Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: TROKITJE…

 

Troket një natë dhe bie muzgu,

troket pas saj edhe një ëndërr,

troket një zog në një degë peme,

troket një zemër tek një zemër.

 

Troket një stinë kur është drejt fundit,

troket një stinë tek stina tjetër,

troket një mall tek ne të gjithë

troket një mall se jemi njerëz.

 

Troket një djalë tek një dritare,

dhe frymën kraharorit mban,

troket dhe zemra e një vajze,

kur ndjen trokitjen  përmbi xham.

 

Troket dhe hëna  lozonjare,

dhe pak nga pak fillon e del,

lehtas troket në portën e dimrit

një dege bajame që po çel.

 

Troket një portë e hyn një mik,

në strehën tënde apo time,

troket e shkuara çdo ditë,

trokasin vitet me kujtime.

 

Troket një shpirt tek shpirti tjetër,

troket një yll e del mbi mal,

troket vetmia brenda meje,

por unë i mbyll portën ngadalë.

 

Troket një natë dhe bie muzgu,

troket pas saj edhe një ëndërr,

troket një zog në një degë peme,

troket një zemër tek një zemër…

Please follow and like us: