Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: PËRSE KJO HEREZI ME LIBRIN?!

Kohët e fundit më shastisi një “Bibliotekë e Madhe”me libra që lëvizte nëpër dete e skela qytetesh të botës nëpërmjet një anije gjigande! Dhe befas ajo kishte mbërritur edhe tek ne. Në portet tona. Shëtiste kështu DIJA E KULTURA e njerëzimit, për t’u ardhur njerëzve më pranë vetes e për t’u bërë më të mirë e më fisnikë, në begatinë e shpirtit. Nëpërmjet LIBRAVE! Se, kushdo që e do librin dhe që e lexon atë, nuk e thonë kote se: do ta ketë si “mikun më të mirë”, që do ta mësojë e nuk do ta tradhëtojë gjatë gjithë jetës. Ashtu sikundër thoshte edhe Cicero: “Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, atëhere ke gjithçka që të duhet”.
S’ka pak ditë, që vajtëm në Qeparo të Himarës, një e nga një, si ilegalët e njëhershëm dhe prisnim, njëri-tjatrin të mblidheshim bashkë (ata që shkruanin libra) që nga “Lumi i Vlorës” e deri në “Nivicë-Bubar”, me shpirtin të pasuruar për “daljen në dritë” të librit “Shtigjet e Vendlindjes”, të cilin kishim vite që e krenim dhe e festonim “si lindjen e fëmijës tonë të vetme” dhe që tani, po vështronin sesi na shuhej nëpër fytyrat tona gëzimi e kënaqësia e krijimit që ka njeriu kur shkruan libra! Si në skeçin e një estrade të asaj kohe të perëndur që titullohej ”Çorganizim i organizuar”! U çoroditëm! Sepse ishim fare pak nga ne, që e kishim shkruar së bashku ”Antologjinë e Vendlindjes”, që e patëm festuar 6 herë në Komunën e Lukovës, me një Kryetar dashamirës si Vladimir Kumi, fshat më fshat, si të ishim nëpër festat e njëhershme kombëtare e në ato fetare, më këngë e valle, me lexime e interpretime, po edhe me një gotë verë përpara,-si na i donte shpirti brenda. Po atëhere quheshim “Bregu i Poshtëm”! E kur na bënë njësh, me “Bregun e Sipërm” e me vështirësi të madhe mezi e bëmë një libër antologjie, thirrëm edhe një krijues të rrallë të Bregdetit, Kryeministrin tonë, i cili jo vetëm që na erdhi me shumë kënaqësi në Pilur, pa asnjë nga shoqëruesit e vet, ku u mblodhëm për bukuri e ai dha porosinë e çmuar që “herës tjetër ta bëni promovimin e kësaj ANTOLOGJIE më të madhe e më të gjërë”! Mirëpo, ç’ndodhi? Sikur ai tha të kundërtën për Jorgo Goron, Kryebashkiakun e Himarës, që e kyçi në sirtarin e tij tekstin voluminoz të kësaj antologjie, pa e botuar, tri vite radhazi , me 453 faqe e me pjesëmarrje më të gjerë se ndonjëherë tjetër, me firmat më të rëndësishme të kësaj ane, sikundër kishte vepruar edhe me “Guidën Turistike” të shkruar prej meje, katër vite me parë, si të ishte një “Armik i librit”, si heretikët e njëhershëm, me “fjalë e me vepra”, duke e “djegur” disa herë edhe fondin e Këshillit Bashkiak, shtyrë nga viti në vit, si edhe pa paguar asnjë honorar për krijuesit e këtyre librave! Sikur kjo nuk ishte “punë” , po një “angari që i ka zënë këmbët” këtij personi, që bashkëfshatarët e Bregut e mbeshtetën e i besuan në tre legjislatura! Vallë, nuk e ka ditur asnjëherë ky “zyrtar” se nuk është i “përjetshëm”dhe se, më e para e punëve kudo e ngado, nis nga kultura, pra edhe nga ato “shtigje shpirtërore” të bregdetit, ku ne jetojmë, punojmë e krijojmë?! Se, në fashatin tim, në Piqeras, nuk eshtë më i rëndësishmi ai ”ledhi” i rëzuar, ku hodhi aq shumë para e do të bjerë përsëri (ngaqë u bë “shkel e shko”?!), sesa ky libër voluminoz për gjithë Bregun (e me gjerë), i cili do të jetojë shumë më tepër vite, dekada e shekuj në bibliotekat tona, bile edhe në atë të Himarës?!
Ata që mezi u mblodhën në Qeparo, si në kohë lufte, ngaqë Bashkia e Himarës nuk denjoi as t’u vinte në dispozicion dy mjete (nga Tirana e nga Saranda) që të mundësohej kështu ardhja e të gjithë krijuesve të Bregdetit e ta kthenin në “FESTË LIBRI” këtë ditë të shënuar! Mungonin aty më shumë se gjysma e shkrimtarëve, e profesorëve, e studiuesve dhe e akademikëve të nderur që kontribuan me krijime e studime me vlera, jo vetëm për Himarën, po edhe për gjithë Kulturën Kombëtare… Ç’kuptim kishte të bëhej ky promovim formal? As që t’i priste dikush nga titullarët e saj, të paktën ata që mundën të vijnë!… As t’u thoshte një fjalë të ngrohtë mirëseardhje e as që të hanin aty një “çap buke”, si të ardhur “copa-copa” ata më të largëtit, po duhej që një Qeparotas, Th.S.- i ndodhur aty rastësisht,-sikundër tha po ky person “i zënë gafil” që “merrte e jepte” me telefon njëfarë “ikognjito!”se “çdo të bëhej” me këta “mysafirë, që u kishte marrë “koka erë”, të shkruanim libra si këta e të vinin gjer këtu”! Ore, le të dërgonin edhe ndonjë mesazh etike, “shfajësimi”, andej nga qenë, për këta “të ardhur të papërfillur”! Përse vallë duhej gjithë kjo llojë “herezie”?!
“Duhet të bëni kujdesin prej librave, çfarë është brenda tyre,-këshillon Cassandra Clare,-fjalët, kanë fuqinë të na ndryshojnë”! ”Lexova një libër një ditë dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”,-shton nobelisti Orhan Pamuk. “Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje të qetë: KJO ËSHTË JETA IDEALE”,-përfundon i MADHI Mark Twain. Kujdes, i dashur Jorgo Goro! Githçka e shkruar, fjalët e kësaj Antologjie Letrare janë për Himarën dhe jo vetëm PËR HIMARËN! Në krye të saj ne kemi vendosur portretin tuaj, me buzëqeshjen tuaj… Mos na i shuani edhe neve buzëqeshjen!
Piqeras, më 8 shtator 2022.
Please follow and like us: