Lufta në Ukrainë po ndryshon të gjitha ekuilibrat evropianë
Nga Pierre Haski
Pyetje: E dini se cili shtet evropian do të ketë ushtrinë më të fuqishme gjatë viteve tëardhshme? Në kushte normale, përgjigja do të ishte Franca, e vetmja fuqi bërthamore që nga dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, aftësitë ushtarake të së cilës janë testuar në operacione të ndryshme jashtë vendit.
Por gjërat po ndryshojnë. Nëse lëmë mënjanë armët bërthamore, ushtria kryesore e Bashkimit Evropian do të jetë shumë shpejt ajo e Polonisë. Kjo është një nga pasojat e drejtpërdrejta të pushtimit rus të Ukrainës. Polonia, një vend afër zonës së konfliktit, po investon shumë në fushën e mbrojtjes.
Vitin e kaluar Varshava nënshkroi një kontratë gjigante për blerjen e armëve nga Koreja e Jugut:tanke (do të ketë 4 herë më shumë se Franca), artileri dhe avionë, për një shumë totaleprej 15 miliardë eurosh. Muajin e kaluar, qeveria polake arriti me Francën një marrëveshjetjetër për blerjen e dy satelitëve vëzhgues, për shumën 500 milionë eurove.
Vendi i ish-traktatit të Varshavës, tani anëtar i NATO-s, dëshiron që të ketë një peshë më të madhe në çështjet evropiane, dhe këtë e dëshmon ky investim madhor në sektorin e mbrojtjes. Por kjo nuk është pasoja e vetme e luftës në Ukrainë.
Të gjitha ekuilibrat e brendshëm të BE-së po ndryshojnë me themel, edhe pse është ende herët të nxjerrim përfundime, duke pasur parasysh se konflikti Rusi-Ukrainë po zgjat.
Pasojat e luftës janë veçanërisht delikate në Gjermani, një vend i tronditur që në fillim të konfliktit nga nevoja për ta vënë sërish në dyshim vetveten.
Në qendër të debatit janë varësia nga gazi rus, ngurrimi për t’i dërguar Ukrainës armët e saj,pikërisht në kohën kur ajo ka më shumë nevojë, dhe pasiguria aktuale mbi çështjen e furnizimit të Kievit me tanke të kalibrit të rëndë.
Ky “tërmet” gjeopolitik po shkakton një tension të dukshëm në lidhje me rolin e Gjermanisë. Berlini nuk po i rishikon angazhimet tij evropiane. Por në këtë pikë janë thyer kaq shumë tabu, saqë koalicioni i kryesuar nga kancelari Olaf Sholc duket se e ka humbur orientimin e tij pavarësisht shpalljes së një ‘Zeitenwende’, një pikë kthese historike.
Të dielën në Paris u kremtua 60-vjetori i pajtimit franko-gjerman, në kuadër të të cilit u mbajt një mbledhje e përbashkët e 2 qeverive. Një takim që më herët ishte shtyrë për shkak të mungesës së konsensusit mbi shumë çështje.
Por jo vetëm Gjermania. Edhe Franca është në telashe. Secila në mënyrën e vet, si Franca ashtu edhe Gjermania panë shembjen e sigurive të tyre më 24 shkurt 2022, ditën e pushtimit rus të Ukrainës. Udhëheqja tradicionale e Evropës dështoi menjëherë, sepse nuk ishte gati për këtë luftë, ndërsa vendet e Frontit Lindor, shumë më të vëmendshme ndaj aktiviteteve të Moskës, e kuptuan shumë shpejt se çfarë ishte në lojë.
Pas një viti, pasojat politike të kësaj përçarjeje nuk janë kapërcyer ende. Të dielën Emanuel Makron mbajti një “fjalim të ri të Sorbonës”, duke e ri–propozuar vizionin e tij evropian 5 vite pasi e prezantoi atë për herë të parë. Ndërkohë më 18 janar, ai nënshkroi një traktat miqësie me Spanjën, ndërsa Parisi dhe Berlini po përpiqen që të jenë në të njëjtën linje mbi Ukrainën dhe Evropën.
Këto manovra të mëdha politike, nxjerrin në pah përpjekjen për t’iu përshtatur botës së re të karakterizuar nga lufta, dhe mbi të gjitha për ta përgatitur Evropën për zhvillimet e ardhshme. Raportet e forcave kanë ndryshuar, dhe ato të së nesërmes do të farkëtohen duke filluar nga sot. / “Francë Inter” – Bota.al