Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Rruga Belvedere

Mëngjesi ngre qepallat e veshura me djersën e hënës dhe lodhur nga zukatjet e gjinkallave. Ngadalë shtriq këmbët që dalin jashtë bordit të krevatit dhe lëviz drejt korridorit. Veshët i pikasin zhurmën e zakonshme që percepton nga dyshemeja e çimentë të oborrit, ndezur nga nata e nxehtë, ku rrëshqet si gjarpri mes fierit me ngut, një tub i gjatë i lidhur me rubinetin e çezmës në fund të oborrit.

Uji çlirohet nga burgu i tmerrshëm prej gome e derdhet rrëmbyeshëm mbi rrudhat e krijuara të një nate më parë. Plakja fillon t‘i largohet fytyrës si në klinikë pas një operacioni plastik. Pasi dyshemeja është ngopur, tubi spostohet drejt pemëve të oborrit, pjeshkëve të bardha me push, kumbullave jeshile, të verdha, të kuqe, pjergullës së rrushit që kundërmon aromë luleshtrydhe dhe e drurëve të fiqve të zinj, që varen si  veshë drejt hijes. Aroma e frutave përzihet dhe shtyhet nga ajri drejt dritareve  për të gudulisur hundët e përgjumura.

Dora që ka ndjekur këtë operacion mëngjesor, vazhdon ujitjen me sytë gjysmë të mbyllura nga kënaqësia, duke u drejtuar nga lulet shumëngjyrshe që ndodhen në të dy krahët e hyrjes së shtëpisë. Zambakët ngrejnë kokën lart e përshëndesin njëri-tjetrin duke zbuluar në fytyrë kohëzgjatjen e rinisë. Dikush psherëtin nën buzë se ka kuptuar që ditët e bukura janë drejt fundit, e dikush llastohet duke hedhur grepat për një flirt të mundshëm me një lule të re.

Një palë gërshërë zgjaten drejt kërcellit të tyre të brishtë, ku  gojët  mbysin brenda vetes ofshamën e dhimbjes.

Krak-krak, kërcet e vendosur gërshëra, e në duart e zonjës së shtëpisë mbeten 4-5 degë zambakësh ngjyrë deti. Me kujdes ajo i vendos në një vazo të qelqtë mbushur me ujë, për t‘i trasferuar mbi një sipërfaqe të drunjtë e të sheshtë, në sallonin e pritjes. Zambakët ndjejnë që janë përsëri në jetë, por në një formë tjetër. Ndjehen më të lehtë dhe më pranë njëri-tjetrit. Vështrimi i tyre kureshtar zbulon objekte të reja përreth. Do t’iu duhet ndoshta t‘iu kërkojnë miqësi, për të bashkëjetuar me të panjohurit. Por, këtë do ta zbulojnë në orët në vijim.

Ndërkohë një bisht fshese fillon të zgjasë mustaqet për të pastruar e lëmuar çdo cep të oborrit.

Amvisa hap ngadalë portën dhe shtyn jashtë saj ujrat, pluhrat, gjethet e zverdhura. Oborri i saj ndrit nga pastërtia dhe sytë i shkëlqejnë nga kënaqësia.

I njëjti veprim edhe nga portat në krah apo përballë. Gratë përshëndeten, buzëqeshin e shkëmbejnë ankesat për lodhjen e mëngjesit. Më pas tërheqin pas vetes dyert e drunjta apo të hekurta, vendosin llozin e drejtohen drejt kuzhinës për të rrufitur kafenë e parë të ditës.

Ndërkohë në rrugën zemërgjerë të të gjithëve, nën trysninë e ujit, vozisin të padisiplinuara gjethet, barishtet e çdo gjë që fshesa ka shtyrë jashtë portave të vilave.

Pas disa orësh, ditëve të nxehta të verës, tek pragu i derës do dëgjohet zëri i rreptë i grave: Kujdes fëmijë kur të vendosni këmbët mbi asfalt, se mund të rrëzoheni!

Please follow and like us: