“Dy sebepet” për të mos dhënë konsensus
Edi Rama, jo pa sukses ja ka arritur që të përpunojë opinionin, se “vija e kuqe” në negociatat për një konsesus për Reformën në Drejtësi nuk ishte hequr prej tij, por nga SHBA dhe BE. Faktikisht kjo vijë është tretur prej kohësh. Opozita ka pranuar rolin e ndërkombëtarëve, fiks sipas propozimit të zonjës Nuland dhe Venecias, por ka kërkuar disa specifikime në dy nene.
Bëhet fjalë pikërisht për propozimin që roli i ndërkombëtarëve në procesin e Vetingut të rregullohet vetëm me një nen në Kushtetutë, ndërsa mënyra e ushtrimit të rolit të tyre, të rregullohej me anë të një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare që do propozojnë përfaqësuesit e tyre për të mbikëqyrur procesin.
Propozimi i dytë, i cili po ashtu është kundërshtuar nga socialistët, ka pasur të bëjë me përcaktimin në këtë draft të detyrimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që do bëjë përzgjedhjen e personave që do të bëjnë Vetingun të japë arsyet për të gjithë kandidatët që ai do skualifikojë si persona jo të duhur, për të bërë kontrollin dhe verifikimin e figurës së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në rastin e parë, socialistët mësohet se kanë kundërshtuar me argumentin se nëse roli i OMN-së do përcaktohej nëpërmjet një marrëveshjeje që do miratohej nga Kuvendi, atëherë ajo mund të ishte e sulmueshme në Gjykatë Kushtetuese.
Por për këtë rast opozita kanë pranuar që të përcaktojnë në Kushtetutë, që kjo marrëveshje nuk mund të ankimohej në Gjykatë Kushtetuese, duke e bërë atë një akt ligjor të mbrojtur.
Por edhe pas kësaj socialistët kanë gjetur “kleçkën” apo sebepin e ri, duke pretenduar se kjo nuk e shpëtonte një marrëveshje të tillë, pasi subjekte të veçanta mund ta çonin çështjen në Gjykatës e Strasburgut.
Akoma edhe më e pakuptimtë është mosdakortësia për sa i përket propozimit të dytë, ai nëse duhet të jepen apo jo arsyet e refuzimit të kanditaturave. Socialistët e kanë kundërshtuar duke theksuar se misioni ndërkombëtar nuk mund të jepte arsyet e argumentuara, për sa kohë që do të bëhej fjalë për fakte të njohura botërisht për një emër të caktuar.
Por pyetja shtrohet, çfarë do të konsiderohen “fakte të ditura botërisht”? Nëse bëhet fjalë për vepra penale të kryera nga personat e propozuar apo vetë ofruar për organet e vetingut, atëhere kjo çështje është e zgjidhur nga ligji i dekriminializimit, i cili nuk lejon inflirtimin e asnjë personi me precedent për çdo vepër penale. Por nëse bëhet fjalë për “fakte të ditura botërisht”, të marra nga gazetat, portalet, rrjetet sociale apo deklaratat e politikanëve, sa herë që duan të sulmojnë kundërshtarët, atëherë, kjo përbën rrezik serioz, të legjitimit të shpifjes./SYRI.net/