Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Niko Kacalidha

Sytë e Homerit

Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit…

Mijëra herë u kam thënë qëkurse ka rënë Troja:

se sytë m’i dogjën zjarret afruar pranë mureve,

ndonëse unë isha ake e mbaja anën e trojanëve.

M’i dogjën sytë zjarret e lanë zgavra dhe guva.

Ky ka qenë zakoni i perëndive në bërjen e botës

mua më lanë pa sy, me një sy ciklopin e tërbuar.

Po unë kam në irid të njërit sy diellin përbrenda

një monokël që ua kam fshehur ditën perëndive

edhe në iridin tjetër kam hënën natën, o të uruar.

Sidoqoftë, unë i kam zbritur nga Olimbi në tokë

dhe i vura të grindeshin midis tyre dhe me mua.

Unë përgënjeshtroj variantin tuaj se jam i verbuar.

Ditën kam diellin, natën hënën, aed i kompletuar.

 

Drurët nuk dredhojnë

Drurët naivë nuk dredhojnë majtas dhe djathtas.

Vërtet dridhen dhe rrëqethen degët e gjethet e tyre,

por vetëm një drejtim paskan ato rriten drejt diellit.

Ato mund të vallëzojnë dhe të veshura gjetherimit.

Ato mund të kërcejnë edhe me gjithë trungun e tyre

nën ritmin e daulleve cigane me arushën pranverës.

Ato kërcejnë lakuriq dimrit me daulle bubullimash.

Yjet përmbysur mbi ta janë çelësat e organos së tyre.

Dridhen drurët lakuriq pyjeve me deget drejt qiejve.

Dhe nëse dridhen nuk dredhojnë majtas e djathtas.

Madje edhe sarkofagët i shtyjnë rrënjet drejt diellit.

 

Pikëllimi i zogjve

Zogjtë rrinin kokulur rreth mëllenjës së plagosur.

Borsat sollën gjethe dhe e mbuluan me gjethe fiku.

Çarçafët e gjetheve të rëna shkundën vesën e tyre.

Natën, roje të pagjumë, arkemortit të verdhëllemë.

Në agim e mbuluan në kopsht me dheun e njomë.

Pastaj zunë vajet majë drurëve me cicërimat e zisë.

Pastaj mbi tufën e zogjve u shfaq një aureolë ylberi.

Edhe zogjtë e qiellit kanë vend në zemrën e dheut.

E vetmja brengë e tyre nëpër sqepat e deshpërimit:

a e mbajnë mirë flatrave të tyre peshën e gravitetit?

Atje poshtë mikja e tyre shtrirë në savanet e dheut.

A do të ruajnë gjer në fund, thonë, peshën e qiejve,

duke shikuar poshtë kopshtet e vesuara të shtëpisë?

Pastaj ata u ulën vrulltazi para shkallëve të shtëpisë

turmë zogjsh për thërrimet e shkundura të plakave,

si ndodh me grurin e zier në ksodhe e përkujtimore.

Pastaj bie borë e zezë e parakohshme si puplat e tyre

apo tundin flatrat e zeza mëllenjat për udhë qiellore?

Perëndi shndërruar në zogj dhe zogj në qenie hyjnore.

Zogjtë që kurrë nuk e kanë humbur ligjërimin e tyre./exlibria.al, 18 nentor 2022

Please follow and like us: