Albspirit

Media/News/Publishing

Financial Times: “Lufta e shenjtë” e Kremlinit kundër Ukrainës

Qëndrim i kolegjiumit të ditores Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Ideja e një “lufte të shenjtë” në Evropë mund të tingëllojë si rikthim në shekujt e kaluar. Megjithatë, në esencë, kjo është mënyra se si Kisha Ortodokse Ruse dhe kreu i saj, Patriarku Kiril i Moskës, e kanë portretizuar pushtimin rus të Ukrainës. Patriarku Kiril i ka udhëhequr lutjet për ushtarët rusë që luftojnë për atë që ai e quajti “pavarësia e vërtetë” e Rusisë dhe i bëri jehonë narrativës së Kremlinit se Moska po lufton për ta mbrojtur veten kundër armiqve të jashtëm mëkatarë (teksa i ka denoncuar edhe priftërinjtë kundërshtues). Ky qëndrim jo vetëm që tregon se si kisha dhe shteti janë të ndërthurura në Rusinë e Vladimir Putinit, por gjithashtu na bënë t’i kuptojmë motivet për pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Edhe pse jo formalisht pjesë e saj, Kisha Ortodokse Ruse de facto është bërë shtyllë e regjimit autokratik të Putinit. Pasi për dekada me radhë u shtyp nën komunizëm, kisha e ka krijuar një lidhje të çuditshme me pasardhësit e shërbimeve të inteligjencës sovjetike që dikur ishin persekutorët e saj. Si këmbim, është shpërblyer mirë me privilegje për hierarkinë e saj të lartë dhe me mijëra kisha të reja që po ndërtohen.

Lidhja shkon përtej mbështetjes së veprimeve dhe të narrativës së Kremlinit. Roli i pretenduar i kishës së Moskës si mbrojtëse e vlerave “tradicionale” kundër një perëndimi dekadent, është element kyç i brendit të Putinit për nacionalizmin rus. Mbështetësit e tij të pasur përfshijnë disa “oligarkë ortodoksë” dhe pasardhës të rusëve të bardhë që u larguan nga vendi pas Revolucionit të vitit 1917.

Udhëheqja e kishës është pajtuar me krijimin e një ideologjie të Putinit që bashkon respektin për të kaluarën cariste dhe ortodokse të Rusisë me nderimin për humbjet sovjetike gjatë fashizmit në Luftën e Dytë Botërore. Kjo mishërohet në Katedralen kryesore të Forcave të Armatosura Ruse, 40 milje në perëndim të Moskës, që u hap në vitin 2020.

Ky mendim e paraqet si të shenjtë “operacionin ushtarak special” në Ukrainë dhe, gjithashtu, synon të rifitojë Kievin, vendin bazë të ortodoksisë ruse qëkur krishterimi u përhap në Rusinë Kievase të shekullit X (shteti i themeluar nga vikingët, i sunduar në shekujt IX-XIII nga dinastie Rurike e varangianëve të Suedisë – v.p.). Rusia e mbikëqyri kishën ortodokse të Ukrainës deri në vitin 2019, kur u shkëput kisha e re e pavarur ortodokse ukrainase. Ajo u njoh nga udhëheqësi shpirtëror i Kishës Ortodokse Lindore, Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Kostandinopojës. Lufta synonte ta “shëronte” këtë skizmë të cilën Moska e shihte si lëvizje të orkestruar nga ShBA-ja që synonte të minonte vizionin e Ortodoksisë dhe të Putinit për t’i bashkuar në “botën ruse” të gjithë rusishtfolësit që jetojnë jashtë kufijve të Rusisë.

Por, teksa ballafaqimi ushtarak i Putinit me ukrainasit për shumë breza do të jetë pykë mes dy popujve, po ashtu lufta po e nxit ndarjen e kishave ortodokse të drejtuara nga Moska dhe nga Kievi. Shumica e famullive në Ukrainë zgjodhën t’i nënshtroheshin Patriarkut Kiril, edhe pas vitit 2019 – rreth 12 mijë ose rreth një e treta e të gjitha famullive ishin nën kontrollin e Moskës. Tashti, shumë prej klerikëve në Ukrainë që ishin mbështetës të Moskës, po e përjashtojnë patriarkun Kiril nga lutjet e tyre. Qindra priftërinj ukrainas që janë zyrtarisht anëtarë të kishës së Moskës, kanë bërë thirrje që për bekimin e luftës ky patriark të gjykohet nga një Gjykatë e Kishës.

Lordi Rowan Williams – ish-kryepeshkop i Kantërbërit i cili me liderët tjerë fetarë javën e kaluar e vizitoi Ukrainën – ka thënë se nëse Patriarku Kiril nuk e dënon vrasjen e anëtarëve të “grigjës së vet”, ekziston një “rast i fortë” për dëbimin e kishës ruse nga Këshilli Botëror i Kishave. Përderisa ka argumente morale për lëvizje të tillë, kjo nuk ka mundësi t’i ndryshojë përllogaritjet e Kremlinit. Në fakt, kjo veçse mund ta ushqejë mentalitetin e kinse rrethimit të Moskës dhe narrativën se është e përfshirë në një luftë të drejtë fetare. /Telegrafi/

Please follow and like us: