Kultura Kriminogjene e Politikës Shqiptare (Pinokiot dhe Pinokiolinat)
S. Guraziu, 2021 – Humoreskë (fragment)
Sipas Institutit Kërkimor për Studimet Euro-Amerikane (RIEAS), grupet mafioze shqiptare janë organizata hibride (dmth. të përbëra nga njerëz që vijnë nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë), shpesh të përfshirë njëkohësisht në aktivitete kriminale dhe aso politike. Në Shqipëri u numëruakan mbi 15 familje mafioze që e kontrollojnë krimin e organizuar. Raportet treguakan për një LIDHJE të fuqishme mes politikanëve shqiptarë, dhe këtyre familjeve të ndryshme mafioze.
“…skenari kriminal shqiptar përbën kapacitetin e kriminalitetit më të lartë (por na qenka “organizatë” mjaft komplekse, mafiozët shqiptarë operuakan) “duke i kombinuar karakteristikat moderne dhe novacionet bashkëkohore me ato ‘tradicionale’ të krimit të organizuar; disiplinën e ngurtë të brendshme, strukturën klanore, ‘mbylljen endogamike’ (dmth. martesat internale), që e rrit papërshkueshmërinë e organizatës dhe kohezionin e brendshëm…” – (sipas artikullit voluminoz në W-Wand).
2 – “Këshilla” mbijetese (për Gazetarët) – Tema: Pinokiot dhe Pinokiolinat e Politikës
|- – – (fragment) – – –
S’ke fakte (sepse s’guxon të kesh) por ti e di, sikur që dhe mbarë Evropa e di, bie fjala se ekonomia italiane i është mirënjohëse pikërisht zotësisë së mafias. E gjithë bota e di se mafia dhe “mafioziteti” në fakt janë biznesi më i madh i Italisë. Kujtohu si pati shkruar ai kolegu i përtej La Manshit, ai gazetari anglez: “Mafia është ndërmarrja më e madhe e biznesit në Itali, me një xhiro vjetore prej 140 miliardë €. Katër grupet mafioze të Italisë kanë rezerva parash të gatshme prej 65 miliardë €, duke i bërë mafiozët ‘bankën më të madhe të Italisë’. Grupet e tyre gjenerojnë fitim vjetor prej 100 miliardë €, që përbën rreth 7 % të BPV të Italisë”.
Kujdes çfarë shkruan, kujdes për secilin hap germatik, për secilën germë, kudo që t’jesh, si n’Romë si n’Tiranë duhet kujdes se ku shkelë. Mos i shkapurit strofullat e dyshimta, që nuk i njeh. T’i fusësh hundët e kureshtisë vrimave “uritheske”, nuhatja e strofullave të huaja s’është ide e mirë.
Kujtohu për fatkeqësitë e të tjerëve, dihet se ç’janë duke hequr Assange, Snowden… e të ngjashëm. Këso guximtarësh me vite e vite ngelën nëpër “birucat” e askundësisë. Aty-këtu bëhen gjoja “gjallë” vetëm virtualisht, s’ua mban ndryshe. Padyshim dhe pizza-t i porositin via “dark web”, via rrjetit të “zi”. S’guxojnë ta përdorin Internetin (e rregullt, dmth. këtë Internetin tonë të zakonshëm) sepse CIA sakaq i kap për bishti. Pasi dihet, Interpoli, Europoli, FBI, CIA e këso organizatash shpesh ashtu i zënë “urithët e nëntokës”. Ashtu i zënë Capo-t e mëdhenj, sikur dhe ata “miushët”, më të vegjlit e klaneve, apo jo, thjesht për bishti…
Të qartë e ke pafajësinë, pamundësinë, paaftësinë e gazetarëve shqiptarë. Info-kureshtia rreth politikave është e rrezikshme, sepse gjërat të lidhura, zinxhir. Studioji, huazoji leksionet që të duhen nga ekspertizat e Dr. Glass. Lexoje librin e plotë, jo vetëm parathënien. Kujtohu, dikur Dr. Glass qe punësuar madje dhe nga FBI, ky detaj është një lloj dëshmie tërthorazi për temën, sepse për t’i zbuluar gënjeshtrat politike duhen top-ekspertë, përndryshe FBI s’do ta kishte punësuar. Në librin “Gjuha Trupore e Gënjeshtarëve” Dr. Glass i pati sqaruar karakteristikat kryesore të “Pinokiove”, të gjitha varg e varg, me pikë e me detaj.
Natyrisht, s’ke si e di saktë sepse nga dembelia s’e ke lexuar. Lexoji librat me kohë, përcilli artikujt e aktualizuar, përcilli literaturat. Edhe pse për “gjuhën trupore” të politikanëve do kesh fituar përshtypjen se na ditke mjaft, tepër madje. Jo aq sa Dr. Glass, s’je duke pretenduar titull as gradë, s’është nevoja ama secilin vit e më tepër ekspertiza duke u “thelluar”. Çdo ditë e më shumë sikur ndjehesh i plotësuar, diç si eskpert i panjohur për “pinokiot e politikes shqiptare” – këtë përshtypje ke fituar…
Sidoqoftë, tani teksa duke vrarë mendjen më hollësisht, rishtas sikur ndjehesh i “këndellur”. Megjithatë jo, duhet ditur hallin vetes. Assesi jo, absolutisht jo, s’të nevojitet gradë as doktoratë. Në fakt do duhej të dije sa më pak, fare pak, dhe aspak. Sepse të “prek” ndonjë e zezë. E rrezikshme është me pinokiot, qoftë dhe pa i ndarë “dyshimet” me askend. Sa për publikimin në gazetë… as që bëhet fjalë, ashtu s’të ngelet tjetër pos “lamtumira”.
Kujdes madje dhe me rastësitë (eventuale), ruaju nga gjithçka si keqkuptim, si fatkeqësi. S’bën të qëllosh a ndodhesh në vendin ku s’duhet, në kohën kur s’duhet. S’të falet rastësia, s’të shpëton pafajësia. Dikur s’e njihje aq thellë problematikën e mediave të Tiranës, por tani s’ke si justifikohesh. Paralelizo, pikasi detajet, zbërtheji “metaforat” e kamufluara. Krahasoje rrezikun imagjinar me rreziqet reale të natyrës, me ndonjë rrezik të natyrshëm. Krahasimet ndihmojnë që ta kuptosh ndryshimin. Njohuria reale për rrezikun eventual është hapi i parë, kushti i parë për “alarmin” e mbijetesës. Përndryshe instiktet nuk funksionojnë, apo dhe… si duhet thënë, “vonohen”.
Psh. e njohur t’është që kobrat janë vrastare, kafshimi i tyre helmatisës, paralizues. Jo se vetë ke patur punë me to, aq i krisur s’ke qenë, ama i ke parë dokumentarët në “Discovery”, në “Geographic”, gjithandej. I ke tashmë në kokë ato njohuritë bazike teorike. Vrastare janë dhe nepërkat, e edhe lloj-lloj serpentësh, qofshin dhe sapo të “çelur” nga veza, të vegjël. Prapëseprapë metodat e gjithë zvarranikëve të planetit janë ndryshe, janë fare diç tjetër. Ngutesh pak dhe helmi i tyre e ka antidotin, do e gjesh serumin efikas. Kushti që patjetër duhet respektuar është ngutja, s’duhet vonuar dhe do jesh i shpëtuar. Gjarpërinjtë s’e kanë zakon t’i ndjekin fatkeqët nga pas. Një kafshim (nëse padashtas i shkel në bisht) dhe tutje t’lënë rehat.
Ndërsa strofullat e klano-mafiozëve janë totalisht diç më “ndryshe”. S’do kesh serum, as ilaç, as ngushëllim, as shpëtim. Është njësoj si ta zbulosh padashur “strofullën” e ndonjërit Capo-Capone të 4 familjeve “madhore” italiane. Ngelesh i shtangur në derën e “Cosa Nostra”, me sy të zgurdulluar, i befasuar tejmase ama s’ke faj. Asnjë pikë faji – është fakt që rastësia të hodhi andej, 100% rastësi. Natyrisht, edhe mafiozët e dinë që s’ke faj, s’të thonë gjë as nuk të akuzojnë. Iu dhimbsesh madje për pafatësinë, por ja që duhet të të likvidojnë. Nuk të torturojnë, zakonisht brenda sekondash ta vizatojnë atë “lulen” simbolike në ballë. S’të shpëton as “consiglieri” as “carabinieri”, s’të ndihmon as Berlusconi as Calderoni. Tashmë do i takosh jetë-përtejmës, sepse s’bën të frymosh duke ditur gjëra që s’të takojnë…
Për fat të mirë, Capo-t “ordinerë”, operatorët e thjeshtë aq e lehtë të njihen, i sheh gjithandej. Sidomos kur i sheh mbathjet e tyre. Jo vetëm gazetarët, tashmë të gjithë e dinë se këpucët e mafiozve janë paksa të veçanta si “dizajn… bardh e zi”. E bardha dhe e zeza janë diç si simbol i mafia-lumturisë. S’mërziten ata kur i njeh, aq iu bën atyre nëse i njeh, sapo e kuptojnë që i njohe hooop të vrasin. Dmth. s’është e vështirë t’i njohësh mafiozët e zakonshëm (qofshin “capodecina” a “picciotti”, quaji si të duash… gjoja sipas zhargonit a la Cosa Nostra). Ata janë vetëm “pionët”, miushët e vegjël të nën-skenës. Anashkaloji, pa përjashtime ruaje qetësinë, bëj sikur s’di gjë, sikur s’pe gjë. Kthehu mbrapsht, ktheje dhe pallton mbrapsht, shtiru i çmendur, jargosu, shpalose “astarin” e xhepave, për asgjë të kësaj bote mos i shih në sy.
Problemi real janë kameleonët, ata që kamuflohen nën “mantelin” e politikës, mjaft e vështirë t’i zbulosh. Aq të zhdërvjellët janë ata, si me gjuhën si me gjithçka. Në fakt konsiderohen diç si intelekto-kameleonë. E vështirë t’i pikasësh, s’kapet një “capofamiglia”, një “sotto capo”, a një “caporegime”. Mbarë Italia e ka të qartë pamundësinë e njohjes së tyre, kalojnë dekada dhe asnjë titull gazetash për kapjen e ndonjë “capo-madhi”…
Përveç se të hutojnë me fenomenin “doppler effect” (dihet se “doppler-i” është fort problematik, s’e mohon kush), e keqja është dhe më e “keqe”, sepse kanë panumër sekrete, aftësi e privilegje. Psh. kanë aftësinë t’i ndërrojnë ngjyrat vrik e vrik, aq shpejtë, syri yt cullak s’i kap dot. Koloriti i tyre i sjell ato efektet halucinative, qoftë për masat në miting, qoftë për kamerat e TV. Diç ngjashëm si iluzionizmat e magjistarëve tek i nxjerrin lepujt a pëllumbat nga llëra. Mund dhe t’i djegin madje, për syrin e publikut pëllumbat e bardhë kridhen në flakë, audiencën e kaplojnë sentimentet, lotët nisin i qullin sytë, ama për ata vetë… thjesht ca pëllumbash të letres.
“Capo-mëdhenjtë” janë aq “cool”, glamurozë, kujdesen për kravatat, për faculetat e këso detajesh shkëlqimtare. Shpesh vishen me rroba aq të shtrenjta (jo se i blejnë vetë, por dmth. si peshqeshe, honorare të oligarkëve). Përshfaqen herë si Rama me kravatat e shtrenjta, herë si Ramushi me “çorapesh të leshta”, herë si Hara-shimi e herë si Cimilimi, herë si Çaushi e herë si tjetërkushi. Kuptohet, sipas vendi-kuvendit, madje shpesh kamuflohen dhe si “zhaglamanë” të ngratë, t’mbushet mendja na qenkan hiçaskushi : )
Kujtohu psh. se si ai ish-Kryeministri italian, ai Andreotti i dikurshëm s’do mund t’shërbente kurrë nja 6-7 herë si “Kryeministër”. No way… nëse t’mos ishte i lidhur me “familjet” mafioze. S’flet kush për “fakte” por e gjithë Italia dhe e gjithë Evropa e dinin këtë. E dinë dhe sot e kësaj dite. Sikur që e dinë dhe për Berlusconin, sepse ashtu funksionojnë biz-politikat italiane. Mafia është “akteri” kryesor prapa kulisave të skenës politike. Përndryshe s’ke si bën xhiro vjetore prej 140 miliardë €, s’ka shans.
– – – – vijon – – –
[ fragm. nga “Kultura Kriminogjene e Politikës Shqiptare” – S. Guraziu, 2021 – Humoreskë (ngjitur: infografikë e Marco Giannini – “Mafias in Italy”, 2016) ]