Dr. Bardhyl Maliqi: Mbi romanin “Amerikani” të Odise Kotes
Autori Odise Kote është lindur në Gjirokastër dje mbetet gjirokastrit në çdo qelizë të qenies. Ka sevdatë, zakonet dhe butësinë e gjirokastritëve. Ai ka disa shkollime, fillimisht si ushtarak, punonjës bashkie e prefekture dhe pastaj si pedagog i letërsisë në Universitetin e Gjirokastrës. Aktualisht është prefekt i Qarkut. Në vite është shfaqur si poet, si tregimtar, novelist e romancier me vepra të bukura, por edhe si gazetar e studiues i spikatur. Na ka ndihmuar për organizimin e manifestimeve tona pikërisht në qytetin e tij të lindjes. Kjo është një arsye më tepër pse sot promovojmë librin e tij të fundit në Sarandë. Në krye të tavolinës së diskutimit përveç Odisesë kemi kryetarin e Bahkisë së Sarandës zotin Adrian Gurma, në krahun e djathtë Dr.Irena Gjoni dhe në të djathtin nën kryetarin e Klubit të Krijuesve Jonianë zotin Hekuran Halili.
Kam dashur të shkruaj disa herë për Odisenë p.sh. për romanin “Ura e Margaritës”, por ne e kemi të vështirë të gjejmë kohën e lirë, të domosdoshme për shkrimet. Kemi qenë dhe mbetemi miq të mirë, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi edhe vështrimet tona për veprat letrare. Unë do të qëndroj tek vepra, por do të ngre edhe disa probleme që kanë të bëjnë me ne si shkrimtarë dhe artistë, probleme që e kanë pikë nisjen në librin “Amerikani” por dalin edhe jashtë tij.
“Amerikani është një roman që të mbërthen, por ajo që më tërhoqi vëmendjen së pari ishte titulli, pikërisht titulli ngërthen sekretin e këtij romani. Një shqiptar i ikur në moshën dy vjeçare në Amerikë, i edukuar atje për muzikë në mënyrë ekselente, vjen në moshën 22 vjeç për të përmbushur amanetin e babait në Shqipëri, pa e ditur se pritja e tij do të ishte biruca, ku provon gjithfarë torturash, ku parësore ishte tortura psikologjike, zhgënjimi dhe mos përmbushja e amanetit. Duke lënë në Amerikë të dashurën dhe koncertet me violinë. Kësisoj titulli është interesant në kuptimin e tërheqjes së lexuesit, së pari për ta lexuar, për ta shijuar dhe vlerësuar veprën.
Disa studiues thonë se vepra nuk ka personazhe të spikatura, unë do të thosha që është e kundërta, se në këtë vepër çdo personazh e ka një mision duke filluar nga protagonisti kryesor Nelson Andrea. Ju kujtoj se ka vepra me disa skema vendosjesh të personazheve. P.sh. “Kështjella” e Kadaresë i ka vendosur personazhet ballë për ballë. Tek “Amerikani” personazhet kanë një vendosje ndryshe. Krahas përballjes dhe më shumë se kaq në qendër është vetëm një personazh, të tjerët të realizuar ose jo mbeten episodikë, aleatë apo kundërshtarë qofshin.
Nelson Andrea mua në disa drejtime më kujton Nelson Mandelën, të dy persekutohen në vendin e tyre, provojnë burgimin politik, kërbaçin e policit, presionin e vazhdueshëm psikologjik, ftohtësinë e qelive, rrahjet deri në vdekje. Të dy të kujtojnë paqen, Mandela vlerësohet me çmimin Nobël për Paqen, por edhe Nelsoni i Odisesë është paqësor e nuk dhunon askënd. Dhe siç thotë me të drejtë autori të qënit pajtues dhe paqësor janë karakteristika të këtij qyteti. Por jo vetëm të këtij qyteti por edhe në qytete të tjera, si Saranda p.sh. ku kemi fe të ndryshme, raca dhe etni të ndryshme, nivele ekonomike të ndryshme. Të qenët pranues dhe paqësor është ekzistenciale, të paktën në Shqipëri.
Në rezistencën intelektuale është lufta Nelson Andreas për mbijetesën si njeri dhe si violinist. Odiseja mund të mos e ketë lexuar librin e famshëm psikologjik të L.Ron Humbbardit “Dianetics – Shkenca Moderne e shëndetit mendor”, por përvojat jetësore të çojnë te ky përfundim logjik. Për këtë kemi edhe përvojat e shkrimtarëve dhe artistëve tanë në kohën e diktaturës.
Në qoftë se do të bëja analizë, mund ta filloja nga fundi, nga ngjarja e ambasadave më 2 korrik 1990. Pyetja për të gjithë, edhe për mua është vetëm një, si shpjegohet që dy shqiptarë të futur në ambasadën italiane mbahen me vite të izoluar, ndërsa në 2 korrik u hapën portat e të gjitha ambasadave dhe ju vunë mjete udhëtimi në dispozicion për të shkuar atje ku dëshironin?!. A nuk të shkon mendja të pyesësh kush i thirri qytetarët në 2 korrik? Ku e dinin ata se do t’i prisnin ndryshe? Kjo të çon tek ideja e një organizimi paraprak, që të zbulon planin e hershëm të vendeve të G7, që në esencë ka idenë se popullsia e Evropës dhe Amerikës po plaken. Kontinente të reja nuk ka më për të zbuluar, kolonive bëmë gabim që ua hoqëm litarin nga fyti duke ju dhënë pavarësinë. Kemi vetëm një zgjidhje përmes garës së armatimeve ta detyrojmë BRSS-në dhe Evropën Lindore të dorëzohen, se ato nuk kanë fuqinë tonë ekonomike.
Dhe kështu ndodhi. Kjo shpjegon edhe 2 korrikun e ambasadave tona, që të sugjeron që romanin “Amerikani” ta lexosh e kuptosh edhe më ndryshe. Pasi gjërat nuk kanë qenë kaq bardhë e zi sa paraqiten në vepër, ku flitet edhe për burgosjen e shkrimtarëve dhe artistëve, pa thënë që ata ishin të organizuar në një Lidhje Shkrimtarësh, që merrnin leje krijuese, që kishin gazetat dhe revistat e tyre, e tani nuk kanë as godinën se ua rrëmbeu shteti. Veprat e tyre të arrira botoheshin e shpërndaheshin në të gjithë vendin, me raste si puna e Kadaresë për shembull edhe jashtë vendit, ndërsa sot bashkitë tona sponsorizojnë vetëm sportet, asnjë lek për botimet tona, asnjë zyrë ku të mblidhemi nuk kemi, Kishim para viteve 80 zyrën tonë te Qendra Kulturore e qytetit ku na mbiu Sos Bari. Kryetarët e bashkisë e dhanë dhe e mbajnë peng. Por pengu i vërtetë jemi ne Shkrimtarët dhe artistët e Sarandës tonë, Shoqata e Krijuesve Jonianë. Në atë zyrë kishim bibliotekën tonë, stenda pikturash, sallë për mbledhjet mujore dhe promovimet e librave. Aty kem pritur edhe Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Ismail Kadarenë, sepse që të realizohet kontrasti, simbolika dhe metaforika e veprës duhet t’i kemi parasysh të dyja anët, ndaj nuk duhet nxituar me vlerësime superlative, megjithëse më duhet të pranoj se dy autorët elitarë të prozës sonë të gjatë janë të dy gjirokastritë: Ismail Kadare dhe Odise Kote, që kanë të përbashkët Gjirokastrën, rrugicat, sokakët dhe emërtimet e saj, por ndryshojnë në protagonizmin estetik, në gjuhë, në shprehësi dhe në detaje.
Për sa i përket letërsisë së burgjeve ku pjesërisht inkuadrohet edhe ky libër nga përmbajtja unë them se kjo letërsi e përfaqësuar nga autorë ish të përndjekur politikë si Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, At Zef Pëllumbi, Visar Zhyti e të tjerë është e realizuar kënaqshëm.
Të shkojmë sërish te romani “Amerikani”. Një personazh tjetër që përfshihet në të gjithë veprën është gjoja kushëriri i Nelsonit, Rako Serani. Dinak, rendës pas femrave, parasë dhe pushtetit, që bën dy punë njëherazi, të arkivistit dhe të spiunit. Ai u gjend edhe në radhët spektatorëve në koncerin me rastin e rihapjes së ambasadës amerikane në Shqipëri. Nelsonin e brengos kjo pjesëmarrje. Dhe me të drejtë se në emër të Demokracisë na mbinë sot pluralizmi politik me kryetarë partish ish sekretarë partie të regjimit të vjetër monist. Për çudi kjo e përfshin gjithë spektrin nga e majta në të djathtë. Negativë siç kanë qenë vërtet paraqiten hetuesit si Kanai apo policët si barkmadhi me mustaqe që e rrahin gjithmonë Nelsonin para hetimit dhe pas tij. Nelsonin hetuesia e akuzoi herën e parë pse ishte amerikan nga pasaporta dhe pse erdhi për spiunim në Shqipëri. Por akuza e burgut të dytë të Nelsonit, veçanërisht kur njeh edukimin dhe sjelljen e tij tingëllon edhe më absurde. Të akuzosh për përdhunim një njeri të thjeshtë që e ka të shtrenjtë familjen, një muzikant virtuoz se ngacmon seksualisht shoqen e vajzës 10 vjeçare, është vërtet trishtuese dhe çnjerëzore.
Vepra ka mjaft personazhe episodikë që shafqen në momente të veçanta në roman sipas skenave të jetës së Nelsonit. Të gjithë janë të spikatur.. Kujtoni psh varrmihësin me të cilin punon Nelsonit pas burgimit të dytë absurd. Ndër personazhet episodikë është edhe punonjësi i vjetër dhe beqar i muzeut në kështjellë, që jeton në dy realitete të ndryshme, ditën me realitetin e qytetit, dhe natën me ëndrrat, me princeshën Argjiro, aq sa ëndrra e çon në rrugë e sokaqe për të ndjekur keqbërësin e saj.
Një personazh kompleks dhe enigmatik si produkt i mungesës është Pandora me të cilën martohet Nelsoni. E bukur, e dashur, një shurdhmemece, por që çuditërisht do ta përballojnë bashkëjetesën me dinjitet, duke lindur dhe rritur dy fëmijë binjakë. Kjo martesë ishte krushqia e “kushëririt” të tij, Rako Seranit. Se vërtetë Pandora nuk e dinte, por e ëma e dinte se në shtëpinë e tyre fshiheshin xhevahire, thesare e tapi të vjetra, prandaj Rakua tenton edhe marrëdhëniet seksuale me të ëmën e Pandorës,për të mësuar këto sekrete. Vetë pasi hasi rezistencë, ndërron taktikë dhe realizon krushqinë me “nipin” e tij Nelson.
Pandora e bukur vërtet zhduket në skenën e fundit të romanit. Pas vdekjes së të birit, por jo për këtë shkak ajo ikën nga familja, pikërisht kur i shoqi dhe vajza dhjetëvjeçare, Hana, shoqërojnë Nelsonin në koncertin e hapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë. Duke na thënë se kaq ishte misioni im, tash ai mbaroi.
Ndërsa Hana Erdoli, e dashura amerikano hebraike e Nelsonit bëhet pjesë e karakterit të tij gjatë gjithë jetës. mendoj se zgjedhja e amerikano hebraikes Hana nuk është rastësi. Kjo zgjedhje na çon tek një fakt historik bindës. Në Shqipëri gjetën zgjidhe dhe shpëtuan jetën shumë hebrenj, asnjë nuk u dhunua apo spiunua. Popullin tonë e nderon ky fakt.
Jo rastësisht mua më ranë në sy edhe shumë fjalë të reja apo fjalë kompozita. Kam dhenë shumë vjet në filialin universitar si pedagog lëndën e morfologjisë, ku përfshihet edhe fjalëformimi. Odiseja i thotë odëjashta njërit prej mjediseve të shtëpisë së Rako Sinanit që i nxiu jetën po aq sa burgu. Odiseja thotë Rrafshulta e Grehotit, që mua më kujtoi modelin fjalëformues Rrafshnalta e Dukagjinit, ku spikatin ulta e dialektit tosk dhe nalta e dialektit geg. dhe në këtë pikë Odiseja shkon në rrugën e traditës sonë më të mirë që filloi me vëllezërit Frashëri dhe kulmon me bashkëvendasin e tij Ismail Kadarenë. Për më shumë argument për të përforcuar idenë e pranimit të tjetrit dhe kompozitat që ndërton Oodeja do të citoj një fragment të gjatë nga romani:
“Për Janollarët që kishin ndërtuar kasaforta guri brenda, në thellësi të puseve për të fshehur florinjtë e xhevahiret e shpëtuara nga vala e tretë e sekuestrimit të pasurisë e shtetëzimeve. Flitej për Zite Kovaçin e bëhej be e rrufe që flinte mbi kallëpe floriri. Kallëpet ishin shtruar poshtë dyshemesë së odasë. Pandehmat shkonin deri aty sa kishin plasur krushqitë e martesat brenda fiseve për të mos e shpërndarë e dorëzuar pasurinë. Ç’nuk flitej në këtë qytet thashethemesh? Të shkretët veshë ç’dëgjonin! Hebreu Ziga, dyshues e frikacak si përherë i kishte fshehur florinjtë e tregtisë larg, në një guvë – shpellë të nëndheshme që s’e dinte askush, në Mal të Gjerë. Një tjetër i moshuar me emrin Thanas, vllah, ruante hartat e zonës ku mendohej se kishte naftë. I ruante si tapitë e vjetra të turkut që t’i linte trashëgim në breza. Për Kopen, një Prokop, Prokop nga Palortoja e Sipërme, thuhej se na qenkësh nipi i Vangjel Zhapës dhe do të trashëgonte pasurinë e gjithë Greqisë. Të vije duart në kokë! Por t’i besoje të gjitha këto me siguri që duhej të ishe i çmendur. Pavarësisht nga shkulnaja e dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit. Askush nuk të thoshte: Plaç! Qyteti ishte si të thuash ai kazani i stërmadh që përziente gjithçka. E përziente, e treste dhe e bënte ushqim për çdo stomak. Dhe në qytet nuk kishte sherre ndasish, as urrejtje. Vrasje jo e jo. faqe 98 Këtu vëreni me kujdes frazën; “Pavarësisht nga shkulnaja e dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit”, ato i përmbajnë të dyja qëllimet e citimit të këtij paragrafi të gjate, përfshi dhe stilin dhe gjuhën e bukur që spikat në të gjitha veprat e tij.