Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJË GOTË RAQI ME VIZITORIN E LARGËT

As që do ma rrokte kurrë mëndja se do ta pija nje gotë raqi “të ndaluar rreptësisht nga mjeku”, me një vizitor që më erdhi papritur nga “tëma e sëmës”, prej një qyteti të vogël të Belgjikës që quhet OOSTENDE dhe që ka pranë Hollandën, po edhe Gjermaninë, Luksenburgun, Francën, po edhe Anglinë, më përtej detit, ku e kishin përplasur “dallgët e jetës”. Ky njeri i çuditshëm nga Zagoria e Çajupit, që më kishte hasur e njohur nëpër zgafellat e nëndheshme të minierës së Memaliajit, ku më kishin përplasur edhe mua “fërtunat”e asaj periudhe ogurzezë, ndërkohë kur që më kishte rënë vagoni dëngëza me qymyr- guri nga shinat, katrash në llucë, gjatë turnit të natës, duke më vajtur djersa çurkë për ta ngritur e se ngrija dot, pa e ditur asfare se kush isha! Ndofta ngaqë fytyrat tona nxinin sterrë, po edhe ngaqë në ditët me diell, aty mua me quanin “ARMKU që duhej ndrequr përmes punës ndëshkuese”! Bile edhe llambën e karbitit që e vija në kapelen prej fibre, ma kishin dhënë me numrin 101! Si në përralla! Kështu që 18 vjeçari djalë me emrin Isak Vlashi, ma ngriti vagonin e iku nëpër udhët e nëndheshme ku edhe ai punonte pranë të atit, 37 vite minator, po aty, në nxjerrje të qymyrit, poshtë një mali 600 metra të lartë. Dhe që, bashkë me qymyrin e zi, nxirrnin edhe bukën e gojës, së toku edhe me Miço Nanon nga Përmeti, me Selfo Shehun nga Memaliaji e me qindra të tjerë rrotull, nga Tepelena, Mallakastra e Berati, nga ku hynim brenda e nuk e dinim se do të delnim dot gjallë, në përditshmërinë tonë po kaq të errët.
Isaku do më mbante mend që atëhere, kur e mësoi edhe se kush isha e kur donte të vazhdonte studimet e larta e nuk i jepnin një copë bursë, me mendimin e “rrënjosur” se djemtë e minatorëve, do të vdisnin dhe ata si etërit e tyre minatorë, duke nxjerë “arin e zi” nga mali. Të mbyllur këtu, në “Me-mal-iaj”, si në një rreth vicioz”! 20 vite më kanë ikur nga jeta”, – thotë ai tani, duke kujtuar atë kohë të llahtarshme, që e detyruan të ikte “nga sytë këmbët” maleve e deteve e për të përfunduar në ishullin më të skajshëm grek,-KOS,- të Egjeut Plak, fare afër bregut turk. Dhe, më pas të soste diku në Belgjikë, të ulej aty i moshuar tanimë në bangat e shkollës së atjeshme, për të mësuar dhe gjuhën e tyre. Të bëhej dikushi, si “QYTETAR I BOTËS”, me punë e shpërblim mbarazi e për të ardhur edhe tek unë si një zotëri e vizitor i rrallë, i merakosur se si do të isha, pas aq e kaq vitesh të mundimshme, si edhe pas “goditjes nga rrufe-ja”,-sikundër e shkruante edhe zagoriti Andon Zako Çajupi, që ishte edhe ai, me një fat m…, mërguar e vdekur në Misir! Në se rroja a s’rroja edhe unë këtyre “udhëve të jetës”, ku më kishte lënë, në një barangë- shpëtuar nga përmbytjet në Atikën e Homerit të verbër!? E kushdo që do më shihte se do të pija përsëri një gotë raqi, me këtë njeri, pas 45 vitesh nga ajo natë, 22 vite pas vërshimeve përmbytëse të këtyre anëve dhe 6 muajve nga “goditja” ime e papritur, do të vinte “duart në kokë”! Po jo… Për këtë mysafir të rrallë, qe “Arëza” AJO, që na i mbushi përsëri gotat e qelqit! Dhe që unë do të thoshnja, me zë të ulët, se kjo botë “e mbrapshtë” nuk është edhe pa NJERËZ TË MIRË!…
Athinë, më 26 qershor 2022.
Please follow and like us: