Albspirit

Media/News/Publishing

Dea Toçi: Lunatik

Parathënie

E kujtoj jo shumë qartë veten si e vogël, asokohe rreth pesë apo gjashtë vjeç, kur ndjesitë që përjetoja i ktheja në vargje. Talenti im për të shkruar u pikas nga gjyshi im tani i ndjerë dhe nga mësuesit e shkollës 9-vjeçare publike “Emin Duraku”, falë të cilëve mora pjesë në disa konkurse letrare duke u vlerësuar me disa çmime të para. Pas kësaj për afro 20 vite ritmi i jetës, studimet dhe aktiviteti profesional u rritën e për fatin tim të keq poezitë u ndalën. Nuk e kisha menduar kurrë se do e gjeja veten sërisht duke shkruar, por ndodhi.

Ndodhi pasi unë u diplomova dhe nisa të ushtroj profesionin tim. Atëherë kuptova se i gjithë vrulli hapëshpejt i jetës më kishte larguar nga ajo çfarë më shumë mbushte shpirtin tim, të shkruarit.

Kështu në një kohë kur poezia po largohej gjithmonë e më shumë nga fokusi i lexuesit por dhe i shkrimtarëve, kur ndjenjat po gjenin hapësirë gjithmonë e më pak për tu shprehur, ndjesitë dhe forcën e besimit nisa t’i hedh në vargje e kështu nga pak t’i ndaj ato me të njohurit e mi. Urimet e tyre më kthenin në kohë, kohën kur fitoja konkurse dhe pa e patur në asnjë moment plan, por vetëm duke ndjekur rrugën nga më çonte shpirti, u shkruan të gjitha poezitë që ju do lexoni në këtë libër. Lunatik është produkt i një viti. Të gjitha poezitë janë shkruar në harkun kohor 2021-2022, periudhë kur unë mësova ta doja të qëndruarit vetëm, sepse në kohë të tillë mundesh të nxjerrësh më të mirën e vetes.

Ky vit më mësoi të dua më shumë Zotin, duke besuar se Ai ka një plan për çdo gjë dhe se ai plan është më i miri për ne. Duke besuar se edhe sfida apo sprova më e fortë vjen veçse për të na udhëzuar drejt së mirës, drejt së vërtetës, drejt asaj që ne jemi dhe na takon të kemi. Ky vit më mësoi mos të tentoj të marr përdhunshëm gjërat që dua, por teksa i pres, me pritje të bukur e qëllimmirë, pa sforcuar asgjë, të bëj atë që më së shumti më qetëson dhe mbush me pozitivitet, të shkruaj.

Lunatik mban këtë titull sepse në të do gjeni poezi që ju çojnë në majë ashtu si dhe vargje që ju rrëzojnë përtokë, ashtu si dhe hëna ndryshon fazat e saj, ashtu si një person lunatik ndryshon humorin e tij.

Faleminderit që keni në duar librin tim të parë, por premtoj jo të fundit. Ju uroj lexim të këndshëm, uroj të merrni çdo mesazh që unë kam dashur të jap mes vargjeve, duke shpresuar që pasi ta keni përfunduar librin, do doni edhe më shumë, Zotin, veten, jetën.

Përqafime, autorja.

 

LUNATIK

Sonte hëna është e plotë,

mbylli sytë mua më ndje,

nën një qiell jetojmë të dy

unë këtu e ti atje.

 

Ti atje e unë këtu,

forcë na jep e frymë na merr,

hëna e plotë që sonte ndrin

dhe ma mban zemrën peng.

 

Kënga jonë nuk ka refren,

jetën tonë e drejton hëna,

poshtë na mban i njëjti qiell

edhe qesh me fatet tona.

 

ÇEL

Që të të shohin

duhet të guxosh të dukesh,

askush nuk i adhuroi rrënjët nën tokë.

Vërtetë rrënjë të forta duhen mes lulesh,

por çel!

Nuk nuhatet ajo që nuk çel dot.

 

CIKLI I JETËS

Asnjëra ndjesi nuk do të jetë përgjithmonë,

mos u gëzo o i gëzuar, mos u hidhëro o i hidhëruar,

sepse në çastin që ti do të gjesh përgjigjen,

jeta pyetjen do ta ketë ndryshuar.

 

Dhe kështu veten do ta gjesh sërisht

zgjidhjen e rradhës duke kërkuar,

ndaj mos u gëzo o i gëzuar

lumturi e pafundme askënd s’e ka bekuar.

 

E në të mbuloftë telash i madh

mos dish mbi ç’mina ke ndaluar,

pas çdo shpërthimi më i fortë mbin bari,

ti mos u hidhëro o i hidhëruar.

 

Asnjë stuhi nuk zgjat përgjithmonë,

as fitoren s’e ke përjetë të garantuar,

ndaj mos u hidhëro o i hidhëruar,

dhe mos u gëzo o i gëzuar.

 

PRITJE

Pritja sjell pasoja pozitive

edhe pse çdo ditë

pak nga shpirti të merr.

Sa më shumë një gjë ta dëshirosh,

kur ta marrësh,

aq më shumë do të ketë vlerë.

 

DASHURUAR ME DASHURINË

Dashuria nuk do dalë kurrë nga moda,

madje është aq fine sa nuk i bën dot kujtdo,

fjala bie, shpirti yt binjak të bën vetëm ty,

sado të përpiqen nuk mund ta veshë kushdo.

 

Mos vishni dashuri që ju rrinë të ngushta,

do përfundoni duke shkyer shpirtin si letër,

as mos hyni në dashuri që ju rrinë të mëdha,

jeni duke u sjellë në fatin e dikujt tjetër.

 

Ç’është juaja do t’ju rrijë fiks për trupi,

asnjë rregullim mbi të nuk do të vini.

E juaja do t’ju rrijë fiks për shpirti dhe…

Derisa ta gjeni? Më mirë lakuriq rrini.

 

QËNDRUESHMËRI

Mund të mos ndodhë asgjë

për shumë kohë,

sikundër papritur gjithçka

nis të funksionojë.

Sekreti është në të dyja rastet

ti të sillesh po njësoj.

 

DUAM APO DUHET?

Çfarë ne duam dhe çfarë na duhet,

rrallëherë është e njëjta gjë,

por verbërisht i besoj asaj që në Kader shkruhet

dhe kurrë s’e luftoj, as që bëj zë.

 

ATË DITË

Një ditë kur duart tona do të bashkohen,

do të pyes pse u vonove kaq shumë?

S’të solli Zoti, fati, jeta

apo nuk dita të të kërkoja unë?!

Një ditë do të tregoj sa shumë të prita

dhe kur të gjithë më thonin pse,

unë hidhja poshtë gjithë fjalët e tyre

se ti do vije, shpirti s’gënjen.

Një ditë kur ne do të jemi bashkë,

unë dhe ti, i prituri i vonuar,

e gjithë kjo kohë do të marrë kuptim…

Që pa të njohur të kam dashuruar.

Dhe vetëm kur të na shohin të dy,

do ta kuptojnë pse kaq gjatë pres.

E nëse s’jam me gjysmën time,

s’do jem për copëza as për çerek.

 

DRITË TERRI

Duhet të lejosh terrin të mbulojë gjithçka

që të shohësh çfarë ty të jep dritë.

Atë që në errësirë të ka ndriçuar,

mos e ler të ikë, nuk ka të dytë.

 

MAMËS

Ty nuk di të të kushtoj poezi,

nuk lidh dot shkronjat, përpjekje të kota.

Burim i pashtershëm plot energji,

vendi ku prehem kur më lodh bota.

Për ty nuk ka mjaftueshëm fjalë

që të ta them sa vlen për mua,

as dashurinë s’ta vë dot në garë,

më do dhjetëfish sa unë të dua.

Je shpatull e fortë e zemër e butë,

kundra gjithë botës për paqen time

dhe t’më falë Zoti një jetë të dytë,

dot s’të dal borxhit mama ime.

Nga më çon jeta anë e mbanë

pa dorën tënde ka shumë mundime,

por gjithmonë hapur një derë e kam

në prehrin e ngrohtë të nënës sime.

Aty do kthehem sa herë të lodhem

nesër si të zgjohem kur mos ta di,

në prehrin tënd pak të qetësohem

një ditë plot diell për mua nis.

 

PING-PONG

Ping-pongu është ajo çfarë luhet çdo ditë,

gjithmonë njerëzit kthejnë mbrapsht atë çfarë u

jep,

ndaj kini kujdes se në cilin vend bëni mirë,

kush me të mirë s’ta kthen dot,

ta kthen me të keq.

 

ÇUNIT TIM IMAGJINAR

E di sa kohë kam të dua

sa vite kam që të përmend,

nuk di se si do vish tek mua

nuk di se si do të bëj vend.

Djali im, i shtrenjti çun,

për ty fola kudo shkova,

por fati i keq a s’dita unë

të të gjej babin unë gabova.

 

Desha shumë të të bëj njish,

do bëja çun që ta bëj trim,

por rrugën si tek unë do vish

më beso më nuk e di.

Të dua trim por djalë të besës,

të dua garip por dhe punëtor,

për këtë tha Zoti duhet të presësh,

gjërat e bukura nuk vijnë me zor.

Kështu kaluan ditë e vite

dhe mama jote shkoi tridhjetë,

kur ndonjëherë përqark shihte

cjepë të zgjebosur bishtin përpjetë.

Dhe ndonjë dash t’i zinte rrugën,

doemos me dele ish’ përdore,

unë me parime të forta

kundra lidhjeve jashtëmartesore.

Më shumë shkon koha më shumë të dua,

ty djali im imagjinar,

e di më do edhe ti mua

mezi po presim për tu parë.

I madhi Zot nuk gabon kurrë,

i madhi Zot është perfeksion,

por që për çunin t’më duhet burrë,

ndoshta pak këtu gabon?!

E di do thoni nuk duhet jo,

apo do thoni ka burra plot,

por unë e di me siguri,

në jetë s’martoj kë s’dua dot.

As nuk më vlen në jetë martesa,

mendimit tim t’i rrini anës,

për sy e faqe nuk fle me tjetrin,

të zgjohem tek Gjykatë e Tiranës.

Kërkova veç një dashuri,

të plotë, të thellë, pa gënjeshtër,

të mund të gjeja ata dy sy

dhe mos të shihja asnjë tjetër.

S’e solli Zoti fatin tim,

ç’ka do më shumë ndodh s’ta jep,

më tremb që gjithë këtë udhëtim.

ta mbyll e vetme, pa ty në djep.

Ndodh të mendoj dhe në shiringë,

atje diku në Europë,

mes spermave mbledhur miting

të ta zgjedh babin që s’do njoh dot.

Dhe ndoshta kështu do jesh i imi

më në fund në barkun tim,

dhe kështu shpejt ne do njihemi

pa falsitete, pa dështim.

E di një ditë do më pyesje,

po babin tim ku e kam,

ndoshta mes lotëve do bërtisje,

shokët kanë dy, unë vetëm mam.

Por kur të rritesh me siguri,

e di një ditë do më kuptosh,

po nuk gjete dashurinë

më mirë e vetme të jetosh.

Bekuar qoftë kush pati fat

ta gjente gjysmën në këtë jetë,

të tjerët e gjejnë në botën tjetër,

e ka thënë Zoti vetë.

Atje diku në përjetësi,

e di dikush do më pëlqejë

dhe po të jemi bashkë të dy,

e di një bab do të ta gjej.

 

RRISKU IM

Në jetë, asgjë më shumë dhe asgjë më pak,

vetëm atë që ka shkruar Zoti lart.

Dhe nëse në zemër një ëndërr ma ka caktuar

gjithmonë drejt saj do jem duke luftuar.

Dhe nëse një ditë atë do ta arrij,

do jetë vetëm falë vullnetit të Tij.

Asgjë më shumë dhe asgjë më pak,

veç rriskun tim dhe kokën lart.

 

POST SAN VALENTINO (15/02/2022)

Unë ty të dua sot, kur askush nuk më detyron të të

dua.

A i mbaroi 14 shkurti të gjitha lulet në dyqan?!

Sytë e tu janë e vetmja buqetë për mua,

që unë i ujis çdo sekondë me kujtimet që kanë

ngrirë tek ata të dy,

dhe për fat kësaj buqete nuk i bëj dot fotografi.

Ndjenja ime, festa ime, ty s’të mban dot veç një

ditë,

është pa skaj kjo dashuri, nuk mjafton as dhe një

vit.

Ju tash’ prisni 365 ditë, të blini lule, dilni, pini,

mua ndjenjën që kam në zemër s’ma mban dot Prift

Valentini.

 

DËSHTIMET

Kur ne dështojmë në diçka,

bëhemi keq.

Sa herë kthejmë kokën nga dështimet e vjetra,

kuptojmë që kanë ndodhur për të na sjellë një të

mirë.

Kush i lidh këto të dyja në kohë reale,

është fituesi i vërtetë,

i luftës dhe i paqes.

 

ÇFARË TË DUASH

Në jetë mund të kesh çfarëdo të duash të kesh,

mjafton atë që do vërtetë të dish ta gjesh.

Jo pak humbin kohën drejt dëshirës së gabuar

dhe justifikojnë dështimet “Se kështu ishte e

shkruar”.

Jo pak mbyten në lëmshin që vetë krijojnë,

se nuk ditën të gjejnë atë që vërtetë dëshirojnë.

Në jetë mund të kesh çfarë të duash të kesh,

nëse i jep gjak e shpirt ditën që do ta gjesh.

 

SAKRIFICË

Jeta ta jep gjithmonë atë që i kërkon,

nëse sistematikisht çdo ditë për të lufton.

Zoti nuk t’i lë kurrë duart bosh,

nëse për atë dëshirë gjithçka do sakrifikosh.

 

+ 18

Dikur i kishte hije të përdalës

tek ushtronte profesionin më të vjetër në botë.

Dikur shitja e lëkurës ishte e rrallë,

në tregun e saj çdokush nuk hynte dot.

Do dije me siguri prostitutën kur takoje,

e me të ndoshta ktheje dhe një gotë,

epshet momentale në të do shkarkoje,

gjithçka ishte e qartë, ajo nuk bënte kot.

Do ikte prostituta nga ty tek një tjetër,

e lodhur por ballëlartë, me punë kishte fituar.

I thosh’ klientit sapo ta kish’ gjetur:

“Jam prostitutë, s’kam për t’u dashuruar”.

Mjerë koha që erdhi, mjerë dita që po vjen,

tani prostitutës të gjitha i bëjnë karshi,

me ty rri e përdala, tjetrit shpinën i kthen,

të dyve ju ka gënjyer: “Ju kam dashuri”!

Mjerë koha që erdhi, asgjë s’ka më shije,

të përdalat mbushën vendin anembanë,

një xhiro me makinë e në darkë një pije,

kurvat po zaptojnë, prostitutat ku janë?!

Dilni dhe njëherë, zhdukeni këtë farë,

merrni atë pagesë aq për një orë,

zhdukini nga tregu të përdalat virgjëresha,

shtëpitë pa çati, Rolexin në dorë.

Dilni dhe njëherë, hiqjuani këtë mundësi,

të zhduket nga dheu kjo kope e fëlliqur,

që çdo natë me shpirtin po bëjnë tregti…

Kohë e rëndë kritike, s’lanë gjë pa shitur.

 

NGRIHU LART

Besimi në Zot nuk tregohet

kur nga gëzimi fluturon mbi re,

besim është kur s’të mbajnë këmbët

dhe qiellin pyet pse?

 

Dhe edhe pse përgjigjen askush nuk ta dha,

të mbledhësh njëmijë copat dhe të ngrihesh prapë.

Dea Toçi: Lunatik (1)

 

Dea Toçi: Lunatik (2)

 

Dea Toçi: Lunatik (3)

 

Dea Toçi: Lunatik (4)

Please follow and like us: