Nurie Emrullai: MBI HISTORINË E LETËRSISË SË NDIKUAR
Nurie Emrullai poete dhe studiuese e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, sjell para lexuesit librin e saj “Ekzili, nostalgjia dhe identiteti në veprat e Milan Kunderës”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, poetja Nurie Emrullai shprehet se letërsia në fund nuk shpik asgjë të re, përveç asaj që ajo zbulon gjithmonë diçka të re brenda nesh. Letërsia i lindi dhe krijoi ligjet e njeriut dhe e përshtati atë në një botë ta panjohur më parë. Njeriu ia doli që përmes letërsisë të njohë veten, misteret, të kaluarën e tij dhe çdo çështje komplekse që e rrethon atë.
HISTORIA DHE LETËRSIA KANË NË QENDËR NJERIUN
“Ja dhe një enigmë tjetër e kujtesës, dhe më themelore se gjithë të tjerat: a kanë kujtimet një kohë të matshme? Vallë zgjasin?… dhe aty fillon tmerri: e shkuara që na kujtohet, nuk ka kohë” Milan Kundera. Historia dhe letërsia kanë në qendër njeriun. Të dyja të shpikura dhe të drejtuara po nga ai, ato krijohen në mënyrë paralele, por me kahe të pakrahasueshme. Nëse historia na jep detajet e një lufte me shifra të definuara, letërsia përcjellë ndjenjën e luftës te lexuesi. Historia gjithnjë është e ftohtë në përshkrimet e saj (sepse atë detyrë ka), ndërsa letërsia e mëson njeriun të ndiejë dhe të krijojë emocion. Letërsia, që në fillesat e saj të hershme, që nga thurja e Miteve, këtu na kujtohen fillimisht poemat epike të Homerit “Iliada” dhe “Odiseja”‒ i cili është “Udhëtari” më i njohur që ka dëgjuar bota; epet e ndryshme të popujve, gojëdhënat, rrëfenjat, përrallat, këngët. Duke vazhduar me krijimin e letërsisë në koherencë me zhvillimin e njeriut, letërsia krijon civilizimin e tij dhe u jep popujve plotnimin e tyre. Letërsia i lindi dhe krijoi ligjet e njeriut dhe e përshtati atë në një botë ta panjohur më parë, dhe e bën këtë vazhdimisht me çdo fëmijë a person që ka interes për të njohur botën.
NJERIU IA DOLI QË PËRMES LETËRSISË TË NJOHË VETEN, MISTERET, TË KALUARËN
Njeriu ia doli që përmes letërsisë të njohë veten, misteret, të kaluarën e tij dhe çdo çështje komplekse që e rrethon atë. Ajo ofron realitete të cilat janë edhe krijime të mendjes njerëzore. Çdo popull ka historinë e tij të letërsisë dhe ka prijësit e saj për ta përcjellë nëpër breza. Por, çfarë ndodh me ata popuj që humbin prijësit e tyre, dhe çfarë u ndodh prijësve që u mohohet e drejta për të pasur një atdhe? Sado që njeriu mundohet të dali jashtë zhguallit të tij, ai asnjëherë nuk mund të tjetërsohet dhe të ndërrojë identitet. Kujtesa dhe lidhja që kemi pas vendit tonë është e trashëguar dhe bartet me të gjitha kujtimet, nostalgjitë dhe dashurinë për të, njësoj siç ndodh për më të dashurit tanë. Falë letërsisë mësojmë për popujt, për historitë e tyre, për zakonet apo karakteret që janë formësuar në shëmbëlltyrën e saj. Për shembull mësojmë rreth besnikërisë së Penelopës ndaj Odiseut, mësojmë për Gilgameshin i cili dëshiron të arrijë pavdekësinë, mësojmë për të bëmat e Don Kishotit dhe të gjithë mbase kemi qeshur e jemi zënë ngushtë nga ideja se kemi gjetur veten diku në ndonjë histori të tij. Kemi lexuar dhe jemi dritësuar (kush ngrihet mbi egon e tij) me vargjet e Rumiut; Fjalën Besë e kemi njohur kur për herë të parë na është rrëfyer legjenda e Konstandinit dhe Doruntinës. Mësuam traditat e japonezëve dhe ndjeshmërinë e tyre përmes Patriotizm-it të Mishimës, jemi thelluar mbi idenë e Absurdit të Kafkës, Kamysë, e ekzistencializmit të Sartrit. Apo kush e ka lexuar Mjeshtri dhe Margarita të Bulkagovit nis e shikon botën me një sy tjetër.
SI DO TË KRIJOHEJ BOTA DHE RENDI I SAJ PA LETËRSINË?
Duke bërë një pyetje kaq të përgjithshme, është disi e pamundur për ta menduar këtë, mendjet të cilat gjithmonë ngushëllim kanë letërsinë. Letërsia është edhe një lloj ikje nga realiteti drejt një realiteti tjetër, duke përmendur realitetet që krijohen dashur a padashur ne. Kështu, duhet të afrohemi drejt temës dhe qëllimit që është vënë për të analizuar dhe shkruar në këtë studim. Pra, duke ardhur drejt synimit tonë, që është vështrim mbi realitetin që na servon shkrimtari Milan Kundera në veprat e tij. Të krijuarit letërsi për Kunderën ma do mendja është njësoj si për atë që e lexon. Me një thjeshtësi në të shkruar, por me një imagjinatë të pasur e plot ngjyra, Kundera arrin që përmes mendimeve të tij, të aftësojë lexuesin që t’i kapi ndodhitë. Në bazë të terminologjive që kam zgjedhur t’i trajtoj në këtë temë, ndarjet e kapitujve janë bërë në bazë të disa pikave që kam menduar se janë me interes për t’u analizuar në botën e letërsisë dhe që lexuesi të ketë mundësi të njoftohet më hollësisht rreth veprave që ceka pak më lart.
EKZILI SI FORMË FRYMËZIMI PËR SHKRIMTARËT
Ekzili është bërë shtysë e rëndësishme nga i cili frymëzohen shkrimtarë të ndryshëm për të rrëfyer këtë “ikje” të padëshiruar që u shpik nga faktori njeri. Është element bazë i letërsisë moderne. Ekzili përfshihet në grupin e foljeve për shkak se bashkë me fjalën ai bart dhe veprimin. Sot shumë autorë lidhin ngjarjet mbi këtë temë, gjithashtu duke shkruar veprat e tyre në një gjuhë të cilën nuk e kanë gjuhë të lindur, ata bëhen pjesë e një kulture tjetër, së cilës mund të mos i përkasin me identitet, por i përkasin në letërsi (kulturë). Në kuptimin më të gjerë themi se është në ekzil, një person i cili për një periudhë kohore relativisht të gjatë është i zhvendosur nga toka e tij e lindjes për shkak të trazirave, përndjekjeve politike ose shtypjes së vazhdueshme nga shteti i tij. Në ekzil ik njeriu i cili vendi i tij nuk arrin t’i ofrojë asnjë lloj sigurie.
EKZILI, MIGRACIONI, DIASPORA…
Edhe pse ka kaluar një kohë mjaft e gjatë që kur është definuar një përkufizim i tillë, ky lloj këndvështrimi përsëri ka mbetur i njëjtë, ashtu siç qëndron përkufizimi njëjtë për migrimin e diasporën. Për largimin e njeriut nga vendi i tij, gjatë periudhave historike janë shpikur shumë emra dhe terminologji që e përcaktojnë formën e ikjes së njeriut dhe largimin e tij larg atdheut: 1.Ekzili- Forma origjinale latine e fjalës, exul / exilum i referohet një personi të dëbuar, ose aktit të dëbimit të një personi. Fjala ekzil është aq e vjetër sa janë të vjetër dhe qytetërimet e para të botës. 2.Migracioni- i referohet largimit nga një vend në një tjetër, me një largësi të madhe. Në vitin 1610 u përdor për njerëzit, dhe në vitin 1640 u përdorur për kafshët. Por origjinën e fjalës e ka nga migrimi i shpendëve nga një vend në një vend tjetër gjatë ndërrimit të stinëve. 3.Diaspora- kjo fjalë rrjedh nga procesi biologjik i shumimit të disa bimëve në mënyrë aseksuale, domethënë vetëm me anë të bartjes së farave të disa luleve me anë të erës. Diasporë do të thotë njerëz të cilët shkojnë atje ku i bart era. Njerëz pa rrënjë. Megjithatë, luftimet e vazhdueshme që ka pasur bota, shkaqet e vështira ekonomike që kanë pasur popujt e ndryshëm, kanë detyruar shumë njerëz të vendosen nëpër vende të huaja për një jetë më të sigurt dhe më të mirë ekonomikisht. Por, kuptohet që përvojat e mërgimit dhe përballja me të panjohurën ndryshojnë nga një person te tjetri. Periudhat kohore kur ndodh largimi i tyre në një vend tjetër, si dhe shkaku përse ndodh, gjithashtu krijojnë rrethana të reja për njeriun. Ekzili si formë dhe veprimtari ka ekzistuar që në kohën e popujve Romakë, kohë e cila ishte e egër për njeriun. Në ato periudha kohore personi që kishte kryer krime- dënohej për ata me varje në mes të sheshit ose dëbohej nga vendi i tij.