Katjusha Pogaçi: PËR BREZIN TIM
Për brezin tim që u flijua
Në sanduiç si dashkurban,
Kush qe më parë i tha prit radhën
Kush erdh’ më pas e quajti “plak”.
Po çfarë ta bënte atë dije
Ku ta hidhte atë kuptim?!
Për brezin tim që humbi yjet
Dhe vendi humbi qetësinë.
Për brezin tim që ishte gati
Të merrte frenat përgjegjësisht.
Vallë kush e shtyu kur erdh çasti
Në një greminë mihur tinzizht.
Për brezin tim që e flijuan
Lakmia, llumi dhe urrejtja.
S’humbi një brez, por Shqipëria
U zverdh si pema kur vjen vjeshta.
Po ku ta çonte atë dije
Dhe gjithë atë përgjegjshmëri?!
Kur prapa tij rrinte si hije
Fajkoi mbushur me lakmi.
Për brezin tim që u rrënua
Me dashje, kot, a me qëllim
Një memorial ku pikon loti
Nga Lindja gjer në Perëndim.
O, brezi im, i bukuri i dheut
O, brezi im, plot zgjuarsi
Se s’të përdorën, të flijuan
Do kishin marrë mirësi…
Dhe more rrugën nëpër botë
Po prapë mendoje shqipërisht.
Për brezin tim që e mohuan
Dhe egërsisht dhe pabesisht.
Për brezin tim, që dhe fëmija
Filloi ta shohë me mosbesim,
Se ditiramb i thuri punës
Por s’i la “prona”në këmbim.
Po ku ta çonte atë dije
Dhe gjithë atë përgjegjshmëri?!
Për brezin tim kurorë lavdie
Për brezin tim plot madhështi.
Tiranë, 2. 6. 2021.