Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: FARSA E MBLEDHJEVE QEVERITARE PO VAZHDON

Të pasuksesshëm në ndërmarrjet e tyre praktike qeveritare, në mungesë të kompetencës politike, qeveritarët shqiptarë po vazhdojnë të shesin propagandë të mbështjellë mirë me folklorin patriotik. Me këtë mentalitet qeverisës, ka shumë pak shpresa që shqiptarët të kenë një jetë më dinjitoze se sa kanë. Pse mendoj kështu, do të përpiqem ta argumentoj shkurt.
Nga dymbëdhjetë vendimet politike që janë marrë, pothuajse asnjëri prejt tyre nuk adreson problemet e vërteta të kombit tonë. Dhe, identifikimi i problemeve të vërteta është kushti thelbësor i një vendimmarrjeje cilësore. Ne shqiptarët kemi probleme të ngjashme, pavarësisht se kemi pasur rrugëtime shumë të ndryshme përgjatë shekullit të 20-të.
Është absurde të konsiderohet problem kombëtar mungesa e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë, kur në Kosovë kemi një sistem transporti hekurudhor jofunksional. Akoma më absurde duket marrëveshja që ka të bëjë me njohjen reciproke dhe unifikimin e diplomave, apo gradave shkencore të lëshuara nga institucionet përkatëse arsimore. Problemi është cilësia akademike e diplomave dhe gradave shkencore që lëshojnë institucionet tona, jo mosnjohja e tyre. Për mua, më problematike është njohja sesa mosnjohja e këtyre diplomave.
Jemi një popull i rënë në një krizë të thellë morale. Pa sistem vlerash, pa standarde të shëndosha. Ne e kemi gojën plot civilizim perëndimor, por nuk tregojmë shumë që i duam vlerat e këtij civilizimi. Madje është e çuditshme, por fjala civilizim (civilisation) nuk figuron fare në fjalorin tonë shqip-shqip! Këtu tek ne, sa më budalla apo palaço të jetë një mësues, një profesor, një mjek, një aktor teatri dhe sidomos një gazetar, aq më i promovuar do të jetë. Jetojmë ende me zakone gjysmë tribale. Dihet, tribalizmi është një formë jete që nuk lë shumë boshllëqe; ka pak probleme individuale dhe nuk ka probleme morale. Rrallëherë e gjejmë veten të dyshojmë se si të veprojmë, sepse rrugën e drejtë e përcakton fisi, partia. Janë tabutë fisnore, partiake, kolektive që drejtojnë jetën tonë. Ne ende nuk guxojmë t’i sfidojmë hapur këto norma, t’i bëjmë objekt shqyrtimi kritik. Ata që shkojnë përtej këtij diskursi fisnor stigmatizohen keq.
Si mund të dalim nga kjo krizë? Nuk besoj se ka rrugë tjetër përveç një sistemi arsimor të bazuar në vlerat perëndimore. Pra, për mua, ky është problemi kryesor. Këtu duhet të fillojë bashkimi ynë kombëtar. Nuk ka emancipim ekonomik, kulturor, sportiv, shëndetësor, shoqëror në përgjithësi pa një sistem të shëndoshë arsimor. Nuk ka bashkim të vërtetë kombëtar pa një sistem të përbashkët arsimor. Nuk mjafton një abetare. Prandaj, një reformë rrënjësore në sistemin arsimor është hapi i parë për të dalë nga ky moçal moral ku kemi rënë. Ndërkohë, kjo reformë nuk duhet lënë në dorën e politikanëve të paskrupullt. Fillimisht na duhet një dakordim kombëtar për nevojën e kësaj reforme, pastaj teknologjia politike është më e lehtë për t’u identifikuar.
Ju uroj gëzuar festën e flamurit!
Please follow and like us: