Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Rexhep Polisi

 

 

NËNË!

 

M’u lagën mendimet

Nga shiu i lotëve

Që pa pushim

Bie prej qiellit të vrenjtur.

Fjalët

Më janë tharë nga dhembja.

Duart

Më dridhen si mështekna

Nga erërat…

S’reshtin për asnjë çast

Pendimet…

Është dimër

Dhe fjalët kanë ngrirë,

Nga qielli

Si breshër më bëhen…

Në ajrin e qelqtë

Vizatoj portretin tënd

Dhe thellë,

Thellë, së brendshmi

Ndjej puhizën e ngohtë,

Buzëqeshjen tënde

Që më ngroh

Në këtë natë polare…

 

MARS

 

Lule të bardha si flokë bore

Zbardhin marsin

Deri në yllësi,

Por unë s’mundem t’i arrij…

 

VRASËSIT

 

Edhe vrasësit

Çojnë lule në varreza.

Lulet në duart e tyre,

Tyta të errëta…

 

DO TË IK NJË DITË

 

Do të ik një ditë, pa lamtumirë,

Pa dhimbje e trishtim.

Do të ik nga kjo botë e pështirë,

Sa do i rëndë të jetë ky çmim…

 

Këtu njerëzit nuk vlerësohen,

Veç poezi e çmendur rend…

Nuk e di askush si lartësohen,

Ata që s’kanë një grosh mend.

 

Do të ik një ditë, pa lamtumirë,

Në një botë tjetër, pa armiqësi.

Ndoshta atje do të gjej lirinë,

Do të gjej, ndoshta, pakëz dashuri…

 

Do të ik një ditë, pa lamtumirë.

Të gjitha me vete do t’i marr…

Të jesh poet qënka e vështirë,

Kur shpirti s’këndon me zjarr.

* * *

Ka ditë që nuk e dëgjoj zërin tënd

Dhe ndjej si tingujt shuhen brenda meje;

Ka ditë që fjala e pathënë më dhemb

Dhe s’guxon të marrë udhë drejt teje!

 

Ka ditë që nuk e dëgjoj zërin tënd,

Ndërsa dimri zbardh në malet e lartë.

Atje, tej bardhësisë do ta gjej një vend

Për dashurinë tonë të zjarrtë…

Please follow and like us: