Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: Mbresa dhe kujtime të arkitekt Ibrahim Emirit

NJË ÇEREK SHEKULLI NË PËRMET

 

Ibrahim Emiri është një nga arkitektët më të mirë që ka nxjerrë qyteti i Gjirokastrës. Ai është biri më i madh i librarit emblemë, Alizot Emiri. Realisht e kam njohur qysh në rini nëpërmjet bashkëfshatarit tonë, mjekut Selam Shkurti nga që ata ishin së bashku në të njëjtën klasë në gjimnazin “Asim Zeneli”. Ndryshe nga dy vëllezërit e tjerë më të vegjël, Ibrahimi është i qetë, fjalëpak dhe modest. Ndoshta, të ishte I tillë, këtë ia kërkoi i ati para vdekjes duke i porositur dy djemtë më të vegjël ta dëgjonin Imen sikur të ishte ai vetë.

Libri që kam në duar me autografin e tij, titullohet “Mbresa të një projektuesi” dhe përfshin një periudhë 25- vjeçare nga karriera e tij në qytetin e vogël jugor të Përmetit. Aty përfshihen momente të veçanta të aktivitetit profesional, me kënaqësitë e gëzimet e natyrshme të veprimtarisë projektuese e ndërtuese, por edhe vështirësitë e shumta e pretendimet minimale deri në fillim të viteve ’90. Jeta e tij si projektues e ndërtues përkon me historinë e Përmetit në këtë çerek shekulli për arsyen se specialistët në ato vite ishin të paktë dhe inxhinier Ibrahimi ka udhëhequr si projektimin, ashtu edhe zbatimin në praktikë, si të thuash qyteti i Përmetit mban vulën e ndërtimeve e projektimeve Ing. Ibrahim Emiri, mban edhe sot e gjithë ditën fizionominë e ndryshimeve që ai bëri. Historianët që mund të hedhin në letër ndërtimet në Përmet në këtë periudhë çerek shekullore, e kanë të gatshëm materialin. Historikun e ndërtimevenë këtë libër, Ibrahimi e lidh edhe me mbresat e emocionet e tij. Aty kupton sesa e ndërlikuar, sa e vështirë ishte të mbijetoje në atë mjedis të tensionuar ku lufta e klasave qëndornte si shpata e Damokleut mbi kryet e çdo intelektuali, sidomos mbi ata të cilët kishin ndonjë cen në biografi.

Në ato vite, procesi krijues i projektimit, ishte i mundimshëm për vendosjen e ekuilibrit midis trajtimit funksional e arkitektonik dhe zgjidhjes efikase konstruktive. Ishte punë tepër e vështirë edhe për faktin se çdo vizatim teknik në letër bëhej në mënyrë artizanale, me laps apo me tush, kurse llogaritjet konstruktive bëheshin me dorë, ose me vizore “linieika”, apo në rastin më të mirë me kalkulatriçe shkollore. Komoditeti i krijuar sot në fushën e projektimeve dhe lehtësitë, nëpërmjet zhvillimit të informatikës dhe programeve kompjuterike, është i papërfytyrueshëm në ato vite. Në vendin tonë, në atë periudhë, për shkak të mbylljes dhe vetizolimit, literaturë profesionale, apo informacion për arkitekturën, pothuajse nuk kishte fare. Literatura e huaj konsiderohej me ndikime të huaja borgjezo-revizioniste. Qysh në parathënie të librit, autori thekson se: “Për të marrë një referencë të nevojshme për kompozimin arkitektonik, ndërsa sot arkitektët mund të lundrojnë pa kufi në internet, atëherë mund të shfletoje vetëm ato pak revista arkitekture që mund të gjeje në bibliotekë”. Në kushte zbatimi artizanale ishte edhe sektori i zbatimit të ndërtimit; mungonte shumëllojshmëria e materialeve, mekanika dhe veglat e punës të cilat disa herë ishin fare primitive.

Qyteti i Përmetit shtrihet në bregun e majtë të lumit të Vjosës, rrëzë malit të Dhëmbelit. Në ato vite kur inxhinieri Ibrahim Emiri nisi punën aty, popullsia ishte 5-6 mijë banorë, pjesa më e madhe e të cilëve punon në industrinë e lehtë ushqimore dhe bujqësi. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, Përmeti ka qenë një qëndër e rëndësishme kulturore e patriotike. Këtu u ngrit Komiteti për mbrojtjen e vendit nga rreziku i pushtimit grek (1878) dhe zhvilluan veprimtari patriotike një varg figurash të shquara. Më vonë u formu organizata legale e lëvizjes kombëtre e klubit “Bashkimi” (1909). Përmeti ishte një nga qëndrat e njohura të të Revolucionit demokratiko-borgjez (1924) dhe aty u strehuan për disa kohë përkrahësit e Fan S. Nolit.

Përmes luginës shkon lumi Vjosë, i cili rrjedh nga malet Pindi në Greqi. Fushat shtrihen në të dy anët e këtij lumi. Klima është mesdhetare, kodrinore e malore. Ndihet ndikimi zbutës i detit nëpërmjet luginës së Vjosës e degëve të saj. Pozicioni i qytetit, mbështetur në brinjët e malit të Dhëmbelit, me gjirin kthyer nga lumi që gjarpëron midis shkëmbinjve dhe zajeve të bardhë, ia shton bukurinë dhe ia rrit vlerat qytetit. Duhet theksuar se ndërtimet deri në vitet ’70 ishin bërë spontane dhe pa ndonjë plan rregullues. Në vitin 1967 kur Ibrahimi fillon punën aty, kjo përkon me kohën kur kishin filluar të projektoheshin e të realizoheshin një sërë veprash urbanistike e industrial. Inxhinieri i ri i përkushtohet punës me mish e me shpirt duke u përpjekur të lërë gjurmë. Përmetarët janë njerëz mikpritës, të urtë e punëtorë. Ata e mirëpritën inxhinierin e ri, i krijuan mjedis shoqëror dhe e mbështetën në idetë e tij progresiste. Si urbanist ai ka hartuar projektimin për planin rregullues të Përmetit, ka kryer studime pjesore urbanistike për qytetet Përmet e Këlcyrë si dhe ka hartuar plane rregulluese për disa nga fshatrat që konsideroheshin si qëndra të krahinave të rrethit. Hartoi projekte arkitektonike për objekte të ndryshme banimi, arsimore, kulturore, administrative, tregtare, etj. Si konstruktor ka projektuar konstruksionin për objekte të ndryshme qytetare e të industrisë së lehtë ushqimore.

Autori në këtë libër është ndalur duke treguar me hollësi ngjarjet që kanë shoqëruar disa nga veprat më të rëndësishme të tij si objektet simbolike të Luftës Nacional-Çlirimtare. “Në kuadër të 25-vjetorit të Çlirimit, – shkruan ai në kujtimet e tij – ishin planifikuar që në Përmet të rindërtoheshin varrezat e dëshmorëve dhe memoriali i Brigadës së VI-të Sulmuese, Monumenti i Kongresit si dhe lapidari i Brigadës së 12-të Sulmuese”. Duke pasur përvojë me projekt-idenë e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit që kur ishte student në Tiranë, ai u përfshi vullnetarisht në rikonceptimin e projektit të varreve të dëshmorëve të rrethit. Aty u ndesh me një nga çudirat e kohës, fryrjen dhe zmadhimin e shifrave. Varreza ishin planifikuar sa dyfishi i dëshorëve realë. Gjysmat e varreve, për të mos i lënë bosh, u shënuan “Partizan i panjohur”. Interesante janë edhe kujtimet nga bashkëpunimi me Skulptorin e madh Odide Paskali për monumentintin e Kongresit të Përmetit.

Jeta në Përmet dhe ushtrimi i detyrës si arkitekt dhe zbatues ka qenë sa e bukur, po kaq e vështirë. Janë disa episode të cilat sot mund të shihen si qesharake, mirëpo në ato vite të kushtonin karrierën dhe mund të shkatërroheshe plotësisht duke përfunduar në burg.

Rasti i parë

Sasia e pllakave të mermerit që kishte ardhur nga kombinati i material ndërtimit “Josif Pashko” në Tiranë, nuk ishte e rregullt pasi me asnjë kombinim të tyre nuk mund të formohej varri. “Kjo nuk është thjesht sabotim – turfulloi shefi i seksionit – kjo është tallje me gjakun e dëshorëve!” Siç shihet akuza është politike, pa asnjë verifikim, arkitekti i ri, i talentuar që doli vetë vullnetar në atë aksion, zyrtarisht akuzohet se “tallet me gjakun e dëshorëve”. Ky ishte paradoksi i kohës. Iu desh vetë autorit të këtyre kujtimeve ta sqarojë gabimin në origjinë, në nisjen e porosisë nga Kombinati Pashko në Tiranë. Ishte një ngatërresë, brenda porosisë së Përmetit ishte futur pa dashje një kontigjent pllakash që ishin destinuar për varrezat e Lezhës. I tillë ishte sistemi, dyshues, mosbesues në punën e intelektualëve, sidomos të atyre që kishin një cen, sado të vogël. Arkitektit të ri ju desh të harxhojë shumë energji, ankth dhe ece jake në krueqytet për të hequr nga shpina dyshimin.

Rasti i dytë edhe më qesharak

“Nuk mund të jetë lapidari i Brigadës së VI-të më i lartë se lapidari i Brigadës së I-rë Sulmuese, pasi kjo mund ta nervozojë shokun Mehmet (ish komandant i kësaj Brigade) kur të vijë në Përmet….”, i bën vrejtje arkitektit Sekretari i parë i partisë së Rethit. Kështu i binte që lapidari i dytë duhej shkurtuar deri në atë masë që lapidari i Mehmetit të dukej më i gjatë. Kujt i binte përgjegjësia? Arkitekt Ibrahim Emirit (pa dale, si e ka biografinë ky, mos e ka bërë me qëllimi për të futur Brigadat Sulmuese në sherr?!”.

Rasti i tretë

Vila e re e Partisë në Përmet ishte plotësisht si ide e arkitektit të ri, i cili kishte dhënë disa prova të suksesshme. Ndër tre vëndet që u përzgjodhën, u miratua propozimi i tij se ku do ngrihej. Me entusizëm rinor dhe me guxim, ai i hyri projektit të ri. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme sepse vuri re kujdesin e veçantë për udhëheqjen sigurinë, materialet cilësore që u zgjodhën, pa pyetur për koston. Disa herë u porosit që të mos kishte asnjë defekt sepse aty herë pas here do të vinte për të bujtur udhëheqja e lartë. Njerzit që punonin në objekt ishin të përzgjedhur “pa cene në biografi”, megjithatë gjatë ndërtimit ata ishin në mbikqyrje të plotë e të pandërprerë nga operativët e sigurimit. Arkitekti po merrte urime nga të gjithë specialistët dhe autoritet lokale e qëndrore. Ishte iI gëzuar, aq më tepër që kishte futur në project disa elementë modernë. Një ditë, në kulmin e punimeve, Arkitekti thirret nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit:

– Kemi informacion nga Dega, – i thotë ai i shqetësuar – se gurët dekorativë që monton në fasadë janë të rëndë e mund të shkëputen…mos o Zot sikur të jetë poshtë atji muri ndonjë udhëheqës…

Ibrahimi tregon se u shqetësua pa masë, por i shkoi deri në fund këtij informacioni të rremë “nga populli”. Doli se atë e kishte thënë prifti të cilit Partia i kishte hequr rrason e ai punonte në montimin e pllakave së bashku me dy djemtë e tij. I kërkoi llogari nga u nis që bëri atë raport dhe ai u përgjigj: “Ashtu kot, për të qenë brenda po të ndodhte ndonjë gjë”. Ata gurë janë sot e gjithë ditën në faqet e murit edhe pse Vila e Partisë u invadua e abandonua disa herë.  Jo vetëm kaq, por paralelisht kur po ndërtohej kjo Vilë, thuajse po mbaronte edhe një tjetër në Sarandë. Kolegu, arkitekt Agron Doraci e ftoi Ibrahimin për një mendim, por punëtorët që ndërtonin aty u thanë të shqetësuar se andej kishte kaluar Kryeministri dhe u dha urime punëtorëve për cilësinë, por kishte shtuar se arkitekti duhej varur për këmbësh. Me një gur kishte vrarë dy zogj, si Agronin e Sarandës, ashtu edhe Ibrahimin e Përmetit. U hyri frika në palcë. Po sikur t’i varte vërtetë?! Me një të varur shpëton njëherë e mirë, por me burgim vuan tërë jetën, ashtu si shumë kolegë që ishin dënuar për “sabotazh”. Të dy arkitektët u qetësuan vetëm kur morën vesh se Mehmet Shehu në vend që të vriste ata, kishte vrarë veten.

Rasti i katërt

Kryetari i Komitetit Ekzekutiv kishte marrë “letra nga populli” se shatërvani në hyrje të qytetit ishte lyer me ngjyrat e flamurit grek. Ai e thirri Arkitektin në zyrë dhe e urdhëron të pezullojë punime e të ndryshojë ngjyrat. Një urdhër idiot, por duhej zbatuar. Siklet, shpenzime, akuza politike, aman o Zot, si nuk mbarojnë kurrë këto letrat nga populli?! Çdo kombinim ngjyrash mund të ngjajë me flamuj të tjerë të shteteve imperialistë. Ta lyente me bojë të kuqe, do të dukej sikur aty ishte derdhur gjak në kohë paqeje. Kjo nuk ishte zgjidhje. Fatmiresisht aty ndodhej me punë piktori Zamir Mati dhe skulptori Taqo Miho, të cilët të revoltuar nga kjo akuzë dashakeqëse, shkuan tek kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe i treguan se edhe pishina në Vilën e Partisë në Vlorë ku lahej shoku Enver, ishte lyer me këto dy ngjyra, madje të gjithë shatërvanët në botë këto dy ngjyra zgjedhin. Sikleti i flamurit grek zgjati vetëm një ditë. Rroftë rastësia! Ibrahimit iu dha urdhër të vazhdonte punimet ashtu si i kishte nisur.

Rasti i pestë

Ibrahim Emiri është edhe arkitekti dhe zbatues i projektit të bar-restorant “Kupola”, në hyrje të qytetit të Përmetit, në të djathtë të lumit Vjosë. Ai krenohet që ky objekt është fitues i konkursit në 45-vjetorin e Çlirimit të Atdheut dhe është vlerësuar me çmim të parë për harmonizimin e arkitekturës me artet e aplikuara. Mirëpo dardha e ka bishtin mbrapa. Sa nisi të bëjë hije mbi dhe “Kupola”, u ndezën letrat anonime dhe ato me emër nga militantët, sidomos pensionistët që shihnin një godinë allosoj, cilindrike, me pjesë bosh në mes dhe në vend të mureve kishte xhama nga ku dukej qyteti. Më fanatikët i sikletoste parapeti dekorativ i shkallëve (transparent) nga i cili mund të dukeshin këmbët e grave dhe të vajzave. U alarmuan të dy komitetet. U caktua kryetarja e Gruas për ta verifikur këtë dukuri borgjeze. Ajo qëndroi në katin përdhes me orë të tëra duke vëzhgur. U ngjitën e zbritën shumë vajza me minifunde, por nga shkallët nuk dukej asgjë e dyshimtë. Shpëtoi Ibrahima nga akuzat. Ama nuk ishte e lehtë t’u bënte bisht tre llampadarëve. Qysh kur u vendosën, kërcisnin poçat një nga një duke u bërë thërrime në dysheme. Të neësmen dy oficerë të Ministrisë së Brendëshme kërkuan t’i merrnin firmën se poçat e atyre llampadarëve nuk do të thërrmoheshin mbi kokat e njerëzve. Pas pelegrinazhit që bëri udhëheqja në Varrezat e Dëshmorëve, u kthye për një kafe tek “Kupola”. Kjo ishte edhe si punë inaugurimi. Kafja ishte caktuar në katin e dytë. “Jo, tha shoku Ramiz Alia, Sekretari i Parë i KQ, do ta pimë këtu” dhe u ul drejt e poshtë llampadarëve, drejt e në qëndër të “Kupolës”. Po sikur të këputej ndonjë poç mbi kokën e tij? Arkitekt Ibrahimi qëndronte tek shkallët përballë, me zemër të ngrirë duke ju lutur llampadarit të mos shpërthente gjesa të pinte kafen shoku Ramiz. Dhe llampadarët nuk lëvizën nga vendi, sikur t’u kishte bërë magji. Imia është edhe sot e gjithë ditën shëndoshë e mirë. Ia hodhi pa u lagur dhe ja ku tani na vë përpara librin e tij “Mbresa të një projektuesi”. Lexojeni, ai ka shkruar për të gjithë ata që e mbështetën, informatorë e sekretarë, kryetarë Komiteti e Kryetarë Dege, nuk mund të mos u jetë mirënjohës sepse ata e kishin gati grepin qëkurse ai na thotë në parathënie: (Qëndrimi pozitiv i tyre merr vlerë të veçantë, pasi më kanë mbështetur duke mos zbatuar famëkeqen “luftë të klasave”. Nga persona, por edhe nga struktura të veçanta keqdashëse, unë jam konsideruar person “me hije në biografi”, sepse babai im ishte burgosur në vitin 1947 (në kohën e Koci Xoxes), pavarësisht se dënimi ishte fare i padrejtë).

 

 

Toronto, nëntor 2021

Please follow and like us: