Prof. Dr. Andrea GUDHA: Muzikoterapia, si pjesë e mjekësisë alternative
Qëllimi i përgatitjes së këtij shkrimi
Së pari, shpresoj të shërbejë si një informacion modest bashkëkohor në formimin e përgjithshëm profesional dhe të profilizuar (në nivelin universitar dhe pasuniversitar) të specialistëve të shëndetit publik ndaj efektit të muzikës në raport me shëndetin, si pjesë e mjekësisë alternative.
Së dyti, si material profesional informativ gjithëpërfshirës, qoftë edhe për kulturë të përgjithshme, për profesionistët e kujdesit shëndetësor, psikologët klinicistë e muzikantët, edukatorët e shëndetit e të arsimit, por, dhe për publikun.
Fjalë kyçe: Shëndet, muzikë, muzikoterapi, mjekësi alternative.
Muzika ka lindur së bashku me njeriun
Fëmija, kur lind, qan. Shenja e parë jetësore për fëmijën e porsalindur kur bie në kontakt me mjedisin është të qarët (tingujt muzikorë), që në neonatologji është një nga treguesit kryesorë mjekësorë pozitivë sipas vlerësimit të Dr. Virxhinia Apgar.
Fëmija rritet me ninullat e nënës. Jeton jetën me gëzime dhe me hidhërime, shoqëruar shpeshherë me melodi e tinguj këngësh dhe vdes i shoqëruar përsëri me ritualin e të qarave me vaje dhe me ligje sipas traditave. Gëzimi në mjedise familjare apo shoqërore merr kënaqësinë e plotë kur ka edhe muzikë.
Në jetën e njeriut muzika nuk ka qenë thjesht argëtuese, por ka shërbyer edhe si”ilaç” për trupin e shpirtin.
Platoni, katër shekuj para Krishtit, ka cituar: ”Muzika është më e fuqishme se çdo gjë tjetër, sepse ritmi dhe harmonia kanë selitë e tyre në nyjen e shpirtit. Ajo e pasuron atë dhe i jep hir dhe shkëlqim”.
Ekziston një raport i thellë dhe ende misterioz, që lidh muzikën me shpirtin dhe me mendimet e njeriut.
Që prej kohëve antike muzika është përdorur për të përhapur dhe shprehur ndjenja.
Platoni mendonte gjithashtu se një dozë e përditshme muzikë mund të përmirësonte mirëqenien e përgjithshme të individëve.
Muzika në historinë e njerëzimit e në epoka të ndryshme ka luajtur një rol të rëndësishëm inspirues, duke pasur një forcë të jashtëzakonshme deri në lëvizje mbarëpopullore. p.sh. himnet kombëtare etj.
Muzika nga ana mjekësore është “ilaç”, stimulant shpirtëror që jep energji pozitive, por, kur keqpërdoret, mund të japë dhe energji negative te njeriu.
Arti në përgjithësi dhe muzika në veçanti ndikojnë për edukimin dhe formimin e shijeve të individit. Ato ndikojnë direkt në shpirtin dhe në mendjen njerëzore dhe luajnë një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin psiko-social. Arti dhe muzika i japin individit kënaqësi dhe gëzim, i krijojnë një situatë qetësie, i përmbushin ndjenjat e ndryshme dhe ia vënë në lëvizje imagjinatën. Nëpërmjet edukimit dhe formimit artistik krijohen edhe shijet e caktuara artistike, të cilat janë të ndryshme si pasojë e një serie faktorësh psikikë, shoqërorë dhe kulturorë.
Jani (Yiannis Hrysomallis), i diplomuar në psikologji, pianist grek dhe kompozitor i ditëve të sotme me banim në SHBA, thotë: “Kur unë krijoj muzikë, ajo është pasqyrim i shpirtit tim, janë përvojat e mia në jetën dhe në marrëdhëniet me njerëz të kulturave të tjera. Psikologjia dhe të kuptuarit se kush jemi ne si njerëz në këtë botë është e pranishme pothuajse në çdo mendim timin krijues”.
Në mbarë botën sot, data 21 Qershor e çdo viti është caktuar Dita e Muzikës me moton për një jetë më të shëndetshme!
Mjekësia është Shkencë dhe Art
A është mjekësia Art?
Vazhdon të diskutohet në se mjekësia është shkencë apo art. Ka edhe historianë, që e përshkruajnë historinë e saj si Historia e Artit të Mjekësisë. Arti është mënyra si bëhet një gjë sipas disa rregullave teknike dhe estetike. Mjekësia është një art, sepse jo vetëm duhet të dish të bësh, por edhe të dish të thuash dhe të dish të jesh, sipas disa rregullave teknike dhe ndonjëherë estetike.
Në vija të përgjithshme mjekësia përmban gjithë përbërësin e mjeshtërisë artistike.
Në disa fusha të nënspecialiteteve të Mjekësisë, mjeshtëria artistike del në plan të parë p.sh. në degë të ndryshme të kirurgjisë, siç është kirurgjia plastike, në degë të ndryshme të stomatologjisë, në dermatologjinë kozmetike e në ndonjë fushë tjetër. Por edhe në këto fusha Mjekësia zbatohet vetëm e vetëm mbi themelin e saj shkencor, pra, ndërsa shfaqja, dukuria e puna duket si art i mirëfilltë, thelbi mbetet shkencor.
Në veçanti, shkenca e mjekësisë nuk mund të ekzistojë pa intuitën, pa imagjinatën, pa fantazinë, pa përfytyrimin e pa kreativitetin, që janë elemente të mirëfillta të artit.
“Mjeku duhet të ketë shkathtësinë dhe saktësinë e violinistit, veshin e dirigjentit, mendimin e shkrimtarit, impulsivitetin e aktorit, aftësinë në dallimin e ngjyrave të piktorit, perceptimin e formave të skulptorit dhe mprehtësinë dhe ndjeshmërinë e poetit”…
Sipas OBSH-së: Shëndeti nuk është thjesht mungesë e sëmundjes, por është gjendja e mirëqenies së përgjithshme trupore, mendore dhe psiko-sociale të njerëzve.
Ashtu si dhe shëndeti, edhe koncepti i mirëqenies është në dinamikë dhe i lejon individit variabilitet. Mirëqenia mund të mendohet si balancim dinamik midis aspekteve fizike, psikologjike, sociale dhe shpirtërore të jetës së njeriut. Sot është një diskutim i hapur dhe në nivelet e larta të OBSH-së mbi përkufizimin e shëndetit. Ashtu si edhe me shëndetin, çdo njeri e përkufizon mirëqenien në bazë të vlerave dhe sipas prospektivave të tij.
Aktivizimi i mirëqenies promovon funksione të shëndetshme dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve. Shembujt për aktivizimin e saj përmbajnë: menaxhim stresi, ushqim i duhur dhe përgatitje fizike.
Modeli holistik i kujdesit shëndetësor
Brenda kontekstit të kujdesit shëndetësor Holizmi ka qenë një nga temat më kryesore të njerëzimit. Holizmi njeh dhe respekton ndërveprimin e mendjes, trupit dhe shpirtit të njeriut brenda ambientit.
Holizëm vjen nga fjala greke “holos”, që do të thotë i plotë, i tërë. Ai është i bazuar në besimin se njerëzit nuk mund të kuptohen plotësisht në qoftë se ekzaminohen si pjesë të veçuara nga ambienti i tij. Holizmi i shikon njerëzit si një sistem energjie në ndryshim të vazhdueshëm.
Mjekësia nuk është shkencë absolute dhe ekzakte, por është shkencë abstrakte dhe relative.
Dhe kështu do të jetë në vazhdim në jetë të jetëve përderisa të vijë një ditë që shkenca e mjekësisë të dominojë mbi ligjet e natyrës…?!
Në etapat e mëdha të historisë së njerëzimit në përgjithësi dhe të mjekësisë në veçanti, para dhe pas lindjes së Krishtit dhe deri në ditët e sotme, pyetjet “Përse?” dhe “Si?” në kontekstin e ndërtimit dhe funksionimit të organizmit të njeriut asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje absolute, por përgjigje relative nga ana e mjekësisë, me gjithë progresin e jashtëzakonshëm shkencor të saj. (Emërtesa “Diagnoza” është e rrallë në krahasim me emërtesën “Sindrom” në nomenklaturën e sëmundjeve?!) Shembull mund të jenë enigmat e funksionimit të trurit, “shpirti”, ndjenjat, emocionet e njeriut…
Në ndihmë të shëndetit të njeriut në fillim ishte mjekësia hyjnore, pastaj njeriu dhe natyra, mjekësia tradicionale, klasike, moderne dhe sot është mjekësia moderne e sofistikuar-virtuale…
Shekuj më parë elementet e mjekësisë alternative të sotme ishin primare si universi, natyra, bimët, uji, metodat tradicionale të shërimit, akupunktura, muzika, joga, meditimi, simbolet etj.
Në ditët e sotme kemi një “ricklim” shkencor të mjekësisë tradicionale disashekullore, duke u njohur dhe çertifikuar dhe nga organizmat botërorë të shëndetësisë nën emërtesën Mjekësia Alternative, që sot është një shkencë më vete, komplementare, brenda fushës së shkencës së mjekësisë.
Në vitin 2014, presidenti Putin dhe kryeministri indian Modi nënshkruan marrëveshje të rëndësishme. Deklarata e tyre e përbashkët përmban që India dhe Rusia do të nxisin bashkëpunimin me qëllim promovimin e shëndetit në palestër përmes metodave tradicionale indiane e Yoga-s.
Muzikoterapia si shkencë është relativisht e re
Muzikoterapia është një shkencë që ndërthuret me shkencën e mjekësisë, si pjesë plotësuese dhe ndihmuese e saj, sot e njohur si mjekësi alternative. Ajo është një disiplinë shkencore e ndërvepruese midis shkencës së mjekësisë, psikologjisë klinike e muzikore, muzikologjisë, pedagogjisë, sociologjisë, filozofisë, etnologjisë, antropologjisë, akustikës muzikore, teorisë së muzikës dhe estetikës.
Është provuar shkencërisht tradita shumëshekullore e popujve për efektet kuruese të tingujve muzikorë. Tingujt muzikorë kanë aftësi të ndihmojnë në përmirësimin e ecurisë së sëmundjes dhe të krijojnë një gjendje më relaksuese të pacientëve. Ata shpeshherë përdoren si shoqërues gjatë terapive të ndryshme kurative.
Me cilësitë e veta të jashtëzakonshme, pasi asimilohet shumë shpejt dhe lehtë nga truri, muzika përqendron vëmendjen duke harmonizuar ritmin e brendshëm mendor dhe në këtë formë rrit endrophinën (“hormonin e lumturisë”), i cila provokon ndjenjën e kënaqësisë.
Terapia moderne muzikore filloi nga fundi i viteve 1940 dhe ishte rezultat i përdorimit të muzikës në trajtimin e neurozave të luftës tek ushtarët pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke shënuar kështu dhe vijën ndarëse për zhvillimin në baza më shkencore të terapisë muzikore. Sot muzikoterapia, bazuar në studime të mirëfillta shkencore në Neuroshkencë, gjen një shtrirje mjaft të madhe dhe një aplikim me sukses në fushën e mjekësisë.
Sot, në shumë shtete të zhvilluara, si në Francë, në Danimarkë, në Gjermani, në Sllovaki, në SHBA etj., ajo përdoret me shumë sukses që kur fëmija është në barkun (mitrën) e nënës. Në trojet e Ballkanit muzikoterapia për herë të parë në mënyrë institucionale ka filluar të zbatohet në vitin 1993, në Qendrën Klinike Psikiatrike në Beograd (ish Jugosllavia), si një sektor i veçantë eksperimental në kuadrin e saj.
Bashkia dhe institucionet shëndetësore në Paris, duke i dhënë rëndësi kujdesit shëndetësor, vlerësojnë kujdesin holistik ndaj pacientit nëpërmjet muzikoterapisë. Brenda projekteve organizojnë trajnime profesionale duke angazhuar për këtë qëllim profesionistët e kujdesit shëndetësor e muzikantët e rinj.
Në shekullin XXI me mijëra terapeutë muzikorë ushtrojnë aktivitetin e tyre në spitale, klinika, qendra edukative shëndetësore, në shkolla, burgje, qendra riaftësimi etj.
Me të drejtë mjeku Edgar Cayce (Kejs), i njohur për shërimin e mijëra pacientëve nëpërmjet metodave psikoterapeutike, i cituar prej revistës “Fountain” (dhjetor 2002), thotë: “…muzika është ilaçi i së ardhmes”.
Përvojë jetësore
“Ustallarët” e zemrës dhe profesorët e kardiologjisë shqiptare për muzikën.
Eh, Muzika. Më erdhën në kujtesë dy momente nga jeta ime profesionale.Duke qënë në Vienë dhe më pas në Zyrih,kam asistuar në dy ndërhyrje të vështira në zemër.Më ka mbetur në kujtesë fakti që të dy ekipet mjekësore realizonin punën e vështirë, në sfondin e muzikës klasike dhe të lehtë vieneze. Kuptohet që ky sfond ndikonte pozitivisht në çtensionimin e tyre dhe në rendimentin e punës së tyre delikate .Eshtë i njohur fakti që muzika ndikon tek njeriu qysh kur është në barkun e nënës e deri në pleqëri.Ajo qetëson shpirtin,shton kurajon për të përballuar vështirësitë e sigurisht shton gëzimin kur ai është i pranishëm. Prof. Anesti Kondili 2016
Muzika është mjekimi më efikas dhe më aristokrat që regjeneron shpirtin dhe nëpërmjet tij mposht të gjitha sëmundjet dhe vuajtjet njerëzore. Prof. Spiro Qirko 2016.
Kur shpirti këndon …
Andrea me violinë, Ferdinand Deda në piano dhe Xhevahir Spahiu me këngë ( 2002)
Gjatë përvojës sime si mjek pediatër dhe si muzikant kam ndier indirekt efektet pozitive të muzikoterapisë në formimin tim profesional, në ushtrimin e profesionit si mjek, në komunikimin me fëmijët, me familjarët dhe me komunitetin në përgjithësi. Them indirekt, sepse në formimin arsimor e profesional në brezin tim (1969-1975), nuk ka qenë e njohur muzikoterapia dhe nuk përmendej, qoftë edhe si term mjekësor, ashtu siç nuk përmëndej psikoanaliza e Frojdit.
Ka qenë viti 1996 dhe më tej, kur si ekspert permanent në Komitetin e Shëndetit Europian në KE- Strasburg, apo gjatë kualifikimeve në spitalet e Parisit dhe nëpërmjet literaturës shkencore u informova dhe thellova më tej njohuritë për vlerat e muzikoterapisë në mirëqenien shëndetësore të njeriut.
Në vitin 2005 më ra në dorë libri “Muzika dhe shëndeti” i muzikologes A. Balliu Sopa me banim në Suedi. Babai i saj m’u drejtua për ta lexuar e për t’i bërë parathënien e librit. Me shumë kënaqësi kam shkruar diçka në hyrje të këtij libri, që ndoshta është “dallëndyshja e parë” në literaturën e këtij lloji në Shqipëri.
Vitet e fundit kam konstatuar me kënaqësi se muzikoterapia po trajtohet dhe nga muzikologët dhe psikologët tanë në masmedian shqiptare dhe kosovare.
- 1 dhjetor 2014 m’u desh të rikthehesha me punë në klinikë, në profesionin tim si mjek pediatër në Konsultorin e fëmijëve në Qendrën Shëndetësore Nr. 5 Tiranë.
Gjatë vizitës mjekësore me fëmijët e porsalindur e të moshës deri 3 vjeç vëzhgoja marrëdhëniet (afeksionin) nënë – fëmijë dhe mënyrat se si vetë nënat i qetësonin të qarat e fëmijëve gjatë vizitës mjekësore apo kur fëmijët aplikonin vaksinat. Një nga metodat që nënat përdornin për të qetësuar apo pushuar të qarat e fëmijës ishte kënga ose muzika në celular iPhone.
Për të kuptuar më mirë se sa informacion kanë nënat dhe personeli mjekësor për efektin e muzikoterapisë në mirërritjen e fëmijëve, në Konsultor hartova një pyetësor. Pyetësori iu shpërnda 20 nënave të reja. Nënat ishin kryesisht me arsim të lartë. Nga kontigjenti i nënave të anketuara, 5 nëna kishin realizuar lindjen jashtë shtetit, në: SHBA, Itali, Greqi, Gjermani, Kinë.
Përfundimet e pyetësorit nuk ishin shumë entuziaste lidhur me informacionin që nënat dhe personeli mjekësor kishin për muzikoterapinë:
Në nivelin individual.
Në nivelin institucional: në ambientin e sallës së lindjes, apo në sallën e të porsalindurve në maternitet.
Nga ana e personelit mjekësor apo psikologë.
Një nga rastet në praktikën mjekësore
Fëmija Luka N. i datëlindjes 3.12.2013, lindje normale, me peshë lindjeje 3510 gr, fëmija i parë, u paraqit për vizitë mjekësore në konsultor më datën 29.12.2014.
Fëmija gjatë vizitës qante, i lëvizshëm… Jonela, nëna e fëmijës, për ta qetësuar filloi të komunikonte me fëmijën, i këndonte dhe nga çanta nxjerr celularin iPhone dhe i vendosi muzikë. Fëmija Luka në çast pushoi së qari, u qetësua dhe vizita mjekësore u zhvillua në kushte normale me fëmijën.
E pyes Jonelën, nënën e fëmijës për të mësuar diçka më tepër lidhur me marrëdhëniet e fëmijës Luka me muzikën.
Jonela më përgjigjet: – Kur kam qenë shtatzanë me Lukën, kam pasur shqetësime, si ankth, stres, por e qetësoja veten duke dalë shëtitje nga liqeni dhe duke dëgjuar muzikë me kufjet në vesh. Në muajin e shtatë të shtatzanisë, kur dëgjoja muzikë, i ndieja lëvizjet e Lukës më të forta në barkun tim.
M’u kujtua “Efekti Mozart” dhe i them Jonelës: – Luka është si Mozarti i vogël.
Tetor 2015. Luka është në moshën 22 muajsh. Kisha muaj pa e parë Lukën, pasi Luka për një periudhë kohe ishte së bashku me prindërit në Brazil.
E pyes Jonelën se si po shkon Luka me zhvillimin psikomotor: me reagimet ndaj ambientit të jashtëm, me të folurit dhe me muzikën.
Jonela më thotë: – Kemi marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin, komunikojmë mirë. Luka flet fjalë dhe fjali si dhe ka mësuar këngën “Lodra e maçokut” të cilën e këndon me qejf.
Koiçidencë jetësore
I them Jonelës: – Këngën “Lodra e maçokut” e kam kompozuar unë në vitin 1975 (40 vite më parë), kur unë isha mjek pediatër, por njëkohësisht luaja në violinë dhe kompozoja këngë…
Jonela e qeshur më dëgjonte me habi… dhe më thotë: – dhe në Brazil, kur e çoj Lukën për vizitë mjekësore te mjeku Marcello, mjeku ma këshillon muzikën, por dhe në klinikën e tij në sfond dëgjohej muzikë.
Një rast te një fëmijë autik
Një nënë së bashku me fëmijën e saj 6-vjeçar autik paraqitet në konsultor për të marrë një dokument.
Fëmija ishte me të gjitha shenjat brenda spektrit autik, por dhe nëna tepër e shqetësuar për komunikimin me fëmijën e saj.
E pyes nënën: – Fëmija gjatë ditës si mund të qetësohet?
Nëna më përgjigjet: – Qetësohet vetëm kur dëgjon këngë në festa familjare, veçanërisht kur dëgjon këngën “Qengji i vogël”. Dhe nëna, për ta bërë këtë gjë sa më të besueshme për ne, na tregon në aparatin celular iPhone filmimin-Video, që i kish bërë fëmijës duke kënduar këngën “Qengji i vogël”.
Në Video fëmija dukej i qetë para TV dhe i dëgjohej zëri i tij i plotë. Fëmija e këndonte këngën me shqiptim të saktë të fjalëve, por dhe me intonacion të vijës melodike.
Ishte një çudi e pabesueshme për personelin mjekësor që ishte prezent para këtij fakti!
Fëmija në jetën e përditshme nuk shqipton asnjë fjalë, por vetëm grindet, i papërqendruar në një vend dhe me lëvizje të çrregullta…
Si shpjegohet që këngën “Qengji i vogël” fëmija autik e këndon me fjalë të plota…?!
Pritshmëria
- Kulturë profesionale
Progres në mentalitetin institucional dhe në tregun e punës
Së pari, me kënaqësi konstatoj përpjekjet dhe shqiptimin e fjalës “kulturë” nga stafi aktual i Bashkisë për një qytet të kulturuar.
Së dyti. Dhe në Shqipëri ka ardhur koha për të ngritur ekipe multidisiplinare profesionistësh për ushtrimin e muzikoterapisë.
Brenda kontekstit “profesion” dhe “profesionistë” me dinjitet qëndron dhe profesioni “Terapeutë muzikorë”, por aktualish tek ne ky profesion nuk është i njohur. Kjo kërkon një ndërgjegjësim nga instancat arsimore për hartimin e programeve mësimore multidisiplinare me kurrikulat përkatëse. Të gatshëm për edukimin arsimor dhe formimin profesional për Terapeutë muzikorë janë studentët e porsambaruar të Shkencave Mjekësore, të Arteve apo Psikologjisë. Këta profesionistë të rinj do të gjejnë treg pune në institucionet shëndetësore, sociale dhe arsimore publike apo private.
b.Kulturë e përgjithshme
Gjithashtu, për institucionet shtetërore apo private do të ketë shumë vlera kulturore, shëndetësore, psiko-sociale e humane për brezat e ardhshëm programimi i edukimit muzikor në arsimin shkollor, aktivizimi i fëmijëve në aktivitetet artistike korale apo në komplekse vokale e deri në mësimin e një instrumenti muzikor. (Formim klasik arsimor).
Fëmijëve u shton inteligjencën, ndjeshmërinë njerëzore dhe parimin e solidaritetit!
Rezultatet e muzikës do t’i ndiejë fëmija kur të jetë i rritur, prindërit dhe shoqëria, duke kontribuar në formimin e një shoqërie të kultivuar e të shëndetshme në një botë globale të trysnuar e që përballet nga momenti në moment me faktorë të shumtë psikologjikë.