Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: SHOQJA IME E KLASËS, EDI LUARASI

Në 82-vjetorin e lindjes dhe në përvjetorin e parë të largimit nga jeta
Si nesër, më 7 maj 1940, ajo erdhi në jetë dhe do të largohej e pikëruar 17 muaj më parë. Në vitin 1959 ajo erdhi në klasën tonë e hareshme, plot vrulle vajzërore dhe iku nga jeta e “vrarë shpirtërisht”, me brengat e ndëshkimeve të pamerituara! Kjo ishte Edi Luarasi, shoqja ime e klasës. Nuk ishim më shumë se një grupim 20 vjeçarësh entuziastë e plot ëndërrime të moshës më të bukur rinore. Dhe më duhet që ta kujtojë i hidhëruar, pikërisht tani, sikundër është e ravijëzuar në mendjen time, si edhe thellë në shpirt, kur edhe unë po përgatitem të vete e ta gjejë aty ku është, në “jetën e përtejme”!
Realisht, e pata njohur më përpara, kur vazhdoja Shkollën Teknike të Fulcit në Tiraanë dhe kujdestari i konviktit na sillte një herë në muaj për të parë shfaqje në “Estradën e Shtetit”, që në atë kohë ishte një ngjarje e pazakontë dhe i vetmi dëfrim i të rinjve. Ne ishim disa adoleshentë që vinim nga rrethet e ndryshme të vendit, po edhe motrat Mirdita, sikundër i quanin këngëtaret e reja, ishin me moshën tonë barazi. Dhe këndonin aq bukur këngët e muzikës së lehtë, saqë ne konviktorët i bënim flakë pëllëmbët e duarve nga duartrokitjet e zjarrta, duke i kthyer disa herë motrat Mirdita që kishin hyrë edhe ato në “Botën Rinore” që ishte aq e varfër në atë kohë…
Dhe do të përbënte një të papritur të këndshme që, në klasën tonë të aktrimit, me elemente të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria, tre vite më vonë, do të vinte edhe Edi Luarasi, njera prej motrave mirditore, që e patën këtë mbiemër prej atit të tyre mirditas, një oficer i lartë në Ushtrinë Popullore, i cili qe përkujdesur fillimisht t’i afronte vajzat e veta për të kënduar në “Estradën e Ushtarit”… Mirëpo, në dallim nga ne të tjerët, Edi ishte më e çliruar nga kontraksioni elementar i fillimit të një jete artistike, nga e para, kur ajo kishte disa vite që dilte në skenë edhe si aktore, me role nëpër skeçet që ia jepte regjisori Mihal Luarasi, i cili do të bëhej pas pak kohe, jo vetëm bashkëshorti i saj, po edhe pedagogu ynë i “Teknikës së të Folurit”, si edhe njëri prej regjisorëve më të shquar të vendit, dramaturg e kritik arti njëherësh, talent e erudit si ai!
Edhe në etydet e “Mjeshtërisë së Aktorit”, Edi do të ishte më e zonja se ne, madje më organike dhe plotësisht e çliruar nga kontraksionet. Po kështu do të ndodhte edhe në interpretimet në fragmentet e shkëputura nga dramaturgjia jonë dhe e huaj. Mbaj mend se, në njerin nga fragmentet që interpretonte me partner Serafin Fankon, ajo arriti të evidentonte, jo vetem anën lirike të pjesës, po edhe plastikën e shkëlqyer të një aktoreje me të ardhme të sigurt. Këto tipare të interpretimit të saj do të shkonin edhe më tej me rolin e Beatriçes në komedinë e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”. Po, para se të vinim këtu, plastika jonë do të zhvillohej së tepërmi në dy spektakle mbresëlënëse: në realizimin e shfaqjes-përrallë të Andon Panos “Ylli i Alpeve”, që e patëm si proçes mësimor, si edhe në vënien në skenë të tragjedisë “Hamleti”, ku i gjithë kursi ynë, ishte i inkuadruar në role figurantësh, që kryenin funksionin e oborrtarëve të Kështjellës Mbretërore, të luftëtarëve të mbretit dhe të shërbëtorëve të oborrit. Kështu që do të stërviteshim patjetër në mësimin e reverancave të kohës së Mesjetës, po edhe të ndeshjeve me skermë e shpatë, si edhe në mundjet skenike me njëri-tjetrin. Një gjë e tillë do të bëhej edhe për shfaqjen-përrallë “Ylli i Alpeve”, në vitin e tretë të studimeve tona, sidomos në skenat kur “delnin shejtanët” në shesh e demonstronin vallet e tyre. Te të gjitha këto stërvitje mësimore interpretuese do të shquhej nga të parët Edi Luarasi, studentja jonë më e shkathët e kursit. Me të folurën e saj elokuente, me një plastikë të shkëlqyer e sjellje prej djaloshi të prapë, si edhe me etjen për të bërë shakara të ndryshme, rengje e lojra pa ndonjë zarar midis nesh. Më se e këndshme, si në jetë, ashtu edhe në skenë, e gjallë dhe e bukur. Me një botë të brendshme që ndriste edhe pa folur. Rrezatuese si ajo!
Që në shfaqjen e diplomës “Shumë zhurmë për asgjë” shkëlqeu menjëherë talenti i Edi Luarasit. Beatriçja e saj, si një “Kryeneçe e pamposhtur” edhe ajo, sintetizonte energjinë e pazakontë te epokës, paralelisht me Benediktin Shekspirian-shpuza zjarri që të dy, të rinj të dashuruar, me plot pasione gazëndjellje e ëndrra. Në këtë rol Edi shpaloste nga vetja nje romantikë moshe që nuk mbahej dot, harmoni e plastikë bashkë, si edhe nje erotikë tipike të Rilindjes Angleze, kur e gjithë jeta është e saj dhe vetëm e saja… Pas këtij personazhi të realizuar nën regjinë e Spahivoglit, Edi Luarasi nuk e kishte vështirë të realizonte një personazh tonin, Verën nga drama e Fadil Paçramit “Shtëpia në Bulevard”, si edhe Lenën e dramës së Ibrahim Uruçit “Doktor Aleksi”, me një psikologji tërësisht shqiptare e me linja veprimi të qarta, në fizionomi thuajse të njëjta me moshën e saj. Ajo e zotëronte hapësirën skenike, aqsa dukej sikur nuk i mjaftonte. E papërmbajtur! Po do të ndryshonte figurë në inskenimin e tragjedisë së Shekspirit “Mbreti Lir”, me rolin kompleks të Kordelias, realizuar në Teatrin Popullor nga Pandi Stillu, ku ajo do të shquhej përsëri për botën e saj shpirtërore të pasur, edhe për atë ndjesi të hollë dashurie, si një ikonë e shenjtëruar! E sinqertë, njerëzore gjer në skajet e egzistencës e pa asnjë interes, për atin e mjerë e të përbuzur nga motrat e tjera të saj, të etura pas trashëgimnisë së tij. Edi, krijonte lirshëm, në një pofil krejt ndryshe edhe me karakterin e saj ekspresiv, të hapët e paksa të zhurmshëm. Tashmë Edi Luarasi do të ishte aktore profesioniste e këtij Teatri Kombëtar, me një repertor të ngjeshur e të zgjedhur, ku nuk do të ishin të pakta as ndërhyrjet partiake. Dhe, në një periudhë qetësie, kur ajo do të mbetej pa rol, gjatë vitit 1967, do të përgatiste vetë, me punë individuale kryerolin e “Cucës së maleve”, ku do të ishte, pa asnjë dyshim, një interpretuese me dinjitetin e duhur të Cucës. Si edhe një vajzë malësore që e ka hedhur ndrojën tejë dhe, pa e përfillur konjukturën kanunore, do që të mari pas vedi në “shtigjet e dijes” edhe çikat e tjera të ndrydhura nga terri kohës.
Por, një kapitull i errët në jetën e kësaj aktoreje dhe të vetë teatrit tonë në përgjithësi, do të hapej në vitin 1969, me shfaqjen e dramës “Njollat e murme” të Minush Jeros, që do të ishte edhe një sfidë e karakterit politik, e bërë nga vetë Enver Hoxha, i cili nuk godiste kështu krejt artin e shoqërinë shqiptare, po edhe ata udhëheqës që ishin përreth tij dhe që ai donte t’i eleminonte fizikisht dhe i eleminoi me këtë rast… kryesisht kundër kryeministrit Mehmet Shehu që e duartrokiti këtë shfaqje dhe e cilësoi si “një plumb kundër revizionizmit”, ndërkohë që Udhëheqësi e cilësonte si “tipike revizioniste”! Edi Luarasi do të ishte këtu një protogoniste me kryerolin e Leas, që shqetësohet shpirtërisht për fëmijët e saj në kohët e reja, po edhe me regjinë e të shoqit, me tipare moderne bashkëkohëse, ku në epiqendër të skenës qe vendosur edhe një akuarium peshqish, si simbolikë e vetë fenomenit… Pavarësisht nga kjo mënxyrë e tejskajshme, pa u shpallur akoma “mandati”, Edi Luarasi cilësohet nga juria si “aktoria më e mirë” e këtij festivali. Ndërkohë regjisori Luarasi nxitoi të vinte në skenë një tjetër dramë të Minush Jeros, me tematikën e Luftës NÇL, ku Edi do të interpretonte figurën e një nëne me tipare heroike, në vitin 1971, por kjo shfaqje nuk pati shume jehonë, edhe pse me regji interesante, si edhe me aktrimin e përsosur të aktores kryesore. Fill pas kësaj ajo do të kthehej në Tiranë, e ftuar nga shoku ynë i klasës Mario Ashiku, për të interpretuar rishtazi në”Teatrin e të Rinjve” rolin e Beatriçes në rivënien e komedisë së Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”. Teatri Popullor e radhiti Edi Luarasin përsëri në trupën e vet, ku e prisnin dy role të goditura: një nënë italiane në dramën e Shpëtim Ginës “Armiqtë” dhe roli i Kerolit në dramën e Tenes Uilliamsit “Orfeu zbret në ferr”, që u realizuan njëra pas tjetrës dhe patën të njëjtin fat, u ndaluan nga çensura partiake, për tone të zymta dhe “intonacione të huaja”!
Sikur të mos ishin të pakta këto “rrëshqitje”, erdhi viti 1973 i festivalit të 11 të këngës në RTSH, ku përsëri Enver Hoxha do të trazohej me injorancën e vet, duke e riquajtur rishtazi si “njollë të zezë” për artin tonë “me partishmëri proletare”. Anatemimi i tij këtë herë do të binte edhe mbi Edi Luarasin, e cila qe aty një prezantuese e çliruar nga ‘vargonjtë’ statikë e bënte një interpretim të lirshëm, me një komunikim të përsosur me sallën e me partnerët e vet. Ky festival i muzikës, pas festivalit të teatrit, shkaktoi një ‘furtunë’ të madhe, që shënoi edhe tatëpjetën e çiftit Luarasi, nga ku Mihal Luarasi do ta vuante ndëshkimin me një burgim prej 8 vitesh, ndërsa Edi me një ndëshkim prej 17 vitesh, si ndalim profesioni dhe dërgimin e saj, për të punuar në një rrobaqepësi. Në kuadrin e të ashtuquajturës “Luftë e Klasve të Përmbysura” nga regjimi i vjetër! Duke rreshtuar këtu edhe autorin e këtyre radhëve, organizues direkt i festivalit teatror, që ndëshkohet fillimisht me tre vite internimi në minierën e Memaliajit, 8 vite burgim më pas, si edhe me punë të detyruar fizike “pa afat”, në vitet e mëpastajme, së toku me autorët Luarasi e Jero, pa i lënë pa ndëshkuar edhe ministrin Thoma Deljana si çoban me dhi në Dhëmblan të Tepelenës e të dy zëvedësministrat si puntorë krahu në fermat bujqësore të vendit!…
Dhe vetëm pas mbylljes së “perdes së hekurt” e rrëzimin e shtetit të diktaturës, e para që do të thirrej rishtazi në skenë qe Edi Luarasi, prej regjisorit Gëzim Kame që i besoi asaj rolin kryesor, Kler Cahanasian në dramën e Dyrenmatit “Vizita e damës plakë”. Ajo interpretoi këtu me mallin përvëlues të një aktoreje të larguar padrejtësisht, ku hovet e shpirtit ishin drithëruese, afër një triumfi të ligjshëm, si një rikthim ngazëllyes. Ishte gjithçka si nje paralele e dhimbshme me vizitën e damës plakë Kleri Cahanasian, që publiku do ta priste me ovacionet e një aktrimi të madhërishëm. Pas këtij spektakli të realizuar me dinjitet prej ish studentit tim Gëzim Kame, unë do të kisha fatin e lumtur të takimit, në ditën e shfaqjes së kësaj premiere, pas afro 20 vitesh, me shoqes time të klasës, në skenë, e të përloteshim që të dy, prej malli e prej gjëmave që na e shkurtuan jetën e na kishin ndaluar të afroheshim me këtë vend magjie që quhet Teatër! Paskëtaj ajo do të rikthehet nga Hungaria, ku edhe banonin me të shoqin e saj, pas përmbysjes së madhe e emigrimit masiv, gjatë periudhës kohore 1993-2003, kur regjisori Luarasi do të vinte në skenë edhe dramën e tij “Korbi i bardhë”, me interpretuese kryesore, bashkëshorten Edi në rolin e nënës, ku ajo “thyen” mrekullisht edhe moshën, edhe karakterin e vetë. Po kështu do të ndodhte edhe më pas, duke mishëruar me suksesin e emocioneve të mirëfillta rolet e saj, në shfaqjet “Cilindri” dhe “Hekurat”.
Edi Luarasi shënon në repertorin e vet skenik 30 role të rëndësishme, si tek dramat “Rrugë të tërthorta” e Qamil Buxhelit, “Çatia e të gjithëve” e Kiço Blushit, “Pas dy vjetësh” të Dhimitër Xhuvanit, “Dasmë e përgjakur” të Garsio Lorkës etj, ku është gjithmonë në funksion të plotë të personazheve që i janë besuar, me korrektësi e vërtetësi, po pa ndonje spikatje të veçantë, kur rolet, jo në pak raste, nuk shpërndaheshin sipas karakterit krijues të secilit aktor. Nuk është vendi këtu për të bërë analizat e dramave, spektakleve dhe filmave që ka interpretuar kjo aktore e talentuar e megjithatë duhet të vlerësojmë seriozitetin krijues të saj, për t’i bërë të pranueshme rolet e veta. Do të bënin ndryshim cilësor të tre rolet e saj në filmat respektivë “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Vitet e para” dhe “Gjurma”, ku përkushtimi i aktores si krijuese meritonte një vemëndje shumë më të madhe, përbri partnerëve me shumë përvojë, sikundë qenë Sandër Prosi, Naim Frashëri, Pandi Raidhi, Piro Mani e Margarita Xhepa, po edhe përbrenda moshës e karakterit që ka personazhi. Veçanërisht me rolin e Afërditës te “Ngadhënjim mbi vdekjen “, ku heroina reale, ka jo vetëm zhvillimet e veta emocionale, po edhe rezistencën në rrethanat e një shtrëngese të pazakontë, ku vihej në ekuilibër jeta me vdekjen. Ajo interpreton këtu njerën nga partizanet e njohura të Qeparoit, duke e konceptuar atë si një vajzë të thjeshtë e të qeshur, pa e lozur heroizmin në vetvete, si nje demonstrim pllakatesk, bile në fillimet e rolit, si partizane e plagosur, di të bëjë edhe humor me shoqen e saj partizane, Mirën e Englantina Kumes, si edhe të ngjitet si mace mbi çatiat e Gjirokastrës, me pllaka guri, me revolver në dorë, gjersa bie në thonjtë e gjermanëve, për ta dhënë edhe jetën, pa iu trembur syri, në lakun e litarit, së toku me shoqen e vet të idealeve. Në moshën e personazhit ajo ështe edhe tek Rina e “Viteve të para”,dhe pse skenaristi e ka gjymtuar së tepërmi vazhdimësinë e jetës së figurës letrare, duke i lënë aktores më pak vend, që ajo të mund ta shprehte edhe më në thellësi ndarjen e dikurshme me Stavri Larën e martesën pa dashuri me një egocentrist si Aleksi i Nelkut. E megjithatë regjia e Kristaq Dhamos, ka ditur të shfrytëzoj disa imazhe filmike, kur e vendos figurën e saj përteja gardhit të hekurt, apo pas xhamit të dritares, kur rrjedha e shiut përzihet me lotët e saja të dëshpërimit…
Shoqen time të klasës, Edi Luarasin, tashmë do ta mbaj mend, ashtu sikundër ishte qysh në shkollën e aktrimit, me një portret të vetin e të pandryshuar në çiltërsinë e tejdukshme që kishte në jetë. Një aktore me temperament të papërmbajtur në skenë, po gjithmonë e natyrshme, energjike dhe e vërtetë, që kishte në çdo rol vetveten, pa bërë shumë makiazh. Me të folurën e saj të mëndafshtë, ku qartësia, diksioni e logjika të bënin për vete. Si një sugjestion direkt, emocional e i vetvetishëm. Pa asnjë kantilenë, edhe pse ishte një këngëtare shumëvjeçare. Duke komunikuar me partnerët dhe me spektatorët, po me ata tinguj që kishte e folura skenike, në teknikën e saj më të lartë, e edukuar dhe nga shija e kërkesa strikte e pedagogut tonë Luarasi, gjithmonë i përkorë dhe estet i fjalës skenike, që ishte njëherësh edhe bashkëshorti, njeri nga regjisorë-pedagogët më të mirë që patëm ne, në të parën shkollë të lartë të Artit Skenik, po edhe teatri ynë, kudo ku ai vuri shfaqje prej mjeshtri të vërtetë, i cili i jepte shumë rëndësi llogjikës së figurës artistike, me një ndërlidhje sigurie e harmonie me veprimin e ngjarjen që përjetonte personazhi në spektaklet e tij brilante, në sheshin skenik. Po, nëse egziston edhe FATI I NJERIUT, duhet thënë se ai ishte tragjik për veten e tij, po edhe për shoqen time të klasës, për fëmijët e tyre dhe për gjithë kombin tonë, ndër vlerat e paharruara e të pa vdekshme të TEATRIT…
Edi Luarasi eshtë vlerësuar me titullin “Artiste e Merituar” që në vitin 1992 dhe vetëm tani, pas vdekjes, është shpallur “NDERI I KOMBIT”. Të paharruar do të mbeten…
Athinë, në ditët e para të majit 2022.
Please follow and like us: