Milazim Krasniqi: UDHËTIM ME TREN NËPËR SERBI
Në të dalë të Mitrovicës
ndërronte edhe peizazhi,
si në një makinë shtypi
ku latinica ia lë vendin qirilicës.
Gjelbrimit ia zinte vendin myshku
përgjatë Luginës së Ibrit
që ngjante me një tabllo manastiri
nga ato që vareshin nëpër vagona
në një stinë dimri.
Në Rashkë hynin udhëtarë të rinj
burra të veshur me zhgun
e me shajkaqe, të çara si pjepra, në krye.
Dhe gra me fustana të gjatë
me valixhe plot ushqime për rrugë
dhe fëmijë me faqe të përgjakura
nga ajvari.
“Ima li mesta?”*pyesnin, pasi uleshin
në vagon përtueshëm,
“Hvala Bogu, nema shiptara!”**
shtonin gëzueshëm.
Pas pak ia shtronin bukës e rakisë
dhe qepës gjumëndjellëse
deri sa dëndeshin,
pastaj donin të bënin një sy gjumë
e pakta nga Kragujevci deri në Llapovë
por gjumin nuk e bënin si gjumë
sepse gjithnjë ndienin rrezik
mos hynte në vagon ndonjë shqiptar
si ai arbanasi që në terr
ia kishte nxjerrë sytë pikturës,
Simonidës,
në manastirin e Graçanicës.
Duke bërë kujdes, mbeteshin pa gjumë
dhe ashtu bëheshin nervozë
e shanin njëri tjetrin me nënë,
duke qeshur e duke u zgërdhirë
për një udhëtim sa më të mirë.
“Nemoguce je da nema shiptara
jer ih ima svuda!” ***
I pati thënë një plak një burrit,
duke shikuar përrreth
i tmerruar,
si të kërkonte zgavrën
ku ishte fshehur gjarpri
që ish fshehur për ta kafshuar.
Pastaj plaku heshti gjatë
po dikur i tha:
“Niko ne zna sto su muke teshke
dok ne predje Albaniju peshke!” ****
Ndërsa ai burri, disi me butësi
ia kujtoj se ç’kishte thënë Tucoviqi:
vuajtja e tmerri nuk do të na shqiten
sepse kemi hyrë në tokën e huaj,
duke gënjyer se luftonim për liri.
Ishte një replikë e cila m’u kujtua
edhe më 31 mars 1999,
kur ushtarë serbë të armatosur
na hynë në shtëpi në Prishinë
e na urdhëruan,
të linim shtëpinë për pesë minuta
nëse nuk donim të vdisnim.
Gjithsesi udhëtimi me tren nëpër Serbi
më mbetet një kujtim
i çuditshëm dhe i frikshëm
sepse më duhej të mos flisja,
të bëhesha se po flija,
në doja të mos më gjente fatkeqësia.
Faktikisht
udhëtimi me tren nëpër Serbi
ishte si kur futesh në prapavinë e armikut
për ta zënë në befasi.
I tillë ishte udhëtimi im me tren
nëpër Serbi,
e tillë është edhe kjo poezi.
(8 janar 2021)
—-
* A ka vend?
** Falë Zotit, nuk paska shqiptarë!
*** E pamundur është të mos ketë shqiptarë, ata janë gjithkund.
**** Askush nuk e di çka janë vuajtja e rëndë, nëse nuk e ka kaluar Shqipërinë në këmbë.