Brunilda Spiro: Letër sime bije, Petrula!
Largësia më lejon të shkruaj kaq gjatë, aq sa është malli për një nënë larg bijave të saj!
Edhe 100 e butka ime, Tuli i nëna Violetas dhe “mutka” e babi Dolfit!
Bija ime, që na ndan një Oqean! Unë të admiroj për durimin, urtësinë dhe përmbajtjen dhe pyes shpesh veten, kujt i ke ngjarë? (Ke zgjedhur nga të dy ne, më të mirat).
Sot, në një ditë kur qënia është më afër vetes dhe e ndjeshme më shumë ndaj reales së vet, dua të të them të vërtetën. Unë jam e frikësuar, shumë e frikësuar, sepse guximi i rinisë u venit bashkë me vitet, që ikin pa u ardhur keq dhe po më bëjnë një grua të brishtë dhe pak grindavece, siç janë gratë e vërteta. Ndërsa si nënë, si të gjitha nënat, të cilat janë pak delirante, mos më beso plotësisht, pasi nënat të shumtën e herëve bëhen trime dhe guxojnë më shumë, sesa munden të jenë e të bëjnë. Ah, nënat, të mirat dhe të shtrenjtat, bëjnë shumë, por jo gjithçka, nuk janë perfekte dhe nuk janë Zoti në Tokë, ah, sikur të ishin!
Pra, si nënë dhe grua të kërkoj të falur që nuk e mbaj dot premtimin, të cilin ta dhashë qysh kur të kisha në bark dhe ti komunikoje me mua me ato goditjet e lehta me këmbët e tua të vogla e të brishta. A të kujtohet? Ti e aprovoje çdo fantazi dhe përrallë që të thoja, me ato goditjet komunikuese dhe më pas me qeshjet e puthjet.
Më puthje leshkat e veshkat, hundën e syçkat, pastaj rehatoheshe në mesin e të dyve ne, që të dhamë jetën dhe dashuri të pafund e na kanoseshe me gisht kur të ngacmonte babi yt që të adhuronte e të thoshte me shaka të shkoje të flije në krevatin tënd se u bëre goxha çupë, ti e shihje shumë serioze dhe pastaj e puthje sërish në syçka e veshka dhe pasi futeshe në mes, i thoje, ti je këtu, mami aty dhe unë në mes, sërish në mes, ndërsa ne qeshnim e të puthnim kush e kush më shumë.
Isha aq e re dhe pa përvojë. Nga ta dija unë, që jeta ishte mësuese me përvojë, por e padrejtë, dikë e mbante me hatër, dikë e mbeste në klasë! Edhe jeta për çudi i do servilët dhe të qetët, ndërsa rebelët i godet sa herë ngrenë krye ndaj rregullave hipokrite e të padrejta.
Sa ishe bebuc të mbrojta nga mikrobet si hero. Nuk të jepja gji pa e larë më parë gjirin, të laja çdo natë dhe asnjë pecetë nuk të afrohej pa u hekurosur më parë.
Më pas të kujtohet, sa herë bije dhe vriteshe vije me vrap tek unë dhe unë e puthja vendin e vrarë, që më tregoje me gishtin e vogël dhe plaga apo xhunga “shërohej” menjëherë?
Gjithashtu me budallallëk të mbroja nga çdo qortim, vetëm unë kisha të drejtë të të qortoja, por shumë rrallë, sepse ishe e urtë dhe e mençur.
Mua më kujtohet një rast, që nuk e di a të kujtohet edhe ty, kur ishit rreth 4 dhe 6 vjeçe, ju trembën dy djem dhe një vajzë greke në Greqi në lagjen ku banonim në një nga bodrumet e një pallati që ndërtohej, unë 25 vjeçare atëhere, kam vrapuar si bishë për km të tëra rreth e rreth pallateve duke i ndjekur derisa i kapa dhe u dhashë nga një dackë të mirë surratit të vogël, por që më tepër e kishin hak prindërit e këqinj e racistë, të cilët i mësonin me urrejtje ndaj nesh.
Kur dy nga prindërit e tyre erdhën të më kërkojnë llogari ua tregova qejfin më mirë, me guximin që më jepte drejtësia e një nëne që nuk kish faj të mbronte fëmijët nga racizmi, i cili mund të çonte dhe deri në tragjedi.
Edhe vite më pas, në Korçë tashmë, kur të goditi një djalë i vogël, që sot fatkeqësisht nuk jeton më dhe ti qave aq shumë, atëhere kur të goditi dhe po aq shumë kur ai u nda nga jeta tragjikisht vite më pas, se e kishe të afërm nga babi, unë po njësoj vrapova ta kapja, po më mirë që nuk e kapa dot se do më mbetej merak që do e kisha goditur po aq sa të goditi ty pa faj, zemra ime e vogël dhe e mirë!
Më pas të mbrojta e të dhashë kurajo në çdo provim të shkollës dhe punës derisa u bërë nië vajzë e kompletuar, me master dhe ke në librezë, më shumë vite pensioni sesa unë që nuk ndejta më shumë se 10 vjet në asnjë shtet. Fat refugjati!
Zemër, të tridhjetat arritën edhe për ty bija ime dhe shkujdesja e qetësia u arratisën…
Unë plakem, ti pjekurohesh, por tashmë unë humb fuqinë dhe mundësinë të të mbroj, nuk rrah më dot njeri dhe megjithëse të puth me një dashuri që nuk njeh fund, ligështohem se nuk të mbroj dot nga zemra jote, nuk kam një shkop magjik të bëj të kesh vëmendjen që të takon me të drejtë, pasi ti fal vetëm dashuri dhe urtësi! Unë të admiroj për durimin, urtësinë dhe përmbajtjen dhe pyes shpesh veten, kujt i ke ngjarë? Njerëzit janë egoistë shembullorë dhe kurrë mos prit të kuptojnë se janë gabim edhe sikur të shkelin mbi trupin tënd nëse do mundeshin, mjafton që të jenë mirë vetë…
Sidomos njerëzit e vegjël në shpirt dhe parazitë, që nuk punojnë apo punuan gjithë jetën e tyre, zakonisht janë njerëzit më të këqinj. Të mençurit dhe punëtorët janë ata që japin mundin dhe dashurinë tek parazitët që kapen pas tyre si i mbyturi pas fijes së kashtës dhe ka rrezik ta mbytin dhe të mençurin, që nuk e kupton këtë, pasi ka zemrën të madhe dhe besimin tek vetja.
Kam vetëm një shpresë, nëse unë arrij të të bind që lufta dhe paqja janë vetëm në mendjen tënde, do të jesh e mbrojtur edhe larg meje!
Nëse një ditë lodhesh dhe humb durimin me njerëz që nuk e kuptuan mirësinë, durimin tënd e nuk të meritojnë, nisu vrap tek unë! Unë do bëhem shkëmb, nënë-shkëmb dhe do të puth e mbroj deri sa të frymoj!