Greqia dhe SHBA nënshkruajnë marrëveshjen e re të mbrojtjes, ja çfarë parashikon
Shtetet e Bashkuara dhe Greqia zgjeruan një marrëveshje ekzistuese Bashkëpunimi për Mbrojtje të Ndërsjellë të enjten, një hap që konsiderohet si rritje e nivelit të lidhjeve dypalëshe në mbrojtje dhe fusha të tjera.
Marrëveshja u nënshkrua nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias i cili ishte në Uashington për raundin e tretë të Dialogut Strategjik SHBA-Greqi. Bisedimet filluan në vitin 2018 nga Sekretari i atëhershëm i shtetit, Mike Pompeo dhe homologu i tij grek.
Zoti Blinken e cilësoi dialogun “një sinjal të angazhimit tonë të përbashkët për të thelluar partneritetin” përmes të cilit të dyja vendet do të bëhen “një forcë edhe më e fuqishme për paqen, mirëqenien dhe dinjitetin njerëzor.”
Pas ndryshimeve në marrëveshje, forcat amerikane në Greqi do të mund “të stërviten dhe të veprojnë në më shumë zona të vendit”, tha zoti Blinken në një konferencë shtypi të enjten.
Zoti Dendias tha se amendamenti që iu shtua marrëveshjes mbron interesat greke dhe zgjeron bashkëpunimin përtej fushës së mbrojtjes.
“Po ashtu krijon një kornizë për investimet e Shteteve të Bashkuara në Greqi, jo vetëm për përmirësimin e aftësive mbrojtëse të vendit tonë, por për ta bërë këtë në një kuadër më të gjerë bashkëpunimi”, tha ai.
Marrëveshja vjen në një kohë kur duket se po rriten tensionet në Mesdheun lindor, ku Greqia dhe Turqia kanë akuzuar kohët e fundit njëra – tjetrën për veprime agresive që mund të shkaktojnë një përshkallëzim të mosmarrëveshjeve territoriale.
ed Deutch, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, që u takua me ministrin Dendias këtë javë i tha Zërit të Amerikës, se Greqia është një aleate e besueshme në rajonin e Mesdheut lindor.
“Marrëdhënia SHBA-Greqi është jetike për interesat kombëtare amerikane dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Mesdheut Lindor. Greqia vazhdimisht ka treguar se është një aleate e besueshme në rajon dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për të modernizuar forcat e saj të armatosura dhe për të forcuar partneritetin strategjik të vendeve tona,” tha kogresmeni Deutch.
Ai shtoi se pikërisht duke pasur parasysh rëndësinë e këtij partneriteti, ai mori vendimin për të propozuar së bashku me anëtarin e Kongresit Gus Bilirakis, Ligjin për Partneritetin e Mbrojtjes dhe Bashkëpunimin Parlamentar mes Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë të vitit 2021.
Projekt-ligji, tha ai, është hartuar për të nxitur angazhimin ndërparlamentar midis Greqisë, Qipros dhe Izraelit, i njohur si “procesi 3+1”, përveç mbështetjes së modernizimit ushtarak të Greqisë.
“Inkurajimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm të sigurisë midis aleatëve dhe partnerëve tanë, përfshirë Greqinë, do të na ndihmojë të sigurojmë stabilitet në të gjithë rajonin dhe të forcojmë sigurinë globale,” i tha zoti Deutch Zërit të Amerikës në një deklaratë me shkrim.
Stephen J. Blank, studiues në Programin e Euro-Azisë në Institutin e Kërkimeve për Politikën e Jashtme, i tha Zërit të Amerikës në një intervistë telefonike se megjithëse forcimi i lidhjeve të mbrojtjes me Athinën dërgon një sinjal se SHBA do të mbështesë Greqinë, shqetësimi kryesor i Uashingtonit është që të sigurohet që “dy aleatët e NATO-s që kanë një histori të gjatë armiqësie që daton, që nga pavarësia greke nga Perandoria Osmane në 1821, të mos hyjnë në konflikt.”
Ndikimi i Kinës në Greqi, veçanërisht blerja e shumicës së aksioneve në portin më të madh dhe strategjik të Greqisë, atë të Pireut, është një faktor tjetër në sfondin e bisedimeve midis Uashingtonit dhe Athinës.
Kompania Kineze e Transportit Oqeanik bleu 51% të aksioneve në Autoritetin Portual të Pireut në vitin 2016 dhe nënshkroi një marrëveshje për të marrë edhe 16% shtesë aksionesh muajin e kaluar, pavarësisht se kishte dhënë vetëm një të tretën e investimeve për të cilat ishte rënë dakord fillimisht.
Eric Brown, studiues për Kinën në Institutin Hudson në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se Porti i Pireut “ka një vend të rëndësishëm në planet e [Republikës Popullore të Kinës] për sistemin e ri botëror që ajo po përpiqet të ngrejë,” si një element kyç për Iniciativën Detare të Kinës për Rrugën e Mëndafshtë.
Edhe pse kontrolli i Pekinit mbi një objekt strategjik kryesor grek dhe evropian mund të ngjallë shqetësime për Uashingtonin dhe Brukselin, fakti që Kina ndodhet në anën tjetër të botës i kufizon aftësitë e saj si garantuese sigurie për vende si Greqia, tha zoti Brown.
“Gjeografia ka rëndësi,” tha ai.
Megjithatë pronësia kineze mbi një port kryesor në udhëkryqin mes Evropës, Azisë dhe Afrikës përbën një shqetësim të konsiderueshëm sigurie, thonë analistët amerikanë.
“Ata mund ta përdorin për qëllime ekonomike, ushtarake, zbulimi, për çfarë të duan”, tha zoti Blank.
David Stilwell, një ish-zyrtar i Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, i cili ka qenë ndihmës sekretar amerikan i shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin, tha se marrëveshjet që Pekini ka siguruar mund të mos zgjasin përgjithmonë.
Sipas pikëpamjes së zotit Stilwell, sa më shumë distancë të mbajnë vendet demokratike me Pekinin, aq më mirë. Ai e konsideron vendimin e fundit të Lituanisë për t’u tërhequr nga një forum shumëpalësh i krijuar për të rritur bashkëpunimin mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore si një model nga i cili mund të mësojnë vendet e tjera./VOA/