Albspirit

Media/News/Publishing

Vaid Hyzoti: BUSTI…

 

Ai bust në laboratoret e anatomisë në shkolla,

Që përdoret për qëllime didaktike,

Ku trupi i njeriut është prerë më dysh,

Është busti im,

I çarë me majë thike!

Aty ku truri duket i korracuar,

I ashpër, guackë, si kurriz breshke,

Ku gjysma e zbuluar është në një hemisferë

E tjetra i përket një tjetër hemisfere…

Është truri im

Në kokën e prerë…

Ata damarë të ngjyrosur për t’u dalluar,

Që vrapojnë drejt zemrës, fshihen tek barkushet,

Arteriet, venat dhe kapilarët,

Për të dhënë bymimin edhe sesi tkurret…

Është e imja ajo zemër e allçinjtë.

Punon vetëm gjysma,

Veç ajo që s’duket.

Dhe njëra dorë e zhveshur nga mishi,

Dhe dora tjetër që vjen e plotë,

Janë të miat, por ju mos provoni

Në secilën prej tyre të vini një orë…

Se njëra shkon gjashtë orë para

E po aq shkon tjetra prapa…

Herë 18 orë më vjen dita,

Herë po aq më vjen nata…

Dhe ashti… o i gjithë busti i allçinjtë,

Që keni parë në shkolla, në laboratorët e anatomisë,

Me prerjen klasike vertikale.

Është i imi, më ngjan mua

Dhe gjithë emigrantëve…

Veç ende s’e di pse nuk e lëvizin

Për në departamentin e shkencave sociale…

 Gusht 2010.

Please follow and like us: