Rifat Ismaili: DJALI DHE DJALLI…
Rrëfenjë
Në kohët moderne, njerëzit po bashkëjetojnë në simbiozë të thellë me celularin, i cili ka zënë vendin e bisedave të dikurshme. Një ditë Saimirit, ndërsa lundronte në internet, nëpër ato lojërat e fatit, iu shfaq në ekran një burrë i maskuar dhe i foli:
– Ti ke prirje të veçantë për lojën. Je një gjeni.Unē do të bej më të mirin dhe do të bëj të pasur.
– Kush je ti?- e pyeti Saimiri i çuditur
– Kush jam unë ? – u çudit njeriu i maskuar. Unë jam vetja jote, unë jam fati, unë jam pushteti e forca, unë jam çdo gjë. Unë kam aftësinē të arrij çdo gjë dhe s’humbas asnjëherë. Tani e tutje do jem mjeshtri dhe mësuesi yt.
Saimiri u grish prej fjalëve të tij dhe iu nënshtrua me përulje.
– Mirë i tha. Do ndjek mësimet e tua, Mjeshtër! Dua të fitoj gjithmonë. Dua të jem dikushi.
Njeriu me maskë vuri buzën në gaz dhe i kënaqur i tha: – Tani po largohem një çast. Do vij prapë.
Dhe u zhduk sa hap e mbyll syte.
S’kaloi një orë, dhe Njeriu-maskë u shfaq prapë në ekran.
– Kam përgatitur diçka speciale për ty. Tani do prekësh qiejt e ëndrrës me duar.
– Çfare është, Mjeshtër?
– Tani do e shohësh me sytë e tua. Eja me mua.
– Po si të vij unë?
Njeriu-maskë nxorri në çast një krah të fuqishëm prej telefonit dhe me të tërhoqi djalin brenda ekranit.
Sa hap e mbyll sytë, Saimiri u gjend përpara një tavoline ku shumë lojtarë luanin poker. Salla ishte e madhe dhe e mbushur plot.
– Ja, fati yt- i tha Njeriu-maskë. -Tani do të shijosh fitoren tënde te parë. Hyr në lojë.
Dhe djali ashtu bëri. Në çdo gjuajtje që bënte, po i buzëqeshte fati. Pranë iu afrua dhe një vajzë e bukur, që e veshtronte me admirim.
– Ofroji tē pijë një drink- i pëshpëriti Njeriu Maskë, dhe joshe me hiret dhe aftësinë tënde.
Ishte një natë magjike për Saimirin. S’ kaloi shumë dhe krahët iu mbushën me para dhe vajza e bukur e shoqëroi gjer në dhomën e tij. Të nesërmen që pa gdhirë, Njeriu maskë iu ul përbri krevatit, e zgjoi dhe i tha; -Duhet të shkojmë.
Sa hap e mbyll sytë u gjend përsëri në shtratin e dhomës së tij, u shtri, dhe fshiu me gisht një të kuq buzësh që i kishte lënē gjurmë nën gushē.Ai kujtoi vajzēn, dhe si i dehur solli ndër mend natēn pasionale me tē. Njeriu Maskë ishte zhdukur dhe ai ra të flinte përsëri.
Pasi kaloi gjithë ditēn duke fjetur, ai u zgjua , kur dielli ishte në të perënduar.
Sa hap e mbyll sytë iu shfaq Njeriu-maskë, i cili iu ul në një cep të shtratit.
– Hej, djalosh, – e pyeti ai, – a je gati për një tjetër fitore. Unë kam mundësi të të plotësoj çdo dëshirë.
– Vërtet?- e pyeti djali ende i përgjumur, duke fërkuar sytë.
– Të gjitha dëshirat e tua. Vetëm se edhe unë dua shpërblimin tim. Për çdo dëshirë apo fitoren tënde, unë marr disa ditë nga ditët e jetës tënde. Kështu zgjas jetën time, jam gjithmonë i ri dhe rroj përgjithnjë. Po ta mendosh, nuk humbet shumë, jane disa ditë nga jeta jote, por imagjino sa përfitime ke nga marrëveshja me mua. Mjafton që të jesh i kursyer në dëshirat e tua.
Djaloshi pasi u mendua një hop, vendosi se pak rëndësi kishte të humbte një pjesë të ditëve të jetës së tij, mjaftonte që të arrinte ambicjet dhe madhështinë, famën e paratë, gjithçka kishte ëndërruar.
Kështu që pranoi dhe i tha njeriut-maskë dëshirën e rradhës.
Ai e mbarti mbi shpinën e tij dhe së bashku u ngritën në qiellin e natës. Kësaj here ai nuk kishte dashur fitore, por kënaqësi. Me sytë e mrekullisë ai përshkonte malet e lartë, fushat e pyjet dhe ndjehej i gjithëpushtetshēm. Pas një fluturimi të bukur nëpër qiellin e përndritur nga yjet, ata u ndalën mbi një lëndinë me bar të gjelbër, ku mijëra lulëkuqe përndrinin nën rrezet e zbehta të hënës. Një përzierje e magjishme ngjyrash, ku çdo sy njerëzor do të sugjestionohej. Nuk kaloi shumë dhe para djaloshit u shfaqën disa nimfa që ecnin me këmbët lakuriqe nëpër bar, kërcenin e qeshnin mes njëra-tjetrës. Ato ishin të veshura me këmisha të bardha trasparente ku përvijëzoheshin linjat më intime të trupit.
Djaloshi shtangu dhe vështrimi iu ndez nga bukuria e tyre. Ato u prezantuan me djaloshin, njëra prej tyre i zgjati dorën dhe e tërhoqi pas vetes.
Pas një nate të tillë lumturie, djaloshi u kthye në shtëpi i çoroditur e i përhumbur nga kënaqësia e ëndrrës që kishte provuar.
– Dëgjo, djalosh- i foli mjeriu-maskë. – Provove një kënaqësi që nuk mund të ndodhte kurrë në jetën tënde prej njeriu të zakonshëm. Dhe unë sipas paktit, mora disa ditë të jetës tënde.
– Ti gëzosh, mjeshtër! – i tha djaloshi i ngazëllyer. – Nuk pendohem.
– Mos më ndërprit, të lutem- i bëri vërejtje njeriu-maskë. – Tani e tutje unë nuk do të kthehem më. Do të vij vetëm nëse ti, do më kërkosh të vij. Dhe do të përmbush gjithnjë dëshirat e tua.
E puthi djaloshin në ballë dhe u zhduk sa hap e mbyll sytë.
Djaloshi u shtri të flerē dhe përhumbi për orë të tëra në perandorinë e gjumit. Në ëndërr iu shfaqën nimfat dhe gjithë çmenduria e lumturisë që kishte kaluar. Si gjithmonē u zgjua në afërsi të muzgut. Bëri të ngrihej, por ndjehej pa fuqi. Gjithçka i dukej pa kuptim dhe dhoma e zbrazët. Një vorbull dëshirash i kapluan shpirtin, por duke e ditur se çdo dëshirë e realizuar, i merrte ditë nga jeta e tij e stepte. Por pas një dueli me veten, fituan dëshirat dhe ai thirri ne ndihmë njeriun-maskē. Ai erdhi në çast dhe i plotësoi dëshirën djaloshit. I kërkoi ta shpinte përsëri tek nimfat dhe kaloi me to një natë të zjarrtë pasioni. Kalonin ditët dhe djaloshi po bëhej gjithnjë e më i varur pas dëshirave të tij. Herë pas here, shkonte para pasqyrës dhe vëzhgonte me frikë ndryshimet e tij fizike. Në një kohë të shkurtër ishte burrëruar, kishte pamjen e një dyzet vjeçari dhe nuk ishte në gjendje të kontrollonte më as jetën e tij. I dhënë me mish e me shpirt, pas lojërave fitmiprurëse dhe dëshirave të shumta, Njeriu-maskë ishte kthyer në qenie e përhershme e netëve te tij. Mjaftonte të bënte 3 herë numrin gjashtë dhe ai ishte në çast atje. Kishin shëtitur gjithë botën bashkë, kishte marrë pjesë në festat mondane, kishte njohur nga afër yjet e kinemasë, femrat më të bukura, kishte luajtur në kazinotë më të fuqishme të botës, kishte provuar shumë gra, kishte hyrë në botēn e të pamundshmes duke e bërë të mundshme. Jeta po i shkonte rrufeshëm dhe brenda njē kohe të shkurtër ai mori pamjen e një 70-vjeçari. Pa flokët e tij të thinjur, rrudhat në fytyrë dhe sytë iu mbushën me lot. Qëlloi me grusht pasqyrën, e cila u thye në mijëra copëza të vogla duke u shpërndarë përgjatë gjithë dhomës. Më në fund, shkoi drejt celularit, e mori në dorë, e kundroi me neveri dhe e përplasi fort mbas murit. Ndërsa binte në tokē, iu shfaq në ekran njeriu-maskë që duke u zgërdhirë, i tha: “Sa keq! Nuk ke më dëshira, plakush”? Dhe imazhi i tij u shua me dritën e zbehtë e të fundit të ekranit.
Nga ajo kohë, duke bërë jetën e një shtatëdhjetëvjeçari, ai hoqi dorë nga gjithçka, por ishte tepër vonë. Iu zhyt me pasion leximit të librave dhe aty gjente pak ngushëllim. Në mëngjes zgjohej herët dhe shëtiste pranë detit. Kur kthehej në shtëpi, e priste vetëm zbraztia e dhomës së tij dhe tërē paratë e fituara nuk e ndihmonin dhe nuk e motivonin për të filluar një jetë më të mirē.
Please follow and like us: