Albspirit

Media/News/Publishing

 Leonard Olli: Dështimi policisë si dështim i plotë politik

 

Largimi i Gledis Nano nga drejtimi i Policisë së Shtetit u krye si rrallë herë me shkarkim, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ndoshta ndër të paktat raste, për të mos thënë i vetmi, ku një Drejtor i Përgjithshëm shkarkohet, pa formalitetet e dorëheqjes. Madje, Nano refuzoi të dorëhiqej, çka dëshmon një përplasje institucionale me ministrin e linjës, por ndoshta edhe me kryeministrin. Si rrallë herë, lidershipi politik vuri në zbatim si argument për shkarkimin e tij, pikën nr. 2, gërma ‘b’, të nenit 14, të Ligjit për Policinë e Shtetit, ku thuhet: Drejtori i Policisë së Shtetit shkarkohet nga detyra kur: b) nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.

Kohëzgjatja e Nanos në këtë detyrë vështirë të justifikohet më këtë argument sepse është një kohë shumë e shkurtër për të përmbushur objektiva strategjikë. Jo më kot, ligjvënësi ka parashikuar një mandat 5-vjeçar për këtë pozicion. Por, edhe nëse hipotetike do të qëndronte ky argument, një lidership politik serioz do të duhej minimalisht të bënte publike disa nga objektivat, ku Nano kishte dështuar. Por askush, as ministri i linjës dhe as Kryeministri nuk e panë të arsyeshme të informonin opinion publik për këtë. Në të kundërtën, pati një reagim nga ambasada e SHBA-ve, e cila vlerësonte profesionalizmin dhe integritetin profesional, tashmë të ish drejtorit të organizatës. Shumëkush është i bindur se shkarkimi i tij vetëm me perfomancën nuk kishte lidhje. Situata e kriminalitetit gjatë 10 muajve të drejtimit nga Nano as u përmirësua e as përkeqësua. Prej vitesh ajo është në agravim të thellë, pasi nuk është çështje performancash operacionale dhe teknike, por vullnetesh politikë. Edhe pse formalisht në nenin nr. 4 të ligjit respektiv, në pikën 2 thuhet se “Policia e Shtetit është e depolitizuar’, pika ‘d’, garanton pavarësinë operacionale dhe  pika ‘e’ përcakton se karriera duhet të bazohet te “integriteti, merita dhe profesionalizmi”, të gjithë e dinë absolutisht se ‘de facto’ edhe ato arritje që zbatoheshin pak vite më parë, u zhbënë sapo socialistët morën pushtetin në vitin 2013, me në krye ministrin famëkeq ‘bravo çuna’.

Sërish, referuar kuadrit ligjor, neni 7, pika 1, Ministri, në gërmën ‘a’, thuhet e bardhë në të zezë se Ministri“harton dhe mbikëqyr zbatimin e politikave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit e të sigurisë publike; b) përcakton drejtimet strategjike dhe objektivat e Policisë së Shtetit; d) mbikëqyr procesin e ankimeve në Policinë e Shtetit dhe shqyrton ankesat ndaj Drejtorit të Policisë së Shtetit; dh) përgatit dhe publikon raportin vjetor për arritjen e objektivave nga Policia e Shtetit. Që sot emërimet në polici janë me preferenca të forta politikë këtë as nuk ve më në dyshim kush, jo vetëm në nivel drejtorësh vendorë, por edhe deri në nivele shefash komisariatesh e më tej. Me përjashtim të Bajram Ibrajt, që mbylli një mandat 5-vjeçar sikundër e parashikon ligji të gjithë të tjerat para apo pas tij janë liruar nga detyra me apo dashjen e tyre. Ndërsa Nano është i pari rast që ka kundërshtuar hapur shkarkimin për motivet e bëra tashmë publike. Dhe me shumë gjasa me të drejtë. Ligjërisht dhe moralisht përgjegjës për politikat, strategjitë dhe rezultatet është ministri i linjës me kryeministrin dhe jo drejtori i organizatës. Nëse ministri Çuçi do të kishte sqaruar publikisht se çfarë i kishte kërkuar dhe çfarë nuk kishte realizuar ky do të ishte një fillim i mbare.

Por kjo nuk ndodh. Në nenin 8, ‘Marrëdhëniet e ministrit me Policinë e Shtetit’, nënvizohet se: Ministri nuk informohet për: a) veprime hetimore, akte apo të dhënat e përftuara prej tyre; b) informacione që kanë të bëjnë me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose vendndodhjen e dëshmitarëve, bashkëpunëtorëve të drejtësisë ose informatorëve;. Pra, mos ndoshta shkarkimi i Nanos lidhet me këto aspekte ligjore, qëpolitika shqiptare nuk është mësuar tëmarrë jo -në si përgjigje?!

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, po aq e rëndësishme është elementi ‘de jure’. Një lexim shumë i vëmendshmi kuadrit ligjor të bind se, në mungesë të vullnetit politik, depolitizimi i policisë mbetet vetëm në letër. Kur emërim i Drejtori i Përgjithshëm i PSh ështëkompetencë e plotë e ministrit të linjës dhe kryeministrit, kur emërimi i Drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është kompetencë e plotë e ministrit të linjës dhe kryeministrit së fundmi (më herët ishte varësi e ministrit të linjës), kur emërimii kreut të Shërbimit Informativ është kompetencë e kryeministrit, është e qartë se jo vetëm Policia e Shtetit, por edhe agjencitë e tjera ligjzbatuese janë totalisht nën kontrollin e politikës, madje ligji i detyron të japin llogari vetëm para tyre. Përjashtim bën kreu i Shërbimit Informativ, i cili jep llogari në kuvend. Nëse përfshijmë këtu edhe shërbimin e inteligjencës se Forcave të Armatosura, i cili jep llogari para ministrit të Mbrojtjes, katërcipërisht kuptohet se në një vend si Shqipëria, ku pavarësia institucionale është shndërruar në një shaka të madhe, i kemi varur ujkut mëlçitë në qafë. Ne nuk kemi një Republikë Parlamentare, por ‘de facto’ një Republikë Kryeministrore, kur dihet pushteti absolut që ka kryeministri brenda subjektit të tij politik edhe si kryetar (ku i emëron deputetët e forcës së vet politike). Kuadri ligjor, në nenin 8, pika 2, përcakton se Drejtori i Policisë së Shtetit: a) organizon, drejton  dhe kontrollon veprimtarinë e policisë; b) menaxhon burimet njerëzore; neni 11, pika 1, “Drejtori i drejtorisë vendore emërohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit, bazuar në standardin e gradave dhe nëse plotëson njëkohësisht kriteret si vijon: Neni 14, pika 1, “Ministri emëron Zëvendësdrejtor të Policisë së Shtetit, me propozim të Drejtorit të Policisë së Shtetit, duke saktësuar se “Policia e Shtetit është unike,    e centralizuar, e organizuar në nivel qendror dhe vendor (neni 19). Do të mjaftonte emërimi i vetëm një Drejtori të Përgjithshëm të politizuar dhe, me brishtësinë që ofron ligji, të krijojë një organizatë të politizuar jo vetëm në rang funksionarësh të lartë, por në çdo qelizë. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend, e sidomos PSh dhe Agjenicia e Mbikëqyrjes Policore, në mungesë të vullnetit politik ashtu sikundër ndodh rëndom, mund të shndërrohen në çdo moment në detashmente në shërbim të pushtetit dhe jo të shtetit. Komisioni hetimor parlamentar i ngritur me kërkesë të opozitës në vitin 2013-2014, provoi katërciprisht emërimet ultrapolitike, dhënie me procedura të përshpejtuara të gradave në kundërshtim ta hapur me ligjin, madje edhe rikthim në radhët e policisë të elementëve që kishin qenë pjesë e famëkeqit Sigurim i Shtetit. Edhe largimet nga detyra të dhjetëra e dhjetëra kuadrove drejtues dhe specialistëve ishin të motivuara nga preferenca politike. Vetëm brenda një nate u shkarkuan 36 shefa komisariatesh dhe në një ditë të vetme rreth 80 punonjës të Komisariatit Rrugor në Tiranë, veprime që edhe publikisht u deklaruan se u kryen me urdhër të ministrit të Brendshëm Tahiri! Mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, heqja edhe formalisht e analizave 6 mujore apo vjetore në kuadër të drejtorive vendore apo asaj të përgjithshme, mungesa totale e raportimit të ministrave të Brendshme si në parlament ashtu edhe para opinionit publik është dëshmia më e qartë se dështimi i Policisë së Shtetit në misionin dhe detyrat e saj është dështim politik dhe politikash. Kjo është arsyeja kryesore e situatës së degraduar ‘in extremis’ të rendit dhe sigurisë publike. Nga viti 2015, raportet e OSBE/ODIHR nënvizojnë përdorimin politik të saj në zgjedhje, fenomen që ishte minimizuar maksimalisht nga viti 2007 e deri në vitin 2013. Kur politika fushatat zgjedhore i bazon te ‘të fortët’ dhe madje në organizata kriminale, do të ndërhyjnë fort që ata të mos preken edhe sikur të mos kenë asnjë lidhje tjetër. Mjafton kjo ndërhyrje që drejtuesit e niveleve të larta të ‘fitojnë’ të drejtën për abuzime e shkelje të ligjit. Nëse realisht opozita zyrtare është e interesuar që kjo situatë të ndryshojë, nëse realisht nuk pret që sapo të vijë në pushtet të sillet si mazhoranca aktuale apo edhe më keq, është e udhës të lejë telenovelat me lot, qarje e mallkime ndaj të ligut Rama e të ndërmarrë nisma ligjore konkrete për depolitizimin real të agjencive ligjzbatuese, kryesisht të PSh dhe AMP. Modelet e mira e funksionale ekzistojnë në mjaft vende të BE-së. Përndryshe shteti policor që është ndërtuar sot, logjikisht do të shkojë drejt autokracisë policore. Në situatën aktuale askush nuk duhet të fshihet pas drejtuesve të uniformave blu, pasi krijuesit e strategjive, politikave, urdhëruesit dhe përgjegjësit e vërtetë për situatën tragjike ku ndodhet sot vendi është lidershipi politik. Ministri i linjës, i pari që duhet shkarkuar, madje para drejtorëve teknikë. Sigurisht, që pas tyre është radha e Kryeministrit për shkarkim, por kjo është kompetencë e popullit që merr formë në zgjedhjet e radhës.

Please follow and like us: