Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Bela, e internuara e bukur!

Tregim

Unë kam takuar Roberton!

Kërkohet Bela, e internuara e bukur!

E kërkon ushtari i saj, “Roberto”,  që nga frika i dha këtë emër… dikur në Bjeshkët e Nemuna!

Ajo qesh nën buzë kur ai e pyet se përse ka në vesh një lule mali?

– Më fal, e këputa pa dashje dhe ngaqë më erdhi keq e vendosa mes flokëve që të ndihet butë. Unë i dua lulet e vendit tim. Dhe fap nënqesh dhe ul kokën.

– Bela, kujdes se do ta ndryshoj emrin dhe fytyrën! Ai zgërdhihet i inatosur dhe ia merr lulen së bashku me një tufë flokësh. Bela nënqesh sërish edhe nga dhembja.

Duke parë pas, edhe  pas një cope të mirë rruge, ajo e shan dhe e mallkon. I erdhi keq për lulen që Roberto ia vendosi mes flokëve pasi bënë dashuri. Roberto e kishte lënduar kur nuk e pyeti a ishte e virgjër. Por kush i pyeste ato se a kishin nder apo ndjesi njeriu? Po emrin ia dinte vallë?

Një e internuar në ato Bjeshkë të Nemuna, e di që nuk ka luksin të dashurohet, por dashuron dy herë më shumë. Njëherë dashuron, pasi është vajzë e re dhe Zoti ia ka dhënë ndjesinë e dashurisë pa e ditur që dikur ajo do jetë e internuar politike, ndërsa herën e dytë dashuron, sepse dashurinë nuk ia kontrollon dot askush. As komisari i partisë, që i rri pas si ferrë e egër nuk ia sheh dot zemrën. Me tru dhe në zemër është e lirë si zog mali!

E bukura Bela, e ëmbla Bela, siç e thërriste nëna, kishte rëndësi vetëm për komisarin që mos i hapte telashe dhe thatimit komunist asnjë hir i saj nuk i bënte përshtypje.

Dashuria që i jepte Roberto ishte një bekim dhe vjedhje ndaj vuajtjes, prandaj ajo jo vetëm që nuk ankohej, por sa herë bënin dashuri e falenderonte ushtarin e saj dhe e puthte në sytë si dy copa qielli të kthjellet.

Roberto, Roberto, e thërriste mes bjeshkëve, por jehona për çudi nuk ia kthente emrin. Ajo çuditej. Diçka nuk shkonte me emrin e këtij djali të bukur, por me emër të huaj.

E priti në bjeshkë çdo ditë, duke shtruar gjethe si shtrat me pupla ëndrrash të ndaluara, por ai nuk erdhi…

– Ushtarë në rresht! Komisari thatim dridhej si purtekë lisi pa gjethet kur po jepte komandën, po atë pasdite…

– Ushtarë gatitu!

– Roberto dil një hap para nga rreshti!

Askush nuk doli. Komisari përsëriti urdhërin më me forcë.

– Roberto dil një hap para nga rreshti!

Përsëri askush nuk doli. Djaloshi bukurosh dridhej nën rrobën ushtarake më keq sesa oficeri, por nuk doli edhe pas thirrjeve të tjera.

Kush më ka spiunuar vallë? Nuk mund të dilte kurrë, sepse e dinte mirë çfarë e priste. I lumtur që i kish dhënë emër të rremë Belës së tij, ai përpiqej të qëndronte i qetë.

Komisari pas tre thirrjeve të tjera u dha urdhër të qetësohen dhe iku duke turfulluar.

Belae priti çdo ditë derisa erdhi demokracia Roberton e saj, në Bjeshkët e Nemuna,  duke shtruar shtratin me gjethe dhe shpesh e zinte gjumi aty deri në orën kur i duhej të paraqitej tek komisari, para se të shkonte në kasollen e saj të shëmtuar.

Roberto, ka vite që e kërkon pasi erdhi demokracia, por nuk e gjeti kurrë Belën.

Në shpirt i fle një ëndërr bjeshkësh dhe gjethesh erëmira. Dashuria kurrë nuk kishte më erën e Belës bujare, por erën e të kundërtës së saj.

Ai akoma ëndërron për një ëndërr bjeshke, por i dhemb shpirti që nuk doli dot nga rreshti…

Brunilda Spiro: Paradë djemsh para siluetës femërore…

Please follow and like us: