabëruar të Ballakanit, i atij kombi që vetëm shkrimtarët dhe mendimtarët e madhenj kanë mundur ta shpëtojnë… Kjo është arsyeja që njerëzit e letrave bëhen “strumbullarë” të kombeve dhe gjuhëve të tyre si “gurë kilometrikë” të qëndrësës, zhvillimit dhe përparimit… Kryetarët e partive vdesin, harrohen, zverdhen dhe bëhen hiç, por kjo kurrë nuk ndodh me të mençurit e vërtetë të kombit…
Penat shqiptare, gati të gjitha sikur janë ngjyer në “baltën e Devollit” dhe kanë ardhur në Tiranë që të njihen… Tek kryeqyteti shqiptar, shumica e artistëve të mëdhenj kanë lindur larg saj, diku në provincë, ku monononia është dhimbje e bëhet frymëzim dhe shpërthim… Midis tyre është dhe “Studenti i Panjohur” që shijoi në Tiranë vetëm 4 vite si student në Fakultetin e Shkencave. I mbushur plot mençuri nga kryeqyteti i asaj kohe, me mbresa të thella e plot ëndrra Çlirim Begolli iu kthye vendlindjes si mësues i matematikës për të mos u larguar kurrë. Atje në Leminot ku u lind, ai gatuan në “magjen” e vet mendimin, krijimtarinë dhe vetë ëndrrën për t’u bërë i madh, i dëgjuar, shkrimtar me emër. Është po ai “purgator” ku kalon mendimi i çdo të riu që guxon të ëndërrojë ndryshe, ndërsa shikon “drejt majave”. Ai, nën peshën e viteve, me siguri pret atë moment që librat e tij të zgjojnë interes dhe t’i sjellin prap rininë për të mos e lënë të ikë më kurrë. Në fakt ai ia ka arritur qëllimit, sepse librat janë zhubravitur në duart e “vëllezërve dhe motrave”, siç shpesh i klith figurshëm nga shpirti krijues, duke u ndjerë se flet me një familje, ku dashuria si hyjni, qëndron tek secili, dhe secili me këtë shpirt paqeje dëgjon rrëfimet e “Studentit të Panjohur”, që autori i shtron para lexuesve si një “pjatë me mollë”… Ato libra të hollë, por me shumë shpirt dhe mision të madh, tashmë sikur janë shpërndarë si traktet e dikurshme, në çdo rrugicë të Korçës së tij të dashur, i ka marrë era “xhindërr” tej e tej fushës së Maliqit, deri tutje në Devoll, sikur janë ngjitur lart në Moravë, duke fluturuar drejt Gramozit dhe Malit të Thatë, duke rënë fletë-fletë e duke “notuar” në valët e liqenit të Poradecit dhe Kutelit…
Nuk gaboj nëse them që “provinca të varros” së gjalli, pastaj, kur lotët janë tharë, kujet janë fashitur, njerëzit kujtohen se kanë pasur një njeri të mençur, që kurrë nuk e vlerësuan. Është dhe mbetet një ligjësi universale që midis të tuve je përherë një hiç, ndërsa të tjerët ta dallojnë dritën shumë larg. Ndaj Amerika mbetet “djep” i të mëdhenjve e punëpalodhurve që vijnë prej gjithandej… Edhe këtu vendalinjtë u frikën “komshinjve” ndaj ka autorë që kurrë nuk shkruan me emrin e tyre, sepse i frikeshin pikërisht këtij “anatemimi” të shpirtit provincial ku secili thotë “Nuk ka më të zotë se unë…”. Mark Tuin (Samuel Clemens ishte emri vërtetë) është një nga shembujt e shumtë. Jo shpesh njerëzit fillojnë dhe shkruajnë me ndrojtje, me një lloj mëdyshje nëse do pëlqehen ose jo, nëse do shkëlqejnë ose jo, dhe nën pushtetin e kësaj droje, duan ta ruajnë të fshehtë emrin e tyre, si për ta shpëtuar nga çdo mëkat apo mossukses dhe kur ndodh e kundërta ata ripagëzohen siç ka ndodhur me Millosh Gjergj Nikollën (Migjeni), Dhimitër Paskon (Mitrush Kuteli) e mjaft të tjerë. Kjo zakonisht ndodh në hapat e para dhe varet “si të merr fati…”, por çdo krijues ka pasur një pseudonim si “fishek rezervë” që e kujton edhe si nostalgji, por djali pasionant nga Leminoti i Korçës, ruan në disa botime anonimitetin e tij misterioz: “Studenti i Panjohur”…
“Studenti i Panjohur”, alias Çlirim Izet Begolli ende jeton në fshat, ende shkruan nën hijen e mollëve dhe manave e pranë blegërimave dhe cicërimave të gjësë së gjallë. Librushkat e tij i vërtit e shfletoj nëpër duar në këtë shtet në veri të Amerikës dhe sikur shkundet para syve të mi një degë mani, me fruta të pjekur dhe të lëngëzuar. Është bota e sinqertë e provincës, është shpirti rrëfyes i Çlirim Begollit, këtij matematicieni dhe mësuesi të talentuar, që kurrë nuk dështoi që edhe në moshën përtej gjysëmshekullit, shfaqet në publik edhe si shkrimtar, poet dhe rrëfimtar me atë mbithirrjen shpërthyese nga shpirti kur thotë “Ah more vëllezër dhe motra…”. Ai është matematikan, mësues, prind i dy djemve, bashkëshort shembullor, gjysh me plot ledhatime dhe përherë në vorbullën e të shkruarave të veta që i “ripërtyp” në heshtjen e kohës që tashmë e ka me bollëk…
E njoh autorin qysh në moshë të hershme. Është kushëriri im i vetëm nga i cili, kur isha njomëzak, kam huazuar sa e sa libra, që mbeteshin në duar te mia si lapidare dije dhe mendimi. Në çdo libër që do të ma besonte ta lexoja, unë do gjeja nënvizime të radhëve më të spikatura, të përshkrimeve më të bukura dhe filozofimeve pikante të autorëve. Më dukej sikur më jepte leksionet e pedagogut të tij të preferuar Petraq Pilika, (të cilit i kushton tërë shpirt edhe libërthin e parë) por në fakt ishin libra të Gëtes, Balzakut, Hygoit, Tolstoit e shumë autorëve të tjerë… Ishte i pari në fisin tonë që do shkonte në universitet dhe ne fëmijët e asaj kohe e shikonim si një diell që ndriste mendjet tona. Dhe ashtu mbeti, një “kometë” që ende shkëlqen dhe nuk bie kurrë përtokë. Ai iku në kryeqytet, studjoi me sukses dhe erdhi sërish në fshat për të mbetur aty si shebulli më i madh i intelektualit që i shpëton triumfalisht vetasgjësimit në provincë, sepse shikimin dhe shpirtin krijues e ka të lidhur me hyjnoren dhe përsosmërinë që nuk ka as vendlindje, as vendbanim, por mbetet e tejme e qiellore dhe duke folur për të ai të mban pezull në vargje dhe rrëfime. Po, Çlirim Begolli, ky mësues matematike, mbeti në fshat edhe kur erdhi liria për të ikur kudo, sepse shpirit i tij krijues i kishte varur “çengelat” në qiellin e pakufijshëm ku siç thotë ai “…teoria e bashkësive na shfaqet e na del përpara me shumë e shumë të vërteta, të vërteta absolute, të patundura që dalin jashtë intuitës, përfytyrimeve e mundësive tona…saqë 1+1 bëjnë 1…”.
Autori t’i hedh vargjet e tij tërë pasion, thjesht, me gjuhë të qartë, popullorçe dhe jo rallë edhe si “ekuacionet e Ajnshtajnit” dhe ti befasohesh. Begolli nuk kursen kultin për pedagogët e dijes, njerëzit e mençur, që i kanë mbetur në kujtesën e rinisë së hershme si yje drite ndaj si askush me parë ai portertizon në vargje pedagogun e vet Petraq Pilika, si një fenomen të rallë të dijes dhe fuqisë së dritës së mençurisë. Askush nuk ka mundur që të na befasojë me matamatikë dhe vargje, por “Studenti i Panjohur” ia ka dalë me sukses në librin e tij. “Kush është profesor Pilika…” ku na kujton të gjithëve ekuacionet e para pas memorizimit të tabelës së mbledhje-zbritjeve apo asaj të shumëzimit. Ai vargëzon tërë mall profesor Pilikën që matamaticienëve të rinj do t’u shpjegonte: “…ju djema deri sot keni mësuar aritmatikën e gishtave të dorës/ atë aritmetikën e zakontë, sa të cekët, sa ta zbehtë/sa ta ngushtë/ sa ta ngurtë: 1+1 bëjnë 2…/Sot do mësojmë aritmetikën e re/aritmetikën e pafundësive 1+1 bëjnë 1…”.
Si rrallëkush, Begolli ngre në piedistal njeriun e dijes, siç mbetet për të pedagogu i talentuar Petraq Pilika. Edhe në librin tjetër “O drejtor, lule murrizi”, që është një mozaik krijues i autorit, që në faqet e para skalit figurën e mësuesit të tij të dashur të shkollës së mesme Aurel Spaho (Mësuesi im Aurel) që “ideologjia e dogji”….Po aq respekt edhe për Doc. Aleko Minga (pedagogu im artist e shkencëtar), këtë njëri disadimensional, që autori e adhuron përtej fjalës, madje përjeton me dhimbje edhe fatkqesinë e tij biologjike trashëgore.Ky vëllim ngre shumë probleme të mprehta të shoqërisë provinciale si servilizmi, qyli, injoranca “me syze të errëta”, sajesat, intriga, thashethemnaja, e plot tema të mprehta të shoqërisë rurale. Mësuesit të mençur i ther në shpirt “pozimi me syze të errëta”, duke fshikulluar ata mësues që nuk u mësojnë kurrgjë vocrrakëve të fshatit, që janë të etur të nxënë dhe dinë, si dikur dhe vete “Studenti i Panjohur”, ndaj autori është gati sikur t’i japë pensionin “nga xhepi i vet”, që të shpëtojë fëmijët nga injoranca… Ky është vëllimi më i plotë i autorit me një tematikë të gjërë e plot skica dhe ese të goditura si “Doktorat e (pa)zotësive”, Kuvendi i “perëndive”, “E arta” politikë’”, “Parti e mbarësi”, që janë me një humor therës e qesëndisës, sepse “Studenti i Panjohur” nuk pajtohet aspak me plogështimin dhe idiotizimin e shoqërisë, që për fatin e hidhur përjeton dhimbshëm provinca shqiptare dhe jo vetëm ajo.
Edhe pse në moshë që meriton respekt të viteve, ai shkruan me një zjarr adoleshenti, duke evidentuar në detaje tiparet fisnike të pedagogut, të brezave kontribues, duke kontrastuar aq shumë me respektin e munguar të disa të rinjve të sotëm, që shohin “njerëzit me thinja” thjesht si një “gjah që ripet”… Çlirim Begolli është ndryshe dhe penën e vet e “ngjyen” në shpirt, ndjenja, fantazi mirënjohëse e mençuri, jo në interesa shrytëzuese, meskine apo “lëpirje çasti”, që mjerisht jo pak të rinj të sotëm të atdheut tonë “postkomunist” i kanë bërë tipar të neveritshëm. Duke lexuar librushkat e Çlirim Begollit të duket se është koha për të riedukuar brezat e rinj me virtytet shqiptare të mirënjohjes, punës së ndershme, respektit dhe çiltërsisë si vlerat fondamentale, jo thjesht shqiptare, por mbarënjerëzore. Siç shkruan mësues Begolli, duke përshkruar “Studentin e panjohur” (autobiografi)… me besim të patundur/i jam përveshur punës/kam studjuar, kurrë lexuar/ thuaj përherë kam studjuar/asnjehërë thjesht lexuar…”. Jo rrallë mësuesin e matematikës e kanë lodhur punët e shumta të fshatit dhe bujqësisë, që në jetën e tij ai i ka përballuar vetë, me synim për të shkolluar sa më mirë dy djemtë e vet. Ndaj edhe në poezinë “Ku të gjej kohë të vdes!?” mësuesi disi i rraskapitur nga punët e lodhshme bujqësore, mezi pret vdekjen si një amëshim kur thotë “S’kam kohë vdekjes t’i thërras/ Vetëm ajo punët m’i mbaron…”.
Një nga tiperet krijuese të “Studentit të panjohur”,(Çlirim Begolli), veçmas tek libërthi “Poema e dhimbjes së paduruar” (kushtuar luftës së Bosnjës), është ndjeshmëria drithëruese dhe sinqeriteti provincial. Duke klithur nga shpirti për përgjakjen që po i bëhej popullit boshnjak, në zemër të Ballkanit e përballë Europës, autori sikur parasheh vijimin e kësaj gjakderdhje tragjike edhe me Kosovën, kur qysh më 2003 shkruan: “Kanibalët sërbë kanë bërë pastërma e kërmë/një popull të tërë… pastaj kanë në plan/kushedi sa popuj të tjerë/A nuk vallë një populli i tërë në Kosovë/Prej kohësh fle me qefin nën kokë?!…”. Me sinqeritet provincial, që është në të vërtetë një çiltërsi njerëzore, autori gati thërret e bërtet alarmshëm të ndalet kjo masakër njerëzore, ai kërkon të dëgjohet vargu i tij, që përgjakja të pezullohet urgjentisht sipas tij, ndaj ju drejtohet edhe autoriteteve, shteteve dhe të mëdhenjve të veprojnë… Aq shumë beson autori se “të mëdhenjtë” mund ta ndalin tragjedinë, saqë siç rrëfen vetë, ai me vargjet e veta në xhep, nxiton t’ia parashtrojë këtë shqetësim Presidentit të vendit të vet dhe niset për në Tiranë. “Studenti i Panjohur” shkon tek presidenca me ethet emocionale të dhimbjes, duke besuar se edhe “të mëdhenjtë”, edhe vetë Presidenti i vendit të tij, do ta ndjejë thershëm atë që ndodh në Ballkan, siç e përshkruan poeti vetë dhe do bëjë diçka sapo të lexojë “Poemën e Studentit të panjohur”. Shkon si me ethe tek dera e presidencës shqiptare, por ai pá vetëm helmetat dhe vringëllimën e bajonetave të ushtarëve të gardës prapa kangjellave të hekurta… I zhgënjyer që nuk e dëgjoi e nuk e priti askush, kthehet sërish në shtëpi me një dhimbje edhe më të madhe, sepse… “Ajo bombë që unë e gjykoja aq të fuqishme për ta zbrazur kundër sërbëve, më kish plasur në dorë… U ktheva me zemër sa të thyer e me shpirt të coptuar…”, shkruan autori. Vërtet ndjeshmëri dhe sinqeritet provincial që unë e shoh si virtyt, madje nëse Çlirim Begolli ndërsa lutej për “një takim kortezie me Presidentin që besonte”, do të mësonte se në ato zyra hynin “pa trokitur” drejtuesit e firmës “Shqiponja”; ai mbase do kishte bërë “vetvrasje” demonstrative para presidencës shqiptare, si revoltë ndaj “lojës së fëlliqur” të pushtetit, por shyqyr kjo nuk u mësua atokohë prej tij, ndaj edhe sot kemi fatin t’i urojmë 75 vjetorin “Studentit të Panjohur”, alias Çlirim Izet Begolli. Falë këtij “mosinformimi” ai jeton ende duke botuar poemthin “Himn Qiellor”, kushtuar Nënë Terezës, këtij shembulli të madh njerëzor të ndjeshmërisë dhe fisnikërisë ndaj të dobtëve dhe të pafatëve të kësaj bote. Siç e perifrazon Mirdash Pupa në parathënien e tij, autorin e ka nxitur dhe frymëzuar “Tejnjerëzorja tek ajo grua e virtytshme”. Siç shënova më sipër, “Studenti i Panjohur” që shkruan “…në emër të të panjohurve, të të paemërve të kësaj bote, të atyre që bashkë me veprat kanë vdekur së bashku me krijimtarinë e tyre, por dheu s’i ka tretur…”. kur flet për ato që shkruan sytë i mban në qiell, si për të të thënë se “atje nuk ka kufij, por vetëm qiell dhe dritë…”. Ai e beson këtë dhe prova më e saktë janë vargjet për shqiptaren që me modestinë e shpirtin e saj hyjnor u bë “pashaporta” jonë mbi këtë Tokë, Nënë Tereza, “Gonxhe parajsore e qiellore/Nënë e përbotshme e njerëzimit…Ke rënë prej qiejve?/ Apo u shfaqe përkohësisht mes neve/pastaj të fluturoje përjetësisht, të mbeteshe e ndritur…përtej diejve…”. Autori kurrë nuk e ka parë nga afër këtë nobeliste të paqes njerëzore, por me shpirt shkruan për të “si nënë shpirtërore” që mban peshë mirësinë e hyjnishme dhe të njerëzishmen që i mungon të sotmes . Nënë Tereza mbetet një “Himn Qiellor” sikurse titullon poemthin e vet intelektuali i provincës korçare, matematicieni e krijuesi Çlirim Begolli.
Unë nuk e fsheh se “Studenti i Panjohur” me emrin e vërtetë Çlirim Begolli, është kushëriri im. Kam pritur kaq gjatë që dikush tjetër para meje të fliste për të. Prita dhe prita. Koha për të folur erdhi dhe unë fola për Çlirim Begollin, intelektualin që nuk e mposhti provinca, por flet e shkruan prej andej sërish pa emër, në nderim të atyre që nuk mundën kurrë të flisnin… Dhe janë shumë, jo thjesht “viktima të komunizmit”, por shumë dhe më shumë, duke filluar nga mijëvjeçarë të hershëm dhe deri më sot. Ata të mençur që rrëfyen shumë përralla, por nuk botuan dot kurrë libra, ato nëna që mëkuan gjuhën me ninullat e pambarimta, por nuk ju shkrua emri kërrkund, ata të njerëz të mençur të kombit që ikën të paemër… Ndaj vetëm për këtë fisnikëri mirënjohëse të pashoqe, vetëm për këtë pikvështrim ndryshe, Çlirim Izet Begolli duhet “denoncuar” në publikun shqiptar që ende ka etje të lexojë dhe të ndërtojë vlera dhe modele që synojnë më të mirën, atë të mirë që ëndërron çdo krijesë njerëzore, që lind dhe ik nga kjo Tokë!