Jorida Satka: E NJËJTA RRUGË
Sa herë më ngatërrohet e njëjta rrugë,
ajo që hedh përditë,
shikimet vajtje-ardhje.
Kaq kohë, asgjë s’ka ndryshuar,
veç stinët ikin e vijnë me ngjyra të ndryshme…
E hija që rëndohet kur koha mërzitet,
dhe ajo mërzitet shpesh,
ndikohet nga njerëzit.
Kapriçot e saj më lodhin, ka raste më mpijnë.
Shtëpia me tulla të kuqe kurrë nuk lëviz.
Ajo më çudit më tepër.
Veç ditën e pushimit ndiej se më mungon.
E vetmuar mes një hapësirë hektarësh pa fund,
ku në të njëjtin orar përballë saj ushqehen
dele të zeza.
Ato rrinë gjithmonë të bashkuara,
në një hapësirë shumë të vogël.
Asgjë ndoshta s’ka për t’u çuditur,
por pesha e tyre trupore
dhe lëkura e tyre është po njësoj.
Ato vetëm ushqehen dhe janë aq imcake,
sikur me gjarpërinj janë rrethuar…
Sa dua t’u afrohem e prapë tërhiqem…
Vallë ata që jetojnë aty,
mos janë të çmendur?
Po sikur të jenë,
ose të më marrin për të marrë?!
Do vazhdojnë ditët po njësoj,
po në të njëjtat rrugë.
Koka ngelet atje,
për një të nesërme…
Please follow and like us: