Truri i Aristotelit si “radiator”, si ftohës i Zemrës!
Truri i Aristotelit si “radiator”, si ftohës i Zemrës!
S. Guraziu – AP, N 2022
(Aristoteli besonte se truri ka një rol paksa më “dytësor”, jo bash rol parësor, e gjithë mençuria i vinte nga zemra, aty buronte gjeocentrizmi aristotelian, astroteologjia e tij, shovinizmi, maskilizmi, protoracizmi, dhe gjithçka e intelektit…)
***
Se gabojmë ne ordinerët – asgjë interesante, madje s’është as qesharake. Ja që gabojnë dhe “kokëmëdhenjtë”, kokat më të mëdha të kësaj bote. Sepse ndoshta s’ka njeri të “pagabueshëm”, gjithkush gabon, qoftë në gjykime intelektuale, qoftë në veprime praktiko-logjike.
Për momentin s’po më kujtohet ndonjë fjalë e urtë lidhur me temën, në mendje s’po e gjej ndonjë urtësi, thënie që e kapërthen shkurt gjithë “problemin”. Por besoj s’ka popull të botës që nuk e mirëkupton “pagabueshmërinë” e njeriut. E mirëkuptueshme, sepse është e pamundur t’mos gabosh. Madje shpesh, kur gjërat rrjedhin mbarë, vetë mrekullia e gabimeve na kthehet pastaj si “mësim”, si “nxënie” mendore, si përparim në të menduarit.
Le ta marrim ndonjë shembull me vetë shembullorët e dijeve. Bie fjala Ajnshtajnin, Aristotelin. Që të dy mendjendritur, kokëshembuj që ç’ke me të, lartësia e tyre… vetë apogjeu i lartësisë. Aristotel – Ajnshtajn, tingëllon diç si duo-dinamike madhështore, thuase me njërin fillon madhështia dhe me tjetrin mbaron. Vetë krenaria si dy A-ja grandioze, A-A gjigante. Ja që asnjëra nga A-të tona shembullore s’ishin të pagabueshme.
Dhe atë, të gabosh për shkencat e vështira, të pohosh se Toka na qenkësh qendra e Universit… kjo s’është dhe aq tragjike, e lehtë ta kuptojmë. Ama të gabosh për gratë, për femrat si krijesa të pafajshme, ec e kuptoje këtë! Edhe Aristoteli, edhe Ajnshtajni i adhuronin femrat, s’u shqiteshin, i mbanin afër, s’ia bënin as “gëk” pa to. E megjithatë çfarë kanë gabuar ata teorikisht ndaj femrës (si subjekt i mençurisë së tyre) thjesht e pafalshme.
Meqë ra fjala, personalisht më parë mund ta fal Aristotelin se Ajnshtajnin. Këtij të fundit padyshim s’i “falet” gjë, asnjë gabim. S’ka si i falet psh. ai “ultimatumi” ndaj gruas së vet. Në jetën time s’kam dëgjuar, s’kam hasur kurrë ndonjë ultimatum më qesharak, për një kokë ajnshtajniane ishte diç si gabim trashanik i pafalshëm. Duhen ca mijëvjeçarë për t’iu falur Ajnshtajnit lajthitjet e pafalshme.
Ndërsa Aristotelit tashmë i falet gjithçka, thjesht për faktin se ky i takon lashtësisë. Ndryshe nga Ajnshtajni, ky pati jetuar 2400 vjet më parë.
Sidoqoftë, kësaj radhe s’do flasim për “femrat”, për gabimet teorike ndaj tyre. S’do i harrojmë, qëkur janë “gabime” të pafalshme. Gabimeve A-A për femrat (si subjekt) do u qasemi herë tjetër. Kësaj radhe le t’ia fillojmë nga “koka” – sepse nga aty fillon gjithçka. Aty lindin gjenialitetet, aty dhe gabimet, aty e kanë zanafillën edhe dijet edhe lajthitjet. Kësaj radhe le ta rrahim pakëz “kokën” e Aristotelit.
***
Të gjithë e dinë se Aristoteli ishte një mendje-zgjuar, një kokë e ditur dhe inteligjente, një mendimtar i madh. S’ka si mohohet “Corpus Aristotelicum”; s’e mohon kush se Aristoteli e shkroi Politikën, Poetikën, Metafizikën. Ende dhe sot e kësaj dite shkollarët modernë i lexojnë dhe i diskutojnë veprat e tij, debatojnë rreth frymës filozofike “materialiste”, rreth ndikimit të mendësisë aristoteliane përgjatë rrugës dhe ardhjes… ku jemi sot.
Për neve sot tingëllon “qesharake” por ishte i njëjti Aristotel “kokëmadh” që besonte se zemra është organi i arsyes dhe intelektit, jo truri. Funksioni i trurit në fakt është fare diç tjetër, roli i trurit brenda kafkës sonë është për “ftohjen e gjakut” të organizmit. Inteligjenca jonë s’ka t’bëjë me trurin, mendimet dhe inteligjenca nuk “ndodhin” në kokë por në zemër.
Të gjithë e dinë pakashumë se Aristoteli portretizohet si një “mendjefryer”, pothuaj suprematik, me vetëbesim të tepruar, i cili pohonte për gjëra të ndryshme pa u bazuar në asnjë provë, në asnjë verifikim, në asnjë eksperiment. Dhe rrjedhimisht do dilte në pah se pati qenë i gabuar për shumçka. Madje shpesh pretendohet se gabimet dhe vetëbesimi i tepërt i tij, në njëfarë mënyre e kanë penguar përparimin e shkencës për nja 2000 vjet.
Mjaft nga shkollarët e “mbrojnë”, duke pohuar se për kohën e vet nuk kishte “faj” – gjithsesi, të gjithë pajtohen se gabimi më i madh i Aristotelit ishte që nuk bënte eksperimente, që nuk i verifikonte gjërat. Jo vetëm që nuk i pati “numruar” dhëmbët e gruas së vet, por ai s’do merrte as mundin e verifikimit për idetë… bie fjala nga fusha e fizikës. S’kishte si eksperimentonte me gjeocentrizmin, por psh. të bënte siç ia bënte Galileo, të ngjitej diku më lart, t’i lëshonte objektet nga pallatet, nga kullat, t’i studionte “idetë” që i shkrepnin, t’i sinkronizonte vështrimet e mendimet, idetë me eksperimentet, dhe tek pastaj të “konkludonte”. Mirëpo jo, për fat të keq mençuria e tij në rrafshin e fizikës pothuaj për gjithçka ishte e gabuar dhe do ngelej e tillë, derisa të lindej ndonjë Galileo, Kopernik a Kepler… dhe ta “korrigjonte”.
Të pohosh se trashëgimia aristoteliane ishte pengesë për avancimin e shkencës për shekuj e shekuj, mbase është diç si ekzagjerim i stërmadh. Nëse lajthitjet aristoteliane “hidhen” me gjithë tërësinë jashtë kontekstit kohor, atëherë e qartë se pohimi i tillë asgjë tjetër por ekzagjerim. E megjithatë s’ka si anashkalohet as fakti që “pohimi” i tillë përmban dhe diç të vërtetë.
Ndokush nga shkollarët thotë se ky “fajësim” i tepruar është mjaft i padrejtë dhe i pasaktë, se fajësimi rrënjët i ka në një traditë shekullore të autorëve “armiqësorë” të cilët qëllimisht i keqinterpretonin veprat e Aristotelit. Është e vërtetë që ai pati bëri mjaft gabime, por Aristoteli gaboi shumë më pak sesa pretendohet – e justifikojnë ata.
Pakashumë të gjithë e dinë se Aristoteli vuante nga ajo “greko-arroganca” dekadente e superioritetit (anise, ndoshta më pak, krahasuar me shumë të tjerë – pasi kishte akoma më keq). Disa shkollarë sikur besojnë se Aristoteli më shumë i çmonte fjalët sesa punën, se të folurit si “akt” e shihte më të rëndësishëm sesa veprimin, se filozofimi dhe “lodhja e mendjes” na kishte më shumë vlerë sesa të bërit, të vepruarit, se teorizimi ndoshta na kishte më tepër rëndësi se “praktika”.
E sidomos nëse duhesh djersitur muskujt për verifikime, për veprime, për eksperimente, Aristoteli s’e gjente veten askund. Thuase, nëse duhej përdorur duart, ehuu me duart “vetëm skllevërit punojnë” (jo dhe ata që e lodhin mendjen, jo dhe të diturit që e “djersitin” trurin në vend të muskujve). Ndërsa dihet, sipas tij disa njerëz kanë lindur skllevër, të tillë janë diç si njerëz makinal, servilantë të aftë për t’i pranuar direktivat e udhëzimet por jo të aftë për të menduar vetë, andaj dhe është e drejtë t’i robërosh, t’i skllavërosh ata.
***
Aristoteli i madh pati gabuar për shumçka – ai besonte se gjithë mençuria e tij buronte nga zemra, jo nga koka. Truri ishte diç si “radiator”, si ftohës i kardio-makinerisë. Sa për teknologjinë, se si truri e kryente punën e ftohjes, Aristoteli s’na e pati sqaruar. Si dije bazike sot nisemi se shumica e motorëve ftohen nga një qark i mbyllur me ftohës të lëngshëm. Ftohësi e “thith” nxehtësinë dhe e liron si rrezatim (radiator) o në ajër o në ujë. Radiatori i veturës psh. e “lëshon” nxehtësinë në ajër. Ftohësi i nëndetses nxehtësinë e heqë qafet… padyshim në ujë, pasi kuptohet atje thellë “në ujë” ka vetëm ujë.
Dijet e sotme na thonë se për procesimet e veta truri e shpenzon madje 20% të energjisë trupore. Gjithë ajo energji, gjatë “punës” dhe nxehet koka, s’e mohon kush. Nxehet dhe ai procesori i kompjuterave, edhe hesapet makinale kanë nevojë për “ftohje”, mbahen “cool” o me fluturat o me lëngje tek qarkullojnë gypthave. Mirëpo si e ftohë gjakun e “zemrës” truri ynë, s’e kemi idenë.
Pothuaj na del dhe si keqardhje; vallë si ia dilkan pra ata me helmetat? Mos pyet për ushtarët, kokat e tyre na qenkan super të “nxehta”, qëkur rrashti i tyre s’ka akses direkt me ajrin – pasi ashtu e kërkojnë tekno-ligjet moderne : )
Në rregull, atëherë ishte atëherë, e mirëkuptueshme. I falet që Aristoteli besonte se “koka” na qenkësh pothuaj kot, me një rol paksa më “dytësor”, jo bash rol parësor. E gjithë mençuria i vinte nga zemra, aty buronte gjeocentrizmi aristotelian, astroteologjia, shovinizmi, maskilizmi, protoracizmi, dhe gjithçka e intelektit. Tani shkenca moderne na thotë madje as dashuria se ka “strofullën” në zemër (siç besohej), por në trurin tonë.
Ja që zemra e Aristotelit ishte unikale, aty procesohej dhe ideja se gjaku i meshkujve është më i nxehtë se ai i femrave, se meshkujt kanë më shumë dhëmbë se femrat, se femrat janë “dytësore” (krahasuar me meshkujt), se femrat janë “të papjekura”, “të mangëta”, “të deformuara”, madje paksa dhe “monstruoze”, se skllevërit e natyrshëm e meritojnë skllavërinë, se disa njerëz kanë lindur skllevër dhe është e drejtë t’i robërosh, t’i skllavërosh ata, se është e pamundur të jetosh në ekuator sepse shumë nxehtë atje, se Toka është qendra e universit, se disa gjallesa vijnë në jetë në mënyrë spontane nga balta, nuk riprodhohen (ngjalat psh.) etj. etj.
(vijon)
Aristoteli si Racist dhe “Athina e Zezë” si kambanë e ndërgjegjes!